Më 16 nëntor 2002, spitali i qytetit Foshan të Kinës pranoi një pacient të pazakontë. Megjithëse ai shfaqte simptoma tipike të pneumonisë — temperaturë, koll e vështirësi në frymëmarrje, trajtimi i zakonshëm për pneumoni rezultoi i pasuksesshëm. Autoritetet kineze e raportuan sëmundjen si “pneumoni atipike” tre muaj pas shfaqjes së “pacientit zero”.
Në shkurt të 2003-tës, një mjek që kishte trajtuar pacientë me pneumoni atipike jo shumë larg qytetit Foshan udhëtoi nga Kina për në Hong Kong. Gjatë udhëtimit ai kishte koll dhe temparaturë; përmes spërklave që i shpërndajti në ashensor dhe korridore të hotelit ku po qëndronte, u infektuan të paktën 16 persona të tjerë.
Nga aty, sëmundja që do të njihej si Sindroma Akute Respiratore e Rëndë, apo shkurt SARS, do të shpërndahej në 26 vende të botës. Shkaktar qe një virus i panjohur më herët, i cili do ta merrte emrin SARS-CoV.
Në mungesë të një vaksine, izolimi qe mënyra kryesore për parandalim të përhapjes së mëtejme. Kur në korrik të vitit 2003 — tetë muaj pas shfaqjes së pacientit zero — u arrit që përhapja e sëmundjes të vihet nën kontroll, OBSh raportoi për pasojat: 774 njerëz të vdekur nga mbi 8 mijë të infektuar.
Por këto pasoja nuk do të mbeteshin të vetmet. Teksa virusi po përhapej, hulumtues të Universitetit të Hong Kongut analizuan nivelin e stresit te pacientët e prekur me SARS dhe panë se të shëruarit kishin nivele më të larta të stresit sesa zakonisht. Të njëjtat nivele të larta u raportuan edhe pas një viti, kur hulumtuesit përsëritën testin te të njëjtët pacientë.
Studimi po ashtu gjeti se një vit pas betejës me virusin, shifrat e depresionit, ankthit, dhe çrregullimit të stresit post-traumatik te pacientët me SARS qenë më të larta sesa mesatarja e popullsisë. Përfundimi: izolimi dhe ankthi nga virusi kishin lënë pasoja afatgjate në shëndetin mendor të njerëzve në vendet e prekura.
Një studim tjetër, i kryer në Kanada — po ashtu vend i prekur nga ky virus — hulumtoi pasojat psikologjike te personat që ishin ngujuar në karantinë. Studimi gjeti se 31% prej tyre kishin simptoma të depresionit, ndërsa 29% kishin simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik.
Sot bota po përballet me një tjetër virus të panjohur më herët, që, ashtu sikurse SARS-CoV, origjinon nga familja e koronavirusëve. Më 11 mars 2020, OBSh e vlerësoi rrezikun nga SARS-CoV-2 si global dhe e shpalli pandemi sëmundjen COVID-19 të shkaktuar nga ky virus.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në botë shënon mbi 100 mijë, ndërsa numërohen mbi dy milionë të infektuar. Një e treta e gjithë popullsisë botërore është ngujuar në karantinë.
***
Rrugët e Prishtinës që dikur gëlonin nga makinat janë pothuajse të boshatisura. Në sheshet pa njerëz, tek-tuk vërehet ndonjë kalimtar. Pamje e këtillë tash e një muaj mbizotëron pothuajse në tërë Kosovën.
Që prej 13 marsit, kur u konfirmuan dy rastet e para të të infektuarve në Kosovë, i gjithë vendi praktikisht është vënë në ngujim përmes një sërë masash të ndërmarra nga Qeveria. Të gjitha baret, kafenetë, restorantet, qendrat tregtare dhe tregjet janë mbyllur; vetëm barnatoret dhe shitoret ushqimore vazhdojnë të rrinë hapur.
Përditshmëria e Orgesa Arifit nga Prishtina ka ndryshuar shumë qëkur është izoluar para një muaji. Gjatë kësaj kohe ka dalë nga shtëpia vetëm për të blerë artikuj ushqimorë të domosdoshëm, e këto vizita të rralla në shitore janë kthyer në burim ankthi për të. Ajo ndien një përzierje të neverisë dhe frikës kur sheh njerëz pa mjete mbrojtëse e që nuk përfillin distancën fizike.
Shëndeti është shqetësimi kryesor për 27-vjeçaren — më tepër se për veten, ajo thotë se brengoset për prindërit e saj. “Kam frikë për shkak të moshës së tyre dhe faktit që ne si shoqëri po e nënvlerësojmë rrezikun nga ky virus”, thotë ajo.
Brengë po aq e madhe për të gjatë kësaj periudhe është edhe stabiliteti emocional; kujton se fillimi i izolimit qe veçanërisht sfidues. “Ka pasur raste kur jam ndier emocionalisht keq gjatë kësaj kohe — ktheja kohën dhe mendoja se sa pak i kam vlerësu njerëzit dhe vendet që kam pasë mundësi t’i vizitoj”, thotë ajo.
Arifi mundohet të qëndrojë aktive aq sa ia lejon hapësira brenda mureve të shtëpisë. Punën e saj në dizajn vazhdon ta bëjë nga shtëpia, ndërsa thotë se leximi, shikimi i filmave e gatimi po e ndihmojnë të shpërqendrohet nga ankthi që po i sjell kriza me virusin. Përkundër përpjekjes, jo rrallëherë ajo e gjen veten të kredhur në gjendje dëshpërimi.
Specialistja e psikologjisë klinike Natyra Agani tërheq vërejtjen se ky dimension i krizës nuk po e merr vëmendjen e nevojshme. “Jemi fokusuar tërësisht në larje të duarve, higjienë personale, higjienë orale, dietë të përmirësuar ushqimi; ndërkaq higjienën mendore e kemi anashkaluar komplet”, vëren ajo.
Psikologia Natyra Agani konsideron se shëndetit mendor nuk po i kushtohet vëmendja dhe kujdesi i nevojshëm në këtë kohë krize. Foto nga Natyra Agani.
Për rrezikun nga pasojat psikologjike të COVID-19, Agani thotë më të cënueshmit janë personat që kanë histori të problemeve të shëndetit mendor. Si shembull, ajo përmend personat me çrregullimin obsesiv-kompulsiv, tek të cilët shprehia e pastrimit të rregullt të duarve mund të ndikojë negativisht.
Ky çrregullim i ankthit përcillet me ndjesi dhe mendime të pakëndshme të cilat shkaktojnë ankth, e që për pasojë i shtyjnë individët të bëjnë veprime të caktuara në mënyrë të përsëritshme. Një nga këto veprime kompulsive mund të jetë larja e shpeshtë e duarve për t’i ikur rrezikut nga infektimi.
“Këta persona veçse janë të preukupuar me këto shqetësime dhe tash kur të gjithë flasin dhe i shohin duke bërë një veprim të caktuar, kjo mundet me e rëndu gjendjen emocionale të tyre edhe më shumë”, thotë psikologia Agani.
Ndërkaq në një rrafsh më të përgjithshëm, psikologu klinik Naim Telaku thotë se shoqëria kosovare është më e ndjeshme ndaj situatave të tilla të krizës, si pasojë e traumës psikologjike nga ngjarjet e luftës së viteve ’98-99.
“Fjala traumë do të thotë plagë, e plaga, veçanërisht kjo e natyrës psikologjike, nuk shërohet lehtë. Kur e ke një plagë, tjetra të mundon më shumë sepse ndjeshmëria është më e madhe”, thotë ai. “Kjo e shpjegon reagimin e shoqërisë, që shpeshherë situata po iu duket se po përngjason me luftë”.
Sfidat pas karantinës
Traumat nga lufta përmenden si një prej faktorëve ndikues të vetëvrasjeve të pasluftës në Kosovë. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, mbi një mijë persona kanë kryer vetëvrasje që nga paslufta; mesatarisht çdo javë së paku një person vetëvritet ndërsa tre të tjerë tentojnë të vetëvriten.
Sipas Aganit, rritja e numrit të vetëvrasjeve mund të jetë një nga pasojat e krizës së COVID-19.
“E gjithë vëmendja aktualisht është vetëm në kohën e karantinës, izolimit. Nuk jemi duke menduar se çfarë do të ndodhë pas kësaj”, thotë ajo. “Kam përshtypjen që numri i vetëvrasjeve aktualisht kur jemi në karantinë mundet me qenë më i vogël sepse mbikëqyrja është më e madhe, mirëpo nuk e dimë se çfarë ndodh pas karantinës — aty është rreziku”.
Kështu thotë edhe Bind Skeja, i cili e menaxhon linjën telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve “Linja e jetës”. Ai tregon se qëkur ka filluar izolimi, linja ka pranuar më pak thirrje sesa më herët.
“Arsyeja kryesore është që, duke i ditë rrethanat ekonomike në Kosovë, shumica e njerëzve jetojnë me familje. Njerëzit janë në karantinë, duhen me nejt mbyllë, kështu që nuk munden me thirrë e me folë shlirë”, thotë Skeja. “Zakonisht frikësohen se mos po i dëgjon najkush — kur e dinë që i kanë prindërit tërë kohën aty brenda në shpi, gjasat që na thirrin janë shumë më të vogla”.
Themeluesi i linjës telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve, Bind Skeja, thotë se thirrjet në këtë kohë janë rralluar për shkak të rrethanave të jetesës së shumicës së njerëzve në Kosovë. Foto: K2.0.
Pak ditë pas bisedës me Skejën, ai ka njoftuar se për shkak të numrit të vogël të vullnetarëve, “Linja e Jetës” — e vetmja e këtij lloji në Kosovë — ka pezulluar punën deri në tejkalimin e situatës me pandeminë.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë (MSh) së bashku me Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës kanë ndërmarrë një iniciativë për këshillim psikologjik onllajn. MSh së fundi ka hapur thirrje për vullnetarë që të ofrojnë këshillim falas për qytetarët e shqetësuar për shkak të gjendjes nga pandemia, apo për ata që kanë nevojë për shërbime psikologjike.
Problemet politike rrisin pasigurinë
Që nga agu i ditës së mërkurë të 15 prillit, në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja për ta penguar përhapjen e mëtejme të pandemisë. Liria e lëvizjes për shumicën e qytetarëve është kufizuar në vetëm 90 minuta në ditë, periudhë kjo në dispozicion vetëm për të kryer shërbime bazike.
Masat e ndërmarra nga Qeveria ngjajnë me ato që kanë ndërmarrë shumë vende tjera të Evropës. Por, rast krejt të veçantë e bën Kosovën rrëzimi i Qeverisë në pikun e krizës së COVID-19.
Përmes një mocioni të mosbesimit, më 25 mars Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar Qeverinë e përbërë nga koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Mocioni i dorëzuar nga LDK kaloi me mbështetjen edhe të partive opozitare, me gjithsej 82 vota.
Rrëzimi i Qeverisë solli frikë dhe pasiguri të gjithmbarshme — si përgjigje qytetarët protestuan për disa ditë rresht duke përplasur tenxheret dhe tiganët në ballkone e dritare. Mesazhi që dërgohej përmes kërcitjeve metalike të enëve qe i thjeshtë: partitë politike ta zhvendosin fokusin nga agjendat politike dhe të përqendrohen në luftën kundër pandemisë.
Sipas Aganit, protestat e përnatshme në ballkone, përveç zemërim e frustrim me politikën në vend, gulçonin edhe ankth e pasiguri. Problemet politike, thotë ajo, rrisin shqetësimin te qytetarët.
“Ne jemi të shqetësuar fillimisht për prezencën e virusit në vendin tonë — kur ia shton vështirësitë e ndryshme sociale dhe ekonomike, e në krye të kësaj problemet politike, gjendja jonë rëndohet dukshëm”, thotë ajo. “Kjo mundet me ndiku në rritjen e stresit, sidomos te ata persona qe veçse kanë histori të problemeve të shëndetit mendor”
Sipas psikologut klinik Naim Telaku, kriza politike në Kosovë ka ndikuar në shtimin e pasigurisë te qytetarët. Foto nga Naim Telaku.
Ndërkaq Telaku e sjell ndërmend rolin unifikues që liderët politikë duhet ta luajnë në situata të krizave dhe emergjencave, në mënyrë që ta rrisin moralin e shoqërisë. “Kjo shtresë te ne po dështon keq — e kemi pasur përshtypjen që bashkë mundemi me ia dalë, mirëpo kjo po na jep përshtypjen që nuk jemi bashkë, gjë që po e prish sigurinë”, thotë ai.
Kriza vrazhdon problemet shoqërore
Ndërkohë që e gjithë vëmendja është në luftën kundër virusit, shoqëria civile ka ngritur shqetësime lidhur me përkeqësimin e problemeve ekzistuese shoqërore, si dhuna në familje.
Hulumtuesja Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) thotë se duke pasur parasysh trendin në vendet tjera, rreziku për shtimin e rasteve të dhunës në familje është real. “Hulumtimet e menjëhershme në Kinë, Amerikë dhe Britani të Madhe kanë treguar se është rritur numri i raportimeve të dhunës në familje që nga shtrirja e pandemisë”, thotë ajo.
Rrezikun për shtimin e rasteve të dhunës në familje në kohë pandemie e thekson edhe OBSh-ja. Sipas kësaj organizate, stresi, zbehja e efektit mbështetës të raporteve shoqërore si pasojë e distancimit, si dhe mungesa e qasjes në shërbimet e ndihmës kundër dhunës në familje mund të ndikojnë në rritjen e këtij rreziku.
Sipas Aganit, të qëndruarit në izolim ofron një kanal shkarkimi emocional, i cili nëse nuk përdoret në mënyrë të shëndoshë mund të marrë edhe formë të agresivitetit të shprehur kundrejt familjarëve. Ky rrezik, sipas saj, shtohet nga pasojat financiare e ekonomike të virusit, të cilat mund ta rëndojnë gjendjen emocionale të individëve.
“Qëndrimi brenda mundet me e rritë komunikimin, me e rritë aftësinë e individit për me e verbalizu shqetësimin që e ndien. Mirëpo, mundet me ndodh edhe e kundërta: ky shkarkim emocional me qenë edhe në formë të agresivitetit të shprehur në baza gjinore, por çka është edhe më shqetësuese, edhe në raport me fëmijët”, thotë ajo.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë marsit — kur kanë hyrë në fuqi masat parandaluese ndaj koronavirusit — janë raportuar 169 raste të dhunës në familje. Krahasuar me muajin paraprak, i bie të ketë pasur rritje të raportimeve për rreth 12%.
Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore konsideron se gratë janë më të rrezikuarat nga format e ndryshme të dhunës. Foto nga Liridona Sijarina.
Sijarina nga QKSGJ thotë se duke pasur parasysh rrethanat socio-ekonomike në Kosovë, gratë mund të jenë më të rrezikuarat. “Një pasqyrë e përgjithshme e pozitës socio-ekonomike të grave në shoqëri tregon që gratë janë një grup i ndjeshëm, më i predispozuar ndaj diskriminimit dhe më të prira që të jenë viktimë e formave të ndryshme të dhunës”, thotë ajo.
Ana tjetër e krizës
Këtë periudhë të izolimit, gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e grave Shqipe Gjocaj e ka marrë me goxha pozitivitet. Duke qenë se jeton me partnerin dhe vajzën e saj, ajo po e shfrytëzon periudhën në izolim për të kaluar më shumë kohë me familjen dhe për t’u kujdesur më shumë për veten.
“Për mua, kjo është mundësi për të kaluar kohë cilësore me familjen time të vogël; luaj me vajzën çdo ditë dhe kam mundësi që të pushoj më shumë e më gjatë bashkë me të, thotë ajo. “Me partnerin e shkëmbejmë kohën që e kalojmë vetëm dhe ndajmë përgjegjësinë e kujdesit ndaj vajzës në mënyrë që t’i kryejmë angazhimet profesionale onllajn”.
Krahas punës, ajo është praktikuese e jogës dhe lexuese e rregullt. Këto aktivitete thotë se po e ndihmojnë ta mirëmbajë shëndetin mendor dhe fizik.
Ashtu si për të, edhe për shumë njerëz tjerë kësi situata mund të shërbejnë për afrim raportesh e rritje të ndjeshmërisë mes vete. Studimet nga koha e epidemisë së SARS-it e mbështesin një gjë të tillë.
Një studim i vitit 2005 ka krahasuar raportet njerëzore para dhe pas SARS-it; 28% të respondentëve kanë thënë se ndiejnë përkrahje më të madhe nga shoqëria pas epidemisë, kurse 39% e kanë thënë të njëjtën në raport me familjen. Po ashtu, 35% prej tyre kanë thënë se i ndajnë më shumë ndjenjat me të tjerët pas epidemisë, ndërsa mbi 60% kanë thënë se kujdesen më shumë për familjarët e tyre.
Studimi ka gjetur se për një pjesë të njerëzve, izolimi ka ndikuar në shtimin e vëmendjes ndaj shëndetit mendor; 66% e respondentëve kanë thënë se tani kujdesen më shumë për shëndetin e tyre mendor, ndërsa rreth 35% e respondentëve kanë deklaruar se kalojnë më shumë kohë për pushim, relaksim e ushtrime.
Edhe psikologia Agani thotë se për disa njerëz, siç janë personat që ballafaqohen me probleme të disponimit, kjo situatë mund të ndikojë pozitivisht. “Ky mundet me qenë një moment shumë i mirë për një person me depresion, për shkak se krejt familjarët i ka në shpi dhe kjo situatë mundet me ia dhënë një shtysë për ta tejkalu gjendjen e rënduar emocionale nëpër të cilën kalon”, thotë ajo.
Megjithatë, pasojat dhe anët pozitive të pandemisë në shëndetin mendor të shoqërisë mbesin ende në nivel hipotezash. E sigurt është një gjë: shoqëria pas pandemisë nuk do të jetë e njëjtë.
***
Tri këshilla për kujdes ndaj shëndetit mendor gjatë pandemisë
Forma e reagimit ndaj izolimit që e shoqëron këtë situatë mund të dallojë në bazë të tipareve të individëve. Sidoqoftë, janë disa këshilla të përgjithshme të cilat burimet autoritative të shëndetit mendor i ofrojnë, e që ndihmojnë për ta ruajtur stabilitetin emocional gjatë pandemisë COVID-19.
1. Mbajtja e kontakteve me të tjerët. Në një manual të publikuar së fundmi, Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon të mbahen kontaktet me familjarët dhe shoqërinë përmes telefonit, rrjeteve sociale, video thirrjeve apo e-maileve. Të njëjtën këshillë e jep edhe Asociacioni i Psikologëve Amerikanë (APA), me shpjegimin se shkëmbimi i ndjenjave me të tjerët në kohë krizash forcon ndjenjën e normalitetit, duke ulur stresin si rezultat.
Ndërsa psikologu Naim Telaku thotë se forcimi i lidhjeve shoqërore ndihmon në ruajtjen e kohezionit social, i cili në kohë krizash është i domosdoshëm.
“Ne si individë ndihemi të vegjël të ballafaqohemi me probleme kaq madhore”, thotë ai. “Fuqia dhe besimi se mundemi me e tejkalu vjen kur e kemi ndjesinë e kohezionit social; ky lloj optimizmi është i domosdoshëm në këso rastesh”.
2. Qasja e kujdesshme në informacion. Profesionistët shëndetësorë po ashtu këshillojnë shmangien e informacioneve të tepërta mbi virusin; OBSh rekomandon shkurtimin e kohës së shpenzuar duke ndjekur lajme që lidhen me COVID-19, ndërkaq sugjeron që informacionet lidhur me virusin të merren nga burime të besueshme.
Për më tepër, APA shpjegon se ekspozimi i tepërt ndaj çfarëdo lloji të lajmeve është i dëmshëm për shëndetin mendor pasi që ndikon në rritjen e stresit. Ndërkaq, studimet sugjerojnë se mediat sociale — një nga burimet kryesore të informacionit në kohën tonë — mund të shkaktojnë më shumë ankth sesa mediat tradicionale.
Psikologët thonë se shumica e lajmeve gjatë kësaj periudhe kanë karakter shqetësues, pasi që flasin për rritje të numrit të të prekurve me virus, rritje të numrit të vdekjeve dhe të ngjashme — të gjitha këto mund ta rrisin ankthin.
“Kur e marrim një informacion shpesh, ajo e fiton një fuqi në mendjen tonë. Nëse vazhdimisht u ekspozohemi lajmeve për koronavirus, kjo bëhet njëfarë kompleksi në mendje, prej të cilës nuk mundemi me u çliru pastaj”, thotë Telaku.
Agani e Telaku sugjerojnë që informacionet rreth COVID-19 të merren nga burime zyrtare si OBSh, MSh dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Agani po ashtu sugjeron një plan të marrjes së informatave. “Kemi nevojë me i marrë informatat në periudhë të caktuar ditore — për shembull, në ora 12, në ora 3, në ora 7”, thotë ajo.
Veç kësaj, Agani ngreh shqetësimin për qarkullimin e lajmeve të rreme, të cilat sipas saj e rëndojnë edhe më tepër gjendjen emocionale gjatë kësaj periudhe.
Për një raportim të përgjegjshëm gjatë kësaj kohe ka apeluar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Kryetarja e këtij asociacioni, Gentiana Begolli, thotë se përgjithësisht gazetarët po u përmbahen parimeve të raportimit të drejtë karshi çështjeve që lidhen me koronavirusin, megjithëse nuk mohon se ka pasur edhe lëshime e lajme të rreme.
“Informacioni i saktë dhe në kohë është thelbësor për reagimin e organizuar të shoqërisë ndaj kësaj sfide dhe parandalimit jo vetëm të përhapjes së virusit COVID-19, por edhe të panikut që mund ta shoqërojë atë”, thotë Begolli. “Mendoj që shumica e kolegëve tanë po ia dalin që t’i përmbushin dy përgjegjësi të mëdha, të raportojnë të vërtetën dhe të mos shkaktojnë frikë të panevojshme te publiku”.
3. Kujdesi për veten. Psikologët këshillojnë që periudhën e izolimit ta konsiderojmë si periudhë zhvillimi personal. Agani sugjeron që izolimi në shtëpi të shfrytëzohet për aktivitete të cilat dinamika e jetës normale nuk na lejon në mungesë të kohës. Për këtë, ajo thotë se duhet ndryshuar perspektiva se si e shohim izolimin.
“Kjo mendësia ‘jemi brenda, jemi mshelë, nuk po mujmë me dalë’ të shihet në një perspektivë tjetër; në një diçka si ‘ky është momenti kur unë mundem me u fokusu fillimisht në veten, nevojat dhe shqetësimet e mia, dëshirat e mia, dhe pastaj edhe në familjarët e mi’”, thotë Agani. “Në ditët tona të zakonshme nuk e kemi këtë luks, pasi që jemi të angazhuar, fëmijët janë në shkolla e kopshte, njerëzit punojnë me orare të gjata”.
E Telaku thotë se mirëmbajtja e një rutine është e domosdoshme gjatë periudhës së izolimit. “Është e rëndësishme me i ruajt disa rutina që i kemi pasë më herët; me lexu ngapak, me lëvizë ngapak, me i bo disa ushtrime të lehta fizike brenda shtëpisë. Këto janë shumë të rekomandueshme”, thotë ai.
Ngjashëm rekomandon edhe OBSh-ja në manualin për kujdesin e shëndetit mendor gjatë pandemisë — t’u kushtohet rëndësi ndjenjave dhe nevojave vetjake. “Merruni me aktivitete të shëndetshme që i pëlqeni e që ju relaksojnë. Bëni ushtrime rregullisht, mbajeni rutinën e rregullt të gjumit dhe ushqehuni shëndetshëm”, sugjeron OBSh.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.