Amiri, afgan 16-vjeçar, ka udhëtuar drejt Bashkimit Europian për më shumë se një vit e gjysmë. Ai arriti në Serbi i vetëm dhe i pashoqëruar, nëpërmjet linjës tokësore, nëpër Turqi dhe Bullgari, krejt kjo pasi kontrabandistët e kishin mbajtur në Stamboll me javë të tëra, duke ia shantazhuar babain, duke kërkuar që ai të paguante 1,000 euro.
“Ishin afganë”, kujton ai. “Isha aty për 20-25 ditë. Më jepnin ushqim dhe ujë një herë në javë. Kryesisht e kaloja kohën në një dhomë. Kohë pas kohe më rrihnin. Kryesisht më godisnin në shkelma. Nuk më rrihnin çdo ditë, por herë pas here”.
Kur prindërit e tij e paguan haraçin, ata e liruan Amirin: “M’i mbuluan sytë dhe më futën në një veturë, pastaj udhëtuam gjatë… në fund më lanë në një rrugë. Nuk e dija se ku isha, në çfarë qyteti. Pastaj e kuptova që isha në rajonin Zeytinburnu në Stamboll. Aty u takova me disa tipa të tjerë të Afganistanit dhe shkova në Bullgari”.
Ai kaloi katër muaj në kampin Bosmanci në Bullgari. Por meqë Bullgaria rrallëherë u jep azil afganëve, dhe nga frika e internimit, ai vazhdoi drejt Serbisë. Arriti ta kalonte kufirin në përpjekje të dytë apo të tretë. “Në pyjet e Bullgarisë piva ujë që nuk ishte i mirë”, thotë ai. “Prej atëherë shpeshherë kam dhimbje në veshkë. Doktori më jep antibiotikë, medikamente për dhimbje, dhe pastaj më liron. Dhe kur më dhemb prapë, i tregoj”.
Amiri tani banon në Beograd. Ai po punon si vullnetar në një organizatë që punon me refugjatë për ta kaluar kohën më shpejt në mes të përpjekjeve të vazhdueshme për të kaluar në BE.
Ai është një prej 3,800 personave të cilët aktualisht jetojnë në 5 qendra të përhershme dhe 13 qendra të përkohshme për ndalim në Serbi, sipas të dhënave të Komisariatit për Refugjatë. Vitin e kaluar ishin mbi 8,000 persona. Një pjesë e vogël kanë arritur të kalojnë në mënyrë të ligjshme në Hungari, por pjesa më e madhe nisen drejt ‘kufijve të gjelbër’ – nëpër fusha të Kroacisë apo Rumanisë; disa të tjerë së fundmi janë nisur drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, duke u përpjekur të hynë në Kroaci nëpërmjet një linje tjetër.
Kalimi në Hungari është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të masave të rrepta të kontrollit në kufi – duke përfshirë këtu rrethoja famëkeqe të larta katër metra – dhe dhunës policore. Situata në Kroaci është e ngjashme. Vullnetarët në terren rregullisht raportojnë dhunë policore në kufi dhe kushtet e tmerrshme të jetesës për këta njerëz, kryesisht të rinj, të cilët jetojnë në zonat kufitare.
Amiri thotë se ka arritur të hyjë në BE prej Serbisë pasi kaloi me sukses në Hungari. Ai kaloi në mënyrë të ligjshme, pasi kishte qenë viktimë e dhunës së kontrabandistëve në Serbi. Disa organizata lobuan për ta përfshirë atë në të ashtuquajturën ‘listë’ e cila mundëson kalimin e ligjshëm të kufirit. Deri sot, 20 persona mund të hynin në Hungari në këtë mënyrë çdo ditë, por tani rregullat kanë ndryshuar dhe vetëm dy njerëz mund të hynë në një ditë.
Kur arriti atje, ai qëndroi për më shumë se një muaj në një kamp të mbyllur të quajtur Roszke – shumëkush e ka krahasuar këtë kamp me burgje.
Ai aplikoi për azil në Hungari, por në fund të vitit 2017 u kthye në Serbi; ai thotë se autoritetet hungareze nuk i besuan kur tha se ishte minator, dhe u përpoqën ta transferojnë në një kamp ku mund t’i kishte kaluar deri në gjashtë muaj, pa mundësi për t’u larguar. Për Amirin dhe shumë të tjerë të cilët janë duke kërkuar jetë më të mirë, kjo është periudhë shumë e gjatë.
Pas përvojës në Hungari, ai bëri 8 përpjekje për ta kaluar ‘kufirin e gjelbër’ për në Kroaci. Megjithatë, secilën herë, siç ndodh me shumë të tjerë që bëjnë përpjekje të tilla – shumë prej të cilëve janë kthyer me forcë në Serbi – policia e parandaloi.
“Nuk fle mirë. Mendoj shumë. Mendoj për prindërit e mi dhe për atë se si do ta kaloj kufirin”, thotë Amiri. “Mirë është në Serbi, por e di se më duhe të lëviz përpara sepse nuk ka të ardhme për mua këtu. Nuk mund të kthehem”.
Amiri e nisi udhëtimin e tij nga krahina Nangarhar në Afganistanin lindor pasi babai i tij u diagnostikua me një sëmundje, dhe Talibanët, që ende janë në pushtet në këtë pjesë të vendit, nuk e lejuan të punonte dhe ta fitonte bukën e gojës për familjen e tij. Pas një përballjeje me Talibanët, prindërit e tij vendosën ta çonin Amirin në Europë, ku shpresonin se do të jetë i sigurtë.
“Babai im i pagoi kontrabandistët 3,000 euro për të më çuar në Europë. E kam një xhaxha në Belgjikë. Tani ai më dërgon para kohë pas kohe – 100 euro në muaj, apo për disa muaj”, thotë Amiri. “Disa refugjatë këtu blejnë pica, Coca Cola… unë jo. Unë po mundohem të ruaj para për ta provuar një lojë”.
Amiri dhe refugjatët e tjerë u referohen përpjekjeve për ta kaluar kufirin me fjalën ‘lojë’. Një ‘lojë’, me një taksist nga Beogradi deri në Shid apo diku tjetër afër kufirit kroat, kushton nga 50 deri në 70 euro, por çmimet ndryshojnë vazhdimisht.
Ata të cilët kanë ende para shkojnë me kontrabandistët. Të tjerët lëvizin në grupe, të udhëhequr vetëm me GPS. Prej vitit 2015, ata të cilët kanë udhëtuar nga Beogradi kanë gjetur lidhje për të ecur përpara në parkun e Fakultetit Ekonomik. Në një kohë të caktuar, disa herë gjatë javës, grupe me katër apo pesë persona lëvizin në mënyrë të organizuar drejt kufirit serbo-kroat.
Dhuna policore
Prej vitit 2015, kur refugjatët filluan të kalonin masivisht nga Ballkani për në BE, Serbia u bë pikë e rëndësishme e ndalimit në ‘rrugën e Ballkanit’. Pasi BE-ja i mbylli kufijtë në mars 2016, mijëra njerëz ngecën në këtë rrugë. Nëse duan ta vazhdojnë rrugën, ata detyrohen të kërkojnë mënya alternative për të hyrë në BE.
Kufijtë e mbyllur i bënë më të cënueshëm udhëtarët. Ata jo vetëm që janë shpeshherë viktima të kontrabandistëve, por jane po ashtu viktima të forcave policore të shteteve të BE-së, të cilat nuk ngurrojnë të përdorin forcë apo internim të paligjshëm, duke e shpërfillur ligjin humanitar ndërkombëtar i cili parasheh që çdo person ka të drejtë për të kërkuar azil në një shtet në të cilin e gjen veten, pa marrë parasysh mënyrën se si ka hyrë në atë shtet të caktuar, apo faktin nëse posedon dokumente personale.
Në Serbi, refugjatët si Amiri, të cilët nuk kanë kërkuar azil, njihen nga sistemi ligjor vendas si emigrantë të jashtëligjshëm me të drejta për strehim dhe shërbime emergjente shëndetësore. Ligji për të Huajt lejon internimin në shtetin e origjinës, por meqë internimi është i shtrenjtë, Serbia nuk po e internon askë.
Stevan Tatalovic, hulumtues në fushën e migrimit dhe vullnetar në OJQ-në që u ndihmon refugjatëve, Info Park, shpjegoi se prej vjeshtës së vitit 2017, Serbia është bërë qendër prej së cilës emigrantët lëvizin në të gjitha drejtimet: drejt Rumanisë, Bullgarisë dhe Greqisë, apo nëpër Mal të Zi dhe Shqipëri drejt Italisë. “Kërkush nuk do të kishte menduar që këto rrugë janë të mundshme, por kjo ndodhi”, thotë ai.
Në të shumtën e rasteve ata lëvizin në këmbë. Amiri thotë se ai detyrohet të ecë për tri orë nga Shidi deri te kufiri kroat. Nëse arrin ta kalojë kufirin, ai do të ecë nëpër Kroaci dhe Slloveni për pesë apo gjashtë ditë: “E ke një maicë, një palë pantollona, një shishe ujë, 1-2 copa bukë… Jemi rreth 15 njerëz në një grup. Një herë kaluam pesë ditë në kufirin kroat duke i pritur kontrabandistët, e më pas na kapi policia”.
Në raportet e grupeve vullnetare që punojnë me emigrantë, por edhe në raportet e Doctors Without Borders (MSF), përshkruhen shumë raste të dhunës brutale që ushtrohet kundër atyre që hynë në Kroaci. Për këtë akuzohen pjesëtarët e policisë lokale. Deri më sot, policia vazhdimisht ka mohuar një gjë të tillë.