Në thelb | Ballkan

Portat e fortifikuara të Ballkanit

Nga - 26.02.2021

Mbi mënyrën e përfshirjes së shteteve joanëtare të BE-së në fortesën Evropë.

Zyrtari policor slloven Marko Gašperlin filloi mandatin e parë si drejtues i Bordit Menaxhues të Frontex-it në pranverën e vitit 2016. Rreth dy muaj para kësaj, Kryeministri i atëhershëm i Sllovenisë Miro Cerar kishte shkuar në Maqedoninë e Veriut për të përcjellë porosinë se shtegu i migrimit përmes Ballkanit — i ashtuquajturi shteg ballkanik — do të mbyllej.

“Maqedonia e Veriut është shteti i parë që ka shfaqur gatishmërinë për të bashkëpunuar [me Frontex-in] për ta ndalur rrungajën që kemi pasur nëpër Ballkanin Perëndimor në vitin 2015”, ka thënë Gašperlin për K2.0 gjatë një interviste të kryer në shtabin e policisë në Lubjanë në shtator të vitit 2020.

“Rrungaja” nënkupton mbi 1 milionë njerëzit që kanë hyrë në Bashkimin Evropian në vitin 2015 dhe në fillim të vitit 2016 për të kërkuar azil, shumica prej të cilëve kanë kaluar nëpër shtegun ballkanik. Pjesa dërrmuese e tyre ka qenë nga Siria, por ka pasur edhe nga shtete të tjera të Jugut global ku të drejtat e njeriut shihen si koncept i mjegullt.

Sipas Gašperlin-it, interesi parësor i Agjencisë Evropiane të Kufijve dhe Rojës Bregdetare për kufijtë e jashtëm të BE-së është kontrollimi i lëvizjes së njerëzve që ai i përshkruan si “ilegalë”.

Duke pasur parasysh dyshimet e shumta nga organizatat e të drejtave të njeriut, mund të jetë që vetë Frontex-i është pjesë e aktivitetit ilegal në kuadër të zinxhirit zmbrapsës që largon njerëzit nga territori i BE-së para se ta kenë mundësinë ta shfrytëzojnë të drejtën për të kërkuar azil.

Në mars të vitit 2016, BE-ja kishte bërë një marrëveshje me Turqinë për ta ndaluar qarkullimin e njerëzve drejt Evropës dhe Frontex-i ishte bërë akoma më aktiv në Detin Egje. Vetëm katër vjet më pas, në fund të vitit 2020, Gašperlin kishte themeluar një grup punues për t’i shqyrtuar dyshimet për shkelje të të drejtave të njeriut nga zyrtarët e vet. Deri më tash nuk është afirmuar asnjë veprim i papërshtatshëm. Raporti i brendshëm përfundimtar nga Frontex-i pritet të dalë në fund të shkurtit.

Në vitet e fundit, Frontex-i është bërë më i dukshëm në kufijtë e BE-së. Megjithatë, një numër hetimesh po shqyrtojnë rolin e tyre të supozuar në shkeljet e të drejtave të njeriut të migrantëve. Foto: Frontex Media Centre.

Pas bërjes publike të dyshimeve gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2020, disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë bërë thirrje për dorëheqjen e drejtorit të Frontex-it Frabrice Leggeri, ndërsa Ombudsmeni Evropian po ashtu ka paralajmëruar një hetim për efektshmërinë e mekanizmit ankimues të Agjencisë, si dhe për menaxhmentin e saj.

Gjithashtu është themeluar Grupi Punues i Parlamentit Evropian për Shqyrtimin e Frontex-it për kryerjen e një hetimi tjetër, në veçanti për këqyrjen e “përputhshmërinë dhe respektin për të drejtat themelore”, si dhe për menaxhmentin e brendshëm, transparencën dhe llogaridhënien. Ky grup ka filluar punën formalisht më 23 shkurt, ndërsa hetimi faktmbledhës pritet të zgjasë katër muaj.

Viti 2021 filloi me më shumë dyshime dhe zbulime.

Në janar të vitit 2021, zyra e BE-së kundër mashtrimit OLAF konfirmoi se po bën hetim rreth dyshimeve për ngacmim dhe veprime të papërshtatshme brenda Frontex-it, si dhe për zmbrapsjet në kufijtë e BE-së.

Akuza të ngjashme në drejtim të Frontex-it për shkelje të të drejtave të njeriut grumbullohen tash e shumë vjet. Në vitin 2011, Human Rights Watch kishte nxjerrë një raport me titullin “Duart e Pista të BE-së” që dokumenton keqtrajtimin e migrantëve të mbajtur në Greqi.

Organizata të të drejtave të njeriut dhe media të ndryshme po ashtu kanë raportuar gjatë se Frontex-i ka ndihmuar Rojën Bregdetare të Libisë për gjetjen dhe zmbrapsjen e njerëzve që përpiqen të ikin drejt Evropës. Pas kthimit, njerëzit mbahen në qendra famëkeqe të mbajtjes, të cilat veprojnë me mbështetjen e BE-së.

Sidoqoftë, udhëheqësit e BE-së nuk po heqin dorë nga ideja e zgjerimit të misionit të Frontex-it, duke bërë marrëveshje me qeveri të vendeve joanëtare të Ballkanit që të marrin pjesë në përpjekjet e tyre për ta ndaluar migrimin.

Tash për tash, plani i Frontex-it është të vendosen 10,000 roja kufitare në kufijtë e jashtëm të BE-së deri në vitin 2027. 

Policimi i Evropës

Frontex-i, me seli në Poloni, është themeluar në vitin 2004, por ka vepruar me intensitet të ulët në dekadën e parë të ekzistencës. Kjo ndryshoi në vitin 2015 kur, në mënyrë që të kontrollohej më mirë zona e lëvizjes së lirë e Shengenit, Komisioni Evropian (KE) zgjati mandatin e Agjencisë meqë synonte ta shndërronte Frontex-in në një Agjenci të plotë Evropiane të Kufijve dhe Rojës Bregdetare. Me këtë rol filluan të veprojnë në tetor të vitit 2016, në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë.

Në vitet e fundit është zgjeruar territori i fushëveprimit të tyre me shpjegimin se bëhet fjalë për bashkëpunim me vendet fqinje, ndërsa qëllimi kryesor është “të sigurohet zbatimi i menaxhimit të integruar evropian të kufijve”.

Si një ndër shtigjet kryesore të migrimit drejt Evropës, Ballkani është bërë rajon kyç për Frontex-in.

Buxheti që ndahet për punën e tyre po ashtu është rritur masivisht, nga rreth 6 milionë euro në vitin 2005 në 460 milionë euro në 2020. Sipas planeve ekzistuese, Agjencia është rrugës për t’u rritur akoma më shumë, ndërsa deri në vitin 2027 pritet të shpenzohen afro 5.6 miliardë euro për Frontex-in.

Si një ndër shtigjet kryesore të migrimit drejt Evropës, Ballkani është bërë rajon kyç për Frontex-in. Bashkëpunimi i ngushtë me autoritetet e rajonit është në rritje që nga viti 2016, veçanërisht përmes projektit “Mbështetja Rajonale për Menaxhimin e Migrimit të Ndjeshëm ndaj Mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi”.

Për ta rritur fuqinë në terren, Frontex-i ka promovuar “marrëveshjet e statusit” me vendet e rajonit, ndërsa KE-ja, përmes fondit të Instrumentit për Ndihmën e Para-anëtarësimit (IPA), ka kushtuar 3.4 milionë euro përgjatë periudhës dyvjeçare mes 2019-21 për forcimin e kufijve.

Vendi i parë i Ballkanit që ka ngritur marrëveshjen e bashkëpunimit me Frontex-in në një marrëveshje të statusit është Shqipëria në vitin 2018; operacionet e përbashkëta policore në kufirin jugor me Greqinë kanë filluar në pranverën e vitit 2019. Sipas marrëveshjes, Frontex-i lejohet të kryejë detyra të plota policore në territor jashtë BE-së.

Marrëveshja e statusit e Frontex-it me Shqipërinë është ndjekur nga një marrëveshje e ngjashme me Malin e Zi që është në fuqi që nga korriku i vitit 2020.

Nënshkrimi i një marrëveshjeje të statusit me Maqedoninë e Veriut u bllokua nga Bullgaria në tetor të vitit 2020, ndërsa marrëveshja me Bosnjën e Hercegovinën kërkon miratim të mëtutjeshëm dhe ajo me Serbinë pritet të ratifikohet nga kuvendi në Beograd.

Shqipëria është vetëm njëra nga vendet e rajonit që ka pranuar ta lejojë Frontex-in të ruajë kufijtë e saj. Foto: Frontex Media Centre.

“Korniza e tanishme ligjore është pasojë e situatës në vitet nga 2014 deri në 2016”, ka thënë Gašperlin.

Ai ka shtuar se ndien keqardhje që mundësia për bashkëpunimin me vendet jashtë BE-së për kthimin e “ilegalëve” ishte hequr nga mandati i Frontex-it pas një ndërhyrjeje nga parlamentarët e BE-së. Në vitin 2019 janë bërë një numër ndryshimesh në funksionimin e Frontex-it, përfshirë heqjen e pushtetit për “ndërmarrjen e ndërhyrjeve të kthimit në vende të treta” për shkak se shumë nga këto shtete kanë histori të dobët kur vjen puna te sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Konkretisht, kjo do të thotë se ilegalët që tani janë në BeH — BE-ja mund të paguajë për strehimin e tyre, Frontex-i mund të ndihmojë fare pak me mjetet që ka tani, ndërsa kur vjen puna te kthimi, Frontex-i s’mund të bëjë asgjë”, ka thënë Gašperlin.

Fortifikimi i kufijve

Lidhja e vazhdueshme e marrëveshjeve të statusit ka për qëllim ngritjen e marrëveshjeve ekzistuese të bashkëpunimit policor që tashmë janë të vendosura me vendet jashtë BE-së.

Përgjatë viteve, shtetet anëtare të BE-së kanë bërë marrëveshje të ndryshme dypalëshe me vende anekënd botës, përfshirë disa në rajonin e Ballkanit. Marrëveshje të tjera janë negociuar nga vetë BE-ja, ndërsa Frontex-i radhit 20 “ujdi pune” me shtete të ndryshme jashtë BE-së në uebsajtin e vet.

Bazuar në ujditë ekzistuese të punës të Frontex-it, vizitat për shkëmbim të informatave dhe
“konsulencë” nga zyrtarët e Frontex-it — të cilat po ashtu ngërthejnë vizita në vendkalimet kufitare — tashmë ndodhin në kufijtë mes Ballkanit dhe BE-së.

Marrëveshjet e reja të statusit lejojnë zyrtarët e Frontex-it t’i ruajnë kufijtë dhe të kryejnë detyra policore në territorin e vendit me të cilin është nënshkruar marrëveshja, ndërsa juridiksioni i gjykatave vendëse nuk prek personelin e Frontex-it.

Duke krahasuar marrëveshjet dypalëshe me marrëveshjet e statusit, Marko Gašperlin shpjegoi se, meqë Frontex-i ka marrë disa detyra të caktuara, shtetet individuale të BE-së do të mund t’iu shmangen barrave administrative dhe financiare të “solidaritetit dypalësh”.

"Veprimet e tanishme policore po i fuqizojnë kriminelët dhe krimin e organizuar."

Jasmin Redžepi, Legis

Radoš Đurović, drejtori i OJQ-së Asylum Protection Center (APC), e cila punon për migrantët në Serbi, shtron pyetjen nëse prania e Frontex-it në rajon do të sjellë kontroll më të mirë të shkeljeve dhe druan se nëse përdoren aktet e kaluara të dhunës së dyshuar, punët mund të përkeqësohen.

“Qëllimi i BE-së është të rrisë kontrollin e kufijve dhe të zvogëlojë numrin e njerëzve që kalojnë legalisht ose ilegalisht”, ka thënë Đurović për K2.0 në një intervistë përmes telefonit. “E dimë se dhuna nuk ndalon kalimet. Ajo thjesht zmadhon dhunën që përjetohet nga njerëzit”.

Po kështu, Jasmin Redžepi nga OJQ-ja Legis me seli në Shkup thotë se fokusi i tanishëm i BE-së për policimin e kufijve vetëm mbyll njerëzit në rajon.

“Kjo shkakton më shumë probleme, vuajtje dhe vdekje”, ka thënë ai. “Njerëzit detyrohen të kërkojnë ndihmë nga kriminelët. Veprimet e tanishme policore po i fuqizojnë kriminelët dhe krimin e organizuar”.

Redžepi beson se rajoni po shërben si lloj filtri njerëzor për BE-në.

“Nga këndvështrimi i sigurisë, ky është solidaritet me autoritetet lokale. Por në terren pengohet lëvizja e më shumë refugjatëve drejt Evropës qendrore”, ka thënë Redžepi.

“Ata ngecin përkohësisht. BE-ja e quan rregullore, por thjesht e shtyn arritjen në BE dhe i rrit shkeljet e të drejtave të njeriut, të ligjit evropian dhe atij ndërkombëtar. Në fund njerëzit kalojnë, thjesht një numër më i madh vdes gjatë rrugës”.

BE-ja akuzohet për jashtëzimin e çështjeve

Për BE-në ishte ndryshimi i shtigjeve të migrimit që shënoi çastin për ta rritur sigurinë kufitare në rajon përmes forcimit të bashkëpunimit me shtete të veçanta.

Shtegu tokësor ballkanik drejt Evropës Perëndimore është përdorur gjithmonë nga njerëzit në lëvizje. Megjithatë, ai është bërë akoma më i ndjekur në vitet e fundit meqenëse ndryshimet e qasjeve ndaj policimit të kufijve dhe kufizimeve të shpëtimit në Mesdheun Qendror kanë bërë kalimin përmes detit ende më vdekjeprurës.

Për vendet e rajonit, secili në faza të ndryshme të një premtimi ende të largët për anëtarësim në BE, ndërtimi i partneritetit me Frontex-it vjen si demonstrim i qartë i përkushtimit ndaj këtij blloku.

“Kur autoritetet rajonale punojnë për ta ndaluar kalimin e njerëzve drejt BE-së, ata shpresojnë se do të kenë përfitime shtesë gjetiu”, thotë Radoš Đurovic nga APC-ja në Serbi.

Ka po ashtu dobi të tjera të mundshme. Jasmin Redžepi shpjegon se policët nga BE-ja shpeshherë lënë prapa pajisje për forcat lokale që nuk janë të pajisura mirë.

“Evropa mund të mos ketë mjaftueshëm pushtet për t’i ndikuar situatat në vendet e largëta që shtyjnë migrimin, por mund t’i ndikojë rajonet e veta kufitare."

Radoš Đurović, APC

Megjithatë, ka pasur edhe kritika të mëdha për qasjen e BE-së si në Ballkan, ashtu edhe gjetiu, meqenëse është kritikuar se përpiqet t’i jashtëzojë kufijtë e vet dhe t’i shmanget llogaridhënies duke i mënjanuar tjetërkund problemet e rënda.

Sipas hulumtimeveVioleta Moreno-Lax dhe Martin Lemberg-Pedersen, të cilët kanë analizuar pasojat e qasjes së BE-së ndaj menaxhimit të kufijve, veprimet e bllokut përmblidhen si “shpërndarje e detyrave ligjore” që nuk është “ligjërisht dhe moralisht e qëndrueshme kundruall ligjit ndërkombëtar”.

Një nga rezultatet, sipas hulumtuesve, është se “forcat represive” në vendet e treta marrin rangun e palëve të mirëfillta negociuese për bashkëpunim, ndërsa kredencialet demokratike dhe të të drejtave të njeriut bëhen “dytësore, në mos krejt jorelevante”.

Radoš Đurović nga APC pranon këtë, duke sugjeruar se po hyjmë në një situatë ku pushteti i ligjit dhe normat ndërkombëtare që pengojnë përdorimin e paligjshëm të forcës janë efektivisht të kufizuara.

“Evropa mund të mos ketë mjaftueshëm pushtet për t’i ndikuar situatat në vendet e largëta që shtyjnë migrimin, por mund t’i ndikojë rajonet e veta kufitare”, thotë ai. “Ndryshimet që u vihen shteteve si obligim janë problematike — nga zmbrapsja deri te dhuna”.

Me rregullat e kujt po luhet?

Një ndër anomalitë e veçanta që janë parë në marrëveshjet e statusit është se policia e Shqipërisë tash po shoqërohet nga forcat e Frontex-it për ta kontrolluar më mirë kufirin e vet jugor në të njëjtën kohë kur vetë qytetarët e Shqipërisë përpiqen të mbërrijnë në BE përmes mënyrave të parregullta.

Kur është pyetur për këtë paradoks, Marko Gašperlin ka thënë se “nuk më kujtohet se ka pasur ndonjë shqiptar në mesin e ilegalëve”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga rajoni paralajmërojnë se ajo që po ndodh në kufijtë rreth Ballkanit pasqyron nevojat dhe qëllimet e BE-së. Foto: Frontex Media Centre.

Sidoqoftë, analiza e rrezikut e Frontex-it për vitin 2020 vë Shqipërinë në katërshën e epërme të shteteve ku qytetarëve u janë lëshuar urdhra kthimi në dy vitet paraprake dhe të dytën sa u përket kthimeve që janë kryer efektivisht. Të dhënat e Eurostatit për vitet 2018 dhe 2019 po ashtu vënë Shqipërinë në vendin e 11 në mesin e vendeve prej ku vijnë azilkërkuesit për herë të parë, para Somalisë dhe Bangladeshit dhe shumë më lart se Maroku dhe Algjeria.

Ndonëse shumë nga këta qytetarë të Shqipërisë kanë hyrë në vendet e BE-së përmes mënyrave të rregullta para se t’u viheshin urdhra kthimi për arsye sikur shkelja e kushteve të vizës, njerëzit në lëvizje nga Shqipëria shpeshherë vërehen në shtegun ballkanik sipas aktivistëve që punojnë në terren.

Në ndërkohë, migrantë të tjerë janë ankuar se u janë nënshtruar zmbrapsjeve ilegale në kufirin e Shqipërisë me Greqinë, paçka se ka mungesë monitorimi në këtë zonë dhe këto pretendime mbesin të pavërtetuara.

Në Serbi, Qendra KlikAktiv për Zhvillimin e Politikave Shoqërore ka analizuar marrëveshjen akoma të pabërë të statusit për operacionet e Frontex-it.

Ajo paralajmëron se rritja e pranisë së policëve të armatosur prej një force të Frontex-it që dyshohet se është përfshirë në dhunë dhe abuzim të detyrës është katalizator për katastrofë, sidomos kur kanë imunitet nga juridiksioni lokal penal dhe civil.

Ajo po ashtu thekson se ndryshimet në legjislacion do të mundësojnë përfshirjen e sistemeve të të dhënave dhe dëbimet e shpejta pa ekzistimin e mbrojtjeve të mirëfillta.

Aktivitetet policore për t’i siguruar kufijtë varen së tepërmi nga sistemet e teknologjisë informative të BE-së, të cilat po ashtu i furnizojnë me të dhëna. Por ligji i BE-së ofron më pak mbrojtje për procesimin e të dhënave të shtetasve të huaj sesa për ato të qytetarëve të BE-së, kështu duke krijuar një segregim efektiv sa i përket mbrojtjes së të dhënave.

Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore ka paralajmëruar se vendosja e një sistemi më invaziv për shtetasit nga jashtë BE-së ka mundësi të çojë te diskriminimi i shtuar dhe të shtrembërojë të dhënat më tej që mund “të nxisë keqperceptimet ekzistuese se ka lidhje mes azilkërkuesve, migracionit dhe krimit”.

Çështje standardesh

Frontex-i thekson se ka mbrojtje të kodifikuara dhe mekanizma ekzistues të brendshëm për apele. 

Sipas marrëveshjeve të statusit, shkeljet e të drejtave themelore, sikur rregullat e mbrojtjes së të dhënave ose parimi i mosdëbimit të detyruar të njerëzve në vende ku mund të jenë në rrezik përmes zmbrapsjes ose mënyrave të tjera, janë arsye që lejojnë secilën palë të pezullojë ose të shkëpusë bashkëpunimin.

Në janar, vetë Frontex-i pezulloi misionin në Hungari pasi ky shtet anëtar i BE-së dështoi të vepronte në pajtim me vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Në dhjetor të vitit 2020, kjo gjykatë gjeti se policia kufitare hungareze kishte shkelur ligjin e BE-së duke kufizuar qasjen ndaj sistemittë vet të azilit dhe për kryerjen e zmbrapsjeve drejt Serbisë.

Marko Gašperlin ka pretenduar se prania e Frontex-it ka përmirësuar standardet profesionale policore kudo që ka vepruar.

Sidoqoftë, pretendimet për rritjen e standardeve janë vënë në pyetje nga studiuesit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.

“Do të ishte iluzore të pritej se e gjithë BE-ja do të ngritej në nivelin e respektit për të drejtat e njeriut dhe në standardet e larta të Suedisë."

Marko Gašperlin, Frontex

Jasmin Redžepi kujton se ankesa e parë e bërë ndaj një zyrtari të huaj policor nga OJQ-ja e tij pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe organizatave ndërkombëtare ishte kundrejt një zyrtari policor slloven që ishte vendosur përmes një marrëveshjeje dypalëshe; ankesa lidhej me pretendimet për sjellje joprofesionale ndaj migrantëve.

“Tash, njerëzit kalojnë ilegalisht dhe policia i zmbraps ilegalisht”, thotë Redžepi. “Ata duhet ta kenë mundësinë të kërkojnë azil por nuk munden sepse policia shtyn njerëzit matanë kufijve”.

Gašperlin ka thënë për K2.0 se është e natyrshme që do të ketë variacione standardesh mes policive të vendeve të ndryshme.

Në përpjekjet e tyre për rekrutim, Frontex-i ka synuar të fusë zyrtarë policore ose njerëz me prapavijë në doganë ose ushtri. Sipas Gašperlin-in, të rekrutuarit kanë qenë në mënyrë joproporcionale nga Rumania dhe Italia, ndërsa ka pasur më pak zyrtarë policore nga shtetet anëtare veriore “ku standardet dhe pagat janë më të mira”.

“Do të ishte iluzore të pritej se e gjithë BE-ja do të ngritej në nivelin e respektit për të drejtat e njeriut dhe në standardet e larta të Suedisë”, ka thënë ai. “Po ashtu nuk ka pasur ndonjë rast kur BE-ja ka përjashtuar një anëtare, edhe pse ka pasur shembuj të shkeljeve të ndryshme të të drejtave të njeriut”.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga rajoni paralajmërojnë se ajo që po ndodh në kufijtë rreth Ballkanit pasqyron nevojat dhe qëllimet e BE-së. Foto: Frontex Media Centre.

‘Monitorimi nga ajri’

Një nga shtetet anëtare të BE-së, policia e së cilës është akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndaj refugjatëve dhe migrantëve, përfshirë edhe torturën, është Kroacia.

Pavarësisht nga dyshimet, në janar të vitit 2020 Akademia Policore e Ministrisë së Brendshme të Kroacisë ka zgjedhur ta drejtojë seancën e parë trajnuese të financuar nga Frontex-i për pjesëmarrës nga forcat policore anembanë rajonit të shtegut ballkanik.

Ndër të tjera, prania e Frontex-it në Kroaci është në zonën kufitare të BE-së me Bosnjën e Hercegovinën.

Kur është pyetur për raportimet e shumta nga OJQ-të dhe kolektivet ndërkombëtare, si dhe nga Ombudsmeni kombëtar Lora Vidović dhe Këshilli i Evropës, për shkelje masive të të drejtave të njeriut në kufijtë e Kroacisë, Gašperlin ka refuzuar të përgjigjet.

“Frontex-i ndihmon Kroacinë me monitorimin nga ajri”, ka thënë ai. “Dhe kaq”.

Gašperlin ka thënë se roli i agjencisë së tij është vetëm të njoftojë Kroacinë kur vërehen njerëz që vijnë në drejtim të kufirit nga Bosnja. Kur është pyetur nëse Frontex-i po ashtu monitoron çfarë u ndodh njerëzve që gjenden nga policia e Kroacisë, duke pasur parasysh dyshimet gjithnjë e më të rënda, ai ka thënë: “Kjo mund të jetë e vështirë nga ajri. Nuk e di se a mund të monitorojë diçka të tillë një aeroplan nga ajri”.

Ai ka refuzuar të komentojë pas trysnisë të mëtutjeshme.

Sidoqoftë, pretendimi për mosdije bëhet gjithnjë e më i vështirë. Një deklaratë e vonshme për gjendjen e kufijve të BE-së nga Ndihmëskomisioneri i Lartë për Mbrojtje i UNHCR-së Gilian Triggs thotë: “Zmbrapsjet [në kufijtë e BE-së] kryhen në mënyrë të dhunshme dhe dukshëm sistematike”.

Radoš Đurović nga APC-ja e Serbisë ka nënvizuar se Frontex-i do të duhej të dinte për shkeljet e pretenduara.

“Shtrohet pyetja: a duan t’i hetojnë dhe t’i parandalojnë ato?” thotë ai. “Të gjithë ata që janë të pranishëm në terren dinë për dhunën dhe se kush e kryen atë”.

“Më e pakta që duhet ta bëjë BE-ja është të kujdeset që politikat e saj të mos e shndërrojnë rajonin në një djep kriminelësh dhe të krimit të organizuar."

Jasmin Redžepi, Legis

Paralajmërimet se politikat e rrepta dhe të dhunshme kufitare të BE-së po e rrisin sofistikimin dhe brutalitetin e kontrabanduesve, ndërsa “zgjidhjet” teknologjike dhe militarizimi vijnë me interesa personale dhe shkelje të mëtejshme të të drejtave të njeriut, nuk duket se e shqetësojnë kreun e Bordit Menaxhues të Frontex-it.

“Nëse kalimi nga Turqia në Gjermani është tepër i shtrenjtë, njerëzit nuk do ta bëjnë”, ka thënë Gašperlin duke përshkruar punën që bën Frontex-i.

“Ne bëjmë punën që bëjmë. Ashtu që njerëzit nuk mund thjesht të vijnë këtu, të ulen e të rrijnë — ja ku jam, më ço në Gjermani, ashtu si do të donin disa. Ose — ja ku jam, po kërkoj azil, më ço tash në Postonjë ose Lubjanë ku do të ushqehem, do të kem përkujdesje dhe pastaj do të ulem në autobus për Mynih ku prapë do të kërkoj azil. Ky do të ishte çmim minimal”.

Përkrahësit e të drejtave të njeriut në rajon sikur Jasmin Redžepi nuk kanë iluzione për atë se ajo çfarë shohin në terren pasqyron nevojat dhe qëllimet e BE-së.

“Ne jemi thjesht urë”, thotë Redžepi. “Më e pakta që duhet ta bëjë BE-ja është të kujdeset që politikat e saj të mos e shndërrojnë rajonin në një djep kriminelësh dhe të krimit të organizuar. Na duhen shtigje dhe procedura të ligjshme e të rregullta në mënyrë që njerëzit të aplikojnë për azil e jo zmbrapsje ilegale dhe të dhunshme”.

“Nëse flasim për siguri, nuk mund të flasim vetëm për sigurinë e kufijve. Duhet të flasim edhe për sigurinë e njerëzve”.

Imazhi i ballinës: Frontex Media Centre.

KOMENTO