Derisa ecë nëpër kompani, punëtorët i mbledhen përreth. “A vjen me këqyr. Po më duket ju ka nxe ngjyra shumë maqinës”, pyet njëri, e “A guxojmë me lëshu print kështu?”, tjetri. I papërtuar, Ture, të cilin kolegët e vlerësojnë si katalizator të punës, i afrohet makinës dhe kontrollon ngjyrën.
Mungesa e një profesionisti për mirëmbajtjen e makinave të printit, bëri që pronari i “Viprint”, Visar Idrizi, të angazhojë punëtorë nga vendet tjera. Ture nuk është i vetmi. Në kompaninë e tij, Idrizi ka angazhuar tre punëtorë nga vendet tjera, derisa gjashtë të tjerë janë në proces të marrjes së vizave të punës.
“Veç po planifikojmë me i pasë diku rreth 10 punëtorë të jashtit. Këta janë nga Turqia, Bullgaria, India, Gjermania”, thotë Idrizi. “Industria jonë është në zhvillim e sipër, e qysh po rritet nevoja për makineri dhe produkte të reja, po rritet nevoja edhe për njerëz me përvojë e shkollim specifik të fushës. Në Kosovë nuk po ka të tillë”.
Ndërkohë, burri që u prezantua si pronar i kompanisë ku punon Donaldo, gjërat i sheh ndryshe. “Në Kosovë ka punëtorë, por nuk janë të interesuar me punu. S’është e vërtetë që s’po paguhen. Te na rrogë nën 600 euro nuk ka, as për punëtorë të thjeshtë”, thotë ai, dhe shton se vetë punëtorët po shpërndajnë “dezinformata” rreth mungesës së punëtorëve.
Teksa disa ia faturojnë migrimit mungesën e punëtorëve, disa thonë se mungojnë punëtorët e kualifikuar, e për disa të tjerë, punëtorë ka, por s’ka interesim. Sidoqoftë, punëtorë nga vendet tjera po zgjedhin Kosovën si destinacion për të kërkuar punë e gjetur jetë më të mirë.
Në kërkimin e tyre, po ndihmohen nga agjenci të ndryshme rekrutimi, por jo domosdo nga Qeveria e Kosovës, qoftë kur është fjala për t’ua lehtësuar procedurat, qoftë kur është fjala për të ngritur cilësinë e tregut të punës dhe për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.
Shkuarje e ardhje punëtorësh
Entitete të ndryshme, që prezantohen si agjenci rekrutimi për punë po shërbejnë si urë lidhëse midis punëmarrësve nga Kosova dhe punëkërkuesve nga vende të ndryshme të botës, kryesisht vendet e Azisë Jugore.
Kjo tashmë është bërë praktikë e njohur për pronarët e punëtorët në ndërtimtari. “Para tri-katër dite erdh një agjencion më ka pyet a do me të pru punëtorë. Prej Pakistanit a s’di ku”, thotë pronari i kompanisë ku punon Donaldo. Ndërkohë, me t’u çelur biseda për punëtorët që vijnë nga shtetet tjera për të punuar në Kosovë, një i ri që po punonte në një tjetër vendpunishte tjetër në Mitrovicë, menjëherë thotë: “Agjensitë po i sjellin në Kosovë”.
Në Mitrovicë, po edhe në komuna tjera, Donaldo e Ture kanë dhjetëra kolegë që në Kosovë i ka sjellë një synim të përbashkët — puna. Një kompani tjetër e ndërtimit, e shtrirë kryesisht në komunat Mitrovicë e Vushtrri, ka rreth gjashtë punëtorë nga Bangladeshi. Mirëpo, përkundër përpjekjeve për të biseduar me ta, pronarët e kompanisë nuk lejonin askënd të afrohej e as nuk flisnin, me arsyetimin se nuk kanë çfarë thonë për këtë temë.
Agjenci të ndryshme të punës, të cilat janë kryesisht të pranishme nëpër rrjete sociale po kërkojnë punëtorë për Kosovë. Vetëm së fundmi, një faqe me emrin “M/S. Tangail Overseas R.L-860”, ka ftuar qytetarët e Bangladeshit që të lajmërohen për punë urgjente në Kosovë, në sektore si ndërtimtaria, agrikultura e hoteleria.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 1,857 kërkesa për lejeqëndrim në Kosovë nga shtetas të huaj. Prej tyre, 1,814 kanë fituar lejeqëndrim të përkohshëm për qëllime pune. Në tri vitet e fundit, vërehet një rritje në kërkesa për lejeqëndrim. Në vitin 2022, kanë qenë 3,221 kërkesa apo 23.5% më shumë sesa në 2021, kur ishin 2,607. Në vitin 2021 ishin 2,607 kërkesa, pra 21.3% më shumë sesa në vitin 2020, kur ishin 2,148 sosh. I bie se nga viti 2020 deri në 2022, numri është rritur për 49.9%.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kërkesat për viza hyrëse në Kosovë janë më së shumti nga Bangladeshi, India, Filipinet, Kina dhe Bosnjë dhe Hercegovina.
Teksa punëtorë nga jashtë po vijnë në Kosovë, kosovarët vazhdojnë të kërkojnë punë tjetërkund.
Sipas raportit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për vitin 2022 rreth migrimit për punë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e dyta për nga shkalla e emigrimit. Në raport, po ashtu theksohet se migrimi për arsye punësimi është rritur ndër vite. Për shembull, për shtetin e Zvicrës, numri i lejeve të lëshuara për punë për qytetarët e Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi në 2019 ishte 10 herë më i madh sesa në vitin 2011.
Në Gjermani, i cili është vendi ku përqendrohen më së shumti emigrantë nga Kosova ndër vendet e OECD apo 60% e të gjithë emigrantëve nga Kosova, rritja më e lartë vërehet nga viti 2021 deri në vitin 2022, me 44,000 (15%) persona më shumë. Në vitin 2022, Gjermania u përball me mungesën më të madhe të punëtorëve, me 1.47 milion pozita pune të paplotësuara. Në vitin 2023, përmes një sërë reformash në legjislacionin për migrim, siç janë, ndër tjera, reduktimi i procedurave burokratike për marrje të vizave, krijimi i mundësive për njerëzit që kanë përvojë pune e jo domosdo diplomë universitare, Gjermania lehtësoi shkuarjen e punëtorëve të huaj atje.
Derisa migrimi për arsye punësimi nga Kosova në shtetet e Evropës Perëndimore nuk është lajm i ri, dinamikat e punëtorëve mund të ndërrojnë pas liberalizimit të vizave, gjë që disa mendojnë se kosovarët do ta shfrytëzojnë edhe për të udhëtuar për të kërkuar punë.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, organizatë që prej vitit 2016 synon të përfaqësojë interesin e bizneseve në Kosovë përmes rrjetëzimit, këshillimit, ofrimin e shërbimeve dhe avokimin, në Kosovë ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar.
Derisa nga Dhoma e Tregtisë e shohin si shqetësuese atë që e pret Kosovën pas liberalizimit të vizave, Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit mendon që brenga se mund të largohen punëtorët nuk qëndron. “Evropa nuk është më ajo Evropa që ka dhënë pare. Edhe të rinjtë kanë fillu me kuptu këtë. Pak me qenë punëtor i mirë, më shumë fiton në Kosovë”, thotë ai.