Ka ndodhur në të kaluarën dhe po ndodh edhe tani: roli i letërsisë po zmadhohet së tepërmi. Po i atribuohen gjërat që pa dyshim nuk përpiqet t’i arrijë brenda niveleve të ndryshme të ideologjisë dhe kulturës. Ose së paku nuk duhet të përpiqët t’i arrijë, nga pikëpamja e higjienës poetike dhe etike, mbi të gjitha.
Letërsinë e mendoj kryesisht si art, jo si shkrim pamflete dhe formë e artikulimit si moto apo deklarata të zhurmshme politike.
Njëra prej rregullave të pashkruara, sa i përket letërsisë dhe shoqërisë, është që të paktën çdo dekadë ballafaqohemi me një pështjellim të ri letrar në Ballkan; kjo buron nga një keqkuptim i thellë dhe nga mungesa e dëshirës për ta kuptuar thelbin e letërsisë si sistem të ndërlikuar të veprimeve shpirtërore njerëzore. Ky pështjellim, mbi të gjitha, e ka prejardhjen te pamundësia e mendimit të ideologjizuar për të parë jashtë kornizave të tij, ato që vendosen nga ndonjë normë apo model i kuptimit dhe sjelljes.
Ngjitja drejt prozës
Si art i cili vazhdimisht duhet ta vë në dyshim përhershmërinë dhe ngurtësinë, letërsia duhet të përplaset dhe të jetë në konflikt me çdo botëkuptim të rrënjosur. Në natyrën e saj është përdorimi i mjeteve të veta, metaforave, alegorive, dhe figurave të ndryshme të të folurit, për t’i zbërthyer, për t’i vënë në dyshim dhe për t’i ritrajtësuar mendimet dhe botërat.
Kur është e suksesshme, letërsia i ikën kënaqjes për të hyrë në një gjendje të rehatisë provinciale.
Sigurisht, në epokën moderne, shpesh ndodh që një libër merr “emër të keq” me ndihmën e disa manovrave të mira të marketingut; lajmërohet si libër që mbulon diçka të pashembullt dhe të panjohur, e prandaj është i diskutueshëm dhe shqetësues për disa.
Prapëseprapë, burimi i konfliktit të letërsisë me mjedisin shoqëror, atë politik dhe atë të tregut qëndron kryesisht te fakti se letërsia, kur është e suksesshme, i ikën kënaqjes për të hyrë në një gjendje të rehatisë provinciale. I shkatërron iluzionet dhe mitet, duke na bërë të ballafaqohemi me realitetin nëpërmjet vizioneve dhe veçantive tona stilistike, që si duket hynë në metahapësira dhe kapërcejnë realitetin, por vendosen plotësisht nga tërmetet dhe fraksionet e saj, duke dëshmuar për të në një mënyrë më të sinqertë dhe me ndikim më të gjërë.
Sigurisht e gjithë kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me të gjitha ato mashtrimet për jetën “e rregullt” civile, ndërsa sot ne jemi dukshëm dëshmitarë të kësaj. Ato shërbejnë për të na mbajtur në një gjendje të mpirë për nga mendimet, apo me fjalë tjera, na bën të mendojmë në përputhje me ndonjë rend të paracaktuar.
Prandaj ndodh kohë pas kohe, sapo letërisa t’i arrijë ato të vërtetat që kërkojnë qasje dhe pikëpamje ndryshe ndaj një teme, autorët që i kanë arritur ato etiketohen dhe përndiqen si armiq.
Meqenëse shoqëritë që janë të bazuara në argumentimin e thellë të realitetit të tyre historik, të materializuara në historiografi të mitologjizuar apo në ngritje bashkëkohore ekonomike, nuk kanë mundësi ta kuptojnë këtë lloj ngjitjeje drejt prozë. Është e pamendueshme për ta, e paarritshme, dhe kështu e rrezikshme dhe e tmerrshme, pasi që e minon rehatinë në miteve dhe përvojave kolektive.
Brendi Shindler
Vendimi i fundit i kompanisë që prodhon lifta në Zvicër, Schindler, për ta paditur shkrimtarin Darko Cvijetiq nga Bosnja dhe Hercegovina, nuk duket se bie në të njejtin grup me konfliktet e lartpërmendura letrare me “botën e jashtme”. Do ta eksplorojmë pse.
“Ata thanë se lifti nuk lidhet as me Holokaustin, as me luftën e Bosnjës (?!)”
i shpjegoi akuzat Darko Cvijetiq
Para se ta dorëzonte padinë, kompania zvicerane e paralajmëroi Darko Cvijetiqin që novela e tij “Lista e Shindlerit” e përmend “Brendin Schindler” si pjesë e një loje metaforike apo një loje fjalësh.
Duke pasur parasysh që një prej pikave kyçe të novelës së Cvijetiqit — që flet për tmerret e luftës dhe për vuajtjet në Prijedor të Bosnjes dhe Hercegovinës (1992-95) — përqendrohet në ngjarjen e vërtetë të vdekjes aksidentale të një vajze në një lift. Përfaqësuesit e kopmanisë ishin të mendimit që kjo përbën një përdorim të pavend të brendit të tyre. Sepse ata pretendojnë që kjo do të thotë se lifti i prodhuar prej tyre e vrau vajzën.
“Lifti në këtë ndërtesë të banimit sigurisht se nuk ishte i prodhuar nga Shindler dhe metafora ime ishte kryesisht e fokusuar në Oskar Shindler dhe filmin e Spillbergut — ‘Lista e Shindlerit’”, tha Cvijetiq në reagimin e tij të parë pasi e mori paralajmërimin.
Cvijetiq shtoi se vajza vdiq në një lift të prodhuar nga kompania DAKA. Për disa ditë nuk kishte rrymë dhe vajza po luante në lift në momentin kur u kthye voltazhi.
“Duke pasur parasysh që ndërtesa e banimit — metaforikisht — është dëshmitare e vrasjes nga lifti, një Oskar Shindler ishte shumë i domosdoshëm për t’i shpëtuar fqinjët që e kishin emrin “e gabuar” [etnik]”.
Oskar Shindler ishte një industrialist gjerman dhe anëtar i partisë naziste i cili i shpëtoi 1,200 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai i punësoi në fabrikat e tij dhe i vendosi në një listë. Pra, vendosja në “Listën e Shindlerit” do të thoshte se kishe mundësi për të jetuar.
Cvijetiq tha se në këtë paralajmërim kompania kërkoi të mos përmendej fare në novelën e tij.
Paralajmëriimi gjithashtu thoshte se ai duhej të largonte gjithçka nga novela “që lidhet me ta”, përfshirë këtu instancat ku janë përmendur në intervista.
“Ata mendojnë se po rrezikohet reputacioni i tyre dhe se ata nuk kanë kurrëfarë lidhje me Holokaustin dhe luftën në Bosnjë. Kërkonin ta nënshkruaja një letër për t’u pajtuar me kërkesat e tyre, ose përndryshe do të më padisnin”, tha Cvijetiq.
Cvijetiq shtoi se kjo kompani u bezdis që u përmend lifti i prodhuar prej tyre në kontekstin e vdekjes së një vajze të re.
Pasi e morri paralajmërimin, botuesi gjerman i punësoi disa avokatë të cilët e këshilluan autorin boshnjak të mos nënshkruajë asgjë. Avokatët e shkruan një raport gjithëpërfshirës prej 25 faqesh, të shoqëruar me shpjegimin e Cvijetiq për përdorimin e metaforës në novelën e tij.
“Pas kësaj, ata u pajtuan ta bëjnë një lloj kompromisi të cilin unë e kisha sugjeruar fillimisht. Titulli nuk është i diskutueshëm sepse titulli nuk është “Lifti i Brendit Shindler” por “Lifti i Shindlerit”, që do të thotë lifti i një Shindleri”, thotë Cvijetiq.
Në përputhje me marrëveshjen e tyre, libri tani e përfshin një fusnotë që qartëson dhe shpjegon se është e trilluar.
“Gjithashtu, kudo që novela e përmend sintagmën “Lifti i Brendit Shindler” do të ndërrohet në “Lifti i Shindlerit”. Avokatët aktualisht janë duke i bashkërenduar detajet dhe novela (e cila tashmë është përkthyer në gjuhën gjermane me këto ndryshime të përfshira) pritet të shpërndahet. Gjithashtu, kjo do të rregullohet nga një marrëveshje e shkruar dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha botimet e novelës në të ardhmën, në çfarëdo gjuhe”, tha Cvijetiq.
Figura e përpiktë e tmerrit
Është e qartë që kompania u shty prej impulseve që ishin kundër çfarëdo konsiderimi që po flitej për një novelë, do të thotë një punim letrar prozaik, jo një për raport të lajmeve. Prandaj është përgjegjëse vetëm para ligjeve të letërsisë, dhe ndaj asaj se a e ka arritur synimin estetik të paraqitjes së mendimit origjinal artistik.
Darko Cvijetiq po kërkonte një imazh të përpiktë letrar të një tregimi të tmerrit.
Përfaqësuesit e kompanisë i kanë vërejtur vetëm fjalët “lift” dhe “Shindler” si të përmendura në një kontekst, që dukeshin të padëshirueshme për ta.
Pa ju shkuar mendja aspak që letërsia nuk është e obliguar të flasë për gjëra në mënyrën që janë, as për faktin që autori nuk iu aludua kompanisë që prodhon lifta gjatë krijimit të një thurjeje metaforike në novelën e tij.
Mbi të gjitha, Darko Cvijetiq po kërkonte një imazh të përpiktë letrar të një tregimi të tmerrit.
Së tepërmi, “Lifti i Shindlerit” është dëshmitar i humnerës së thellë dhe disfatës së përgjithshme të shkaktuar nga lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke treguar çfarë ndodh kur e keqja e sundon njerëzimin. Qyteti i Prijedorit, me kampe të përqendrimit dhe vrasje masive, është dëshmitar tragjik për këtë.
Libri i Cvijetiq është himn i trishtë i zhdukjes së një kulture, i një mënyre të jetesës. Gjithçka që mund të merret si shembull paradigmatik i asaj që ka ndodhur në rrënojat e Jugosllavisë është grumbulluar në jetët e heronjve nga “Lifti i Shindlerit”.
Një qytet industrial që dikur ishte i suksesshëm është shndërruar në një thertore të etnive të tjera, pastaj është mbuluar me heshtje për krimet si gjendje e përhershme. Si i tillë, është një qytet fantazmë, një vendbandim i zbrazur nga të gjitha përmbajtjet njerëzore. Në shumë tregime të shkruara në këtë libër, kjo çarje nuk mund të fshihet. Rrokaqielli i Kuq dhe rrokaqielli i Kaltërt, dy ndërtesat e banimit në Prijedor rreth të cilave përqendrohet tregimi i novelës së Cvijetiqit, qëndrojnë si dy burra të moshuar që e vështrojnë qiellin.
Kjo nuk do të thotë që qyteti nuk jeton më, por e ka humbur thelbin. Të gjitha lidhjet me të ardhmën janë copëtuar nga ky refuzim për të shikuar prapa dhe për të parë çfarë ka mbetur nga tërbimi nacionalist, për t’ia shpjeguar atë gjë vetes.
Sigurisht, nuk mund të presim që vetëdija burokratike e frymëzuar nga një realitet kapitalist të bëhet e ndjeshme ndaj këtij stimuli.
Kjo na tregon se logjika e tregut neoliberal korporativ është po aq ideologjikisht e verbër ndaj çdo shprehjeje që largohet nga pikëpamja mono-optike e saj. Është po aq ekskluzive sa format e tjera të trysnisë sociale dhe politike, dhe të moskuptimit i artit.
Me fjalë të tjera, optika e tregut neoliberal e sheh utilitarizmin si hapësirën e vetme përcaktuese të saj, dhe kështu e pamundëson të hyjë në ndonjë realitet alternativ, përveç atij që shtyhet nga mallrat dhe përfitimet monetare. Ndonëse ka aftësi për të krijuar trillime në tregun e aksioneve, mbetet e verbër ndaj të gjitha formave tjera të lojës me botën dhe jetën.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.