Natyrisht, viti 2020 do të mbahet mend për pandeminë — për frikat dhe paqartësinë, ngujimet dhe masat shtrënguese, si dhe konfliktet e vështirësitë personale që kemi tejkaluar ndërsa jemi përpjekur të pajtohemi me mungesën e imponuar të lirive.
Megjithatë, as në kohë të këtilla, rebelët e rajonit nuk janë strukur në heshtje.
Ata kanë refuzuar të heqin dorë nga protesta ose ngritja e zërit në publik, nga luftërat ligjore ose mënyrat e ndryshme të ushtrimit të demokracisë në praktikë — nga beteja për të drejtat dhe liritë e të gjithëve. Të patrembur, ata kanë vazhduar t’i sfidojnë njerëzit në pushtet duke kërkuar llogari dhe mbi të gjitha ndryshim.
Për të ditur më shumë se çfarë i motivon qytetarët e rajonit të dalin në ballë të luftës kundër padrejtësive të ndryshme, K2.0 ka identifikuar gjashtë rebelë që jetojnë rreth nesh në rajon. Ata janë njerëzit që janë të vendosur kundër absurditeteve të jetës në Ballkan dhe vazhdojnë të luftojnë, edhe pse shpeshherë duket se shanset nuk janë në favorin e tyre dhe ballafaqohen me kërcënime e sulme.
Natyrisht, ka shumë rebelë të tjerë meqë arsyet për rebelim janë të pafundme. Por ata që kemi zgjedhur për këtë varg shkrimesh përbëjnë një grup të larmishëm individësh dhe çështjesh; njerëz që kanë bërë një hap përtej, kanë mobilizuar të tjerët dhe kanë gjetur një mënyrë për të arritur ndryshim në fushat e tyre përkatëse.
Rebelja e K2.0 nga Kosova Rina Kika është avokate e të drejtave të njeriut, emri i së cilës vitet e fundit u bë i njohur duke mbrojtur individët në disa prej rasteve më të njohura të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ajo ka përfaqësuar me sukses rastin e parë publik të një burri transgjinor që kërkonte njohjen ligjore të gjinisë dhe ndërrimin e emrit nga shteti i Kosovës, dhe të parin rast publik të paditjes së zyrtarëve policorë për diskriminim gjinor.
Kika ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Prishtinës dhe ka dy tituj master, një për të drejtën ndërkombëtare tregtare nga Universiteti i Cyrihut në Zvicër dhe tjetrin nga Universiteti Duke në ShBA për të drejtat e njeriut.
Kosovo 2.0: Cili është rasti yt i parë si avokate?
Rina Kika: Janë dy raste të para që i shoh si të rëndësishme në fillimin e punës sime si juriste, e më vonë si avokate: angazhimi im i parë në një rast të lëmisë së të drejtave të njeriut dhe përfaqësimi i parë i një rasti para gjykatës.
Pak ndjenja në jetë krahasohen me ndjenjën e përfaqësimit të një rasti para gjykatës.
Para pothuajse 10 vjetësh profesori Kushtrim Istrefi më ftoi ta mbështes në hulumtimin fillestar ligjor për një ankesë që planifikonte ta përfaqësonte para Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut, të themeluar nga Bashkimi Evropian. Bëhej fjalë për një rast të dështimit të EULEX-it në inicimin dhe zhvillimin e hetimeve për zhdukjen me forcë të një personi në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2000. Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut në vitin 2018 konstatoi shkeljen e së drejtës në jetë, lirisë nga tortura dhe së drejtës në mjet efektiv juridik në atë rast.
Ky angazhim më ka mësuar se kur punon në një fushë që vërtetë të intereson e të pëlqen, nuk e ndien fare kohën. Një ditë, kisha punuar pandërprerë pa e vënë re se kishin kaluar katër orë.
Rasti i parë që e kam përfaqësuar para gjykatës ka qenë përfaqësimi i një farmacisteje të cilën e kishin larguar nga puna pa paralajmërim dhe nuk ia kishin paguar pagat sipas kontratës së punës. Ky rast më ka mësuar se pak ndjenja në jetë krahasohen me ndjenjën e përfaqësimit të një rasti para gjykatës. Në këtë rast, gjykata vendosi në favor të farmacistes duke e detyruar punëdhënësin t’i paguajë pagat dhe dëmin e shkaktuar.
Si i zgjedh rastet që pastaj i përfaqëson? Cilët janë faktorët që të shtyjnë më së shumti ta marrësh një rast?
Unë synoj të angazhohem në raste individuale të shkeljes së të drejtave të njeriut të cilat e përfaqësojnë një problem më të gjerë shoqëror. Përmes këtij angazhimi kam për qëllim ta sfidoj sistemin ekzistues bashkë me mendësinë paragjykuese të njerëzve, t’u jap hapësirë grupeve të cenueshme dhe të kontribuoj në edukimin e përgjithshëm të publikut për të drejtat e njeriut. Këto janë disa nga gjërat që i kam në mendje kur i përzgjedhi rastet e gjyqësisë strategjike për të drejtat e njeriut.
Nuk është zgjedhje e lehtë, posaçërisht për shkak të kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore: përzgjedhja e rasteve të gjyqësisë strategjike nënkupton përkushtim shumëvjeçar në një rast e në një çështje. Prandaj e shqyrtoj me kujdes secilin angazhim në fushën e të drejtave të njeriut.
Kur u vra Kujtimi [Veseli] nga neglizhenca e shtetit, edhe unë si shumë të tjerë u tmerrova nga ajo që i kishte ndodhur. Kaloi thuajse një vit që po e përcjellja rastin e tij dhe vazhdoja të ndihesha e tmerruar dhe e zemëruar përballë mungesës së një përgjigjeje të duhur, si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga mediat dhe publiku.
Rasti i Kujtimit është një ndër rastet e shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në Kosovën e pasluftës. Vendosa ta përfaqësoj familjen e Kujtimit sepse s’mund të pajtohesha me faktin se një rast i tillë na kaloi para syve, pa dhënë llogari askush e pa i nxjerrë mësimet e nevojshme për të mos lejuar të përsëritet më kurrë.
Rina Kika u është bashkuar qytetarëve aktivistë në kërkim të drejtësisë për rastin e vrasjes së 11-vjeçarit Kujtim Veseli duke përfaqësuar familjen e tij në gjykatë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Po ashtu, është koha, madje jemi vonë, që si shoqëri të flasim hapur për problemin me racizmin dhe të ballafaqohemi me të. Përmes angazhimit tim në këtë rast kam pasur kënaqësinë të njoftoj shumë aktivistë të rinj e të reja të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian nga Fushë Kosova që i kishin organizuar protestat para Policisë e Prokurorisë për të kërkuar drejtësi për Kujtimin. Është nder t’u bashkohem bashkëqytetarëve të mi në luftën për barazi.
Kur shikon në retrospektivë, cilat janë ato situatat, ose vendimet në jetë që pastaj e kanë bërë gati të domosdoshme rrugëtimin drejt të qenit mbrojtëse e të drejtave të njeriut?
Gjatë studimeve në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës më interesonin të gjitha fushat e drejtësisë dhe e kisha shumë të vështirë ta zgjedhja lëminë që parapëlqeja. Kështu vendosa ta zgjedh lëminë që konsiderohej më e vështira: të drejtën civile. I vijova studimet master në Cyrih për të drejtën ndërkombëtare biznesore dhe punova edhe atje edhe në Prishtinë në disa firma ligjore që kryesisht e punonin lëminë civile, me fokus të veçantë të drejtën biznesore. Sidoqoftë, punën në këtë lëmi e shihja si të kufizuar.
S’e kisha problem të punoja gjatë e me përkushtim por, në fund ndihesha që s’bëra diçka të madhe ngase fusha në të cilën punoja nuk kishte potencial të shkaktojë ndryshime të mëdha. Me kalimin e kohës, për mua u bë e rëndësishme që të punoj në një fushë që përpos që më duket interesante, ma mundëson të bëhem pjesë e ndryshimeve në shoqëri dhe më bën të ndihem e përmbushur emocionalisht.
Vendosa ta ndryshoj përqendrimin e punës dhe të specializohem e t’ia kushtoj punën time përparimit të të drejtave të njeriut.
Lëmia e të drejtave të njeriut shpesh është e paragjykuar në profesionin tonë, nuk trajtohet me seriozitet dhe shihet si lëmi joqenësore, lëmi akademike. Sidoqoftë, unë e kisha pasur rastin të angazhohem në një rast të të drejtave të njeriut (rasti i zhdukjes me forcë që e përmenda më herët) dhe e kisha të qartë se asnjë nga paragjykimet ndaj lëmisë së të drejtave të njeriut nuk qëndron. Kështu vendosa ta ndryshoj përqendrimin tim të punës dhe të specializohem e t’ia kushtoj punën time përparimit të të drejtave të njeriut.
Si avokate e të drejtave të njeriut, a bëhet i pandashëm edhe aktivizmi për të drejtat e njeriut? Për shembull, vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës në fillim të këtij viti që ia afirmoi të drejtën Blert Morinës për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në dokumentet e identifikimit ishte i rëndësishëm për Blertin, personat transgjinorë dhe gjithë lëvizjen LGBTQ+ në Kosovë.
Ka ende shumë punë për të bërë deri në arritjen e përmbushjes dhe respektimit të plotë të të drejtave të njeriut në botë. Puna ime nuk është e kufizuar vetëm në zbatimin e ligjeve në fuqi por edhe në dhënien e propozimeve për ndryshim të ligjeve dhe politikave shtetërore që ndikojnë në përmbushjen, respektimin dhe mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut në shoqëri. Prandaj konsideroj se aktivizmi për të drejtat e njeriut është i pandashëm nga puna ime si avokate për të drejtat e njeriut.
Ti e Blerti keni qenë në shkollë të mesme bashkë. Pas disa vitesh je bërë avokatja e tij në padinë kundër shtetit. Si jeni ritakuar bashkë?
Blertin e kam njohur nga shkolla e mesme. Qysh atëherë Blerti vishej si djalë dhe refuzonte ta vishte fundin e uniformës. Pas shumë vitesh më rastisi ta lexoj një artikull ku Blerti kishte dalë haptas si transgjinor. Më erdhi shumë mirë dhe menjëherë i shkrova për ta përgëzuar për guximin për të dalë haptas dhe publikisht si transgjinor.
Në rastin e parë publik në Kosovë të një burri transgjinor që kërkonte njohjen ligjore të gjinisë dhe ndërrimin e emrit, Blert Morina u përfaqësua me sukses nga Rina Kika. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Pas kësaj, u ritakuam dhe filluam të flasim për problemet e komunitetit transgjinor në Kosovë. Biseduam për aspektet ligjore dhe për çështjen e ndërrimit të emrit në dokument të identifikimit dhe ndërrimit të shënuesit të gjinisë. Diskutimi ynë na solli natyrshëm te pyetja se çfarë mund të bëjmë bashkë. Kështu filluam ta planifikojmë strategjinë e kërkesës së Blertit për njohjen ligjore të identitetit të tij gjinor. Më 24 tetor 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në favor të Blertit dhe e detyroi Agjencinë e Regjistrimit Civil t’ia ndërrojë emrin dhe shënuesin e gjinisë ashtu që të përputhen me identitetin e tij gjinor.
Sa i mbron të drejtat e qytetarëve të Kosovës legjislacioni aktual? Cilat janë intervenimet e domosdoshme?
Dy intervenime të domosdoshme për të siguruar mbrojtje më të mirë të të drejtave të njeriut në Kosovë do të ishin: adresimi i problemit të ngarkesës me lëndë në sistemin gjyqësor që po e shkakton stërzgjatjen e procedurave gjyqësore dhe zhvillimi i politikave shtetërore dhe identifkimi i ndryshimeve legjislative përmes gjenerimit të të dhënave nga personat për të cilët zhvillohen ato.
Problemi i zvarritjes së procedurave është një ndër problemet kyçe që e përcjellë pothuajse secilin rast që hyn në sistemin e drejtësisë. Kjo ndikon në të drejtën fundamentale të gjykimit brenda kohës së arsyeshme e cila është e garantuar me Kushtetutë dhe ndikon po ashtu në cilëndo të drejtë tjetër që kërkohet të realizohet në procedurë. Shpesh njerëzit dekurajohen të paraqesin lëndë në gjykatë kur dëgjojnë se procedura mund të zgjasë tri deri në 10 vite deri sa të zgjidhet përfundimisht.
Ekziston nevoja e përshtatjes së politikave shtetërore dhe masave për adresimin e pabarazive shoqërore duke gjeneruar të dhëna nga vetë personat për të cilët zhvillohen këto politika.
Përpos kësaj, zvarritja e procedurave e krijon ambientin e përshtatshëm për shkeljen e të drejtave tjera nga autoritetet publike. Për shembull, ndodh që autoritetet publike të mos kthejnë fare përgjigjje ose të refuzojnë kërkesat për qasje në dokumente publike meqë e dinë se deri kur të vijë radha të dalësh para gjykatës e ta fitosh të drejtën që të takon do të jetë shumë vonë.
Kjo po ndodh për shembull në një numër të madh të kërkesave që i ka parashtruar organizata Pishtarët që angazhohet për mbrojtjen e ambientit. E po ndodh po ashtu në rastin e kërkesës së Skord Retkocerit ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës për sigurimin e një vendimi e raporti hetimor nga procedura disiplinore e përfunduar ndaj prokurorit që ka qenë i ngarkuar me rastin e Kujtim Veselit.
Legjislacioni ynë është goxha i përparuar sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sidomos në krahasim me vendet e rajonit. Mirëpo, ekziston nevoja e përditësimit dhe përshtatjes së politikave shtetërore dhe masave për adresimin e pabarazive shoqërore duke gjeneruar të dhëna nga vetë personat për të cilët zhvillohen këto politika. Për shembull, një ndër problemet kyçe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut është dhuna ndaj grave, me theks të veçantë dhuna në familje.
Pavarësisht se kemi mekanizma të shumtë shtetërorë që e trajtojnë këtë problem, kemi strategji nacionale dhe procedura standarde të veprimit, ende nuk është zbatuar një hulumtim i gjerë për të analizuar zbatimin dhe ndikimin e këtyre politikave dhe masave shtetërore ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje. Shumica e hulumtimeve përqendrohen në intervistimin dhe gjenerimin e të dhënave nga zyrtarët shtetërorë që i trajtojnë këto raste, por është e domosdoshme që dështimet e sistemit të identifikohen përmes gjenerimit të të dhënave dhe analizimit të tyre nga rastet e vërteta të të mbijetuarave të dhunës në familje.
Zyrtarët shtetërorë nuk zhveshen nga paragjykimet që i kanë kur shfaqen në detyrë zyrtare, por i marrin ato me vete gjatë ushtrimit të detyrës.
Në përgjithësi e shohim këtë qasje edhe në përcaktimin e masave shtetërore dhe politikave për grupet e cenueshme. Nuk mjafton vetëm zhvillimi i një diskutimi publik para miratimit të rregulloreve e ligjeve që e trajtojnë dhunën në familje. Ka nevojë për hulumtim më të gjerë që e vendosë në qendër gruan e mbijetuar nga dhuna në familje dhe sfidat e saj përgjatë përballjes me institucionet.
Vetëm kështu e shoh se mund të identifikohen shkaqet rrënjësore të pabarazive dhe dështimi i mbrojtjes institucionale ose përgjigjjes adekuate institucionale ndaj dhunës në familje. Këto të dhëna do të mund të jepnin kontribut të vlefshëm në zhvillimin e trajnimeve me zyrtarë publikë që trajtojnë raste të dhunës në familje.
Shumë raporte dhe dëshmi tregojnë se si seksizmi, mizogjenia dhe racizmi shpërfaqen shpesh brenda institucioneve të cilat e kanë për detyrë të mbrojnë viktimat, si policia, por edhe brenda sistemit të drejtësisë, duke deprivuar individët nga trajtimi i barabartë. Një ilustrim i kësaj është padia e Luljeta Aliut e qershorit të kaluar, me ty si përfaqësuese, ndaj Policisë së Kosovës për diskriminim gjinor, në rastin e parë të tillë publik që nga themelimi i institucioneve. Si mund të luftohet kjo?
Mendësia raciste, mizogjene e homofobe shpërfaqet në segmente të ndryshme të shoqërisë sonë në të cilat nuk bën përjashtim sistemi i drejtësisë. Te rasti i Luljeta Aliut zyrtarët policorë kanë shkuar aq larg sa e kanë shpikur një rregullore inekzistente për kodin e veshjes së palëve të treta, vetëm e vetëm që ta arsyetojnë veprimin e tyre të kundërligjshëm për mosregjistrimin e rastit të dhunës në familje që ajo kishte shkuar ta denoncojë.
Zyrtarët shtetërorë nuk zhveshen nga paragjykimet që i kanë kur shfaqen në detyrë zyrtare, por i marrin ato me vete gjatë ushtrimit të detyrës. Në rastin e Luljeta Aliut i kemi paditur për diskriminim gjinor Policinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe personalisht zyrtarët policorë që nuk e kanë regjistruar denoncimin e saj bashkë me zyrtarët e tjerë që e kanë arsyetuar këtë duke u thirrur në një dokument inekzistent. Janë individët ata që në emër të institucionit i trajtojnë rastet, prandaj përgjegjësi duhet të kërkojmë edhe prej tyre. Kjo është një mënyrë e luftimit të mendësisë paragjykuese, por patjetër duhet shoqëruar me zhvillimin e një debati publik të informuar.
Kjo njëherësh shërben edhe si mënyrë e edukimit të përgjithshëm të publikut lidhur me të drejtat e tyre duke e thyer përceptimin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut si diçka abstrakte. Është lehtë t’i kuptojmë të drejtat tona nëse na shpjegohen përmes një rasti konkret.K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.