Pas Luftës së Dytë Botërore, okupimi i Gjermanisë nga Koalicioni Antifashist i kishte disa objektiva, e të gjithë synonin një arritje përfundimtare – të sigurohen që Gjermania pas Hitlerit nuk do ta ketë kurrë fuqinë për t’i kanosur përsëri fqinjët e saj evropianë dhe pjesën tjetër të botës. Pjesë e objektivave të Koalicionit ishte një përpjekje e veçantë për t’i imponuar vendosmërisht ligjet dhe rregullat e reja, si dhe veprimet që do të ndihmonin me kryerjen e një detyre shumë më të vështirë: denazifikimin e shoqërisë gjermane.
Ky term, ‘denazifikim’, është përdorur për kuptimin e eliminimit të përhershëm të lidershipit, institucioneve dhe ndjenjat në mendësinë kolektive të gjermanëve që e mbështesnin regjimin e Hitlerit dhe ideologjinë naziste gjatë luftës. Për këtë qëllim, qeveria ushtarake që e mori përsipër udhëheqjen e Gjermanisë pas disfatës në luftë, miratoi ligje dhe procedura specifike, hetoi individë dhe institucione dhe spastroi mbetjet e ideologjisë naziste që kishte lënë rrënjë të thella tek gjermanët.
Ky proces u krye pak a shumë me sukses, por disa autorë, si John H. Hertz, pretendojnë se denazifikimi ishte i pasuksesshëm – jo vetëm për shkak se dështoi për t’i çrrënjosur të gjithë nazistët nga pozitat e pushtetit në shoqërinë gjermane të pasluftës, por edhe për shkak se e hapi rrugën për ‘rinazifikimin’ e shoqërisë nëpërmjet rehabilitimit të plot gjermanëve të thjeshtë që ishin mbështetës thelbësorë të Hitlerit.
Procesi i denazifikimit ishte i vështirë për shoqërinë gjermane, e cila si çdo shoqëri tjetër që ka mbështetur ideologji që kanë çuar deri te vdekja e dhunshme e shumë njerëzve, e kishte të vështirë ta pranonte stigmën dhe të ballafaqohej me realitetin. Vetëm pas gjykimeve të shumta publike dhe publikimit të informatave të pafiltruara për krimet e regjimit, njerëzit filluan të ndjejnë turp dhe u mundësua krijimi i një ndjesie së përgjegjësisë kolektive.
Po e përmendim procesin e denazifikimit në Gjermani sepse është referenca e vetme që mund ta përdorim për ta krahasuar, të paktën sa i përket nivelit të përpjekjes, sa ka ndryshuar shoqëria serbe në vitet pas Milošević-it. S’kemi nevojë ta cekim, madje që as krimet e Milošević-it dhe Serbisë nuk krahasohen me Holokaustin dhe Hitlerin, por sa i përket eliminimit të politikave naziste në Gjermaninë e pasluftës, dhe politikave të ngjashme ultra nacionaliste dhe raciste në Serbinë e pasluftës, ky paralel mund të jetë i dobishëm.
Serbia nën Milošević-in e përvetësoi plotësisht një ideologji të ngjashme me nazizmin. Kjo ishte veçanërisht e qartë në marrëdhëniet e pamëshirshme me minoritetet kombëtare dhe njerëzit e origjinave të tjera etnike, jo-serbe. Boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës vuajtën më së shumti nën nazizmin serb, të cilin ne ende e bëjmë sipërfaqësisht të pranueshëm duke e quajtur “nacionalizëm serb”. Ishte racizëm flagrant, i shprehur pa pikë turpi nëpërmjet veprimeve dhe politikave të Milošević-it.
Shoqëria serbe kurrë nuk e pranoi apo e kuptoi, se deri në çfarë mase u zbatuan politikat dhe krimet e Serbisë të cilat i ngjanin atyre të nazistëve.
Edhe nëse i marrim parasysh vetëm dokumentet e miratuara të Partisë Socialiste të Serbisë që ishte në pushtet në atë kohë dhe të partive të tjera politike që u krijuan gjatë luftës, programet e tyre politike flasin shumë për ngjashmëritë ndërmjet regjimit të Milošević-it dhe regjimit nazist.
E rëndësishme është, se krimet e shtetit serb dhe forcave të tij – të gjitha mizoritë, të gjitha gjenocidet dhe fushatat e spastrimit etnik, torturat, vrasjet brutale, dëbimet dhe rrahjet, të gjitha kampet – nuk dallojnë aq shumë nga krimet e nazistëve. Krimet e serbëve ishin më të pakta, por mekanizmat themelor që kishin vetëm një synim, për ta shkatërruar “tjetrin”, janë të njëjtit si ato të urdhëruara nga nazistët “e vërtetë”.
Pas të gjithave që i bënë institucionet dhe populli i saj, Serbia në fund kapitulloi në disfatën e saj pasi u mundua t’i asgjësojë shqiptarët e Kosovës, të cilët i kishte mbajtur në një regjim shtypës me dekada të tëra.
Jo si në Gjermaninë e pasluftës, nuk kishte forca okupuese që mund t’i impononin rregullat dhe ligjet pas bombardimit të Serbisë nga NATO dhe disfatës përfundimtare të Milošević-it. Okupimi i plotë i vendit në fund të shekullit të 20-të, pa marrë parasysh sa të mëdha dhe të tmerrshme ishin krimet e tij, nuk ishte një zgjidhje elegante dhe e pranueshme për forcat perëndimore dhe botën, që pas disa mundësive për të shpëtuar jetë të panumërta, më në fund i ngritën përpjekjet e tyre për ta mposhtur Milošević-in me forcë tek në vitin 1999.
Deri atëherë e pasuksesshme kishte qenë pjesa më e madhe e planeve të tij për ta krijuar një shtet etnikisht të pastër serb (të njohur gjithashtu si Serbia e Madhe) duke okupuar pjesë të Jugosllavisë që ai i konsideronte “serbe” dhe duke i vrarë të gjithë që i dilnin përpara gjatë përpjekjeve për ta arritur këtë qëllim, pavarësisht faktit se dhjetëra mijëra jetë të serbëve ishin marrë gjatë procesit, dhe se jetë tjera të panumërta u shkatërruan përherë si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve.
Shoqëria serbe kurrë nuk e pranoi apo e kuptoi se deri në çfarë mase u zbatuan politikat dhe krimet e Serbisë të cilat i ngjanin atyre të nazistëve. Për shembull, një sondazh publik që u zhvillua së fundmi gjeti se 74 përqind e qytetarëve serbë as që e dinë se ka ndodhur ndonjëherë rrethimi katër vjeçar i Sarajevës nga serbët e Bosnjes, pavarësisht faktit se ky është ndër rrethimet më të gjata të një qyteti në histori të njerëzimit.
Kjo jo vetëm që nuk është për t’u befasuar, por është e pritshme. Në fund të fundit, qytetarët serbë i dhanë Milošević-it mbështetje plebishitare sa herë që kishin mundësi. Me përjashtim të protestave të vitit 1991, dhe pas zgjedhjeve lokale në 1996/97, që në fakt nuk e dobësuan aq shumë atë, pjesa më e madhe e qytetarëve serbë i kaluan vitet e 90-a në heshtje, varfëri dhe në bashkëfajësi me regjimin.
Racizmi serb drejt të gjithë jo-serbëve në Jugosllavi, prej së cilit buruan politikat neonaziste të Milošević-it, ishte dhe ende është sot më i dukshëm në marrëdhëniet tona me shqiptarët e Kosovës.
Grupe të ndershme të pasluftës dhe grupe që punojnë me të drejtat e njeriut, të shpërndara dhe të targetuara në mesin e histerisë nacionaliste që dominonte sferën publike serbe, nuk mund të bënin më shumë se t’i regjistronin ngjarjet. Po të mos kishin qenë ata, sot nuk do të kishim as njohuri bazike për shtrirjen e mizorive të kryera në emrin tonë. Për më tepër, nuk do ta dinim as numrin e njerëzve të vdekur në luftë, sepse Serbia kurrë nuk i numëroi, as nuk e adresoi ligjërisht këtë çështje.
Racizmi serb drejt të gjithë jo-serbëve në Jugosllavi, prej të cilit buruan politikat neonaziste të Milošević-it, ishte dhe ende është sot më i dukshëm në marrëdhëniet tona me shqiptarët e Kosovës. Shpërthimet e rregullta publike të urrejtjes kundër shqiptarëve normalizohen deri në pikën ku njerëzit të cilët flasin kundër kësaj shihen si të dyshimtë.
Shembulli i fundit i kësaj urrejtjeje demoralizuese u shpreh haptas gjatë Kupës Botërore, kur dy futbollistë me origjinë shqiptare ‘i provokuan’ të gjithë serbët me ‘gjestin e shqiponjës’, që shkaktoi shpërthime të gjuhës së urrejtjes kundër shqiptarëve të Kosovës. Serbët mësohen t’i urrejnë shqiptarët dhe t’i mendojnë ata si specie më e ulët dhe e padobishme, dhe kështu janë mësuar vazhdimisht gjatë shekullit të kaluar.
Prej kur Serbia e aneksoi Kosovën në 1912, rajoni është konsideruar si ‘i shenjtë’ dhe si ‘zemra e shpirtit dhe identitetit kombëtar serb’. Këto mantra nacionaliste janë të gjitha pjesë e fjalorit të mitit të Kosovës, që i ka ndihmuar serbët për ta fituar dhe/apo ruajtur pushtetin gjatë historisë.
Kjo ka prodhuar një linjë shekullore të elitave politike që i kanë ushqyer ndjenjat e publikut mbi premisën e gabuar se Kosova është diçka ‘e jona’, diçka ‘e shenjtë’, por njëkohësisht diçka ‘që është marrë prej neve’, diçka të cilën ’do ta marrim përsëri’.
Marrëdhëniet me shqiptarët e Kosovës, që u panë nëpërmjet politikave zyrtare dhe më vonë nëpërmjet krimeve masive të kryera nga forcat serbe, treguan vetëm urrejtje dhe neveri ndaj atyre që ishin dhe gjithmonë do të jenë shumica e popullit të Kosovës – shqiptarët etnik.
Mos ta shtjellojmë shumë të kaluarën, por duhet ta cekim se racizmi kundër shqiptarëve të Kosovës në shoqërinë serbe u normalizua krejtësisht para gati 40 vitesh, menjëherë pas vdekjes së Titos. Gjuha dhe politikat raciste drejt Kosovës dhe popullit të saj veçse ishin në funksion para se të hynte në pushtet Milošević-i.
E vërteta është se Milošević-i për pak i humbi zgjedhjet e vitit 2000, por fitoi në afat të gjatë, duke e lënë trashëgiminë dhe politikat e tij të pacenuara në mesin e mbështetësve të shumtë të tij në shoqërinë serbe.
Përgjegjësia e plotë për këtë i mbetet elitave intelektuale, ushtarake, mediale, politike dhe religjioze të Serbisë. Ata të gjithë ishin bashkëpunëtorë të vullnetshëm që përhapen urrejtjen në mesin e serbëve dhe i nxitën të kryejnë veprime të dhunës dhe shtypjes. Në periudhën e trazirave në Partinë Komuniste Serbe dhe Jugosllave pas vdekjes së Titos – kohë e krizës së përhershme – dukej se të gjithë serbët mund të unifikoheshin prapa vetëm një mendimi që e ndanin të gjithë: që rreziku më i madh për Serbinë janë shqiptarët e Kosovës.
Sigurisht, kishte pjesëtarë të Partisë Komuniste Serbe dhe publikut që e konsideronin këtë si mendësi që shkonte kundër “trashëgimisë revolucionare të Partisë”, apo thjeshtë si mendësi jonjerëzore dhe të gabuar. Megjithatë, ata ishin, si gjithmonë, minoritet në strukturën themelore raciste të shoqërisë serbe. Publiku serb ishte përherë i ushqyer me retorikë raciste, që ishte e përzier me kultivimin e frikës nga shqiptarët e Kosovës dhe nocionin se shfaqja e armiqësisë ndaj tyre ishte e domosdoshme.
Pra nuk erdhi si befasi që Milošević, pa shumë rezistencë nga shoqëria, e zbatoi një shtet policor në Kosovë në fillim të viteve të 90-a dhe e nisi dekadën më torturuese për shqiptarët e Kosovës.
Me dorë të djathtë në frontin perëndimor, Milošević u mundua t’i asgjësojë boshnjakët me ndihmën e serbëve të Bosnjes dhe kryesisht ishte i suksesshëm në përpjekjet e tij. Lufta në Bosnje përfundoi me Marrëveshjen e Paqes në Dayton, marrëveshje kjo e cila e ndau Bosnjen dhe e la si shtet jofunksional me një entitet kryesisht serb- boshnjak, që sot është epiqendër e racizmit dhe shovinizmit, që ndoshta do ta trondiste edhe Milošević-in.
Me sy drejt jugut, ai në heshtje filloi ta shkatërronte Kosovën dhe popullin e saj, duke i detyruar mijëra njerëz të largohen nga atdheu i tyre dhe duke i vrarë mijëra të tjerë gjatë këtij procesi.
Po të mos ishte ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, Kosova sot do të dukej si Bosnja lindore, pothuajse e ‘spastruar’ nga të gjithë jo-serbët. Ndërhyrja e ndali Milošević-in, dhe ai u rrëzua nga pushteti në të ashtuquajturin ‘revolucionin e 5 tetorit’ në vitin 2000. E vërteta është se ai për pak i humbi zgjedhjet, por fitoi në afat të gjatë, duke e lënë trashëgiminë dhe politikat e tij të pacenuara në mesin e mbështetësve të shumtë të tij në shoqërinë serbe. Më shumë se 1.8 milion njerëz votuan prapëseprapë për Milošević-in në vitin 2000.
Serbia, nën secilin prej drejtuesve të saj, kurrë nuk ka planifikuar ta “dorëzojë Kosovën”, duke e forcuar më tej në publik rrëfenjën e gabuar se Serbia ka ndonjë të drejtë mbi Kosovën.
Menjëherë pas disfatës së Milošević-it nga një koalicion i çuditshëm i përbërë prej partive nacionaliste dhe demokratike, presidenti i ri Vojislav Koštunica, një nacionalist i përkushtuar, deklaroi se nuk do të kishte shpagim ndaj partisë së Milošević-it apo zyrtarëve të lartë të saj. Ai madje e kundërshtoi bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ), që veç se ishte plotësisht operativ dhe po i priste të akuzuarit të dalin para drejtësisë.
Kjo deklaratë, që erdhi menjëherë në fjalimin e parë të presidentit për publikun, i ndali të gjitha përpjekjet për ta eliminuar personelin e Milošević-it nga institucionet më të rëndësishme. Përkundrazi, ata mbetën brenda pjesëve më jetike të aparatit të pushtetit të Milošević-it, në Administratën Shtetërore të Sigurisë, në ushtri dhe polici, duke i mbuluar kështu gjurmët dhe duke i shkatërruar dëshmitë e krimeve të tyre.
Po të mos ishte Qeveria e Zoran Đinđić-it dhe vendimi personal i tij për ta arrestuar dhe më pas ekstraduar Milošević-in në TPNJ, ai me gjasë do ta kishte kaluar jetën si një njeri i lirë.
Megjithatë, nuk po them se pas Milošević-it politikat zyrtare drejt Kosovës ishin më ndryshe nga mutacionet e shumta nëpër të cilat kanë kaluar gjatë katër dekadave të fundit.
Përkundrazi, edhe Đinđić avokoi për një “zgjidhje kompromisi” sa i përket Kosovës, para se të fillonte “prania ndërkombëtare” e UNMIK-ut dhe KFOR-it “t’i zbresë prerogativat ekzekutive dhe ligjore të tyre në institucionet e sapoformuara të Kosovës”. Edhe Đinđić deshi ta sjellë “përsëri çështjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare” para “se të bëhet tepër vonë”. Serbia, nën secilin prej drejtuesve të saj, kurrë nuk ka planifikuar ta “dorëzojë Kosovën”, duke e forcuar më tej në publik rrëfenjën e gabuar se Serbia ka ndonjë të drejtë mbi Kosovën.
Megjithatë, duhet të themi se vetëm gjatë dy viteve të shkurta të Qeverisë Đinđić, shoqëria serbe kishte mundësinë të dëgjonte të vërteta të pafiltruara për luftërat dhe mizoritë e kryera nga populli ynë nën Milošević-in. Këto dy vite të shkurta, sot duken si ëndërr e asaj që mund të kishte qenë Serbia.
Gjatë kësaj kohe, diskutime publike për krimet masive, gjenocidet, varrezat masive në Serbi që filluan të shfaqen bashkë me trupat e civilëve shqiptarë, ishin elemente të histerisë anti-Đinđić që drejtohej nga qendrat e pushtetit – Administrata Shtetërore e Sigurisë e cila ishte e pareformuar dhe Presidenca nën Koštunica-n.
Në vitin 2003, kur Đinđić u vra me snajper në mes të ditës, duke u bërë viktima e fundit e luftërave të viteve 90-a, gjithçka filloi t’i kthehet ‘normalitetit’.
Ndonëse Qeveria serbe e miratoi Ligjin e Lustracionit që kishte për synim t’i parandalonte luftënxitësit dhe zyrtarët e Milošević-it që të mos mbanin më kurrë pozita publike, ky ligj nuk u zbatua kurrë. Kundërshtimi ndaj ligjit ishte tepër i fortë dhe meqë mafia dhe kriminelët e luftës ende kishin ndikim në prapaskenë dhe po mundoheshin ta marrin shtetin përsëri, ishte e pamundur të zbatohej një ligj me rëndësi të tillë, i cili në thelb do t’i rrëzonte ata.
Nën presion shumë të madh dhe i ballafaquar me rigrupimin e nacionalistëve që siguronin mbështetje politike për vrasësit e tij, ishte pothuajse e pamundur që Đinđić të qeveriste. Kur e analizojmë në retrospektivë, ishim me fat që ai arriti të bënte aq sa bëri.
Përderisa forcat ‘demokratike’ në shoqërinë serbe flirtuan me gjuhë dhe politika me rrënjë të thella raciste për të fituar mbështetje, pasardhësit e Milošević-it u rikuperuan dhe e fituan përsëri legjitimitetin në mesin e publikut të gjërë.
Trashëgimtarët e Đinđić-it, të paktën shumica prej tyre, asnjëherë nuk e përmendën më Ligjin e Lustracionit. Përveç kësaj, ata nuk u zmbrapsën për t’i shtyrë përpara politikat e tyre nacionaliste, krejtësisht në përputhje me ato të epokës së Milošević-it, sidomos sa i përket Kosovës.
Më të këqinjtë në mesin tonë, ata që bënë thirrje për vrasjen e fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur; ata që i mbrojtën me ngulm veprimet gjenocidale në Bosnje dhe Kosovë, përsëri u bënë figura të respektuara publike – madje disa prej tyre edhe zyrtarë shtetërorë, duke mbajtur pozita të larta publike.
Përderisa forcat ‘demokratike’ në shoqërinë serbe flirtuan me gjuhë dhe politika me rrënjë të thella raciste për të fituar mbështetje, pasardhësit e Milošević-it u rikuperuan dhe e fituan përsëri legjitimitetin në mesin e publikut të gjerë. Me ndihmën e Vojislav Koštunica-s si Kryeministër që shërbeu për dy mandate, ata përsëri filluan t’i mbushnin postet publike, duke i mohuar krimet e Serbisë dhe duke i normalizuar sjelljet, gjuhën dhe fjalimet publike që dikur shpresonim se do të mbesnin në të kaluarën me rënien e Milošević-it.
Kjo nuk u prit krejtësisht pa rezistencë. Shoqëria civile serbe dhe disa parti politike dolën me politika alternative që do ta reflektonin të vërtetën dhe do t’i kontribuonin pajtimit në rajon. Fatkeqësisht, nuk patën sukses. Si Đinđić, ata u përballën me pengesa të vazhdueshme nga zyrat më të larta në vend dhe nga pothuajse të gjitha institucionet, gjë që lejoi mbulimin e të kaluarës dhe vazhdimin e politikave të dala nga pasardhësit e Milošević-it.
Kushtetuta e Serbisë e vitit 2006, e bëri të qartë se ora ishte kthyer në drejtim të kundërt e nuk mund të kthehej më para dhe se Serbia nuk i kishte kryer planet e saja për Kosovën.
Gozhda e fundit në arkivolin e mundësisë që Serbia të bëhej shoqëri e denazifikuar, ishte ‘pajtimi historik’ ndërmjet pasardhësve të Đinđić-it dhe atyre të Milošević-it në vitin 2008.
Ndërkohë, askush nuk guxonte t’i bënte ballë luftënxitësve të njohur të viteve të 90-a: socialistëve të Milošević-it dhe radikalëve të Šešelj-it, e as mbështetësve të tyre në media dhe në mesin e intelektualëve. Ata përsëri u bënë zërat më të fuqishëm në shoqërinë tonë, të cilët fituan përsëri respektin dhe mbështetjen, kjo e fundit gjithnjë në rritje.
Gozhda e fundit në arkivolin e mundësisë që Serbia të bëhej shoqëri e denazifikuar, ishte ‘pajtimi historik’ ndërmjet pasardhësve të Đinđić-it dhe atyre të Milošević-it në vitin 2008.
Ata deklaruan ‘pajtim nacional’ ndërmjet dy partive, e madje i barazuan “dy dhimbjet” që buruan nga vdekjet e Milošević-it dhe Đinđić-it. Ishte në këtë kohë kur u bë normale ta shohim zëdhënësin e Milošević-it, Ivica Dačić – i cili sot është Ministër i Punëve të Jashtme në Serbi, e dikur ishte Kryeministër – si dhe gjithë të tjerët nga shoqëria e Milošević-it, duke i zënë përsëri vendet e tyre në jetët tona. Madje edhe radikalët e Šešelj-it u ndihmuan dhe u normalizuan më tej. Glorifikimi i kriminelëve të luftës vazhdoi dhe ata përsëri u bënë heronj kombëtarë, ashtu si gjatë viteve të 90-a.
Presidenti aktual serb Aleksandar Vučić dhe ish-presidenti Tomislav Nikolić, dikur burrat e dorës së djathtë dhe të majtë të kriminelit të luftës Vojislav Šešelj, ngadalë u “evropianizuan”, ndonëse ata kurrë nuk shprehën pendim për të kaluarën e tyre politike raciste gjatë kohës së luftës, e as programin që e përfaqësuan, nëpërmjet të cilit u bënë ata që janë sot dhe nën të cilin aq shumë njerëz humbën jetën në mënyrë të dhunshme. E gjithë kjo ndodhi para 10 vitesh.
Në atë kohë, Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe u bë shtet sovran – por shtet me një gur të lidhur për këmbë, që gjithmonë mundohet ta zhysë: elita politike serbe.
Sot, Serbia drejtohet nga aleatët më të afërt të Milošević-it, për të cilët të gjithë pretendojmë se janë dikush që nuk janë. ‘Komuniteti ndërkombëtar’, në veçanti BE dhe SHBA, nuk është se kanë ndihmuar për ta spastruar shoqërinë nga ’Miloševićizmi’.
Përkundrazi – ata e kanë mbështetur tranzicionin e rremë të shërbëtorëve të Milošević-it në politikanë që janë ‘pro BE-së’ dhe vetëm tani po fillojnë t’i kuptojnë pasojat e paparashikuara që ndodhën për shkak se i lejuan nacionalistët serbë të sillen si të dëshirojnë prapa shpinës së tyre, veçanërisht me ngjarjet e fundit në Republikën Serbe në Bosnje dhe negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Kjo është ajo që e lidh opozitën dhe qeverinë - e njëjta që e lidhi Milošević-in me opozitën e tij - një qëndrim kolonial dhe thelbësisht racist drejt Kosovës.
Në anën tjetër, të gjitha partitë relevante opozitare serbe nuk janë edhe aq më ndryshe se Aleksandar Vučić dhe Vojislav Šešelj – edhe ato zotohen “të mos e lejojnë” Kosovën të “shkëputet” nga Serbia. Kjo është ajo që e lidh opozitën dhe qeverinë – e njëjta që e lidhi Milošević-in me opozitën e tij – një qëndrim kolonial dhe thelbësisht racist drejt Kosovës.
Në fakt, plot parti opozitare në Serbinë e sotme janë më ekstreme se Vučić-i sa i përket Kosovës. Ato sugjerojnë “konflikt të ngrirë” si zgjidhje, ose avokojnë haptas për ndarjen e Kosovës dhe “rialokimin njerëzor”, diçka për të cilën nuk është dëgjuar në shekullin 21.
Ky realitet iluzionar në të cilin ata jetojnë me vetëdije, si për shumë njerëz para tyre, sjell përfitime vetëm për interesat personale dhe politike të tyre, sepse i mban ata relevantë për një publik që është i helmuar me urrejtje ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë të tjerëve që i ‘rrezikojnë’ interesat e Serbisë, që në thelb janë të gjithë përveç Rusisë.
Ata që i dhanë formë psikikës sonë të shtrembëruar publike – mediat qendrore të Serbisë, institucionet tona arsimore, intelektualët tanë – pothuajse pa përjashtime, vazhdojnë të qelbëzojnë urrejtje gangrenoze drejt jo-serbëve dhe njëkohësisht mbështesin mohimin e përgjegjësisë nga ana e Serbisë për krimet që shteti ynë i ka kryer gjatë viteve 90-a.
Po të mos ishte guximi i organizatave të shoqërisë civile serbe, grupeve për të drejtat e njeriut dhe disa organizatave mediale, që ende targetohen si tradhtarë dhe kryesisht injorohen nga shumica e qytetarëve serbë, nuk do të ishte askush në shoqërinë serbe për të folur kundër këtyre politikave të njëjta, të vjetra dhe toksike.
Ne kemi dështuar në procesin e denazifikimit pas Milošević-it, jo sepse nuk ishim të suksesshëm, por sepse nuk jemi munduar ta lirojmë veten nga helmi i tij. Përkundrazi, urrejtja dhe intoleranca me rrënjë të thella, e përzier me ëndrra të parealizuara për ta arritur synimin politik të Miloševic-it, të gjithë serbët në një shtet e në dëm të të gjithë tjerëve, ende janë shumë të gjalla.
Ne, praktikisht nuk kemi ndërmarrë asgjë për t’u ballafaquar me përgjegjësinë tonë për vdekjen e shumë fëmijëve dhe shkatërrimin e shumë familjeve.
Pas disfatës në Luftën e Dytë Botërore, Gjermania ndërmori një proces serioz dhe tërësor për t’i dënuar ata që e drejtuan apo ndihmuan regjimin nazist. Publiku u përmbajt dhe nuk tregoi keqardhje, e lëre më krenari, për ata që u gjetën si përgjegjës për mizoritë. Prandaj, u bë e mundur që Gjermania ta drejtojë BE-në sot dhe të bëhet përsëri një shoqëri e respektuar, e hapur, e suksesshme dhe demokratike, ndonëse ende ndiqet nga fantazmat e të kaluarës së saj.
Ne praktikisht nuk kemi ndërmarrë asgjë për t’u ballafaquar me përgjegjësinë tonë për vdekjen e shumë fëmijëve dhe shkatërrimin e shumë familjeve. Refuzimi i Serbisë për t’u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe këmbëngulja e saj për ta normalizuar dhe duke e pranuar këtë me krenari, vetëm sa do të na çojë më poshtë. Ky është dallimi më i madh ndërmjet Serbisë së pasluftës dhe Gjermanisë së pasluftës – kjo e fundit u drejtua prej antifashistëve dhe atyre që luftuan kundër Hitlerit, ndërsa e para drejtohet nga pikërisht ata njerëz që u lindën politikisht gjatë luftërave dhe nën mantelin e Milošević-it.
Personeli dhe mbështetësit e Milošević-it veçse janë rehabilituar plotësisht, ne ende e mbajmë gjallë urrejtjen dhe qëndrimet raciste ndaj të gjithë atyre që nuk janë ne, dhe ende shpresojmë, siç do të thoshte Presidenti ynë, që ndoshta një ditë “rrethanat historike” do të ndryshojnë në favorin tonë, në mënyrë që të mund ta kthejmë atë që e konsiderojmë tonën.
Trendet vdekjeprurëse që janë parë në Republika Srpska, e cila sipas shumë raporteve është duke e armatosur popullin me ndihmën e Serbisë dhe Rusisë, si dhe tensionet gjithnjë më të larta në lidhje me veriun e Kosovës dhe bisedimet për shkëmbime territoriale, mund të jenë shkëndija e parë që e kthen zjarrin përsëri në gjithë rajonin.
Prandaj, ata që dikur e larguan shikimin nga vështrimi vdekjeprurës i Milošević-it për një kohë tepër të gjatë, nuk duhet të lejojnë rrënjosjen e ideve për ndarje të Kosovës. Drejtuesve të Serbisë duhet t’u bëhet shumë presion që të ndalen së përhapuri ide për ndarje të Kosovës, e të detyrohen ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe t’i ndryshojnë politikat e tyre që i ngjajnë atyre të Milošević-it sa i përket rajonit. E njëjta vlen për Bosnjen, ku Milorad Dodik i Republikës Serbe po punon për ta ndarë shtetin në mënyrë më të hapur se kurrë më parë.
Para pak kohe, Serbia ishte agresori që përdori forcë vdekjeprurëse për ta shkatërruar Jugosllavinë në mënyrë që ta përmbushë ‘projektin kombëtar’ dhe për të përcaktuar kufijtë përgjatë linjave etnike. Pavarësisht faktit se i humbi të gjitha luftërat gjatë të 90-ve, Serbia ishte e suksesshme për t’i bërë ato linja etnike jo edhe aq të paqarta, nëpërmjet gjenocidit dhe fushatave të spastrimit etnik që i kryen forcat serbe në rajon.
Kushdo që mendon se Serbia nuk do të guxonte ta fillonte një tjetër cikël vicioz të konflikteve që mund të përfundojë në një tjetër luftë, le ta sheh se kush është duke e drejtuar shoqërinë e Serbisë sot.
Janë të njëjtit njerëz që veçse e kanë provuar këtë një herë më parë dhe pushteti politik i të cilëve buron nga mbështetja që e kanë, për shkak se premtojnë se është koha për shpagim për gjithçka që “na është vjedhur”, siç bëri Milošević-i.
Është më e rëndësishme se kurrë të flasim për pasojat e agresioneve të Serbisë në të kaluarën, për shkak se situata aktuale i ngjanë shumë kohës kur Milošević-i doli në skenë në Gazimestan më 1989.
Si gjithmonë, Kosova është e para në listë, por faza përfundimtare për Serbinë kurrë nuk ka qenë përfshirja e Kosovës në kufijtë e saj, por krijimi i një protoshteti në Kosovë, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje, “identiteti” i së cilit gjithmonë do të rrezikohej deri sa më në fund të shkëputet dhe t’i bashkohet Serbisë, duke krijuar në fund Serbinë e Madhe, ëndrrën e papërmbushur të të gjithë liderëve politik serbë që aktualisht janë në pushtet dhe i ndërtojnë karrierat mbi këtë premtim të ligë.
Prandaj, është më e rëndësishme se kurrë të flasim për pasojat e agresioneve të Serbisë në të kaluarën, për shkak se situata aktuale i ngjanë shumë kohës kur Milošević-i doli në skenë në Gazimestan më 1989 dhe deklaroi se “nuk përjashtohen konfliktet e armatosura” për t’i mbrojtur interesat e Serbisë.
Kjo është veçanërisht e çuditshme të kujtohet në ditët e sotme, duke pasur parasysh ‘fjalimin historik’ që e dha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë. Në vend se t’i dënojë politikat e Serbisë në vitet e 90-a dhe ta ndihmojë pajtimin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ai e përqafoi plotësisht Milošević-in, duke e quajtur “lider të madh serb” dhe duke i justifikuar politikat neonaziste të tij.
Kjo ishte diçka shumë e dhimbshme për t’u dëgjuar në Kosovë, e cila përpos Bosnjes, ka vuajtur më së shumti nga duart e ‘kasapit të Ballkanit’. Fjalimi i Vučić-it, e lidhi atë me aspiratat që i deklaroi Milošević-i në fjalimin që e dha në Gazimestan para 30 vitesh dhe tregoi pa dyshim se Vučić-i, pavarësisht shumë shpresave, veçanërisht nga Perëndimi, nuk ka ndryshuar aspak nga të qenit një prej luftënxitësve më të fuqishëm të Milošević-it.
Ishte e qartë që nga fillimi i qeverisjes së Vučić-it. Ai nuk kishte kurrfarë plane për “normalizimin” e marrëdhënieve; përkundrazi, ai po e luante lojën e dyfishtë të tij që e ka ushtruar mirë: thotë gjithçka për ta kënaqur Perëndimin, ndërsa njëkohësisht brenda vendit nxitë aspirata që i ngjajnë atyre të Milošević-it.
Siç është paralajmëruar disa herë gjatë gjashtë viteve të fundit, Vučić-i në pushtet me mbështetje të rifituar dhe karrierë të rehabilituar, mund të përbëjë rrezik më të madh sesa ai në vitet e 90-a. Ka kaluar moti koha që ata të cilët kanë ndikim te Presidenti serb t’i bëjnë presion për ta zbutur retorikën ndarëse dhe kërcënuese, që dikur i kishte nxitur aq shumë për t’i marrë armët e për të shkuar në luftë. Fjalimi i tij në Kosovë tregoi se e gjitha mund të ndodh përsëri.
19 vjet kanë kaluar prej kur Serbia e humbi gjithë autoritetin dhe kontrollin mbi jetën në Kosovë, e ky ishte një parakusht që kosovarët ta fillojnë shërimin dhe ta ndërtojnë përsëri shoqërinë nga copat e mbetura të saj. Ne të gjithë duhet ta mbështesim rritjen e Kosovës në një shoqëri të hapur, demokratike, multikulturore dhe të drejtë brenda një shteti unik dhe plotësisht të njohur ndërkombëtarisht, me vend të duhur dhe status të barabartë në mesin e kombeve të botës.
Pas gjithë asaj që ka kaluar populli i Kosovës në dekadat e fundit, më në fund duhet të lihen rehat e nuk duhet të frikësohen më tej nga shtypësit e dikurshëm të tyre. Ndonëse asgjë nuk mund ta lehtësojë vuajtjen e të mbijetuarve e as t’i kthejë të vdekurit, Serbia të paktën, duhet që më në fund t’i lë këta njerëz të jetojnë në paqe, pa u munduar më të ndërhyjë përherë në jetët e tyre. Kjo nuk do t’i bënte mirë vetëm kosovarëve, por do të ishte shenjë e rrallë që në Serbi mund të ndryshojnë gjërat për së miri.
Duke pasur paraysh klimën aktuale politike në Serbi, mundësitë për një rezultat të tillë janë të pakta, por mund të shpresojmë që, nëse jo me vullnetin e saj, Serbisë do t’i bëjë presion komuniteti ndërkombëtar për ta lehtësuar kapjen e saj mbi Kosovën dhe për të ecur përpara nga betejat e humbura dhe të pakthyeshme.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0
Kthehu prapa tek Monografia