Sivjet shënohet 10-vjetori i festivalit të përvitshëm të animacionit në Pejë, Anibar.
Duke shëtitur qendrës së qytetit, s’ke si të mos dëgjosh njerëz që flasin anglisht, frangjisht, gjermanisht ose ndonjë gjuhë skandinave. Ikonografia e mrekullueshme e festivalit – syri i mirënjohur soditës i Anibarit, si dhe kojrila e madhe poshtë një balloni në prag shpërthimi, e pranë fjalëve “Shpresa e Frika” – i ka dekoruar muret e qytetit, dritaret e dyqaneve dhe çantat e festivalit.
Në Kinemanë e bukur të Liqenit, Kinemanë më të vogël të “Kubave” në park, Kinemanë “Urbane” në fushën e basketbollit dhe Kinemanë ikonike “Jusuf Gërvalla”, shikuesit tubohen për të shikuar filma të kategorive të ndryshme garuese, ndërsa juria e profesionistëve të ftuar të botës së animacionit voton në fund të secilës seancë. Ndërkohë, çdo ditë Anibar organizon program edhe për “Fëmijë” edhe për “Adoleshentë”.
Përveç shfaqjeve të filmave mbahen edhe punëtori, masterklasa dhe diskutime me panele, në të cilat pjesëmarrësit mund ta pikturojnë hapësirën me ndihmën e Realitetit Virtual, të mësojnë si ta përdorin bindjen në animacion dhe të diskutojnë si mund të përvetësohet hapësira publike.
Anibar është rrëfim suksesi dhe shembull i rezultateve të nismës personale, të shoqëruar me solidaritetin e një bashkësie gjithnjë më të madhe vullnetarësh.
Vullnet Sanaja, drejtori i festivalit, kujton se si e bashkëthemeloi Anibarin në moshën 18-vjeçare – mosha prej të cilës ke të drejtë ligjore të hapësh OJQ – si mënyrë për ta krijuar një rrjet dhe për t’i krijuar kushtet e domosdoshme për prodhim artistik.
“E pamë që nuk kishim pajisje dhe nuk kishim burime e njerëz për të na ndihmuar me realizimin e filmave tonë, prandaj menduam: A ka mënyrë më të mirë për t’i bashkuar njerëzit se nëpërmjet festivalit?” thotë Sanaja.
Sot, Anibar e ka themeluar një akademi të animacionit me program vjetor në Pejë dhe një kurs javor në Prishtinë, si dhe ka siguruar pajisje për ata që duan të mësojnë.
Ekipi fillestar i Anibar filloi thjesht duke i kontaktuar njerëzit anembanë botës me email, duke promovuar veten dhe duke kërkuar filma për t’i shfaqur gjatë festivalit. Sanaja kujton kur e kontakoi drejtorin e Melbourne International Animation Festival“me shpresën që nuk do ta kuptonte se ishim vetëm disa 18-vjeçarë që po mundoheshim ta bënim një festival të filmave të animuar”.
Shumëçka ka ndryshuar brenda këtyre 10 viteve.
“Kur e nisëm festivalin, nuk kishim hapësira, nuk kishim pajisje, nuk kishim njohuri as libra”, thotë ai. “Dhe nuk kishte programe, punëtori a mundësi arsimimi për animacionin”.
Vullnet Sanaja ishte vetëm 18 vjeç para 10 vjetësh kur e bashkëthemeloi Anibarin. Foto: Sindre Langmoen / K2.0.
Por sot, Anibar e ka themeluar një akademi të animacionit me program vjetor në Pejë dhe një kurs javor në Prishtinë, si dhe ka siguruar pajisje për ata që duan të mësojnë.
Sanaja beson që festivali e ka promovuar një ndryshim kulturor të veçantë në komunitet dhe shton se ndjehet krenar që i ka kundërshtuar normat e njerëzve dhe ka ndihmuar ta thyejë ndjesinë e apatisë. Ai i krahason pritshmëritë e sotme për filma më sfidues sesa në vitet e hershme të festivalit, kur e pyesnin pse po shfaqte krijime që preknin tema si politika, të drejtat e njeriut ose seksualiteti, meqë “publiku nuk është i gatshëm”.
Ky aktivizim i komunitetit është pikë qendrore e festivalit. Pasi së fundmi janë përfshirë në betejëme agjencinë shtetërore të privatizimit, në përpjekje për ta shpëtuar nga shitja kinemanë të cilën e kanë përtërirë, pjesëtarët e Anibarit e kuptojnë rëndësinë e vlerësimit të mbështetjes së aktivistëve dhe vullnetarëve të tyre.
Prapa temës së këtij edicioni jubilar të 10 qëndron edhe përmasa e aktivizmit që e përshkon festivalin.
“Rinia jonë u bënë vullnetarë, u bënë aktivistë; së bashku u ngritëm kur kinemaja ishte në rrezik, së bashku u ngritëm kur hapësirat tona publike ishin në rrezik, dhe këtë e bëmë nëpërmjet festivalit, nëpërmjet arteve”, thotë Sanaja.
Aktualisht ky rast është i ngrirë, i pazgjidhur, dhe e ardhmja afatgjatë e kinemasë mbetet e pasigurt. Megjithatë, Anibar ka kontratë qiraje 15-vjeçare me Komunën e Pejës për këtë kinema, dhe kanë për qëllim ta shfrytëzojnë atë deri në fund të kësaj periudhe.
Prapa temës së këtij edicioni jubilar të 10 qëndron edhe përmasa e aktivizmit që e përshkon festivalin, meqë ekipi i festivalit kërkoi një temë që do t’ua mundësonte t’i festonin 10 vjet të veprimit kolektiv.
“Shpresa e Frika” është sllogani i kësaj teme, sepse, siç thotë Sanaja, ato janë “elemente të fuqishme të cilat kur eksplorohen, kur vendosen në publik prej njerëzve, bëhen të prekshme dhe mund të ndryshojnë”.
Animo për ta ndryshuar botën
Nancy Denney-Phelps është me Anibarin qysh kur u ftua në juri në vitin e tretë të tij, dhe punon aktivisht me festivalin qysh atëherë. Me krenari mban titullin “gjyshja e festivalit”, të cilin e ka të printuar në kartën e saj.
Denney-Phelps ka punuar si gazetare animacioni për 35 vjet, duke udhëtuar rretheqark botës gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, e duke mbuluar festivale të ndryshme të animacionit nëpër botë.
‘Gjyshja e festivalit’ Nancy Denney-Phelps ka shtatë vjet që punon me Anibarin. Foto: Sindre Langmoen / K2.0.
“Erdha dhe pashë ç’po mundoheshin të bënin Rroni [Bajri] dhe Fiona [Petriti], themeluesit fillestarë të festivalit, dhe më lanë mbresa shumë të mira”, thotë ajo. “Ata nuk po mundoheshin ta organizonin një festival të madh botëror, por të bënin diçka për komunitetin, që është shumë e rëndësishme”.
Ajo thekson respektin që ka për Sanajën, për faktin që ka qëndruar në Kosovë, në Pejë, dhe ka krijuar diçka që ka sjellë dallim të rëndësishëm në komunitet, edhe pse ka pasur mundësi të shkonte jashtë vendit për të punuar – dhe ajo beson që Anibari ka pasur ndikim fundamental dhe pozitiv në komunitetin e Pejës.
“E di që festivali nuk do ta mbajë secilin të ri në qytet”, thotë ajo. “Por është duke i mbajtur disa, sepse kur erdha fillimisht këtu, secili i ri që e takova më thoshte, ‘Dua të iki prej këtu sa më parë’. Dhe tani po i takoj disa që po thonë, ‘Dua të rri dhe të jap kontributin tim për komunitetin’. Dhe mendoj që kjo është shumë e rëndësishme, pra që një grup i njerëzve mund ta ndryshojë një komunitet”.
Ajo thotë se ishte “shumë e bukur hapja në fushën e tenisit”, pasi që ia kujton fillet modeste të Anibarit, kur filmat shfaqeshin në një çarçaf të thjeshtë, të varur në fushë.
Në garat e studentëve, kreativiteti dhe eksperimentimi janë tiparet kryesore.
Gjyshja e festivalit shpjegon se animacioni u mundëson krijuesve të tregojnë histori të cilat do të ishte e pamundshme të rikrijoheshin në botën reale. “Sende e vende të imagjinuara të cilat nuk mund t’i realizosh në botën reale”, thotë ajo.
“Nuk është ndjenja e njëjtë, sepse në film mundohen ta rikrijojnë realitetin, e në animacion jo. Me animacion mundohen të të çojnë në një botë – është sikur ëndërron dhe sheh pamje në kapakët e syve – kjo, për mua, është si animacion”.
Kjo është e qartë kur i shikon filmat e ndryshëm dhe shumë kreativë të studentëve dhe të profesionistëve të animacionit.
Krijimi dhe eksplorimi
Në garat e studentëve, kreativiteti dhe eksperimentimi janë tiparet kryesore.
Në mesin e filmave të shfaqur ishte filmi i shkurtër egjiptian “Flipped”, i cili eksploron natyrën e marrëdhënieve prind-fëmijë duke e kthyer mbrapsht rendin shoqëror. Të rriturit bëhen lozonjarë si fëmijët, ndërsa fëmijët e tyre të pjekur mundohen të kujdesen për “fëmijët” e tyre të mëdhenj. I vizatuar si prej dorës së fëmijës, me animacione të bukura, “Flipped” e çon shikuesin nëpër një univers të vogël alternativ, duke eksploruar situata të ndryshme komike.
Filmi i shkurtër francez “I’m going out for cigarettes” na tregon jetën e një të riu që jeton me nënën dhe motrën, dhe disa burra të çuditshëm me të njëjtën fytyrë, të cilët fshihen në dollape dhe qoshe të fshehta të shtëpisë së tyre. Këta burra rezultojnë të jenë përfaqësimi i mungesës së babait të tij. Zbrazëtia e mungesës së babait për ironi e mbush hapësirën e jetës familjare.
Njëri nga filmat kryesorë të shfaqur në edicionin e sivjetëm të festivalit është filmi hungarez “Ruben Brandt, Collector”. Filmi i parë i Milorad Krstić-it tregon historinë e psikoterapistit të njohur që punon me klientelë të hajdutëve të sofistikuar dhe torturohet nga disa piktura të njohura që i ngjallen në ëndrra.
Ai vjen në përfundimin se mënyra e vetme për t’u ballafaquar me problemin është duke e zotëruar, pra duke i angazhuar pacientët e vet që ta vjedhin një koleksion të pikturave më të çmuara në botë. Është udhëkryq i pazakontë ndërmjet një filmi surrealist noir, një triller me temë kriminale dhe një eksperimentim artistik, plot referenca të artit, detaje lozonjare dhe vezë të pashkëve.
Në mëngjesin pas shfaqjes, Krstić ishte i pranishëm në seancën e kafes së mëngjesit, ku njerëzit mund të shtronin pyetje për filmin. Ai e shpjegoi konceptin e tij – se arti duhet të jetë kënaqësi për mendjen, se duhet të përdoret dhe të festohet në mënyrë lozonjare, siç bëri ai me filmin e vet. Ai vetë është piktor dhe e nisi këtë punim me këtë mendësi të një individi artist.
Çdo mëngjes gjatë javës së festivalit, filmbërësit diskutojnë për krijimet e tyre me publikun duke pirë kafen e mëngjesit. Foto: Sindre Langmoen / K2.0.
Këto seanca të mëngjesit u mundësojnë njerëzve të mësojnë më shumë për procesin e krijimit dhe vështirësitë e shumta të tij. Krstić i tha grupit të vogël në kafene se procesi zgjati tre vjet, ndërsa një vit e gjysmë iu deshën për ta marrë të drejtën për t’i adaptuar pikturat në film.
Asnjëri nga filmat e shfaqur nuk duket se përqendrohet shumë për ta paraqitur saktë botën reale – njerëzit janë disproporcionalë, personazheve u dalin brirët e krahët pa arsye, e ata ndryshojnë nga një formë në tjetrën nëpërmjet magjisë së lëvizjeve të baltës. Botërat janë surreale dhe rregullat tradicionale të ndërtimit të botës, të narracionit dhe të fizikës nuk duket se janë relevante.
Animacioni u mundëson krijuesve t’i formojnë personazhet dhe botërat për të përçuar ndjenja të veçanta, për të treguar histori të shpresës dhe frikës, me një liri që është e veçantë për këtë medium.