Të premten, më 13 mars 2020, Kosova u bë një nga vendet e fundit në Evropë që shënoi rastet e para të koronavirusit. Ishte një zhvillim që pritej, duke ditur se dy ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë veçse e kishte shpallur COVID-19 një pandemi, ata që ishin duke udhëtuar nëpër kontinent filluan të ktheheshin në shtëpi, e numrat e rasteve nëpër shtetet fqinje rriteshin përditë.
Pak më herët atë të premte, në K2.0 veç i kishim shpeshtuar diskutimet rreth punës në terren që do të mund ta zhvillonim dhe po flisnim se deri në ç’masë prania jonë fizike në terren do të mund ta rrezikonte mirëqenien e dikujt tjetër; nga fillimi i mbrëmjes dy rastet e para u konfirmuan. Duke parë se si dështimi për të reaguar më vendosshmërisht në fillimet e shpërthimit të virusit përmes zbatimit më të mirë të distancimit shoqëror apo vetë-karantinimit i ka gjymtuar sistemet shëndetësore të shteteve që konsiderohen më të avancuara, vendimi u bë i qartë.
I gjithë ekipi i K2.0 do të punojë pothuajse tërësisht e ekskluzivisht online, sipas masave të rekomanduara, derisa kufizimet të arrijnë qëllimin dhe të vlerësojmë që nuk shfaqim rrezik për të tjerët.
Teksa zbarkojmë në bërje të gazetarisë pa prani fizike në terren, ne jemi të vetëdijshëm për tërësinë e sfidave e pengesave që kjo do të paraqesë për punën tonë.
Janë në veçanti kohërat si këto, kur të drejtat e punëtorëve mund të shkelen më së shumti; kur forma të ndryshme të dhunës — qoftë me bazë gjinore, në familje apo ndaj fëmijëve — mund të jenë në rritje e sipër; kur ata e ato që veç përkasin në grupet e margjinalizuara, të përjashtuara e të diskriminuara, do të vazhdojnë të mos kenë qasje në burime thelbësore e esenciale; apo kur politikat e vendimet e qeverisë e institucioneve kërkojnë më shumë punë në terren ashtu që të kuptohet më mirë se si ato politika e vendime ndikojnë jetërat e qytetarëve drejtpërsëdrejti.
Pikërisht këto storie e përvoja qëndrojnë në thelb të mënyrës si K2.0 e definon përgjegjësinë dhe obligimin e saj si revistë — të ekspozojë dhe të vë në pah padrejtësitë, të kthejë vëmendjen kah pabarazitë dhe të inkurajojë qytetari aktive, të gjitha këto duke punuar papushim për të ofruar informacion të bazuar, të kontekstualizuar e të saktë për të cilin qytetarët kanë nevojë ashtu që të marrin vendime të mirë-informuara.