Në thelb | Diaspora

Shtëpinë në mërgim, mendjen në Kosovë

Nga - 17.07.2023

Shtëpia për mërgimtarët.

Osman Osmani i ka katër shtëpi. 

“Shpia n’Prishtinë, shpi n’Golem, shpi n’Neuhaussen. N’tri vende e shpi kurrëkund”, thotë ai. 

66-vjeçari kishte planifikuar që pas pensionimit, të kalonte më shumë kohë në Prishtinë a brigjeve të Durrësit, por sëmundja e bashkëshortes dhe nevoja për t’iu qëndruar afër katër fëmijëve, e shtrëngoi të mbetej në Zvicër.

Kur përmendet shtëpia, Osmani flet gjerë e gjatë për shtëpinë e vjetër, në “Lagjen e Muhaxherëve” në Prishtinë apo “shpinë e prindërve”, siç i thotë ai. Ajo ishte vatra ku u mësua të mbahej në këmbët e veta dhe streha e leximit të librave të futura ilegalisht nga Shqipëria komuniste e viteve të ‘70-ta.

“Mua nuk ma ka marrë mendja se kish me ardhë puna mos me u kthy në Kosovë dhe me ndejtë hala [në Zvicër]. Me m’pasë thanë dikush, kisha ra n’bela me të”, thotë me humor Osmani, i cili u shpërngul atje në vitet e ‘80-ta. 

Me profesion këshilltar social, sidomos në tema që lidhen me trauma të migrimit, Osmani në Zvicër punon si ligjërues dhe këshilltar profesional për shumë institucione shkollore dhe të lëmisë sociale e shëndetësore. Në vitin 2005, ai u bë edhe shqiptari i parë në Zvicër që fitoi mandatin katër-vjeçar të deputetit në kantonin Schauffhausen. Përkundër integrimit dhe jetesës disa dekadëshe në Zvicërr, ai dhe fëmijët e tij ruajnë fort lidhjet më Kosovën. 

Historia e Osmanit në mërgim zuri vend edhe në ballinën e gazetës “schaffhauser az”, e cila më 2018 kur shënoi 100-vjetorin, kryetitull kishte “Më shumë se një atdhe”, shkruar shqip dhe me të kuqe, me poshtësqarimin: “Albanisch: Mehr als eine Heimat”. Po ashtu, dy ditë para 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, gazeta i kushtoi edhe dy tituj: “Ich bin Schëeizerin” (Unë jam zviceran) me fotografi të familjes së Osmanit në Zvicër e në Kosovë, dhe “Der Vater” (Babai) ku Osmani dhe familjarët e tij rrëfejnë fatin e tyre dhe të shumë shqiptarëve mërgimtarë.

“Unë jam largu në moshën 24-vjeçare. Megjithatë këtu kam krijuar familje me një shqiptare, edhe fëmija janë në rreth shqiptar. Pos jetës profesionale, këtu kam krijuar edhe lidhje dhe shoqëri me zviceranë — bile-bile nganjëherë mendoj se kam qenë mosmirënjohës”, thotë Osmani. “Sa për identitetet e shumta, edhe përkatësitë e shumta, edhe unë i kam motivuar të rinjtë të mos kenë probleme, por këtë me pa si kreative, edhe mos me pasë si pengesë”.

​​Osman Osmani me familje para shtëpisë në Neuhaussen në kantonin Schaffhausen në Zvicër. Fotografia: Arkivi i Osman Osmanit.

Përndjekja për në mërgim

Historia e migrimit të shqiptarëve të Kosovës është e gjatë. Valë të ndryshme migrimi përgjatë historisë i kanë dërguar shqiptarët në cepe të ndryshme të botës. Arsyet e migrimit dallojnë varësisht periudhave historike. Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, për shembull, kishte valë të ndryshme të migrimt. Ato përfshnin marrëveshjet me Turqinë, migrimin ekonomik në Zvicër e Gjermani dhe migrimin për shkak të përndjekjes politike. Osmani është një ndër shumtit që migroi për shkak të kësaj të fundit. 

Në vitin 1981, kur shqiptarët kishin më së paku të drejta në Federatën e Jugosllavisë, demonstratat mbarëpopullore me kryekërkesën për “Kosovën Republikë”, u shtypën dhunshëm. Pas demonstratave, për shkak të aktivitetit të tij politik, policia serbe ia bastisi shtëpinë Osmanit. Policia nuk ia doli ta arrestonin dhe për disa muaj Osmani u fsheh nëpër farefis e maleve.

Bashkëthemeluesi i Lëvizjes për Barazi dhe Pavarësi të Shqiptarëve në ish-Jugosllavi (PKMLShJ) në vitin 1978, Osmani, në nëntorin e vitit 1981 u detyrua t’ia kthente shpinën shtëpisë. Bashkë më veprimtarët e PKMLShJ, Faton Topalli, Nazmije Syla dhe Abdullah Prapashticën u arratisën në Turqi dhe u strehuan nëpër shtëpitë e shqiptarëve atje.

Pas themelimit të Lëvizjes për Republikë Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ) në Ankara më 17 shkurt 1982, që ishte subjekt themeluar nga ish-drejtuesit e PKLMSHJ , Osmani do të strehohej tek familjet shqiptare në Gjermani. “Na i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre private. Kemi qenë edhe ngarkesë financiare, por e dyta, edhe i kemi rrezikuar sepse kanë mbajtur ‘armiq të shtetit’ [jugosllav]”, thotë ai.

Në vitin 1983, Osmanit ia hapi dyert Zvicra. Të afërmit e miqtë i sillnin lajme për familjen në Kosovë, me të cilën i kishte të kufizuara thirrjet telefonike nga frika e persekutimit të fqinjve, që kishin telefona shtëpie.

Rrëfimi i Osmanit ngërthen elemente e copëza të historive të dhjetëra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe të ish-republikave jugosllave që legalisht e ilegalisht morën kufijtë apo malet për t’u strehuar në botën perëndimore, dukë lënë pas shtëpinë.

Shkaku i veprimtarisë politike, Osmanin do ta priste burgu po të kthehej në Kosovë. Si “zëvendësim”, bashkë me Topallin në mes të viteve të ‘90-ta blenë në Golem një parcelë prej 9 ari dhe ndërtuan shtëpinë tri-katëshe — përdhesën për mysafirë dhe nga një kat për familjen e secilit. 

Osmani me miq në shtëpinë e përbashkët me Faton Topallin në Golem të Durrësit. Fotografia: Arkivi i Osman Osmanit.

Ato vite, kjo shtëpi u kthye në qendër të rëndësishme për aktivistët e lëvizjeve ilegale, që e kishin të ndaluar kthimin në Kosovë. Në pamundësi për t’u takuar në Prishtinë, shtëpia në Golem u bë edhe vendtakimi i tij me prindërit. 

Gjatë luftës në Kosovë, Osmani punoi vullnetarisht në kampe refugjatësh në Maqedoni të Veriut, teksa në Golem qëndronin fëmijët e tij me refugjatët. Me përfundimin e luftës në Kosovë, më 12 qershor 1999 menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s, bashkë me një aktivist zviceran, Osmani u fut nga atje në Koosvë. Javëve në vazhdim, bashkë me refugjatët, fëmijët e Osmanit do të vizitonin për herë të parë Kosovën në ditët e saj të para të lirisë. 

“Rrugën nëntë a dhjetë-orëshe e kanë përjetu me të tjerët në kamion të hapur. Dikush ka vjellë rrugës së vjetër”, thotë Osmani. Pas përfundimit të luftës dhe dëmeve që ishin shkaktuar, Osmani u ndihmoi vëllezërve ta ndërtonin një shtëpi mbi themelet e shtëpisë së vjetër në “Lagjen e Muhaxherëve” për t’i shpaguar për mbështetjen e vazhdueshme që i dhanë ndër vite. Afër tyre, e ndërtoi edhe të veten. 

Pasluftës, Osmani e ndërtoi një shtëpi tri-katëshe në oborrin e shtëpisë së vjetër në Lagjen e Muhaxherëve. Fotografia: Arkivi i Osman Osmanit.

Osmani ndërkohë veçon një fotografi, ku shfaqet Osmani teksa hap derën e oborrit në “Lagjen e Muhaxherëve”. Para dyerve, në rrugën që kishte nisur t’i kthehej jeta, shihet babai i tij. Ishin ditët e para të Kosovës së çliruar në fundpranverën e vitit 1999. Aty u vunë themelet e shtëpive të reja e prapë, sa herë hap derën e oborrit, i ngjallen kujtime sakrifice dhe krenarie për të dhe familjen.

Osman Osmani para shtëpisë së prindërve në Lagjen e Muhaxherëve menjëherë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Fotografia: Arkivi i Osman Osmanit.

Shtëpia për mërgimtarët — frymëzim për art, kulturë e studime 

Përvoja të ngjashme për mërgimtarët e refugjatët politikë e ekonomikë që shtëpinë e trupin e kishin në Perëndim, por mendjen e shpirtin në Kosovë, janë trajtuar në letërsi, kinematografi e hulumtime vendase ndër vite.

Paragrafi i parë i parathënies së librit “Atdheu në valixhe: Rrëfime të emigrantëve kosovarë në Gjermani” të Timon Perabo dhe dramaturgut Jeton Neziraj nis me spikatjen e shenjave publike e private që nyjetojnë lidhjen e shqiptarëve me Perëndimin. “Nëse sodit fëmijët në rrugë (në Kosovë), apo në oborre duke luajtur, mund të ndodhë të renditen në rreth, duke i zgjatur njëkohësisht duart e tyre në mes dhe duke thërritur në gjermanisht: ‘Schere, Stain Papier’ (gërshërë, gur, letër)”, shkruajnë ata.

Ndërkohë, po aty, nëpërmjet rrëfimit “Lufta në letra”, shpaloset historia e Rexhep Bajramit si refugjat politik.

Në njërën prej tri letrave që përbëjnë rrëfimin, të përfshira në botimin gjermanisht, Neziraj ia përshkruan bashkautorit Perabo me pasion humorin e ndryshuar në shtëpinë e tij në Kaçanik gjatë pushimeve verore e dimërore të xhaxha Ilmiut, pjesë e brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në ekonominë më të madhe evropiane.

“Nëse do t’i mbyllja sytë për pak sekonda, copëzat e imazheve të fëmijërisë në lidhje me axhën tim do të ishin: dimër me borë të madhe, një Ford Taunus, bukë e zezë që i vie era çamçakëz, banane, skija për rrëshqitje në borë, rroba, flokë të thinjura, bombona mente me mbështjellës letre ngjyrë të gjelbër, lot, çanta të mëdha që hapen, mysafirë që vijnë, një pallto e trashë e leshtë, një video, televizor me ngjyra, antenë satelitore, fotografi, çokolata, mysafirë që shkojnë e kështu me radhë”, përshkruan ai.

Migrimi është dokumentuar edhe në kinematografi. Së voni, për shembull, regjisori Saimir Karahoda, në dokumentarin e tij “Në mes”, trajtoi dukurinë e shtëpive dy a tri-katëshe me plan e fasada krejtësisht të njëjta që gjenden ndanë rrugëve magjistrale e autostradave të Kosovës. Karahoda thotë se fillimisht nuk e kishte menduar trajtimin e këtyre të dy aspekteve.

“Fillimisht fokusi im ka qenë të studioj dhe trajtoj konceptin e bashkëjetesës dhe fenomenit të ndërtmit të shtëpive të njëjta, por derisa isha duke hulumtuar këtë temë, e pashë që shumë ishin të zbrazëta”, thekson ai. 

Karahoda_01

Pjesë nga dokumentari “Në mes”. Fotografia: Samir Karahoda.

Në dokumentar nuk ka narrator e as nuk dihen vendet e emrat e protagonistëve që flasin.

“Pesë djem i kam në Zvicër, në Aarburg”, thotë një plak haxhi në dokumentar, të cilit në krah i rri pip djali i gjashtë me të cilin jeton në Kosovë. “Këto shpija jau kam ba dhe jau kam qitë secilit përmi veti, që mos me thanë asnjani ‘këtina ma mirë, këtina ma keq’. Jo dy kat, jo tre. Jau kam ba nisoj krejtve”, thotë plaku me tërleme pasuar me pamje të gjashtë shtëpive tri-katëshe – vetëm e para majtas e meremetuar, derisa pesë tjerat presin dorën e mjeshtërve të izolimit.

“Duke qenë te vetëdijshëm që diaspora është shtylla kryesore e ekonomisë, ndoshta edhe e shoqërise në raste të veçanta, mendoj që gjithnjë do të jetë prezente në tregimet tona”, thotë Karahadoda.

Edhe Arsim Canolli, antropolog dhe profesor i antropologjisë, trajton konceptin e shtëpisë në kulturën shqiptare, të cilën e sheh në raport me mërgimin. Në librin e tij “Një rrëfim antropologjik për shtëpinë”, ai shkruan se vendi i shtëpisë së të parëve mendohet si qendra e botës. 

“Në esencë, njeriu është ‘njeri i shtëpisë’, ku jeton për një kohë të gjatë si pasardhës i të parëve të tij, aq sa është edhe emigrant që arratiset, udhëton e krijon shtëpi të re në vend të ri”, shkruan Canolli. Pos kësaj, ai e trajton shtëpinë edhe si sinonim të izolimit. “Kur flitet për izolimin te shqiptarët thuhet ‘mu ka ba shpia uk’ dhe jo pa arsye stereotipizohet dikush që është fanatik si njeriu që ‘e sheh botën veç brenda çufrrës së vet’. Po aq sa ka nevojë të jetë i shpisë, njeriu ka nevojë edhe të arratiset prej saj, të rikthehet te ajo”.

Fjala “shpi” në gjuhën e kulturën shqpie s’përdoret veç për shtëpinë si strukturë banimi, por edhe për familjen, siç kishte vënë re edhe antropolgia norvegjeze, Berit Backer, e cila për vite të tëra hulumtoi rreth jetës në Isniq të Deçanit, duke u përqendruar në organizimin e shtëpisë. Libri i saj “Behind Stone Walls (Prapa mureve prej guri) u botua në mars 2015, si libër post-mortum i Backer. 

Po ashtu, janë të panumërta edhe shprehjet e fjalët e urta për shtëpinë, si: shtëpi pushke, shtëpi mikpritëse shtëpi bukëdhënëse, shtëpi e madhe. Apo “S’ka si shpia” e “Ish ba shpi”. Por urtësia popullore ka edhe shprehje që përmbledhin raportin e njeriut me shtëpinë në kohë sprovash të mëdha. “Po m’ha shpija” e “M’u ka ba shpija uk”.

Për shkak të historisë së Kosovës, sidomos gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, shtëpia s’e kishte e s’e ka vetëm rolin e strehës. U bë shkollë, universitet, ambulancë, shtab ushtarak e shumëçka tjetër, sidomos në të ‘90-tat, kur shqiptarët u dëbuan nga hapësirat publike. Ngjashëm u rifunksionalizuan edhe banesat e shtëpitë e mërgimtarëve në Perëndim, që u kthyen në qendra të aktivitetit politik të diasporës për pavarësi të Kosovës. 

“Shpinë e bajnë gjinja”

Një mërgimtar poet, që s’deshi t’i bëhej publik identiteti, tha se po e ka gjithnjë e më të vështirë t’ua mbushë mendjen fëmijëve tashmë të rritur që t’i kalojnë pushimet me prindërit në shtëpinë e madhe pranë malit e lumit në një fshat jugor të Kosovës. Njëherë, sa ishte rrugës duke shkuar në Kosovë, djali i kishte thënë “Nuk po më rrihet gjatë në Kosovë se unë edhe andrrat i shoh gjermanisht’”, thotë poeti. “Më ra kresë, por ndoshta ka të drejtë”.

Përkundër që lidhja me vendlindjen mund të mos jetë e fuqishme te disa nga brezi i ri i mërgimtarëve, ata vazhdojnë të ndërtojnë shtëpi të reja, qoftë edhe për të qëndruar vetëm gjatë pushimeve verore a dimërore.

Gjithandej Kosovës, sidomos fshatrave, bien në sy shtëpi të mëdha me qepena të mbyllura, për të cilat, kalimtarët thonë se janë të mërgimtarëve. Janë ndërtuar prej pronarëve që ishin brezi i parë apo i dytë i mërgimtarëve, kryesisht të lindur e rritur në Kosovë. 

“T’mira boll, por badihava…”, ndalet pak një plak kapuçzi në Nerodime të Epërme të Ferizajit. “Thatë, s’ka njeri t’gjallë n’to. Shpia për ni muj verë! Shpinë e bajnë gjinja”.

Karahoda_02

Pjesë nga dokumentari “Në mes”. Fotografia: Samir Karahoda.

Gjatë pushimeve verore në Kosovë, shumë shtëpive të mërgimtarëve u hapen roletat e gjallërohen oborret. Mërgimtarët sot e kësaj dite vazhdojnë t’i japin hijeshi jetës në rrethe farefisnore e shoqërore. Kosova frymon krejt ndryshe veçmas në muajt e verës. Të gjitha fushat e jetës ndërthuren me planet e aktivitetet e tyre. Me dasma e ndeja, që pasurojnë xhepat e pronarëve të bizneseve të fushave të ndryshme – prej floktarisë e deri te estrada. 

Janë tri pyetje që u drejtohen aq shpesh, saqë janë kthyer në shkak të qeshurash qëllimmira e nganjëherë u shkaktojnë edhe sekëlldi: “Kur ke ardhë? Sa ki me nejtë? Kur ki me shku?” Ata që kanë sens më të zhvilluar humori e afërsi me mërgimtarët ua shtrojnë edhe pyetjen më të sikletshme. “A ju ke pru hiç pare?”

“Për çka shpenzohen paratë e diasporës” është nëntitulli i shkrimit “Kosova, e varur nga remitencat e mërgimtarëve” në 6 janarin e sivjetmë në “albinfo.ch”. Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova ka varësinë më të madhe nga remitencat, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Aty raportohet se diaspora ka dërguar mbi 3 miliardë euro në Kosovë gjatë vitit 2022, një rritje prej 5.5% prej vitit paraprak, e veç nga Zvicra janë dërguara mbi 600 milionë franga.

“Vlen të theksohet se 70% e remitencave që arrijnë në Kosovë shpenzohen për buxhete familjare, anipse këto të ardhura nga diaspora nëse do të orientoheshin në formë të projekteve investuese, do ta zhvillonin shtetin edhe më shumë. Kushtet jo të mira, ekonomia e dobët, të ardhurat e ulëta për kokë banori rrisin varësinë e të ardhurave nga diaspora”.

E përveç remitencave, investimet e mërgimtarëve në Kosovë shkojnë te ndërtimi a blerja e një “shpie” të re. Në Ferizaj, ku bumi i ndërtimeve nuk është ndalur as pas pandemisë e ngritjes së madhe të inflacionit, Detjon Maloku, nga agjencia e patundshmërive “Royal Home”, thotë se mërgimtarët gjithnjë e më shumë po kërkojnë oferta për banesa.

“Me ble shtëpi duhet mirëmbajtje, siguri, nuk ka kush ua çelë. Kështu që blen banesë dhe paguan mirëmbajtjen vjetore 220-280 euro”, thotë ai. 

“Diaspora janë fryma e Kosovës”, përsërit dy-tri herë Vlera Bega, përfaqësuese e kompanisë tregtare dhe prodhuese, “Bega Sanitari dhe Qeramikë”, teksa shpjegon ndikimin e gjithëmbarshëm ekonomik të mërgimtarëve. “Pa diasporë nuk ka kurrgjë. A e di qysh dallon koha kur vjen diaspora, edhe kur nuk janë këtu”.

Bega thotë se viteve të fundit është ngritur numri i myshterinjve mërgimtarë që përzgjedhin dhe porosisin artikuj gjatë pushimeve më të shkurta të dimrit dhe të pranverës. Bega dhe pronarë të tjerë biznesesh thonë se po investojnë gjithnjë e më shumë në reklamimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në rrjete sociale, duke “targetuar” shqiptarët në shtetet e ndryshme evropiane në prag të pushimeve me oferta e zbritje. 

Fotografi e shtëpisë së vjetër të prindërve të Osmanit në Prishtinë. Fotografia: Arkivi i Osman Osmanit.

“Unë e qes këtë komodë në Facebook dhe po du me pa vetëm në Gjermani ose vetëm në një qytet, por shfaqet vetëm te shqiptarët sepse targetimi bëhet vetëm te shqiptarët se unë jam faqe e Kosovës dhe të tjerat mandej i rregullon Facebooku vetë. Kjo ndikon shumë”, thotë Bega.

Osmani, i cili aktualisht ndodhet me familje në Golem, ku ka shtëpinë në bashkëpronësi me Faton Topallin, thotë se me secila prej katër shtëpive – dy në Prishtinë, një në Golem dhe një Neuhaussen – janë shumë të veçanta dhe lidhen me shumë emocione të tij dhe të familjes. Por, më së shumti kujtime e përjetime i zgjon fotografia e shtëpisë së vjetër në Prishtinë, ajo “e ndaluara” prej të cilës u detyrua të largohej 44 vjet më parë.

 

Imazhi i ballinës: Arkiva e Osman Osmanit e përpunuar me Adobe AI.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.