Për më shumë se 30 vite, Staša Zajović e ka kundërshtuar patriarkinë, politikat luftënxitëse dhe nacionalizmin; tipare karakteristike për shoqëri të rajonit. Derisa i ka tejkaluar pengesat me të cilat është ballafaquar gjatë rrugëtimit të saj — prej të cilave kishte shumë — ajo ka nuk është ndalur në punën e saj si aktiviste.
Si koordinatore dhe një prej themeluesve të degës serbe të grupit nërkombëtar feminist dhe antimilitarist Gratë në të Zeza, aktivizmit i Zajović vazhdimisht është karakterizuar me protesta paqësore.
Gratë në të Zeza rregullisht ia ka kujtuar publikut serb krimet e luftës që janë kryer në shtetet që dolën nga Jugosllavia. Gjatë luftës 1992-95 në Bosnje dhe Hercegovinë, ato dolën në rrugët e Beogradit dhe folën për krimet dhe vrasjet e kryera nga forcat e mbështetura nga qeveria; të njëjtën gjë e bënë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë. Prandaj në Serbi, shumëkush i referohet atyre si ‘organizata joqeveritare më e urrejtur’ nga ata që janë në pushtet dhe mbështetësit e tyre.
Zajović thotë se ato kanë jetuar me këtë etiketim prej viteve të Slobodan Miloševic-it, i cili punoi sistematikisht për t’i demonizuar ato dhe organizatat e tjera të ngjashme në Serbi. Sipas Zajović, presidenti aktual serb Aleksandar Vučić ka vazhduar me të njëjtat politika dhe qasje.
Prandaj në nëntor të këtij viti, Gratë në të Zeza lajmëruan se do ta padisnin Vučić-in në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg.
“Qeveria në Serbi nuk po e fsheh më faktin që janë duke e mbështetur një mori të organizatave të ashtuquajtura patriotike, profashiste”, u tha në një kumtesë për media të publikuar nga Gratë në të Zeza më 29 nëntor të këtij viti. “Aleksandar Vučić, [Ministri i Punëve të Jashtme] Ivica Dačić dhe [Ministri i Mbrojtjes] Aleksandar Vulin ishin pjesë e politikave dhe qeverisë që e nxiti, ndihmoi dhe frymëzoi gjenocidin e Srebrenicës dhe plot krime të tjera në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. ata ishin pjesë e qeverisë që kreu krime të shumta në Kosovë”.
Prej vitit 2015, kur një numër i madh i refugjatëve u nisën drejt Bashkimit Evropian nga Ballkani, Gratë në të Zeza dhe Zajović kanë shprehur solidaritetin duke e ngritur zërin për ta, duke theksuar përsëri dhe përsëri që lufta sjell fatkeqësi për të gjithë, përveç atyre që i detyrojnë njerëzit të largohen dhe përfitojnë prej tyre.
Puna e Zajović-it ka ndikuar tek plot grupe feministe nëpër botë, por edhe ka bërë që ajo të ballafaqohet me plot probleme në Serbi, përfshirë këtu sulme fizike. Një shembull i tillë ishte sulmi i vitit 2014 ndaj Zajović-it dhe aktivistëve të tjerë të Grave në të Zeza në Valjevo, Serbi, kur ishin duke shkuar në ngjarjen e përvjetshme përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë.
Në nëntor, Zajović — bashkë me aktivistë të tjerë ndërkombëtarë — u prezantua me një çmim nga konferenca Sharia, Ndarje dhe Sekularizëm në Londër për “kontributin e madh të saj për kauzën e të drejtave të grave dhe sekularizmit”. Konferenca shënoi 10 vite të fushatës One Law for All që avokon “për barazi pavarësisht prejardhjes, besimeve dhe religjioneve”.
K2.0 bisedoi me Staša Zajović në Ditën Botërore për të Drejtat e Njeriut më 10 dhjetor në Beograd, ku biseduam për disa prej çështjeve më të rëndësishme të vitit 2018.
![](https://kosovotwopointzero.com/wp-content/uploads/2018/12/QA-Stasa-Zajovic-Intext-1-Photo-Lazara-Marinkovic.jpg)
Foto: Lazara Marinković / K2.0
K2.0: Sa është e vështirë të jesh aktiviste dhe feministe në Serbinë e sotme?
Staša Zajović: Në Serbi, në përgjithësi është e vështirë të jesh person që mendon lirshëm. Veçanërisht e vështirë është të flasësh në mënyrë kritike, të qartë dhe publike për këtë regjim. Një nga temat me të dhimbshme në Serbi është qasja ndaj krimeve të luftës dhe llogaridhënia e qeverisë, prandaj targetohen shpesh Gratë në të Zeza. Aktivizmi jonë feminist sigurisht se është pjesë e kësaj teme të ballafaqimit me të kaluarën.
Për mua, duhet të them, feminizmi nuk lidhet vetëm me çështje gjinore, por qasja feministe është diçka me të cilën ndihem e lidhur. Kjo do të thotë se politikat e eksportit të armëve dhe qëndrimet ndaj luftës janë dy temat që më shqetësojnë mua si qytetare e përgjegjshme, sepse armët që prodhohen në Serbi përdoren për të vrarë njerëz në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Për një qerek shekulli, Gratë në të Zeza kanë ngulur këmbë në ballafaqimin me të kaluarën, mbi të gjitha në Serbi. A e kemi arritur atë ditë, kur kemi parasysh se të njëjtit njerëz janë në pushtet në Serbi, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, apo të paktën njerëz me të njëjtat ide që i sollën luftërat e 90-ve?
Është bërë disi e zakonshme që ata që kanë qenë pjesë e boshtit të makinerisë së prodhimit të krimit të kthehen në pushtet. Në vitin 2000 u përhap një ide e gabuar që mund të fillojmë të ndërtojmë diçka të re pa këputje radikale.
Ne që punojmë me njerëz në teren — me njerëz që i kanë përjetuar tmerret e luftës — e dimë se e kaluara është e tashmja për ta dhe poashtu edhe e ardhmja. Unë punoj me gra nga Vukovari dhe Srebrenica [qytete në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë që u prekën masivisht nga shkatërrimi dhe krimet e luftës kundër civilëve], dhe dëshira e tyre për drejtësi është rritur me kalimin e viteve. Kjo është dramë e madhe, për shkak se janë shumë krime të papërpunuara të luftës dhe plot vuajtje dhe trauma të thella që nuk janë pranuar.
Kjo është e tashmja e viktimave, por jo vetëm e tyre; është e tashmja e të gjithë neve që jetojmë në këtë vend. Kudo që kthehesh, ata që shfrytëzojnë dhe ata që shfrytëzohen janë pjesë e të njëjtit model kulturor.
![](https://kosovotwopointzero.com/wp-content/uploads/2018/12/QA-Stasa-Zajovic-Intext-2-Photo-Lazara-Marinkovic.jpg)
Foto: Lazara Marinković / K2.0.
Ishte e domosdoshme jo vetëm të ekstradohen ata që dyshohen për kryerje të krimeve të luftës — si pako komerciale që ne e dërguam në Hagë, përderisa qëndruam ashtu siç ishim — por edhe të performohen reforma bazike institucionale, e tash është tepër vonë për këtë — për purifikim, hapje të dosjeve penale, programe arsimore. Ka modele të mirënjohura që kemi mundur t’i kopjojmë, por nuk e bëmë. Tani e kemi një varg të lidhjeve oligarkike ndërmjet profiterëve të luftës dhe mafias kriminale.
Shiheni Vučić-in — ai ishte ministër i informimit, tifoz i futbollit, ‘burrë i popullit’ me identitete plurale. Kushdo që kishte iluzionin se ai mund ta lante gjakun nga duart e tij, është dëshmuar se e kishte tepër gabim. Edhe disa zyrtarë evropianë menduan kështu. Ujku kimën e ndërron, por zakonin nuk e harron.
Këto ditë përsëri e kemi një mungesë të dalluar të harmonisë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kosova i ka rritur taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. A mendoni se ka vullnet politik për t’i zgjidhur problemet ndërmjet dy qeverive?
Ne mund të spekulojmë vetëm për lojërat politike që po luhen dhe për atë se në çfarë mënyre po përkujdesen për nevojat dhe sigurinë e njerëzve, si dhe për çështjen e vetëvendosjes. Gjithmonë ka civilë të pranishëm në të dy anët, viktima që përdoren për hir të realizimit të të ashtuquajturave interesave kombëtare.