Karriera e këngëtares pop-folk serbe Tea Tairović preku majat në maj të vitit 2021 kur ajo publikoi hitin e saj “Hajde“. Kënga është klikuar mbi 75 milionë herë në YouTube dhe disa fansa e duan aq shumë ritmin ekzotik, lëvizjet e basit dhe sintetizatorit, të cilat shkojnë bashkë aq shumë sa që, sipas kryetitujve serb, ajo e këndoi këngën 47 herë pandërprerë, në një dasmë në Berlin dhe fitoi 14,000 euro bakshish. Ndonëse më vonë e sqaroi se në fakt, nuk e këndoi këngën 47 herë, mirëpo tha se me të vërtetë e këndoi shumë herë pasi që “në ahengjet private, këndoj çfarë më kërkojnë”.
Kënga është ritmike. E pasuar me në një ripërsëritje të pafundme të ritmit të saj të papërmbajtshëm, kjo këngë i ndezë turmat në dasma apo klube. Qartazi, u bë kënga e verës së vitit 2021 në Serbi dhe një hit në të gjithë Ballkanin, meqenëse fillon me vargun “Ta ndezim Ballkanin sonte” (“Nek noćas gori Ballkan”) dhe si titull mban atë që ndoshta është fjala më tipike ballkanike që ekziston — hajde!
Kur u pyet për suksesin e këngës, Tairović tha: “Një hit s’është lakër. Nuk është mobile që thjesht i krijon. Është shumë subjektiv”. Çfarë dëshiron të thotë ajo, është se hitet janë gjithmonë të paparashikueshme. Është e vështirë të dihet se çfarë do të pritet mirë nga publiku, e lëre më të ketë sukses përtej kufijve.
Por një pjesë e suksesit të këngës sigurisht vjen nga ballkanizmi i saj krenar, një ballkanizëm që Tairović e njohu në burimin e materialit të këngës së saj — këngën shqiptare të dasmave “Hajde luj qyqek” — dhe pastaj thjesht e përforcoi.
Historia sesi një këngë dasmash shqiptare u shndërrua në një hit të madh pop-folk serb është edhe më komplekse dhe më e zakonshme, nga sa mund ta paramendoni. Dhe gjurmimi i rrugës që kjo këngë ndjeku, ndriçon realitetin e transmetimit kulturor në skenën ballkanike të muzikës pop sot dhe mund t’i riorientojë nocionet e paracaktuara se ku ekzistojnë dhe ku nuk ekzistojnë kufijtë kulturorë.
“Dhe tash, Tea këndon për të gjithë!”
Përderisa “Hajde” e Tairović-it ishte kënga e verës së vitit 2021 në Serbi, interpretimi i “Hajde luj qyqek” nga Yllka Kuqi dhe Yll Demaj, i incizuar në vitin 2017, është cilësuar si “kënga hit gjatë karantinës” në Kosovë. Ashtu si meloditë reggaeton të çojnë nga një këngë në tjetrën, duke të detyruar të vazhdosh të kërcesh, mund ta dëgjosh “Hajde luj qyqek” dhe ta përcjellësh menjëherë me “Hajde” dhe mezi e vëren kalimin. Ndonëse në kuadër të tekstit, fjala e vetme që dy versionet e kanë të përbashkët është fjala hajde, emocioni kryesor i këngës së Tairović-it është i njëjtë me atë shqip: le të dalim nga vetja, le të çartemi, le të kënaqemi. Megjithatë, ngjashmëritë e këngëve përmbajnë një rrugë vicioze të transmetimit kulturor.
Vetë interpretimi nga Kuqi dhe Demaj duket se janë rikrijim i këngës së Kastriot Grajqevcit dhe Koza Nostra-s së vitit 2003 “Hajde lujm qyqek“. Ndonëse kënga frymëzohet nga skena e dasmës, është një përzierje etno rock me kitarë elektrike thumbuese, akorde të fuqishme dhe një ritëm i qartë, i ngadaltë i qyqek-ut të luajtur në një bateri.
Kënga u rikthye përsëri në vitin 2012, kur PRO Band e incizoi këngën, duke i larguar shumicën e elementeve rock. Në vend të tyre, shtoi instrumente tradicionale me tela për t’i dhënë një emocion orientalizmi. Videoja muzikore e plotëson — gra duke lëvizur barkun dhe duke iu shërbyer çaj burrave të veshur me kostum në një shtëpi të stilit osman.
Pastaj në vitin 2014, Remzie dhe Nexhat Osmani krijuan një version të këngës (me disa dallime në tekst dhe melodi) në një potpuri të performuar në kanalin Prominent Network. Që nga atëherë kanë të incizuar një version të kësaj si këngë të pavarur.
Në vitin 2017, këngëtarët kosovarë Kuqi dhe Demaj publikuan versionin që do të bëhej viral gjatë ditëve të para të pandemisë në vitin 2020, i mbushur me sintetizues të rëndë dhe bateri tradicionale që kapnin një ritëm të shpejtë. Ky ishte versioni që frymëzoi që kënga të rikrijohej në vende të tjera. Versionet dolën në të paktën tri gjuhë tjera, përfshirë në bullgarisht dhe rumanisht.
“Nxjerre keshin, pare, pare”
Më në fund, në vitin 2021, Tairović doli me këngën e saj. Pikërisht në Bullgari, aty ku performon shpesh, e dëgjoi për herë të parë version e asaj që do të bëhej “Hajde”:
Për shkak se ishte versioni bullgar i këngës, nuk i mbaja mend fjalët për ta gjetur. […] Gjashtë muaj më vonë kolegu im më tha: “Kam dëgjuar një këngë të mrekullueshme, është e përkryer për ty. Mund të të dëgjoj ty në atë këngë”. I thashë: “Cila”? Ai tha: “Nuk më kujtohet se si quhet”. Dhe pastaj një person i tretë erdhi dhe na tha: “Kjo është kënga”. Dhe pastaj thashë: “Këtë këngë kam qenë duke e kërkuar”!
Ndonëse Tairović këngën për herë të parë e zbuloi përmes versionit bullgar, ishte versioni shqip i vitit 2017 të cilin e përdori si bazë për “Hajde”. Kjo është mjaft e njohur gjerësisht Serbi; Tairović haptazi e pranon në videon e këngës së saj në YouTube në një koment të vendosur që thotë:
Faleminderit që e pëlqeni këngën time “Hajde”. Zemra ime është e mbushur! Respekt të jashtëzakonshëm për versionin origjinal “Hajde luj qyqek” dhe për autorin që m’i dha të drejtat ekskluzive për ta ribërë këtë këngë në serbisht. Gëzuar për një Ballkan të bashkuar.💪❤️
Deklarata të tilla janë të dobishme duke pasur parasysh përhapjen e akuzave për vjedhje dhe përvetësimeve kulturore që ndodhen kudo në seksionet e komenteve në YouTube, siç tregon shpesh llogaria në Twitter, Cursed Balkan YouTube Comments. Jo vetëm që kënga e Tairović nuk është rast përvetësimi kulturor (në kuptimin negativ), por nuk është as rast i shkeljes së të drejtave të autorit.
Megjithatë, gjatë intervistimit të Tairović, gazetarët serbë nuk hezitojnë ta komentojnë faktin se kënga ka autorë shqiptarë. Por Tairović, si profesioniste e vërtetë, gjithmonë e ka konfirmuar këtë fakt pa toleruar joseriozitet. Një herë një gazetar e pyeti në mënyrë provokuese pse mendon se versioni serb ka grumbulluar më shumë shikime se ai shqiptar (me sa duket duke iu referuar interpretimit të Kuqit dhe Demajt në vitin 2017, i cili ka 45 milionë shikime në YouTube). Tairović u përgjigj se tregu serb është thjesht më i madh.
Por nuk mund të mohohet fakti se kënga e saj ishte jashtëzakonisht e suksesshme, pavarësisht narrativave dominuese të mediave serbe që mund të sugjerojnë se një këngë shqiptare nuk mund të ketë sukses në tregun serb.
Në fakt, për një dëgjues mesatar në Serbi, suksesi i këngës apo origjina e saj, nuk ishte diçka shokuese. Shpërndarja e madhe e melodive me tekste në gjuhë të ndryshme është fenomen i njohur në Ballkan dhe rajonin përreth. Filmi i vitit 2003 “Whose Is This Song“? (në shq. E kujt është kjo këngë?), tregon se si ky proces ndodhi me një marshim ushtarak osman që në fakt, çdo kulturë kombëtare në Ballkan e rimendoi në gjuhën e vet. Por ky nuk është thjesht një proces historik — ekziston një faqe e tërë në Facebook që i dedikohet gjurmimit të këngëve teksa ribëhen dhe rikrijohen në gjuhë të reja përtej kufijve në skenën e sotme të muzikës pop.
Ka dëshmi historike dhe shpjegime teorike për këtë lloj të transmetimi kulturor, por kushdo që ka veshë mund ta kuptojë: një këngë e mirë është këngë e mirë dhe interpretuesit duan të këndojnë këngë të mira dhe publiku dëshiron t’i dëgjojë ato. Tairović po e çmon versionin origjinal duke e sjellë atë për publikun e saj, duke shijuar tingujt e përbashkët të “Balkan united” (në shq. Ballkani i bashkuar) — dhe kjo iu shpërblye.
Ndërsa “Hajde” e ruan aranzhimin dhe prodhimin e “Hajde luj qyqek” të Kuqit dhe Demajt, shton një element të rëndësishëm muzikor: një burrë që bërtet në rumanisht mes vargjeve.
Tairović tha se ideja për këtë erdhi nga prejardhja e saj rumune. “Në versionin origjinal, ka një pjesë boshe midis vargjeve. Krejt çka dëgjoni është një ritëm dhe ne donim ta mbushnim pak atë. Tash, si ta mbushim? Kështu që ishte disi pak ekzotike… e sollëm në rumanisht. Me të vërtetë i jep lezet”, tha ajo.
Çka Tairović dhe ekipi i saj ia dolën të bënin me këtë këngë ishte t’i lidhnin dëgjuesit anembanë rajonit me një kulturë transballkanike që ekziston në tingujt e përbashkët të ahengjeve, duke rritur ekzotikën e asaj kulture në të njëjtën kohë: një recetë e sigurt për një goditje të madhe në treg. Kënga ishte aq e suksesshme sa Tairović përdori kolonat zanore të “Hajde” si koncept për albumin e saj të ri, Balkanija që u publikua së fundmi.
‘Hajde, luje pak qyqek’
Historia e incizimit të këngës mund të gjurmohet në internet, por kjo nuk i përgjigjet pyetjes se prej nga vjen me të vërtetë kënga.
“Hajde” i ka rrënjët muzikore në stilin muzikor ballkanik qyqek. Nëse nuk jeni të sigurt se çfarë do të thotë, në rregull sepse as drejtuesit e një emisioni në Top Channel Albania nuk e dinin, kur intervistuan Demajn në prill të vitit 2020. Teksa Demaj shpjegoi popullaritetin e këngës së tij dhe të Kuqit, atij iu desh ta shpjegonte se çka është qyqeku: një stil muzikor dhe i vallëzimit popullor në Kosovë që nuk është edhe aq i njohur në Shqipëri.
Qyqek është fjalë që ka shtrirje panballkanike pothuajse njësoj sa hajde. Qyqek në shqip, čoček në serbisht dhe maqedonisht, kyuchek në rumanisht, çöçek në turqisht. Muzika dhe vallëzimi zakonisht lidhen me të kaluarën osmane dhe muzikantët romë që e luanin atë atëherë — dhe pasardhësit e të cilëve vazhdojnë ta luajnë edhe sot. Stili, me të rrahura daullesh që i bën këmbët të të fillojnë të lëvizin, është veçanërisht i popullarizuar në dasma dhe ahengje të mëdha grupore. Ai luhet në të gjithë Ballkanin (ndonëse me sa duket më rrallë në Shqipëri) dhe ka variacione të ndryshme rajonale.
Vetë Tairović është vajza e Zoran Tairović, një artist-aktivist i njohur rom (edhe pse shtypi serb nuk e vë në dukje këtë fakt), por është e paqartë se deri në çfarë shkalle kjo është pjesë e vetëidentifikimit të Teas. Megjithatë, është magjepsëse që një stil muzikor ballkanik tradicionalisht rom u përvetësua në një këngë dasme të popullarizuar shqipe përpara se të përvetësohej përsëri në një këngë ahengjesh serbe e kënduar nga një grua me origjinë rome.
Teksa përvetësimi sot shihet si poshtërues, mund të ketë po ashtu konotacione neutrale ose pozitive. Qyqek, ose čoček, ose kyuchek, u shpërnda dhe u zhvillua, si dhe ndryshoi në kushtet e shkëmbimit të hapur kulturor mes grupesh të ndryshme të njerëzve në gjeografi të ndryshme. Sot, situata është e ngjashme: thjesht duhet t’i blini të drejtat e autorit.
Tairović i bleu, me sa duket nga Grajqevci. Ndonëse kënga e saj mbështetet më së shumti në interpretimin e vitit 2017 të “Hajde luj qyqek” dhe ajo e citon atë titull në YouTube, Grajqevci pretendon të drejtën e autorit për këngën e tij të vitit 2003 dhe po zhvillon beteja kundër versioneve të rikrijuara, për të cilat thotë se janë të paautorizuara.
Në maj të vitit 2021, i tha Gazetës Metro se po planifikonte t’i padiste artistët që nuk e kishin blerë të drejtën e autorit dhe në mars 2022 përsëriti se ishte në proces të kësaj. (Veçanërisht, ai përmendi vendet ku artistët kishin prodhuar kopje të paautorizuara të këngës së tij, por Serbia nuk ishte njëri prej tyre, gjë që sugjeron se Tairović me të vërtetë bleu të drejtën e autorit prej tij.) Nuk dihet se si do të shkojnë rastet e Grajqevcit — nëse ka ndonjë bazë ligjore ose nëse vendet ku ai po ngre padi kanë mekanizma funksionalë për t’i mbrojtur të drejtat e autorit.
Por, kënga është e pranishme dhe në Serbi nuk po dëgjojnë vetëm “Hajde”, por edhe “Hajde luj qyqek”. Kur këngëtari serb, në fillimet e karrierës së tij, Boris Subotić nuk arriti të kualifikohej në finalen e Eurovizionit të Serbisë këtë vit, ai postoi story në Instagram, në një makinë duke festuar nën tingujt e “Hajde luj qyqek”. Kënga, në të dyja gjuhët, po e merr atë që e meriton.
Historia e “Hajde” nuk ka moral të drejtpërdrejtë; nuk është një shenjë e ndonjë bashkimi të lumtur mes popujve dhe nuk është mësim për të drejtat e autorit. Por tregon se rajoni është po aq i lidhur muzikalisht siç ka qenë gjithmonë dhe se kjo lidhje përjetohet përmes tingujve të përbashkët. Edhe pse Tea Tairović ka padyshim të drejtë rreth hiteve — ato nuk janë lakër — ajo duket se e kupton se prekja e këtyre tingujve të përbashkët, ato që rezonojnë tek njerëzit në mënyrë zanore dhe emocionale, mund të ndezin diçka tek të gjithë ne.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona/K2.0.