S`fundmi | Shëndetësia

Ta sqarojmë Koronavirusin (COVID-19)

Nga - 27.02.2020

Çka dimë dhe çka mund të bëjmë.

Kurdo që e lëshojmë televizorin ose shfletojmë në mediat sociale këto ditë, duket se po flitet vetëm për një gjë: për koronavirusin e ri.

Çdo ditë shohim lajme për qytetet që vihen në karantinë, shtetet që i evakuojnë qytetarët e vet, frikën nga një recesion i ri global ekonomik dhe rastet e reja të vërtetuara.

Në këtë epokë të internetit s’mund të shmangen as thashethemet, keqinformimi dhe teoritë personale të pabazuara që hidhen lart e poshtë. 

Para se të na rrëmbejë vorbulla e paqartësisë, le të ndalemi pak dhe ta shqyrtojmë atë që dimë — dhe atë që s’dimë — për virusin.

Kemi folur me ekspertë të shëndetësisë dhe kemi mbledhur të dhënat më të përditësuara për ta fashitur frikën dhe hutinë me fakte.

Ç’është koronavirusi i ri?

Koronaviruset i takojnë një grupi të madh virusesh që shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes dhe herë-herë shfaqin edhe simptoma në sistemin e tretjes.

Ka lloje të ndryshme të koronaviruseve që qarkullojnë ndër shtazë, por ndonjëherë, për shkak të mutacioneve ose kontakteve mes njerëzve dhe shtazëve, ato mund të barten te njerëzit.

Koronavirusi që ka bërë bujë në të gjithë botën njihet si COVID-19, dhe është lloj i ri i koronavirusit. Është identifikuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 te një grup njerëzish me pneumoni që kanë pasur lidhje me një treg të ushqimeve të detit dhe kafshëve të gjalla në Wuhan të Kinës, një qytet prej 11 milionë banorësh.

Pra, ka nisur prej kafshëve dhe mandej është përhapur te njerëzit, të cilët më pas e kanë bartur te familjarët dhe stafi shëndetësor. Për një muaj, nga një qytet i vetëm virusi u përhap nëpër krahina në të gjithë Kinën.

Në fund të janarit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) vendosi që koronavirusi i ri përmbush kriteret e një Emergjence të Shëndetit Publik me Rëndësi Ndërkombëtare. Kjo nënkupton se është një “ngjarje e jashtëzakonshme” që përbën “rrezik ndaj shëndetit publik për shtetet e tjera përmes përhapjes ndërkombëtare të sëmundjes” dhe mund të kërkojë “përgjigje të bashkërenduar ndërkombëtare”.

Ku ka mbërritur deri tash?

Qëkur është shfaqur në dhjetorin e vjetëm, virusi ka infektuar më se 80,000 njerëz në rreth 50 shtete.

Kina ka numrin më të madh të të infektuarve, kurse pas saj është Koreja e Jugut. Numri i rasteve të reja në Kinë mbërriti kulmin në ditët e para të shkurtit, dhe ritmi i rasteve të reja është ngadalësuar prej atëherë.

Sidoqoftë, virusi është bartur në shtetet e tjera, me raste të reja të vërtetuara në Australi, Afrikën Veriore, Amerikën Veriore, Amerikën Jugore dhe Evropë.

OBSh-ja tash raporton se numri i rasteve të reja që shënohen jashtë Kinës ka tejkaluar ato që shënohen brenda Kinës për herë të parë prej shpërthimit të parë të virusit. 

Në Evropë, numri më i madh i rasteve është raportuar në Itali, ku më se 500 njerëz janë infektuar. Prej shteteve që kanë raste të vërtetuara, më të afërtat me Kosovën janë Maqedonia e Veriut (me një rast të vërtetuar), Kroacia (me tri) dhe Greqia (me tri).

Si përhapet?

Meqenëse po flasim për një lloj të ri të virusit, shkencëtarët po punojnë për të zbuluar informata më të hollësishme për të.

Mendohet se virusi bartet kryesisht mes njerëzve që janë në kontakt të afërt me njëri-tjetrin, përmes piklave të frymëmarrjes që nxirren kur të infektuarit kolliten ose teshtijnë. Deri tash mendohet që ngjitet më së lehti nga njerëzit që kanë simptoma më të theksuara.

Sidoqoftë, virusi mund të përhapet mes njerëzve para se të shfaqen simptomat fizikë te të infektuarit — në fazën që njihet si periudha e inkubacionit. Për COVID-19, kjo llogaritet nga OBSh-ja të jetë mes një dhe 14 ditësh — kurse disa studiues të tjerë sugjerojnë që mund të jetë më e gjatë, deri në 24 ditë. 

Për momentin nuk është e qartë se sa lehtë bartet prej një individi te tjetri. Shkencëtarët vlerësojnë se një person i infektuar mund ta përhapë te mesatarisht 1.5 deri 3.5 njerëz, nëse nuk janë të izoluar. 

Virusi mund të përhapet edhe përmes prekjes së gojës, hundës ose syve pas prekjes së një sipërfaqeje apo gjësendi me virus, si për shembull një sipërfaqe që është prekur më parë nga një person i infektuar.

Sa shpejt po përhapet?

Për momentin, mijëra raste të reja po raportohen çdo ditë. Mendohet që shkalla e vërtetë e njerëzve të infektuar mund të jetë deri në 10 herë më e lartë sesa llogaritjet zyrtare. Kjo ndodh kryesisht sepse shumë njerëz shfaqin vetëm simptoma të lehta dhe s’ndihen mjaft të sëmurë për t’u vizituar te mjeku, domethënë nuk njehen me numrin e rasteve zyrtare.

Cilat janë simptomat?

Fillimisht, virusi shfaqet me zjarrmi, koll të thatë, lodhje dhe ndonjëherë me dhimbje koke e muskujsh, kurse pas një jave mund të shfaqen edhe vështirësi në frymëmarrje. Simptomat e tjera të mundshme mund të jenë rrufa, teshtitja, ngjirja e fytit ose diarreja.

Shumica e njërzve të infektuar japin përshtypjes se vuajnë prej një gripi të lehtë; sipas OBSh-së, 80% prej tyre mëkëmben pa pasur nevojë për trajtim të veçantë. Për një numër të vogël rastesh, infeksioni mund të çojë te gjendjet e rënda sikur pneumonia dhe dështimi i organeve.

Kur duhet të shkosh te mjeku?

Nëse dyshoni se i keni simptomat, ju kërkohet zyrtarisht të mos paraqiteni në institucione shëndetësore. 

Në vend të kësaj, Qeveria u kërkon të gjithë atyre që kanë ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, dhe ata që kanë udhëtuar ose kanë qenë në kontakt me dikë që është konfirmuar ose dyshohet se është infektuar për të thirrur në linjën telefonike 038 / 200-80- 800 për informacion dhe konsultë.

Këshilla zyrtare është të qëndroni në shtëpi dhe të shmangni kontaktet me të tjerët. *

Si trajtohet?

Siç na thotë emri, po flasim për një infeksion virusor — sikur viruset e tjera, koronavirusi i ri nuk mund të trajtohet me antibiotikë. Po ashtu, ai s’mund të trajtohet as me barna antivirusore, ndryshe nga gripi i zakonshëm.

Prandaj, trajtimi tani për tani përqendrohet në lehtësimin e simptomave dhe kujdesin mjekësor — doktori gjithashtu mund të udhëzojë për përdorimin e medikamenteve kundër dhimbjes ose zjarrmisë.

Është raportuar se në kohë rekord është krijuar një vaksinë për COVID-19, e cila mund të jetë gati për t’u testuar në njerëz në muajt e ardhshëm. Sidoqoftë, tani për tani nuk ka vaksinë të gatshme për përdorim.

A janë disa njerëz më të rrezikuar se të tjerët?

Ngjashëm me gripin e zakonshëm, shërimi varet prej forcës së imunitetit.

Të moshuarit dhe ata që kanë shtypje të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës ose shëmundjen e sheqerit e kanë më të mundshme të preken nga simptomat më të rënda të virusit. 

Deri tash duket se fëmijët janë më pak të ndikuar sesa të rriturit.

Të dhënat fillestare prej pacientëve në Kinë sugjerojnë që burrat po ndikohen më rëndë sesa gratë, edhe pse numri i infeksioneve te gratë dhe burrat është pothuajse i njëjtë.

Sa duhet të merakosemi?

Këshilla kryesore e të gjithë zyrtarëve është se nuk ka nevojë të bëhet panik.

Edhe pse COVID-19 ka mbytur rreth 2,800 njerëz në tërë botën, shumica e të prekurve — më se 33,000 — janë shëruar.

Shkalla e vdekshmërisë për këtë koronavirus vlerësohet të jetë rreth 2% duke gjykuar prej njerëzve me infektim të vërtetuar. Kjo vlerë është më e lartë sesa shkalla e vdekshmërisë e gripit të zakonshëm stinor — që është nën 1% — por tejet më e ulët sesa koronavirusët e mëparshëm sikur SARS (me rreth 10%) dhe MERS (me rreth 34%).

Megjithatë, COVID-19 duket të jetë më i bartshëm sesa paraardhësit e tij.

Çfarë mund të bëjmë për ta mbrojtur veten?

OBSh-ja dhe Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë japin disa këshilla që na ndihmojnë ta ruajmë shëndetin.

Këshillat realisht nuk dallojnë prej porosive të përgjithshme praktike që jepen për një jetesë të shëndetshme.

Flini mirë, mbahuni ngrohtë, pini ujë dhe bëni aktivitete fizike.

Lajini duart rregullisht me ujë dhe sapun, kollituni në gropëzën e bërrylit dhe shmangni prekjen e gojës, hundës dhe syve.

Nëse ndiheni paqejf, rrini në shtëpi dhe shmangini njerëzit e tjerë, ndërkaq nëse shihni se dikush tjetër është paqejf, shmangni kontaktin me ta — këshillohet qëndrimi në largësi prej së paku 1 metri nga njerëzit që kollitnt dhe teshtijnë.

Këshillat e tjera përfshijnë shmangien e vendeve të ngjeshura me njerëz dhe vendeve të mbyllura.

A duhet të mbash maskë?

Këshillat dallojnë prej një burimi te tjetri.

Këshilla zyrtare e OBSh-së në faqen e tyre të internetit është se njerëzit pa simptoma të frymëmarrjes, sikur kollitja, nuk kanë nevojë të mbajnë maskë mjekësore. OBSh-ja këshillon përdorimin e maskave për njerëzit që kanë simptoma të COVID-19 si dhe për kujdestarët e tyre dhe punëtorët e shëndetësisë.

Nëse vendosni të mbani maskë, sigurohuni që është maskë e llojit N-95 — është një tip maske, filteri i të cilit ndal 95% të të gjitha grimcave që mund të hyjnë përmes gojës e hundës. Është po ashtu e rëndësishme të dini ta vini dhe ta hiqni maskën si si duhet, si dhe të mos përdorni maskën zëvendësim për masat e tjeta parandaluese.

Si po përgjigjen autoritetet kosovare?

Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka shpjeguar në një intervistë në Klan Kosova se ndër kushtet e para për menaxhimin e epidemive dhe pandemive është vonesa e ardhjes së infeksionit virusor.

Për ta sqaruar, ai tha se virusi H1N1 (i njohur si gripi i derrit) u shfaq në Meksikë në vitin 2009 dhe u bë pandemi me pasoja të rënda globale; në Kosovë, rastet ishin minimale së paku pjesërisht për shkak të arritjes së vonshme të virusit, i cili mbërriti në Kosovë gjashtë muaj pas përhapjes fillestare.

Ramadani ka thënë se vonesa e ardhjes së COVID-19 në Kosovë domethënë që autoritetet do të jenë të përgatitur për ta menaxhuar.

“Prognoza jonë fillestare ishte që virusi do të arrijë në Kosovë për tre deri në gjashtë muaj — ne jemi veç në muajin e tretë ,” ka thënë ai. “Shtyrja na bën më të përgatitur dhe na bën më të pasur me përvojat e epidemiologëve botërorë të cilët tashmë kanë hulumtuar dhe janë qindra punime që flasin për epideminë e këtij gripi”.

Më 25 shkurt është krijuar një komitet drejtues për ta menaxhuar shfaqjen e mundshme të virusit në Kosovë. Komiteti përbëhet prej përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, zyrës së OBSh-së në Prishtinë, dhe autoriteteve të tjera relevante.

Çfarë planesh kanë autoritetet?

Sipas Ramadanit, këto autoritete i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’iu përgjigjur një rasti të mundshëm të virusit të Kosovë, dhe një Plan i gatishmërisë dhe reagimit për Koronavirus është hartuar në rast se identifikohen raste të njerëzve të infektuar.

Autoritetet po ashtu po i mbikëqyrin kufijtë. Janë mbledhur ekipe të gatshme nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër Kosovë për t’u marrë me rastet e dyshuara të udhëtarëve që hyjnë në Kosovë përmes kufijve tokësorë dhe për të dhënë këshilla të mëtutjeshme mjekësore në përputhje me planin.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë që ka fokus të veçantë në aeroport; ky institucion është në kontakt të vazhdueshëm me ekipet mjekësore në Aeroportin Ndërkombëtar në mënyrë që të mbikëqyret situata nëse shfaqet ndonjë rast. Këto ekipe po mbikëqyrin kryesisht fluturimet prej vendeve sikur Italia, e cila ka numrin më të madh të të infektuarve në Evropë, dhe Turqia, e cila ka fluturime direkte nga Kina.

Po bëhen edhe analiza mjekësore për njerëzit që kalojnë disa kufij të caktuar tokësorë.

Cili është plani nëse vërtetohet ndonjë rast i COVID-19 në Kosovë?

Sipas Sergy Koryak, zyrtarit për bashkërendim dhe kreut të zyrës së OBSh-së në Kosovë, deri tash janë vendosur 10 dhoma izolimi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Nëse identifikohet ndonjë person i prekur, ata do të dërgohen në spital, do të izolohen dhe do t’u analizohet pështyma. 

Analiza kërkon pesë orë. Nëse analizat janë pozitive, pacienti do të dërgohet në klinikën infektive të QKUK-së ku do të izolohet. Një ekip i kujdesit intenziv do të jetë i gatshëm po qe nevoja.

Instituti dhe OBSh-ja thonë se Kosova ka një laborator të certifikuar dhe të përditësuar për t’i kryer të gjitha analizat e nevojshme me staf plotësisht të përgatitur.

Edhe pse ky protokoll mund të duket shqetësues, është përgjegjësia e autoriteteve t’i kryejnë këto përgatitje dhe të jenë të gatshëm për rastet më të këqija. Si individë, përgjegjësia jonë është të ndjekim hapa të ndjeshëm ditorë në mënyrë që ta mbrojmë shëndetin tonë dhe të të tjerëve.K

Shënim i redaktorit: Informatat lidhur me çfarë duhet të bëjnë ata që kanë simptoma të virusit u aktualizuan më 13 mars për të pasqyruar këshillat zyrtare të përditësuara.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.