Konduktori i autobusit që i mbledh paratë për bileta, m’i ndërpret mendimet për zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe na informon se nuk jemi larg destinacionit. Pas dy kilometrave, autobusi ndalet në mes të rrugës Gjilan-Kamenicë, afër një ure të lyer me tri ngjyrat e flamurit serb – kuq, kaltër dhe bardh.
Në një shenjë aty afër shkruan Ranilug/Ranillug.
Pothuajse të gjithë pasagjerët kthehen dhe na shikojnë, ndërsa unë dhe fotografi i K2.0, Atdheu, i marrim çantat e dalim nga autobusi.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Për ata që mund të mos kenë dëgjuar më parë për Ranilugun, disa fakte për këtë vend mund të tingëllojnë të pazakonta. Si p.sh. fakti që pavarësisht se i ka 3,866 banorë – sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 – Ranilugu zyrtarisht është një komunë me kryetar dhe administratë, produkt i procesit të decentralizimit që i krijoi pesë komuna të reja me shumicë serbe në vitin 2010, si pjesë e Planit të Ahtisaarit, që ishte baza e pavarësisë së Kosovës.
Po ashtu, është vend me më shumë votues të regjistruar sesa banorë zyrtarë, për shkak të migrimit dhe mospërditësimit të regjistrit civil, si në periudhën menjëherë pas luftës ashtu edhe më vonë.
Në këtë ditë me diell, herë pas here kalojnë automjete me tabela të Serbisë ose tabela të vjetra KS, gjatë rrugëtimit të shkurtë nga ura me ngjyra të flamurit e deri te qendra e fshatit, ku ngjarje kryesore e ditës janë punimet që po kryhen në rrugën kryesore. Një ekip i punëtorëve nga Kamenica janë duke e përgatitur, metër për metër, për ta shtruar pastaj asfaltin.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
E shikojmë procesin nga ana tjetër e rrugës, duke pirë birra të rënda Zaječarsko, produkt serb që shumë vështirë e gjen gjetiu në Kosovë, madje kështu ishte edhe para taksës 100 përqindëshe mbi të gjitha produktet që vinin nga Serbia, e vendosur kjo nga qeveria në largim e Ramush Haradinajt.
Muzika serbe lëshohet me volum të madh nga lokali në të cilin jemi duke pirë, por tavolinat janë kryesisht të zbrazëta. Atmosfera e zgjedhjeve është ende e gjallë.
Siç është e pritshme, njerëzit përgjithësisht ngurrojnë të flasin për politikë, veçanërisht me gazetarë nga Prishtina. Sapo u themi se kush jemi dhe për çfarë jemi të interesuar të flasim, banorët e rëndomtë na japin një përgjigje standarde “jo për politikë”. Ndonëse të gjithë pretendojnë se nuk dinë apo nuk kanë interesim për politikë, këto refuzime të japin ndjesinë e tensionit të lartë.
Disa metra më lart në atë rrugë, disa lokale të bizneseve janë krejtësisht të mbuluara me postera të zgjedhjeve të Listës Serbe, parti e cila shërben si dorë e zgjatur e qeverisë së Serbisë. Zyra e tyre është bash në qendër të fshatit, e mbyllur për të gjithë përveç disa tipave që hyjnë e dalin vazhdimisht.
Mbi çdo shtyllë në fshat janë dy flamuj – flamuri kombëtar serb dhe flamuri i bardhë i Listës Serbe.
Duke parë gjithëpraninë e kësaj partie në këtë vend, nuk është e befasishme që Lista Serbe në mënyrë efektive i mori pothuajse të gjitha votat serbe; nga 2,759 votat e dhëna në Ranilug, Lista Serbe i fitoi 2,536 – e kjo është e barazvlershme me 92% të të gjithë votuesve, që shënon një rritje nga 79% të siguruara në zgjedhjet lokale para dy vjetëve.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Është diçka krejt tjetër nga ato që dominuan në kryetitujt e mediave në Prishtinës e më gjërë: rritja meteorike e partisë nacionaliste shqiptare të krahut të majftë, Lëvizjes Vetëvendosje; udhëtimi i saj deri në majë të politikës kosovare pasi kishte hyrë në konkurrencën politike vetëm nëntë vjet më parë; dhe arritjet e saj si lëvizje, prej kohës kur aktivistët e saj shkruanin grafitet “Jo negociata – vetëvendosje” anembanë qyteteve, qytezave dhe fshatrave më 2005.
Lajmet e tilla shpesh kanë çuar te pyetja mbi të ardhmën e dialogut me Serbinë – proces ky që ka për synim “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe i zhvilluar që nga viti 2011. Pasi Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht e ka ngritur zërin kundër natyrës së dialogut – shpeshherë në formë të protestave masive në rrugë, të dominuara nga flamujt shqiptarë kuq e zi – çfarë mund të presim tani që e kanë pushtetin në dorë?
Presioni nga komuniteti ndërkombëtar për ta arritur një marrëveshje me shpejtësi, dhe nevoja për ta tejkaluar status quo-në e paralizuar, kanë bërë që lideri i partisë Albin Kurti të thotë se është i hapur për negociata me Serbinë, po ai ka përsëritur qëndrimin e kahmotshëm të partisë se prioriteti i saj është t’i dëgjojë mendimet e serbëve në Kosovë.
Për të përmbushur premtime të tilla, ata do të duhet të vizitojnë vende si Ranilugu.
Sidoqoftë, të gjithë pajtohen që dikush nga Prishtina duhet të vijë të flasë me ta dhe t’i shqyrtojë nevojat e njerëzve.
Pas një shëtitjeje të shkurtër nga qendra, i takojmë dhe i përshëndesim katër burra që po e rregullojnë rrotën e pasme të një autobusi. Fillimisht përgjigjen me refuzimin e zakonshëm kur i pyesim për zgjedhje, por pasi ngulim këmbë, hapen pak.
“Duam të jetojmë në paqe me fqinjtë tanë – duam të kemi mundësi të shkojmë lirshëm në Pejë dhe Prizren”, thotë njëri nga burrat i cili duket se është më fjalëshumë, kohë pas kohe duke buzëqeshur e duke bërë gjeste me duar, të cilat i ka me njolla nga lëngjet metalike. Tjerët i miratojnë fjalët e tij si nën zë.
“Para luftës shkoja vazhdimisht në Pejë”, vazhdon ai. “Nuk kam qenë kurrë atje prej fundit të luftës; s’dihet çka mund të ndodhë”.
Kur ia përmendim se Albin Kurti ka shprehur qëllimin për të folur me serbët në Kosovë, përgjigjet menjëherë: “Ai gjithmonë i ndërron fjalët. Prej çka kam dëgjuar nga ai, alternativa jonë e vetme do të jetë të shkojmë të jetojmë në Kanada të gjithë së bashku”.
Sidoqoftë, të gjithë pajtohen se dikush nga Prishtina duhet të vijë të flasë me ta dhe t’i shqyrtojë nevojat e njerëzve, por asnjëri s’ka fjalë të mira për dialogun Prishtinë-Beograd. Thonë se nuk dinë çka të presin prej dialogut.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
U themi lamtumirë dhe largohemi pa ia dhënë dorën njëri-tjetrit, pasi vërejmë që biseda e shkurtër e ka tërhequr vëmendjen e të tjerëve.
“Serbët këtu jetojnë më mirë se në Serbi”, thotë një burrë rreth 30-vjeçar, i cili nuk ngurron fare të flasë me ne, por vetëm për një copë rrugë, prej lokalit ku punon me fotokopje, e deri te kafeneja në qendër.
Pas disa orëve, e lëmë Ranilugun me idenë se njerëzit këtu kanë pak lidhje ose njohuri për politikën në Prishtinë; nën ndikimin e madh të Listës Serbe, atmosfera politike duket se është bërë toksike, ndërsa banorët e përditshëm thonë që thjesht duan të vazhdojnë ta jetojnë jetën në mënyrë normale.
Në veri të Ibrit
Pas dy ditësh, një autobus më len në qendër të pjesës jugore të Mitrovicës. Nga këtu, eci pak nëpër qendrën e qytetit të mbushur me njerëz, derisa e gjej veten para urës së mirënjohur mbi lumin Ibër, i cili e simbolizon ndarjen etnike të qytetit qysh prej fundit të luftës – shqiptarët në jug, serbët në veri.
Në fund të urës, një xhip i policisë karabiniere rri si roje, ndërsa poshtë në ujë, një tufë zogjsh vazhdojnë jetën në ujë – të gjithë janë të kaftë, dhe ndërsa jam duke ecur lart mbi ta, e paramendoj se janë duke pritur plot durim të bëhen të bardhë kur paqja dhe pajtimi ta ribashkojnë këtë qytet.
Disa hapa më parë, pasi i kaloj barrikadat e ulëta të betonit në fund të urës, i shoh kafenetë e mbushura me njerëz, të cilët rreziten nën diellin e mëngjesit të freskët të vjeshtës, dhe plot flamuj serbë që i rezistojnë frymës mbi kokat e tyre.
Mendoj se nuk ka plot vende në botë si ky. Një distancë kaq e shkurtër i ndan dy mënyra të ndryshme të të menduarit dhe të jetesës.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Aty afër, një dyqan që kishte qenë bastore para dy muajve, tani duket thuajse i braktisur, pasi qeveria e Kosovës e ka vënë në fuqi një ligj që e ka bërë të jashtëligjshëm organizimin e lojërave të fatit ose të aktiviteteve të kazinos. Por vendasit thonë se që atëherë këto organizime mbahen në mënyrë të jashtëligjshme. Pasi ka mungesë të madhe të skenës kulturore e sociale, lojërat e fatit janë hobi për plot të rinj.
Statuja madhështore e Princ Lazarit tregon që kemi arritur në qendër të qytetit. Si në Ranilug, edhe këtu shihen flamujt dhe pankartat elektorale të Listës Serbe në dritaret dhe muret e rrugëve kryesore të qytetit, ndërsa disa banerë të vjetër që shfaqin Aleksandar Vučić-in dhe Partinë Progresive janë zbehur me kohë.
Eci për dy minuta në rrugët kryesore dhe nëpër disa rrugë dytësore, dhe ndodhem në një rrugicë të ngushtë të mbushur me kafene dhe lokale të ushqimit të shpejtë, kryesisht të mbushura me të rinj.
Shumica e njerëzve me të cilët mundohem të flas, thonë se nuk dinë aq shumë për Albin Kurtin, por shtojnë edhe se duket më i aftë si intelektual në krahasim me paraardhësit.
Përgjigjja më e shpeshtë prej të rinjve është se nuk dinë shumë për politikën dhe kanë plot probleme të përditshme me të cilat duhet të ballafaqohen para se të mendojnë kush është në krye të lojërave të larta politike. Mungesa e sundimit të ligjit dhe nepotizmi i përhershëm sigurisht se janë në majë të listës së shqetësimeve të të rinjve me të cilët bisedoj.
Shumica e njerëzve me të cilët mundohem të flas, thonë se nuk dinë aq shumë për Albin Kurtin, por shtojnë edhe se duket më i aftë si intelektual në krahasim me paraardhësit, e se situata delikate politike nuk është në duart e një lideri të vetëm.
Pas pak, njihem me një biznesmen vendas rreth 30-vjeçar i cili, jo si të tjerët, duket se nuk e ka problem fare kur i them kush jam e pse jam aty.
Gjatë gjysmë orës së ardhshme, më befason me njohuritë për politikën në Prishtinë, diçka që me sa duket është e rrallë në komunitetet serbe anembanë Kosovës; mungesa e komunikimit dhe keqinformimi duket se janë ndër shkaktarët kryesorë të mospajtimeve të mëdha ndërmjet komuniteteve në të dyja anët e urës.
Ndërsa bisedojmë, më duket sikur është përgatitur për këtë bisedë për një kohë të gjatë. Njëra nga pyetjet që ia shtroj është për burimin e informatave të tij, duke marrë parasysh që lajmet këndej kryesisht shpërndahen nga mediat serbe, shumica prej të cilave angazhohen shpeshherë për fushata të keqinformimit, duke mos e njoftuar drejt lexuesin për plot çështje të rëndësishme. Ai thotë se lexon edhe gazeta në gjuhën shqipe të bazuara në Prishtinë, e se ndonjëherë duhet ta përdorë Google Translate për t’i kuptuar.
I kërkoj mendim për Kurtin dhe faktin se duket që do të jetë kryeministri i ri, e ai më thotë se nuk e di çfarë të presë saktësisht, por shton se nuk mund të jetë më i keq se ata para tij. Në përgjithësi, ai mendon se si një burrë i edukuar, Kurti do ta dëgjojë palën tjetër. Ideja për ta filluar dialogun njëherë me serbët vendas para se të shkojë në Bruksel i duket “fenomenale” atij.
“Mendoj që Albin Kurti është tepër i vogël për ta djegur skenën politike për një kohë të gjatë.”
Banor i Mitrovicës së Veriut
Duke iu referuar koalicionit të fundit PDK-AAK-Nisma-AKR në përgjithësi dhe Presidentit Hashim Thaçi specifikisht me nofkën e kohës së luftës, ai thotë: “Gjarpri mund ta ndërrojë lëkurën, por sjelljet kurrë.”
Megjithatë, ai duket pesimist për jetëgjatësinë potenciale të Kurtit në skenën politike. “Mendoj që Albin Kurti është tepër i vogël për ta djegur skenën politike për një kohë të gjatë”, thotë ai.
Me shpejtësi e shpreh mendimin e tij për idenë e ndonjë marrëveshjeje për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide e paqartë, e mbytur nga presidentët Thaçi dhe Vučić, e cila qarkulloi me intensitet të ndryshueshëm vitin e fundit.
“Shkëmbimi i tokave në fillim më dukej si ide fenomenale, derisa e kuptuam se vetëm disa fshatra do të ishin pjesë e shkëmbimit”, thotë ai, duke iu referuar komenteve të paqarta që i bëri Thaçi në shtator 2018, e që iu referuan tri fshatrave në veri të Kosovës.
Por ai beson edhe se kjo do të ndikonte tek serbët që jetojnë në zona të ndryshme në mënyra të ndryshme, duke thënë që tashmë ekziston një ndarje ndërmjet serbëve që jetojnë në veri të Ibrit dhe atyre që jetojnë në pjesë të tjera të Kosovës. Serbët në jug mendojnë se të gjitha paratë që i kushtohen komunitetit në përgjithësi po investohen në veri, thotë ai.
“Ne në veri mendojmë se serbët në jug po ua shesin pronat shqiptarëve dhe po bëhen të pasur, duke blerë prona të mëdha këtu në Veri.”
Si të tjerët që i pyes për Listën Serbe, edhe ai e ndryshon shprehjen e fytyrës dhe fillon të më shikojë me shqetësim pasi ia shtroj këto pyetje.
Kur dalim te procesi i dialogut, ai thotë se deri tani procesi ka qenë katastrofal, nocion ky që përmendet herë pas here edhe në biseda me njerëz të tjerë. Ndonëse mendon që është e domosdoshme të arrihet një marrëveshje, ai thotë se njerëzit “nuk duhet të jenë të uritur ndërsa mendojnë për këtë”, dhe se nevojitet një standard më i mirë jetese para se të arrihet një marrëveshje.
Interesimi im për mendimet e tij mbi qeverinë e Vučić-it dhe ndikimin e tij këtu nëpërmjet Listës Serbe shkakton shqetësim. Si të tjerët që i pyes për Listën Serbe, edhe ai e ndryshon shprehjen e fytyrës dhe fillon të më shikojë me shqetësim pasi ia shtroj këto pyetje, thuajse ia kam prekur ndonjë sustë të padukshme.
Në fushatën zgjedhore – si në vitet e kaluara – kandidatët dhe partitë politike rivale serbe i janë nënshtruar frikësimit, kërcënimit dhe shantazhit nga Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi; misioni zyrtar i BE-së për mbikëqyrje deklaroi në raportin e tij fillestar që “të drejtat fundamentale demokratike të lirisë së fjalës, lirisë për tubim dhe përfaqësim, dhe rrjedhimisht, procesi zgjedhor për serbët e Kosovës ishin nën… standardet ndërkombëtare”.
Ndërsa zëvendës-presidenti i Listës Serbe, Milan Radojčić, ende është i kërkuar nga Prokuroria e Kosovës për t’u marrë në pyetje lidhur me rolin e supozuar në vrasjen e Oliver Ivanović-it, liderit të Nismës së Qytetarëve SDP të vrarë me armë zjarri para zyrave të tij në Mitrovicën e Veriut më 2018. Pavarësisht kësaj, ish-partia e Ivanović-it i bashkoi forcat me Listën Serbe në zgjedhjet e tetorit, çka i shtyu disa figura të Nismës së Qytetarëve SDP të jepnin dorëheqje.
Në Mitrovicën e Veriut, 98% të votës serbe shkoi për Listën Serbe më 6 tetor – kjo parti i mori 7,117 vota, kurse të gjitha partitë e tjera serbe i morën vetëm 169. Me sa duket këtu gjithçka kryhet me dritën e gjelbër të Beogradit.
“Popullsia këtu është një trup që po vuan nga goditjet e të gjitha anëve”.
Banor i Mitrovicës së Veriut
Pavarësisht se i them disa herë biznesmenit që intervista është anonime, ai prap duket në siklet kur flasim drejtpërdrejt për Listën Serbe. Por thotë se ka nevojë për ndryshim, jo vetëm në nivelin e lartë të qeverisë serbe, por edhe në komuna dhe shtresa të tjera të pushtetit, dhe shton se i pengon që gjithmonë janë të njejtit njerëz që vendosin për jetët e të rinjve.
“Vučić s’është asgjë e re”, thotë ai. “Ai dhe politikanët tjerë në përgjithësi shpesh e gjejnë vetën duke kritikuar diçka që ishin vet para katër vitesh”.
Kur e ndjejmë që po i vjen fundi bisedës, ai mundohet t’i përmbledhë ndjenjat duke i fajësuar si politikanët serbë ashtu edhe ata shqiptarë për situatën në fjalë.
“Ata instiktivisht na i shkatërrojnë jetët në mënyrë që t’i imponojnë mënyrat e tyre, që mutit të tyre t’i vijë era më e mirë”, thotë ai. “Popullsia këtu është një trup që po vuan nga goditjet e të gjitha anëve”.
Mbijetesa varet prej ndihmës nga Beogradi
Udhëtimi nga Graçanica në Prishtinë është më i lehtë, pasi që vetëm 10 kilometra e ndajnë qytezën nga kryeqyteti, menjëherë pas lagjes Hajvalia. Rruga kryesore hyn në qendër të qytezës, anash manastirit. Graçanica është pjesë e arteries kryesore për njerëzit që udhëtojnë për në Gjilan ose te Liqeni i Badovcit. Është pak më e gjallë dhe më e zhurmshme se lokalitetet e tjera më të vogla ku jetojnë serbët prej anembanë Kosovës.
Një numër i konsiderueshëm i të rinjve shihen në kafene në një pasdite me diell, ndërsa ne ecim nga ndërtesa e komunës deri te rrethrrotullimi kryesor. Sytë na janë mësuar me posterat e bardhë të Listës Serbe dhe posterat e njejtë të vjetëruar të Vučić-it nga zgjedhjet paraprake në Serbi, të cilët i pashë edhe në Mitrovicën e Veriut.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Disa tregtarë bisedojnë dhe qeshin së bashku, të ulur në një stol parku para dyqaneve të tyre ku shesin produkte shtëpiake. Ata refuzojnë menjëherë të flasin për çështje politike.
“Ne punojmë me njerëz këtu”, thotë njëri prej tyre, duke bërë me gjeste drejt dyqanit të tij disa metra prapa.
Nga bisedat tona të shkurtra dhe duke parë situatën e përgjithshme rreth nesh, e kemi ndjesinë se njerëzit në Graçanicë dhe në komunitetet e tjera të serbëve kanë shumë për të thënë, si të gjithë të tjerët që jetojnë në zona të prekura nga problemet, por ngurrojnë të flasin nga frika e presionit prej elementeve politike dhe llojeve të tjera të ndikimit nga fqinjtë dhe qytetarët e tjerë.
Stefan Filipović, shkencëtar politik i cili punon në Qendrën për Paqe dhe Tolerancë, pajtohet ta intervistojmë.
“Së pari duhet t’i rregullojmë problemet e përditshme, si ndotja, dhe pastaj mund të flasim për flamuj, kufij e çfarëdo tjetër.”
Stefan Filipović, Qendra për Paqe dhe Tolerancë
Ai thotë se njerëzit në Graçanicë presin ndryshime substanciale në qasjen e qeverisë së re të Kosovës ndaj serbëve. Por shton se pritjet nuk varen nga figura e Albin Kurtit, po më shumë nga nevoja për t’i adresuar problemet e caktuara që e pengojnë çdo ditë komunitetin, si fakti që plot të rinj zgjedhin ta lënë Kosovën për të kërkuar jetë më të mirë në vende të tjera, apo integrimi dhe ndotja.
“Në kemi probleme serioze në jetët tona”, thotë ai. “Komuniteti serb këtu është shumë afër zhdukjes fizike për shkak të papunësisë – Kurti nuk është rrezik i madh për ne.”
Ai e lidh këtë edhe me faktin se Lista Serbe përsëri e mori shumicën dërrmuese të votave serbe – 93% në Graçanicë – dhe thotë se politikanët në Prishtinë duhet ta pyesin veten se çka kanë bërë për komunitetin serb deri tani kur kërkojnë përgjigjen për mazhorancën dërrmuese të Listës Serbe. “Ka shumë familje këtu që në kuptimin e plotë të fjalës nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën e Beogradit”, thotë ai.
Njerëzit me të cilët flas në Graçanicë me sa duket dinë më shumë për politikanët si Hashim Thaçi ose edhe Ibrahim Rugova, sesa për Kurtin. Kjo më befason, kur kemi parasysh protestat e liderit të Vetëvendosjes – disa prej të cilave përfunduan më dhunë – kundër procesit të dialogut dhe planet e të kaluarës për t’i dhënë më shumë të drejta minoritetit serb në Kosovë, si pakoja e Ahtisaarit, e cila në fund bëri që Graçanica të bëhet komunë në vete.
“Së pari duhet t’i rregullojmë problemet e përditshme, si ndotja, dhe pastaj mund të flasim për flamuj, kufij e çfarëdo tjetër”, thotë Filipović. “Ne, shqiptarët dhe serbët, s’kemi dallime në çështjet për të cilat nervozohemi”.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.