Në periferi të Prishtinës, tek garazhat e Trafikut Urban është një kthesë e ngushtë që veç kush e di, e gjen. Kjo kthesë çon tek oborri i gjerë i objektit të Zjarrfikësve të Prishtinës.
Në katin e parë të ndërtesës ku mbizotëron ngjyra e kuqe, ndodhet garazha e mjeteve të mëdha të zjarrfikësve, të cilat zënë edhe një pjesë të oborrit përpara. Dyert të çojnë në hollin e stacionit, prej nga shihet një dhomë me xhama, ku qëndron telefonisti dhe butoni i kuq që ndez alarmin.
Nga holli ku rrijnë varur rrobat e gatshme për aksion, shihen disa shkallë të gjata që të çojnë në sallën ku zjarrfikësit e kalojnë kohën. Njëri mur është i mbushur me “Mirënjohje”, e përballë radhiten si “çibritë” dhjetëra dollape të metalta dhe dhomat e pushimit.
Një palë tjera shkallë të ngushta të çojnë në një sallë të madhe ku ka tavolinë bilardoje, ping-pongu dhe pajisje fitnesi.
Ndërtesa nuk mbyllet asnjëherë sepse zjarrfikësit punojnë në dy ndërrime. Telefoni që pranon thirrjet për incidente zjarri e aksidente mund të cingërrojë në çdo kohë.
Kur përmenden zjarrikësit, mendja natyrshëm thotë që ata shuajnë zjarre, por ata bëjnë shumë më shumë. Ata thirren edhe te aksidentet, vërshimet, ngujimet apo edhe kur komuna u kërkon të dërgojnë ujë të pijes nëpër lagje e të lajnë rrugët.
Nëpër të gjitha hapësirat e objektit, zjarrfikësit enden si elektrone të lira, deri në alarm.
“Kam qajtë si fëmijë”
Rrustem Uka e Vezir Berisha kishin zënë nga një vend përballë sallës ku ndodhej televizori e pjesa tjetër e ekipit po bëheshin gati ta dorëzonin ndërrimin.
Ndërrimi u kish nisur në 8:00 të mëngjesit dhe kishte vazhduar me rutinën që Rrustemin e përcjell nga viti 2003, kur si 20-vjeçar kishte bërë ditën e parë si zjarrfikës.
Ai tregon se janë përgjegjës prej momentit që e pranojnë detyrën. Ata i rregullojnë pajisjet kolektive dhe i kthejnë në gjendjen e rregullt, kryejnë ushtrimet, mësimin teorik dhe më pas kanë kohë të lirë deri në alarm. “Për shembull sot kemi pasë vetëm një konteiner mbeturinash që ishte djeg, jo diçka tjetër”, tregon Rrustemi.
Mirëpo, ky rast nuk është prej atyre që ia ndërrojnë qehren Rrustemit, i diplomuar për edukatë fizike dhe ekspert për shpëtim urban.
“Rasti i parë për mua ka qenë një zjarr fushor këtu tek varrezat pranë Komunës së Re. Aty ka qenë lehtë, por unë gjithmonë ju kam frikësu intervenimit në aksidente. Kështu që shefi sapo e kish marrë vesh, në aksidentin e parë që u lajmërua më dërgoi mua në ekip”, nis rrëfimin duke rrëmon kujtimet e gati dy dekadave më parë.