Prej vitit 2002 qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë në Ministrinë e Shëndetësisë për para publike për t’i shpenzuar në shërbime shëndetësore në spitale private, në Kosovë dhe jashtë vendit. Programi për Trajtim Mjekësor Jashtë Shërbimit Publik Shëndetësor u prezantua për shkak të mungesës së kapacitetit për të performuar operacione komplekse në sistemin e shëndetësisë publik të pasluftës, sistem ky i dërrmuar dhe me mungesë të fondeve.
Megjithatë, në vitet e fundit, ky program është shfrytëzuar më shumë se kurrë. Buxheti i tij, i caktuar nga shteti, është trefishuar prej vitit 2012, pasi që popullariteti dhe kosto e tij si duket janë tregues shqetësues të gjendjes aktuale të shërbimeve shëndetësore publike në Kosovë.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta përkah programin. “Ky fond është rezultat i presionit publik prej qytetarëve të Kosovës”, tha për K2.0 Faik Hoti, kreu i komunikimit publik në ministri. “Nëse ndonjë rast i leukemisë ose një sëmundjeje tjetër që rezulton keq [me vdekje], qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë do të akuzohej për neglizhencë për shkak të mungesës së mbështetjes financiare”.
Qeveria e Kosovës gjithnjë e më shumë po financon shërbime shëndetësore private për qytetarët, nëpërmjet një skeme që po kritikohet. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0
Hoti mendon se qeveria ka reaguar ndaj këtyre shqetësimeve duke e zgjeruar buxhetin e programit. “Shpeshherë njerëzit i shikojnë vetëm implikimet materialiste, duke thënë se 4, 5 ose 6 milion euro janë shpenzuar, por shëndeti i qytetarëve nuk mund të matet me miliona”, deklaron ai.
Hoti gjithashtu mbron rritjen e buxhetit duke theksuar atë se ku janë shpenzuar paratë. “Shumica e këtyre mjeteve të shpenzuara prap mbesin në Kosovë. Shkojnë në sektorin privat dhe nuk dalin jashtë vendit siç ka qenë përpara.“, shpjegoi ai, por ai pranoi gjithashtu se janë disa sëmundje të caktuara për të cilat kosovarët ende mund të gjejnë shërim vetëm jashtë vendit. K2.0 vazhdimisht kërkoi shifra të sakta për atë se sa kosovarë e kanë përdorur fondin për t’u trajtuar jashtë vendit, por Ministria e Shëndetësisë nuk dha të dhëna specifike.
Kritikët argumentojnë se ky fluks i parave në spitalet private po e pengon zhvillimin e sistemit të shëndetësisë publike në Kosovë. Saranda Ramaj është gazetare e Kohës Ditore që ka raportuar gjerësisht për kujdesin shëndetësor në Kosovë dhe është kritike e ashpër e këtij programi. Ajo mendon se ky program ka ndihmuar që t’i jep prioritet spitaleve private dhe e ka neglizhuar zhvillimin e sektorit publik. “Secila qeveri prej luftës ka dështuar në prioritizim të zhvillimit të sistemit të shëndetësisë publike”, tha ajo për K2.0. “Prandaj gjatë viteve sektori privat ka përfituar prej shumë parave publike”.
Me këtë pikëpamje pajtohet Blerim Syla, kreu i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë. “Premtimi ka qenë se po fillojmë e këto shërbime derisa të forcojmë sistemin publik”, tha Syla për K2.0. “Domethënë është dashur të investohet në sistemin publik. Por ka ndodhur e kundërta, është degraduar sistemi publik duke mos investuar, dhe gjithë paratë kanë shkuar në sistemin privat.”
Ramaj gjithashtu kritikon mënyrën e funksionimit të programit, veçanërisht vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për t’i lejuar qytetarët që t’i zgjedhin spitalet në të cilat do të trajtohen. “Ministria e Shëndetësisë nuk duhet të lejojë që pacientët ta vendosin këtë”, argumentoi ajo. “Njerëzit i zgjedhin spitalet më prestigjioze në rajon ose në Evropë [Evropën Perendimore], e kjo i redukton mundësitë që më shumë njerëz të trajtohen brenda atij buxheti”. Në vitin 2015, 829 aplikantë për mbështetje financiare nuk morrën përgjigjje pozitive nga ministria.
Mungesë e investimit? Prioritet i qeverisë?
Në programin qeverisës 2015-2018, krijimi i “një sistemi modern të shëndetësisë” u emërua si një prej pesë prioriteteve më të larta të qeverisë së Kosovës, por programi për financim të trajtimit jashtë sistemit publik të kudjesit shëndetësor nuk përmendet në prioritetet e shëndetësisë.
Në përgjithësi, sektori i shëndetësisë vazhdimisht është përshkruar si ‘prioritet’ nga secila qeveri kosovare prej fundit të luftës në 1999. Megjithatë, kjo retorikë shpeshherë nuk përkon me përdorimin e parave publike të investuara në shëndetësi.
Buxheti i caktuar për shëndetësinë për vitin 2016 është 170 milion euro, 11 përqind e buxhetit total për Kosovë, që është 1.6 miliard euro. 120 milion euro është caktuar për trajtim shëndetësor dytësor dhe tretësor, spitale rajonale dhe spitalin më të madh në Kosovë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. 50 milion euro tjera shkojnë për komuna, për të ofruar trajtim mjekësor më bazik e primar.
Prioritizimi i shëndetësisë shpesh është vënë në pikëpyetje, veçanërisht kur e krahasojmë atë me financimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës. Vlerësohet se 800 milion euro të parave publike u shpenzuan në ndërtim të rrugës së ‘ kombit’ që lidh Kosovën me Shqipërinë; edhe pse hollësitë e kontratës asnjëherë nuk janë bërë publike. Një autostradë tjetër që lidh Kosovën me Maqedoninë veç se është në zhvillim e sipër. Projekti do të financohet përsëri me para publike dhe pritët t’i kushtojë buxhetit të Kosovës deri në 600 milion euro.
Deri sa Kosova po bëhet më e lidhur me fqinjët e saj, spitalet publike në Kosovë po kanë gjithnjë e më shumë kërkesa e vështirësi. I vetmi spital publik në Prishtinë është QKUK ku mbi 1 milion vizita u regjistruan vitin e kaluar, sipas Hotit. Por Ministria e Shëndetësisë ofron klinikën e onkologjisë si shembull i investimit në sistemin e shëndetësisë publike dhe i ndërtimit të kapaciteteve; pra thuhet se nuk ka më probleme nga kërkesat e mëdha.
Sipas ministrisë është bërë një ‘revolucion’ në këtë klinikë. “Kemi pësuar nga një mungesë ekstreme e stafit, pasi që kishim vetëm një onkolog”, tha Hoti për K2.0. “Tani kemi një ekip të stafit me 12 ose 13 onkologë”. Hoti gjithashtu zbuloi se nuk është bërë asnjë aplikim në ministri sivjet për blerje të medikamenteve që lidhen me kancerin, pasi që furnizimi tani është stabil.
Ramaj e njeh faktin se menaxhmenti i departamentit të onkologjisë ka bërë punë të mirë, por shprehi habi për pretendimin se askush nuk ka aplikuar për ndihmë financiare për medikamente që lidhen me kancerin. “Prej tetorit të vitit 2015 e deri tani, pacientët që vuajnë nga kanceri nuk po furnizoheshin me ‘Glivec’ [medikamente që vrasin qelizat e kancerit] pa pagesë, dhe një paketë kushton rreth 2,000 euro”, shpjegoi ajo.
Syla, që punon në departamentin e gjinekologjisë në QKUK, i përshkroi mundimet e klinikës së tij për shkak të mungesës së investimeve: “Në klinikën ku punoj unë në gjinekologji jemi 60 gjinekologë dhe vetëm 3 ultrazëra i kemi, duke i patur 250 deri 300 pacientë të shtrirë në spital dhe me mbi 300 tjerë në vizitë”, shpjegoi Syla. “Atëherë si mund të punohet me 3 ultrazëra? Si t’i ofrojmë shërbimet?”
Humbja e besimit në sistemin shëndetësor
Fluksi i aplikantëve për ndihmë financiare në ministrinë e shëndetësisë sipas Ramaj tregon më shumë se vetëm një rritje të nevojës për trajtim mjekësor jashtë institucioneve të shëndetësisë publike. “Qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në sistemin e shëndetësisë publike, dhe nevojitet shumë punë nga ana e profesionistëve të shëndetësisë për ta rikthyer besimin e qytetarëve”, deklaroi ajo. Sipas Bankës Botërore, kosovarët i kanë shpenzuar 80 milion euro në spitalet e Ballkanit dhe në Evropë në vitet e fundit.
Ramaj beson se polemikat si ‘Afera e Stentave‘, kur doktorët në spitale publike i çuan pacientët në spitale private për të kryer operacione të zemrës, për përfitimë personale financiare, vetëm se e keqësojnë këtë problem. Në rastin e ‘Aferës së Stentave’ në gjykatë janë akuzuar mbi 60 persona, përfshirë edhe ish-Ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani; ky rast është ende në proces gjyqësor.
Hoti është gjithashtu i shqetësuar për humbjen e besimit në sistemin e shëndetësisë publike në Kosovë, duke theksuar “hiperbolizimin e aferave” në shtyp si një prej shkaqeve kryesore. Ai mendon se raportimi në lidhje me sistemin e shëndetësisë në Kosovë fokusohet në anët negative dhe po shpërfillen sukseset.
“Për lindje, ose për sëmundje që lehtësisht mund të trajtohen në Kosovë, kosovarët shkojnë në Shkup”, ankohet Hoti, duke mos e fshehur pakënaqësinë e tij. “Vitin e kaluar ishin rreth 27,000 lindje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe nuk e kuptoj pse motrat e nënat tona shkojnë në shtete fqinje për të lindur”.
E ardhmja e kujdesit shëndetësor në Kosovë?
Sipas Hotit, ministria do të vazhdojë që ta subvencionojë programin për trajtim mjekësor jashtë shërbimeve të shëndetësisë publike vitin e ardhshëm, duke caktuar një buxhet të ngjashëm me atë të këtij viti – rreth 6 milion euro. Ai nuk e sheh fundin e këtji programi në rrethanat aktuale.
Megjithatë, një faktor determinant që me gjasë do të ketë ndikim të madh në të gjitha çështjet e kujdesit shëndetësor në Kosovë është sistemi në krijim e sipër i sigurimit shëndetësor. Implementimi pritet të nis vitin e ardhshëm. Është projektuar për të stabilizuar gjendjen financiare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe përmirësuar shërbimet e shëndetësisë publike. “Sapo të fillojë funksionimi i sistemit të sigurimit shëndetësor numri i kërkesave për trajtim jashtë sektorit publik do të reduktohet”, thotë Hoti.
Syla argumenton në anën tjetër se edhepse sistemi i sigurimit shëndetësor është i domosdoshëm, ai e parashikon vetëm një përmirësim të vogël në situatën e përgjithshme, pasi që sistemi aktual i shëndetësisë ka mungesë të kapacitetit për t’u përballur me kërkesat gjithmonë në rritje, dhe pacientët ende do të insistojnë që të trajtohen në sektorin privat.
Kosovarët gjithnjë e më shumë po shfrytëzojnë financimin publik për t’u trajtuar në klinika private. Fotografia: Fikret Ahmeti / K2.0.
“Kam frikë se Kosova do të bëhet sui generis dhe do ta shuaj sistemin publik, e të hyjë në sistemin privat“, tha Syla, duke aluduar se Kosova veç se është nisur në atë drejtim.
Ndonëse sistemi i sigurimit shëndetësor është planifikuar që të fillojë funksionimin prej vitit të ardhshëm, e ardhmja afatgjate e programit për trajtim jashtë shërbimeve të shëndetësisë publike është ende e paqartë. Nuk është publikuar ndonjë plan nga qeveria për atë se si ose kur do të përfundojë programi.
Për Ramaj, programi duhet të ndryshohet, por jo të mbyllet: “Janë disa raste të caktuara, si kërkesa për transplant [që nuk është e rregulluar me ligj në Kosovë] që do të duhet të trajtohen jashtë vendit. Megjithatë, programi duhet të ridizajnohet”, insiston ajo.
Në afat të shkurtër si duket kosovarët do të vazhdojnë të ndihmohen financiarisht nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim jashtë sistemit të shëndetësisë publike. Fundi i programit është kontingjent në përmirësime tepër të domosdoshme për sektorin e shëndetësisë publike në Kosovë; përndryshe qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të detyruar që të trokasin në dyert e spitaleve private e atyre jashtë vendit.K