Mentorimi | LGBTQ+

Të zhurmshëm dhe krenarë

Nga - 10.10.2019

Kosova mban Paradën e tretë të Krenarisë.

Më e madhe, vezulluese dhe më e gjallë se asnjëherë më parë, sot në sheshet kryesore të Prishtinës u mbajt për vitin e tretë radhazi Parada e Krenarisë. Qindra gra e burra iu bashkuan Paradës në marshin dhe festën tashmë tradicionale, në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBTI në Kosovë. 

Në orën 11:30, persona të komunitetit LGBTI, aktivistë dhe qytetarë fillimisht u mblodhën në Sheshin Skënderbe, ku u shpërndanë flamuj ylberë – simbol i komunitetit dhe lëvizjes LGBTI dhe i atij transgjinor – pankarta, çanta (tote bags), e butona.

Nën moton “Për kon t’rreh zemra”, Parada dhe Java e Kranarisë (7-10 tetor) sivjet bën thirrje për tolerancë, mirëkuptim dhe pranim; po ashtu sllogani i ka bërë thirrje publikut të gjerë që të bashkohen në Paradën e Krenarisë, të mbështesin lëvizjen LGBTI dhe të deklarojnë se të drejtat LGBTI janë të drejta themelore të njeriut. Në deklaratën për shtyp të disa ditëve më parë, organizatorët theksuan edhe nevojën për luftimin e stereotipeve gjinore dhe homofobisë në shoqërinë kosovare.

Rreth orës 12:00, pas bandorelës masive, ku me shkronja të mëdha lexohej motoja e paradës, nën tingujt e “I want to break free” të bendit Queen, dhe balonave shumëngjyrëshe që formonin fjalën “Pride” (Krenari), pjesëmarrësit duke ecur, kënduar e vallëzuar marshuan drejt sheshit “Zahir Pajaziti”. 

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti po ashtu iu bashkangjit marshit, ndërsa u panë edhe politikanë tjerë, si Mimoza Kusari (ish-ministre dhe ish-kryetare e Gjakovës), Fitore Pacolli dhe Yll Rugova – tre të fundit në listën për deputetë të Vetëvendosjes. Por, asnjë nga kandidatët për kryeministër në zgjedhjet paralamentare të së dielës së kaluar (6 tetor) nuk mori pjesë, e as Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në fakt, ngjashëm me zgjedhjet e mëhershme, të drejtat e personave LGBTI nuk patën vëmendje as në fushatën elektorale në këto zgjedhje të fundit. 

Atmosfera e Paradës u ndez edhe më shumë pas arritjes te “Zahir Pajaziti”. Lend Mustafa, burrë transgjinor dhe aktvist për të drejtat LGBTI edhe këtë vit mori fjalën para pjesëmarrësve, duke cekur rëndësine e organizimit të paradës.

“Edhe një ditë ku mas shumë kohe që jemi detyru me u fshehë, po dalim në rrugë me shumë krenari për herë të tretë”, tha Lendi me plot emocion. “Pas të gjitha sfidave, ne qëndrojmë në këmbë, ne qëndrojmë krenar. Se për këtë na rreh zemra”.

Mustafa po ashtu adresoi nevojat e personave LGBTI të dëbuar nga shtëpia, të transgjinorëve, grave lezbike, biseksuale e transgjinore që përballen me sistemin patriarkal në përditshmëri, dhe të personave LGBTI rom, ashkali dhe egjiptas.

Gjatë paradës së sotme, K2.0 foli me shtatë pjesëmarrës në lidhje me rëndësinë e daljes në paradë, të mbështetjes ndaj komunitetit LGBTI në shoqëri dhe politikë. Njihuni me ta:

Rita Selimi. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Rita Selimi, sociologe dhe aktiviste për të drejtat LGBTI

Krejt njerëzit duhet me kuptu se të drejtat e njeriut janë fundamentale për krejt, dhe asnjë njeri pavarësisht grupit që i përket nuk duhet me u nda. Prandaj për mu kjo paradë është e barabartë me dashninë, pranimin, respektin dhe diversitetin.

Parada e Krenarisë e rrit vizibilitetin dhe tregon që brenda shoqërisë nuk kemi vetëm njerëz heteroseksualë. Secili qytetar duhet ta kuptojë që na kemi shokë, familjarë që munden me dashtë dikë të të njëjtës gjini dhe që identiteti gjinor jo domosdo përkon me seksin – dhe krejt kjo duhet me u çmu dhe me u respektu.

Unë kam marrë pjesë në të tri paradat, por para kësaj ka pasë edhe marshe. Për shembull në 2014, në marshin e parë ka qenë shumë e zbehët pjesëmarrja. Mirëpo unë jam e sigurt që pas çdo parade do të rritet numri i pjesëmarrësve.

Unë nuk jam shumë e involvuar në politikë dhe vetë fakti që s’jam në poltikë, është akt politik. Sa e kam përcjellë fushatën zgjedhore të fundit kam parë që disa kandidatë për deputetë kanë dhënë disa deklarata për komunitetin, por që nuk mendoj se ato ishin thelbësore. Më shumë ishin deklarata të momentit, si neutrale, që nuk janë as mbështetëse e as kundër. Dhe mendoj se nuk ka avokim të mjaftueshëm nga ana e politikanëve për këtë çështje.

Lendi Mustafa. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Lendi Mustafa, burrë transgjinor dhe aktvist për të drejtat LGBTI

Parada e krenarisë historikisht është një datë e rëndësishme sidomos për Prishtinën ku komuniteti LGBTI nuk e ka pasë ma herët hapësirën dhe rrethanat me qenë të dukshëm, dhe me tregu se kush janë ata. Ndërsa tash e kemi mundësinë me dalë dhe me tregu se kush jemi dhe çka po kërkojmë. 

Me krahasu me vitin e parë kur është organizu ka ndryshim shumë të madh: shumë njerëz kanë dal haptazi, janë fuqizu dhe ne po fuqizohemi më shumë çdo ditë.

Të drejtat e komunitetit LGBTI janë të drejta themelore të njeriut, dhe anashkalimi i personave LGBTI është padrejtësi shumë e madhe dhe diskriminim shumë i madh. Unë e kam një këshillë që duhet m’u eduku e lexu ma shumë, se kjo është diçka e natyrshme dhe injoranca ndaj komunitetit LGBTI kështu zhduket.

Filip Vulovic. Foto: Altin Gashi / K2.0.

Filip Vulovic, student dhe akvist për të drejtat LGBTI nga Beogradi

Arsyeja pse jam këtu është të tregoj mbështetje dhe solidaritet për komunitetin LGBT+ këtu në Prishtinë dhe në Kosovë, sepse besoj, ne të gjithë besojmë, se duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzit e të dyja palëve. 

Kjo pankartë shkruan se “Shqiptarët janë vëllezërit tanë”. E kemi dhe një në gjuhën shqipe që thotë se “Shqiptaret janë motrat tona”. Kështu që ky është një mesazh që shkon përtej politikës, përtej medias, përtej socializimit. Nuk duam që kjo të shihet si provokim, duam që ky të jetë një mesazh i sinqertë i dashurisë dhe mbështjetjes së përbashkët sidomos mes rinisë së dyja vendeve. 

Kjo është një mundësi ideale për të treguar këtë lloj të mbështjetjes dhe solidaritetit dhe ta shpërndajmë mesazhin se ka njerëz që nuk urrejnë, por duan, dhe [këta njerëz] janë të lodhur nga mediat, janë të lodhur me lajmet se njerëzit këtu na urrejnë dhe ne i urrejmë këta këtu, etj. Aktivistët e tyre vijnë në Beograd dhe ne vijmë këtu çdo vit prandaj është si një lloj tradite kjo që e bëjmë dhe është për të treguar mbështetjen për të drejtat LGBTI, dhe gjithashtu për të treguar mbështetje për të drejtat e njeriut dhe për një të ardhme më të mirë.

Dardan Hoti. Foto: Altin Gashi / K2.0.

Dardan Hoti, Prishtinë, gazetar i të drejtave të njeriut

Është shumë mirë që për herë të tretë po mbahet parada, duke e ditur se veç mendimi me mbajtë një Paradë të Krenarisë në shesh është shumë mirë. Po e them këtë sepse jemi shoqëri patriarkale dhe është hera e tretë pa ndonjë incident. 

Rëndësia e kësaj është sepse i kontribuon informimit për personat LGBTI, sepse shumica e njerëzve nuk janë të informuar dhe nuk e dinë si të drejtë elementare të njeriut. Numri sa më i madh që të jetë sot edhe më mirë, sepse më herët është mbajtë një konferencë nga partia FJALA, parti kjo konservatore e cila e kundërshton ashpër mbajtjen e paradës dhe e quan si të keqe dhe turp për këtë vend. Kisha dashtë që ata me lexu ma shumë për personat LGBTI dhe se çka ndjen secili person në veçanti.

Politikanët gjatë fushatës së tyre elektorale, mos me thonë hiç zero që nuk janë marrë me këtë çështje, përveç një debati televiziv që është organizuar dhe të gjithë kandidatët për deputë janë pyetur për martesat mes gjinive të njëjta. Shumica nga ata kanë pasë qëndrim neutral nuk kanë dhënë përgjigjje. Mirëpo Albin Kurti, ka qenë i vetmi kandidat për kryeministër që ka treguar që është mbështetës për të gjithë, pa dallim, pavarësisht orientimit seksual.

Mirishahe Syla. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Mirishahe Syla, aktiviste për të drejtat e njeriut

Daljen në paradë, e kuptoj si diçka shumë të nevojshme sepse ne kemi shumë nevojë me i pa grupet që deri më tash iu është mohu ekzistenca e tyre. Është e rëndësishme me qenë në publik, me qenë të dukshëm, dhe me ju jep mesazh njerëzve se krejt jemi këtu dhe jetojmë bashkë.

Është e rëndësishme me dalë njerëzit e komunitetit dhe mbështetësit e komunitetit. Grupi i dytë është i rëndësishëm me ju tregu që në fakt ka njerëz që i takojnë shumicës por që japin mesazh që janë përkrahës të komunitetit LGBTI, ndërsa për grupin e parë është e rëndësishme thjesht me dalë dhe me i pa njerëzit që i përkrahin dhe ata me fitu atë besimin që me u shfaq në publik.

Gjatë fushatës zgjedhore, me sa e kam vërejtur unë, politikanët janë mundu me u shmangë kjo temë sepse është pak e ndjeshme. Ndërsa disa prej tyre janë shprehë hapur si kundërshtarë, e që janë kundër të drejtave themelore të njeriut në këtë rast. Por ka edhe disa nga ta që i përkrahin por kanë pasë rezervat e tyre për shkak të masës.

Edona Bajçinca. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Edona Bajçinca, mbështetëse e komunitetit LGBTI

Unë mendoj që Kosova është vend me diskriminim të madh ndaj komunitetit LGBTI. Përveç diskrimimimit, është edhe mungesa e informacionit të njerëzve për komunitetin LGBTI, prandaj parada është e domosdoshme dhe kërkon që njerëzit me kuptu që të gjithë janë të barabratë dhe dallimet janë pasuri dhe jo ndëshkim. Rëndësia e daljes është që njerëzit ta kuptojnë se të gjithë janë të barabartë dhe drejtësia është e njëjtë për të gjithë.

Aq sa kam përcjellë në një emision ka qenë një pyetje direkte për komunitetit LGBTI, dhe në anën tjetër s’ka bërë kush ndonjë fushatë të veçantë për këtë temë, por për shembull më ka pëlqyer përgjigjia e Albin Kurtit [kur është pyetur rreth komunitetit LGBTI].

Ata që nuk i përkrahin personat LGBTI janë të ndryshëm. Personat që nuk kanë shumë informacione, dhe personat që kanë urrejtje ndaj komunitetit LGBTI duhet të ndryshojnë ose do të kenë kundërshtime si nga shteti edhe nga shoqëria.

Bekim Asani. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Bekim Asani, gej dhe aktivist për të drejtat LGBTI nga Tetova

Paradën e kuptoj si një rebelim të komunitetit LGBTI, si aktivitet që po ndodh, si diçka normale. Si çdo komunitet që proteston e që e ngreh zërin për të drejtat e tyre, edhe parada e krenarisë është njëjtë – duke treguar kështu një herë në vit se jemi këtu dhe ne ekzistojmë.

Edhe personat që nuk përkrahin komunitetin thjesht duhet të dalin sepse të jesh LGBTI është shumë normale dhe është diçka që është pjesë e shoqërisë. Duhet të dalin, sepse në çdo familje mund të ketë persona LGBTI, dhe me prezencën e tyre ata iu tregojnë të afërmve të tyre se ata i pranojnë [të afërmit e tyre LGBTI], dhe se është diçka shumë normale. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky publikim është botuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ECMI Kosovo dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.