Nuk u desh shumë kohë që kabineti i Ramush Haradinajt, kryeministrit të tretë të Kosovës pas pavarësisë, të përshkruhet si “mega-qeveria”. Me pesë zëvendëskryeministra, 21 ministri dhe mbi 80 zëvendësministra, kjo ishte qeveria më e madhe që vendi kishte pasur ndonjëherë. Kabineti i zmadhuar, shpejt u kritikua për strukturën e rënduar për të cilën kritikët thanë se ishte një përpjekje për t’i përmbushur kërkesat e 22 partive të koalicionit për poste udhëheqëse.
Qeveritë që erdhën më pas bënë premtime elektorale për ta zvogëluar numrin e ministrive dhe edhe pse asnjëra nuk arriti madhësinë e qeverisë së Haradinajt, këto zotime nuk u përmbushën plotësisht.
Në janar të vitit 2020, gjatë negociatave për formimin e të ashtuquajturës “qeveri e shpresës”, një mosmarrëveshje për numrin e ministrive — midis faktorëve të tjerë — për pak sa nuk shembi mundësinë e një koalicioni mes Vetëvendosjes (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ndonëse të dy palët kishin deklaruar se nuk do të kishte më shumë se 12 ministri, qeveria Kurti 1 –– e cila ishte në pushtet për vetëm 52 ditë pasi u rrëzua në fillim të pandemisë –– përfundoi duke pasur 15 ministri.
Pas qeverisjes së parë jetëshkurtër të Kurtit, edhe administrata e Avdullah Hotit e udhëhequr nga LDK-ja u kritikua se kishte një numër të madh zëvendësministrash, ndonëse si deputet në opozitë Hoti e kishte dënuar ashpër madhësinë e paprecedentë të qeverisë Haradinaj.
Për ironi, përpjekjet për miratimin e ligjit për kufizimin e numrit të posteve ministrore u patën shpeshtuar gjatë "mega-qeverisë" së Haradinajt.
Organizatat e shoqërisë civile argumentuan se numri i fryrë i posteve ministrore vjen si rezultat i vakuumit ligjor të krijuar nga mungesa e një ligji gjithëpërfshirës për qeverinë, i cili kërkohet në Kushtetutën e Kosovës. Ligji supozohet ta përcaktojë organizimin dhe funksionimin e qeverisë, nga përbërja, kompetencat dhe programi deri te kufizimet për qeverinë në ikje.
Qysh prej vitit 2008, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, ka pasur përpjekje të ndryshme për hartimin dhe miratimin e ligjit për qeverinë. Versione të ndryshme të projektligjit janë miratuar tri herë nga qeveria dhe janë shqyrtuar dy herë nga Kuvendi i Kosovës, por nuk kanë arritur të bëhen ligj.
Për ironi, përpjekjet për miratimin e ligjit për kufizimin e numrit të posteve ministrore u patën shpeshtuar gjatë “mega-qeverisë” së Haradinajt. Në kuadër të premtimeve për reforma më të gjera në administratën shtetërore, Besnik Tahiri asokohe zëvendëskryeministër dhe koordinator kombëtar për reformat shtetërore, tha se ligji për qeverinë ishte “ ligji më vital, bazamenti i Administratës Shtetërore”.
Projektligji parashihte se qeveria nuk duhet t’i ketë më shumë se 15 ministri dhe tre zëvendëskryeministra, ndërsa përgjysmonte numrin e zëvendësministrave dhe stafit politik. Është vlerësuar se ndryshimet në strukturën organizative të qeverisë do t’i ulnin ndjeshëm shpenzimet e buxhetit të shtetit për pagat e personelit dhe shpenzimet e tjera që lidhen me to.
Megjithatë, Haradinaj dha dorëheqje në verën e vitit 2019 dhe në 11 muajt vijues pati zgjedhje të parakohshme parlamentare, filloi pandemia e COVID-19 dhe qeveria u ndryshua dy herë. Projektligji u bë gati për dëgjime publike tek në korrik të vitit 2020. Por për shkak të paqartësisë rreth kushtetutshmërisë e tij, qeveria paraqiti kërkesë tek Komisioni i Venedikut — organ këshillues i Këshillit të Evropës në fushën e së drejtës kushtetuese.
Ky hap e vonoi edhe më shumë hartimin e ligjit, i cili përfundimisht u miratua nga administrata Kurti 2, pas më shumë se një viti, në fund të dhjetorit të vitit 2021.
Qeveria kërkoi opinionin e Komisionit të Venedikut në dy çështje kryesore: nëse ishte kushtetuese vendosja e një kufizimi në numrin e ministrive dhe deri në ç’masë mund të kufizohen kompetencat e qeverisë në ikje përpara se të zgjidhet qeveria e re.
Teksa e pranoi se qëllimi i projektligjit ishte ta rregullonte funksionimin e qeverisë në një mënyrë që do të inkurajonte efektivitet në shpenzime dhe do ta parandalonte rrezikun nga korrupsioni, Komisioni arriti në përfundimin se kufizimi i numrit të ministrive mund të jetë kundërkushtetues.
Për shkak se Kushtetuta e Kosovës thotë se numri i ministrave rregullohet me akt të brendshëm të qeverisë, Komisioni deklaroi se kufizimi duhet të zëvendësohet “me kritere të qarta të domosdoshme, të cilat duhet të plotësohen objektivisht para se të ketë ndonjë rritje të numrit të ministrave, përtej numrit të përcaktuar në aktin e brendshëm përkatës të qeverisë”.
Pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venedikut, qeveria hoqi të gjitha kufizimet për postet ministrore dhe shtoi një memorandum shpjegues bashkë me projektligjin.
“Edhe pas miratimit të Ligjit për Qeverinë, mund të ketë keqpërdorime të posteve ministrore”
Agron Demi, GAP Institute
Flurije Morina, zyrtare e lartë ligjore në Zyrën Ligjore të Qeverisë, tha për K2.0 se paragrafët që përcaktonin numrin maksimal të zëvendëskryeministrave dhe ministrave, “janë fshirë për ta harmonizuar projektligjin me Kushtetutën” dhe se është shtuar një paragraf, i cili përcakton kriteret për paraqitjen e propozimit për rritjen e numrit të anëtarëve të qeverisë.
Agron Demi, analist i politikave në organizatën për hulumtime politike, Instituti GAP, tha se qeveria është dashur të shtojë më shumë kritere për ndryshimin e numrit të posteve ministrore.
“Edhe pas miratimit të Ligjit për Qeverinë, mund të ketë keqpërdorime të posteve ministrore”, tha ai. “Çka kemi kërkuar nga deputetët është shtimi i kritereve më të rrepta, të cilat e detyrojnë qeverinë të japë më shumë informacione dhe vlerësime financiare për nevojën e rritjes së posteve ministrore”.
Në fillim të marsit të vitit 2022, GAP publikoi një raport që analizon përmbajtjen e projektligjit të tanishëm. Sipas raportit, projektligji nuk i trajton tërësisht mangësitë që janë ngritur ndër vite lidhur me strukturën e qeverisë.
Duke marrë parasysh historinë e shpenzimeve për postet ministrore, raporti i GAP-it argumenton se qeveria duhet të detyrohet ta ofrojë një vlerësim më të detajuar të ndikimit financiar kur vendos për themelimin e një ministrie të re.
“Kemi kërkuar që për qeverinë në detyrë apo kryeministrin e ardhshëm të vendoset një obligim shtesë që t’u japë deputetëve një shpjegim të detajuar se pse është i nevojshëm shtimi i ministrie të re dhe çfarë ndikimi financiar do të ketë, si do të koordinohet me ministritë e tjera dhe sa staf dhe të emëruar politikë do të ketë”, tha Demi.
A do të sjellë ligji ndonjë ndryshim thelbësor?
Më 16 mars të vitit 2022, projektligji për qeverinë u lexua për të tretën herë në Kuvend dhe këtë herë kaloi fazën e parë të miratimit. Por a do të sjellë realisht ligji ndonjë ndryshim në funksionimin e qeverisë?
Një nga ndryshimet që priten është përbërja gjinore e qeverisë. Bazuar në kërkesën e Komisionit të Venedikut, që të merret në konsideratë çështja e gjinisë, tani projektligji përfshin formulimin që thotë se “Përbërja e Qeverisë së Kosovës bazohet në përfaqësim të barabartë gjinor në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”. Megjithatë, Ligji për Barazi Gjinore veç kërkon 50/50% përfaqësim gjinor në institucionet publike, kërkesë e cila nuk zbatohet plotësisht.
Analiza e GAP-it argumenton se projektligji është kryesisht përshkrues dhe përsërit dispozita të cilat tashmë janë në Kushtetutë apo në ligje të tjera.
“Ky version i ligjit e detyron qeverinë e tanishme të emërojë gra në 50% të posteve të kabinetit”, tha Demi. Për momentin, tri nga 14 ministra/e dhe dy nga tre zëvendësministra/e janë gra.
Gjatë diskutimit në Kuvend, deputetja Doarsa Kica Xhelili e partisë Guxo, e mirëpriti përkushtimin e qeverisë për barazinë gjinore në kabinet, por kërkoi zbatimin e plotë e të rregullit të përfaqësimit 50/50. “Kjo marrëveshje duhet të bëhet realitet dhe të mos mbetet vetëm një formulim, më shumë afirmativ në letër që tashmë ekziston në Ligjin për Barazi Gjinore”, tha Kica Xhelili.
Përveç aspektit të përbërjes gjinore, projektligji,i cili sipas analizës së GAP-it është “në masë të madhe përshkrues, përsërit dispozita të cilat tashmë janë në Kushtetutë apo në ligje të tjera dhe përmban gjuhë jo normative”,nuk do të sjellë shumë risi në punën e qeverisë.
Gjuha tejet përshkruese e projektligjit po ashtu u përmend nga Komisioni i Venedikut, të cilët rekomanduan zhvendosjen e pjesës më të madhe të këtij teksti në një broshurë informuese apo doracak qeveritar.
Për momentin, projektligji është kthyer tek Komisioni i Kuvendit për Administratën Publike për amendamentimet e fundit para se të kthehet prapë tek deputetët për votimin përfundimtar.
Imazhi i ballinës: Qeveria e Republikës së Kosovës
Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian
Pse kjo klauzolë?