Kur filozofi gjerman Peter Sloterdijk shkroi për zemërimin në librin e tij “Zemërimi dhe Koha” (duke marrë si referencë librin e Heidegger-it “Qenia dhe Koha”), ai u përpoq të analizonte “psikopolitikën e zemërimit.” Këtë zemërim ai e konsideroi të jetë “forca energjike që mund ta kontrollojë njerëzimin” – shumë më fuqishëm se erosi dhe format e tij të paqarta të narcizmit dhe pulsionet e vdekjes. Ndoshta, gabimi i bërë nga civilizimi modern gjatë përpjekjes për përmirësim, ishte krijimi i hutisë dhe keqkuptimit mes të zemërimit dhe erosit.
Pas gjithë analizës shoqëroro-historike në librin e Sloterdijk-ut, na paraqitet termi arkaik i zemërimit, apo “thymos”, i përdorur së pari tek Iliada e Homerit si një emocion mbisundues. Libri i Sloterdijk-ut i paraqet fazat e ndryshme që evolucioni njerëzor është përballë, duke filluar nga betejat epike ndaj një Zoti të pamëshirshëm, te fitorja e hegjemonisë fetare, më pastaj mobilizimi i masave politke që e zëvendësojnë Zotin urryes me figura njerëzore, deri tek ditët e sotme — ku mbetet të shihet ku është shpërndarë zemërimi deri në zhdukjen e tij.
Sloterdijk shpjegon sesi zemërimi ka “humbur” në histori dhe format nëpër të cilat është përdorur si një kompenzim politik për humbësit, që kanë rënë viktimë e asaj që ai e quan “ekonomi e erotizuar” — një formë e zemërimit të shtypur dhe pritjet iluzionare që kapitalizmi mund t’i sugjerojë sa i përket mungesës dhe pamjaftueshmërisë emocionale dhe materiale si dhe dëshirës për të arritur më shumë. Por, pse është e rëndësishme t’i diskutojmë këto koncepte iluzionare dhe absurde, nëse zemërimi vazhdon të jetë një helm i mundshëm i shkatërrimit?
Ekonomia e erotizuar është rezultati origjinal sesi burra të fuqishëm, lakmitar dhe impulsiv, e kanë formuar strukturën e kapitalizmit duke e përdorur shtypjen e emocioneve thymotike, akumulimin e fajit nëse i ndjen këto emocione mëkatare dhe nevojën kompulsive për të shpëtuar nga kjo e fundit, duke krijuar kështu një hapësirë të rehatshme imagjinare të ikjes nga realiteti.
Karakteri ëndërrimtar i kapitalizmit na paraqet si një kërkesë për paqe, sigurim dhe mirëqenie, si dhe mirëmbajtje e marrëdhënieve të vendosura të fuqisë në këtë mënyrë të gjithë këta burra lakmitar, të fuqishëm, dhe impulsiv mund të vazhdojnë ta mbajnë zotërimin e faktorëve të prodhimit dhe në mënyrë që sistemi patriarkal të mbetet i paprekur në bërthamën e tij.
Zemërimi është konsideruar si një emocion tepër i fuqishëm dhe mbizotërues për vajzat që ta përballojnë – por më beso, unë mund të bëhem shumë e zemëruar.
Deri tani në analizat shoqëroro-historike të Sloterdijk-ut, ne kemi parë vetëm një grup të burrave të nevrikosur — prej Zotit të armiqësor dhe plot mëri deri te mobilizimi revolucionar i masës — përsëri tek burra të rinj të zemëruar — deri në ditët e sotme: dhe kohën e një shoqërie të “mirë-organizuar.
Në diskursin e tij, Sloterdijk-u duket se koncentrohet në masat e burrave të zemëruar që ndoshta mund t’i gjesh kudo: djem të zemëruar në Lindjen e Mesme, djem të zemëruar në Shtetet e Bashkuara dhe djem të zemëruar në Ballkan. Ky dimension gjinor i zemërimit mbetet i paqartë — a ndodh kjo sepse zemërimi dhe tërbimi janë nga natyra emocione të krijuara vetëm për burra dhe që prej lindjes gjenden vetëm tek burrat?
Gjatë historisë, gratë janë lënë jashtë këtij ekuacioni. Zemërimi është konsideruar një emocion tepër i fuqishëm dhe mbizotërues për vajzat që ta përballojnë — por më beso, unë mund të bëhem shumë e zemëruar. U nervozova ditën e kaluar kur një burrë më sulmoi verbalisht mua dhe shoqet e mia në autobus vetëm pse kemi qeshur dhe folur, na quajti “papagaj budallenj” dhe se si ne kishim nevojë për një burrë të na kontrollojë, të na ndalë nga të sjellurit në atë mënyrë. U nervozova sot nga shikimet gjykuese të njerëzve vetëm sepse kisha veshur një fund të shkurtër.
Nervozohem kur dikush më pyet për të ardhmen dhe pastaj më gjykon pse po iu jap rëndësi studimeve dhe karrierës. Nervozohem kur njerëzit më tregojnë se nuk duhet të nervozohem, pasiqë zemërimi nuk duket bukur tek vajzat e vogla, të lezetshme si unë. Nervozohem kur njerëzit menjëherë hamendësojnë se unë jam e nervozuar vetem sepse jam feministe, pasi ata mendojnë se feministet janë të nervozuara gjatë gjithë kohës — kjo është ajo çka ato bëjnë.
Mënyra në të cilën ky emocion menaxhohet nga disa gra është disi e dykuptimtë dhe hutuese. Një shoqe e imja një herë më tregoi se kur ajo nervozohet dhe do të eksplodojë, ajo shpërthen në lotë dhe dëshiron të qëndrojë vet. E pyeta nëse në të vërtëtë është e mërzitur apo e zemëruar dhe ajo këmbënguli se është e nevrikosur — kjo është arsyeja pse ajo qan.
Nuk e kuptoja atëherë, derisa e kuptova se shumica e grave e kanë të njëjtin reagim si shoqja ime. Mund të duket e çuditshme ta shprehësh zemërimin në formën e trishtimit, por kjo është ajo që bëjnë gratë. Janë mësuar prej kur ishin të vogla që shfaqja e zemërimit apo mërisë nuk është një tipar që iu shkon vajzave.
Në vend të kësaj, ato më mirë duhet të jenë qaramane të dobëta duke e mbajtur brenda zemërimin sepse shoqëria nuk i pranon gratë e nervozuara — këto shtriga të çmendura dhe histerike. Sipas një studimi psikologjik, gratë e zemëruara gjykohen si më shumë armiqësore sesa burrat e zemëruar. Zemërimi i grave i bënë njerëzit të ndihen të frikësuar dhe pa të pasigurtë — por një fytyrë e trishtuar, e përvuajtur e një gruaje duket e bukur dhe elegante. “Kush do ta donte një grua të nervozuar e kaotike, gjithsesi?”
Zoti e di se është më mirë për burrat të qëndrojnë vetëm edhe në një botë apokaliptike sesa të jenë pranë një gruaje të inatosur.
Në anën tjetër, zemërimi tek burrat i bënë ata të duken më të vendosur, më të fuqishëm madje të admiruar. Ata janë mësuar që nga vegjëlia ta fshehin frikën dhe dobësinë dhe t’i kthejnë në zemërim — që është asgjë tjetër pos një maskim. Përkundrazi, vajzave ua mësojnë të kundërtën: Të jesh e nervozuar është jo tërheqëse; më shumë nxit frikë dhe refuzim.
Zemërimi i grave ka qenë një temë tabu që nga Testamenti i Vjetër. “Është më mirë të qëndrosh në një vend të braktisur [nga Zoti] sesa me një grua grindavece dhe të nervozuar,” sepse Zoti e di se është më mirë për burrat të qëndrojnë vetëm edhe në një botë apokaliptike sesa të jenë pranë një gruaje të inatosur.
Ky zemërim i shtypur i grave e nxiti valën e parë, të dytë dhe të tretë të feminizmit. Gratë filluan ta pranojnë zemërimin e tyre, ta bëjnë atë si pjesë të tyre. Niçe e konsideronte zemërimin ndoshta si emocionin më të fuqishëm — prapë ne të gjithë e dimë se gratë mund të bëjnë çdo gjë që burrat e bëjnë por kurrë nuk ndodh e kundërta.
Si një emocion dominues, i zotëruar deri më tani vetëm nga burrat, gratë duhet ta kërkojnë, të gërvishtin sipërfaqen e ta gjejnë diku tek to perlën e fshehur të zemërimit që të mos heshtin kurrë më. Kur aktivistja e feminizmit Gloria Steinem u pyet se kur duhet gratë të mobilizohen të gjitha së bashku kundër padrejtësisë, ajo tha, “Ato s’janë të nervozuara mjaftueshëm.”
Rastet e fundit të dhunës seksuale në Drenas dhe në Kavajë të Shqipërisë — ku një 14 vjeçare dyshohet se është shantazhuar dhe përdhunuar nga shokët e klasës — do të hedh zjarr në benzinë sepse gratë në Kosovë dhe Shqipëri kanë duruar dhimbje, poshtërim dhe janë refuzuar të trajtohen edhe si qytetare në të njëjtën kategori me meshkujt, më gjatë sesa mund të paramendohet.
Mijëra gra të tjera po vuajnë po kaq shumë dhe kanë nevojë në mënyrë të dëshpëruar ta dinë se nuk po vuajnë vetëm.
A kemi nevojë për më shumë shembuj të tillë, të tmerrshëm të abuzimeve verbale dhe seksuale, për gra të dhunuara apo të vrara që ta kuptojmë gjendjen e depresionit që shoqëria jonë patriarkale na ka detyruar të jetojmë? A duhet të tolerojmë më shumë veprime të këtyre burrave lakmitar, impulsiv dhe kompulsiv që ta kuptojmë shtypjen që po e përjetojmë? Kur do ta kuptojmë se jeta private nuk është më private kur po e përjetëson të njëjtin tipar në çdo hapësirë të vogël dhe të njohur, të zakonshme?
Çdo abuzim i përjetuar nga gratë duhet të denoncohet dhe fjala duhet të dalë përtej mureve të shtëpisë, sepse mijëra gra të tjera po vuajnë po kaq shumë dhe kanë tepër nevojë ta dinë se nuk po vuajnë vetëm.
Nëse shteti nuk arrin t’i mbrojë gratë dhe ta parandalojë abuzimin ndaj tyre, është detyra jonë ta pranojmë seriozitetin e situatës dhe ta ngrisim zërin ndaj çdo padrejtësie — madje duke përdorur forcat tona thymotike t’i sfidojmë standardet e kalbura që po na turpërojmë dhe poshtërojnë.
Më duhet të pajtohem me Sloterdik-un dhe parimet e tij mbi të cilat bazohet teoria thymotike nga të cilat është vendosur se nëpërmjet grupeve politike, veprimeve politike, duke i bashkuar forcat e prekura, duke e ndryshuar simbolizmin dhe retorikën, ne do t’i kundërvihemi kushteve në të cilat ndodhemi tani. Duke e kuptuar në thellësi dhe duke e pranuar zemërimin tonë, duke e kundërshtuar hapur ekonominë e erotizuar që ka lidhur më zinxhirë lirinë tonë trupore dhe personale, ne do t’i japim fund historisë së përgjakur të dhunës dhe turpërimit të viktimave.
Gratë e qeta, e të urta rrallë merren parasysh dhe rrallë herë i dëgjon kush, ndërsa gratë e zemëruara janë ato që e kanë ndryshuar historinë. Të jesh e inatosur nuk duhet të konsiderohet si përbuzëse — është një nevojë të na dëgjojnë dhe të bëjmë përmirësimin të ndodhë. Në mënyrë që ta arrijmë këtë, ne duhet ta shprehim zemërimin tonë.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha/ K2.0.