Blogbox | Media

Shija e ëmbël e demokracisë suedeze

Nga - 21.10.2016

Udhëtimi në Stokholm thekson se sa larg ka për të shkuar  Kosova kur bëhet fjalë për liritë e medias dhe të drejtat e njeriut.

Muajin e kaluar isha një prej 10 gazetarëve ndërkombëtar që u ftuan në Stokholm nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë për të marrë pjesë në konferencën rreth Lirisë së Fjalës për Demokraci të Hapur dhe të Drejtave të Njeriut, me rast të 250 vjetorit të Aktit të Lirisë së Shtypit të Suedisë, gjerësisht i njohur si ligji i parë në botë që mbështeti lirinë e shtypit dhe informacionit.

Në programin e vizitës sonë u përfshinë takime me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë, Ministrisë së Kulturës dhe Demokracisë, mediave, si dhe me anëtarë të bordit të një qendre migrimi dhe instituteve tjera të hulumtimit përreth Stokholmit.

Ndonëse pati disa befasi gjatë vizitës sonë tre ditore – si dielli që shndriti tërë kohën, diçka jo aq tipike për Skandinavinë – çfarë nuk na befasoi aspak ishte fakti që Suedia është në mesin e shteteve të para në botë, kur flasim rreth lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut.

Mundësia për të parë drejtpërdrejtë hapjen e  institucioneve dhe shërbyesve publik në relacion me mediat, dhe hapsirës së gazetarëve për qasje në informacion, fillimisht na la të habitur, madje paska të shokuar. Jo se kishim ardhur prej ndonjë planeti tjetër dhe nuk kishim ide që shoqëria suedeze është mendjehapur, por veçoritë e kësaj hapje na dukeshin shpeshherë sureale. Pas secilit prej takimeve mund të dëgjoheshin ankesa e diskutime prej gazetarëve, që bënin krahasime me shtetet e tyre përkatëse.

eraldin-fazliu11

Deri sa kuptuam në thelb qasjen në informacion që e kanë gazetarët dhe qytetarët e rëndomtë të Suedisë, duke përfshirë postën elektronike të politikanëve të profilit të lartë, mbetëm gojëhapur. Mundësitë e tilla për gazetari tingëllonin si joreale, por suedezët megjithatë nuk ishin plotësisht të kënaqur me këtë fakt dhe po kërkonin edhe më shumë llogaridhënie. Zyrtarët suedez flisnin me zell për atë se si mund të bënin sistemin sa më të sofistikuar, në mënyrë që të mos linin hapësirë për abuzim të pushtetit.

“Në Suedi, korrupsioni nuk pranohet; konsiderohet si vetëvrasje politike”, na tha një zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme. M’u deshën disa sekonda për të kuptuar që një deklaratë e tillë kundër korrupsionit u tha me plotmendje, dhe se nuk ishte ajo retorika e mërzitshme e përsëritur që e dëgjojmë në vendlindje, çdo ditë, veçanërisht nga elita politike.

Jashtëzakonisht xheloz, mendimet më shkuan përsëri në Kosovë, duke kujtuar mes tjerash faktin që kontrata për projektin më të shtrenjtë të ndërtimit në historinë e shtetit të Kosovës që lidh Kosovën me Shqipërinë asnjëherë nuk është bërë publike, ndonëse projekti është përmbyllur në vitin 2013. Vlerësohet të ketë kushtuar 800 milion euro,  Autostrada 77 kilometërshe “Ibrahim Rugova” mendohet të ketë çmimin më të lartë për kilometër nga të gjitha autostradat që janë ndërtuar në tokat evropiane, por hollësitë nuk janë bërë asnjëherë publike.

Sidoqoftë, mendimet mu ndërprenë kur pjesëmarrësit filluan të ndajnë shembuj të mungesës së transparencës dhe abuzim pushtetit në shtetet e tyre përkatëse. Në këto momente u bë e qartë që gjeografia nuk ka rëndësi shumë kur përshkruan sisteme të korruptuara politike. Kjo më krijoi ndjenjën që gazetari nga Maqedonia nuk ishte i vetmi fqinj që kisha në këtë grup. Ata nga Kolumbia, Bjellorusia, Jordania, Polonia, Tajlanda, Spanja, Rusia dhe Vietnami, që të gjithë u bënë fqinj, edhepse mes nesh ka oqeane e kontinente. Eh po jo, realiteti është se kultura e korrupsionit është pakufinj.

eraldin-fazliu-sweeden01

Pasi kalova pak kohë duke menduar, ‘dhimbja’ u lehtësua; i kujtova vetës që Kosova e shpalli pavarësinë tek para tetë viteve, e unë isha duke marrë pjesë në një konferencë në një shtet që po festonte një traditë 250 vjeçarë të lirisë së shprehjes. Por pastaj, duke i dëgjuar pjesëmarrësit tjerë, u bë e turbullt kjo ide që koha është i vetmi faktor që definon një sistem prosperues politik. Guillermo, një gazetar spanjoll shpjegoi se, ndonëse Spanja iu bashkua BE-së saktësisht para 30 viteve, niveli i abuzimit të pushtetit atje është ende faktor shqetësues. Dilema e nivelit të krahasimit që po bëja vazhdoi kur u kujtova që Suedia ka kaluar qindra vite pa u prekur nga lufta. Në fund, u dorëzova së luftuari me veten në këtë betejë të brendshme e bizare, pasi sikur kuptova që ekzistonte një mirëkuptim mes gjithë pjesëmarrësve, që ne po përjetonim një realitet tjetër, një ‘mrekulli’ të llogaridhënies, lirisë së shtypit dhe demokracisë.

Jo që mediat suedeze po jetonin në parajsë, siç edhe na u kumtua në takime me disa gazetarë suedez. Shqetësimet me financa, sfidat e epokës së re të digjitalizimit, e kohëve të fundit edhe kërcënimet nga grupet ekstremiste përbënin brenga për ta. Megjithatë, pavarësisht të gjithë sfidave me të cilat përballen mediat, vërehej se mediat suedeze luajnë rol shumë të rëndësishëm për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës së llogaridhënies në shtetin e tyre.

Dikush na tha se sivjet një ministër për arsim të të rriturve dhe arsim sekondar në Suedi dha dorëheqje pasi u ndalua nga policia duke vozitur nën ndikimin e alkoholit. Si duket ekziston një mirëkuptim shoqëror që – përveç pasojave të mundshme ligjore – veprimet e tilla kërkojnë edhe reagim moral nga akterë të përfshirë në të tilla raste.

eraldin-fazliu7

Duke virtitur në mendje nivele kaq të larta të vetëdijes politike, i pashmangshëm ishte kthimi në Kosovë, në mendjen time; erdha në përfundim se, po të ndiqnim të njejtën praktikë morale politikanët e Kosovës, e gjithë qeveria do të detyrohej të dorëhiqej, Kuvendi do të shpërbëhej, dhe presidenti do të duhej të ipte dorëheqje gjithashtu. Vozitja nën ndikimin e alkoholit sigurisht se është e ndaluar dhe paraqet rrezik, por pasojat e ish-ministres suedeze  janë larg të krahasueshme me pasojat nga zhvillimet e fundit në politikën Kosovare.

Rreth dy muaj para vizitës sonë, portali online i lajmeve Insajderi filloi të lansonte biseda të përgjuara nga viti 2011 të cilat zbuluan nivel të lartë të keqpërdorimit të pushtetit nga figurat kyçe të partisë më të madhe në koalicionin qeverisës, PDK. Pjesë e tyre ishin presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi (që ishte kryeministër në kohën kur u bënë ato inçizime), kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe protagonisti kryesor ishte kreu i grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovci.

Grabovci e përcolli pjesërisht praktikën suedeze duke dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kreu i grupit parlamentar të partisë, por ai nuk dha dorëheqje si deputet i Kuvendit. Edhe më absurde është fakti që pasardhësi i Grabovcit, Zenun Pajaziti, u bë gjithashtu protagonist i përgjimeve pak ditë pasi u emërua në vend të Grabovcit. Në anën tjetër, Thaçi dhe Veseli preferuan që të heshtin, në vend se të reagojnë ose të bëjnë diçka më jo të pritur nga ta: të japin dorëheqje. Ironikisht, që të dy vazhdojnë çdo ditë të valëvitin flamurin “kundër korrupsionit” dhe mbajnë leksione për “sundimin e ligjit”, e njëkohësisht pandëshkueshmëria vazhdon të jetë një prej pengesave të mëdha të shoqërisë sonë.

I lashë këto krahasime dhe u ktheva sërish në Suedi, ku përfshihej edhe një vizitë në qendrën e migrimit Farsta, në periferi të Stokholmit. Kjo vizitë nisi të sfidojë pikëpamjet e mija mitike të përgjithshme për Suedinë si një “mrekulli”. Diskutimi me bordin e migrimit e shfaqi një anë tjetër të shoqërisë suedeze – në Suedi, si në shtete tjera të Evropës, është rritur niveli i ksenofobisë dhe pikëpamjeve -anti-emigrante, si dhe niveli i grupeve të ekstremit të djathtë. Partia anti-emigrante “Demokratët Suedez” ka mbajtur disa tubime dhe ka ngritur zërin kundër valës së fundit të refugjatëve – vetëm në vitin 2015 më shumë se 163,000 persona kanë kërkuar azil në Suedi. Edhe pse janë vetëm minoritet i zëshëm, këta zëra kanë patur efektin e shpërpjesëtuar të njollosjes së reputacionit të altruizmit të njohur suedez.

Anëtarët e bordit të migrimit na njohën me kushtet dhe aktivitetet qe ofrohen për më shumë se 500 refugjatë në qendër – kryesisht nga Lindja e Mesme – që po jetonin në një ambient shumë të mirëmbajtur.

Megjithatë, deri sa ata flisnin, vëmendja ime ishte tjetër kah. Ai ambient sikur më ktheu në vitin 1999 në një shtet tjetër skandinav, në Danimarkë, ku ishim strehuar me familjen time për shkak të luftës në Kosovë. Edhe pse në atë kohë isha vetëm një fëmijë 11 vjeçar, ende i mbaj gjallërisht disa copëza të kujtimeve të fëmijërisë sime që i kalova në një qendër vërtetë shumë të ngjashme me atë në të cilën po qëndroja i ulur 17 vite më vonë, tash si një gazetar.

Papritmas kujtimet m’u ndërprenë kur u përmendën “dy shqiptarë” në listën e refugjatëve në qendër. Edhepse nuk arrita që ta kuptojë tërë historinë e tyre, pasi nuk ishte planifikuar të kishim kontakt direkt, supozova që ishin nga vala e fundit e refugjatëve nga Kosova, që ndodhi në fillim të vitit 2015, kur më shumë se 100,000 kosovarë kaluan në mënyrë të parregulltë në shtetet e Bashkimit Evropian, këtë herë duke kërkuar ‘azil ekonomik’.

Kush do ta mendonte që 17 vite pas luftës kosovarët ende do të kërkonin azil? Ja që niveli i lartë i papunësisë, varfërisë e pabarazisë dhe në të njejtën kohë mungesa e mundësive për njerëzit e rinj njëlloj mund t’i shtyej njerëzit që të ikin prej shtëpive të tyre, si lufta. Në fakt, të dy këto frika burojnë nga ‘frika e ekzistencës’.

eraldin-fazliu3

Ne e përfunduam vizitën në qendër duke vizituar dhomat e gjumit, vendet e ndara për lutje, vendlojërat e fëmijëve, dhe kuzhinën e përbashkët që e ndanin rezidentët e qendrës. I impresionuar nga kushtet në njërën prej dhomave, Trung, një gazetar nga Vietnami, tha “Kjo dhomë është më e mirë se dhoma ime në Hanoi”. Sigurisht përshtypja e përgjithshme e imja ishte që qendra krijonte kushte të mira për banuesit- shumë prej të cilëve ishin të traumatizuar nga luftërat.

Në ditën e fundit të konferencës, takuam ministren për kulturë dhe demokraci në Suedi, Alice Bah Kunke. Për dallim nga stereotipet të politikanëve, kur Kunke foli për liri, e kisha përshtypjen që po fliste çiltërsisht. Ajo vet kishte qenë gazetare dikur, dhe kështu shpjegoi se përfshirja e fjalës ‘demokraci’ në titullin e saj ministror nuk është vetëm titull i rastit, por edhe simbol i përkushtimit të shoqërisë suedeze ndaj lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut. Më tej, duke demonstruar një element shumë të rëndësishëm të demokracisë, ajo gjithashtu e përkushtoi pjesën më të madhe të kohës së saj duke na dëgjuar, duke na pyetur për shqetësimet tona në lidhje me shtetet tona përkatëse, dhe për atë se si ajo, si ministreshë, mund të na ndihmojë që t’i adresojmë ato.

Ishte një përfundim i përshtatshëm për këtë vizitë. Nga kjo përvojë u ngritën shumë çështje dhe diskutime, edhe në nivel personal, e edhe në nivel më të lartë të çështjeve të demokracisë dhe të drejtave të njeriut; Suedia ka probleme e beteja me të cilat duhet të përballet, por këto sfida duken utopike kur krahasohen me ato që i kemi në Kosovë, ku lufta për vlerat më fundamentale është ende në fillet e saja të para.

Fotografitë: Eraldin Fazliu / K2.0.

 

logo_ce-en-quadri-1Ky artikull është pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar në partneritet me Osservatorio Balcani e Caucaso. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi vetëm e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.