‘Më 21 gusht 1998, kolegët tonë gazetarët Duro Slavuj dhe Ranko Perenić, u rrëmbyen këtu. Ne jemi duke i kërkuar’. Ky është mbishkrimi, i shkruar në gjuhën shqiptare dhe serbe, në pllakën përkujtimore anash një rruge afër Rahovecit.
Më 21 gusht, dy gazetarët e nisën udhëtimin e tyre nga Rahoveci për në Manastirin e Zočište-s për të folur me murgjit, të cilët së fundmi ishin liruar nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ata shkuan për një lajm, por nuk e kryen kurrë – lajmi u zhduk me gjithë ta.
Pllaka përkujtimore është vendosur vazhdimisht nga gazetarët serbë të Kosovës që janë duke i kërkuar kolegët e tyre të zhdukur tash e 20 vjet. Dega në Kosovë e Asociacionit të Gazetarëve Serb e ka vendosur këtë mbishkrim gjashtë herë për dy gazetarët e zhdukur dhe secilën herë dikush e ka hequr atë. Institucionet kompetente nuk kanë arritur ta gjejnë se kujt po i pengon ky kujtim për gazetarët e zhdukur.
Slavuj dhe Perenić janë dy nga 15 gazetarët — serbë dhe shqiptarë — që u vranë apo kidnapuan në Kosovë në periudhën 1995-2005. Asnjëri prej këtyre rasteve nuk është zgjidhur dhe asociacionet e gazetarëve që punojnë në Kosovë ende nuk kanë përgjigje për atë se çfarë u ndodhi kolegëve të tyre.
“Kjo e dërgon një mesazh të keq që sulmet ndaj gazetarëve janë në një mënyrë të pranueshme”, thotë Budimir Ničić, presidenti i degës në Kosovë të Asociacionit të Gazetarëve Serb.
“Asociacioni jonë ka ngulur këmbë për zgjidhjen e këtyre rasteve me vite, por ata që janë në krye të hetimeve dhe që duhet të na tregojnë se ku janë kolegët tonë dhe kush është përgjegjës për rrëmbimin dhe vrasjen e tyre, nuk veprojnë ose nuk i kanë kryer punët e tyre si duhet. Fillimisht i referohem UNMIK-ut dhe EULEX-it, por tani edhe institucioneve vendore”.
Për shkak të rasteve të gazetarëve të zhdukur, vitin e kaluar OSCE e mbajti një konferencë në të cilën u propozua themelimi i një komisioni për ta krijuar një bashkëpunim të strukturuar ndërmjet institucioneve të drejtësisë, asociacioneve të gazetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky komision do ta kishte për synim hetimin e rasteve të gazetarëve të zhdukur në periudhën 1998-2005.
“Ne kemi kolegë që janë vrarë dhe nuk i kemi kapë ata që janë përgjegjës për këto keqbërje. Kjo është arsye e mjaftueshme për me u shqetësu sot për këto gjëra, sepse mund të ndodhin përsëri nëse sistemi i drejtësisë nuk vepron”, thotë Maja Fićović, kryeredaktore e Radio Kosovska Mitrovica.
Ndonëse dy dekada kanë kaluar prej konfliktit në Kosovë, siguria është ende një nga problemet më të mëdha të gazetarëve. Në Kosovë kemi 20 deri në 30 sulme të raportuara ndaj gazetarëve në vit dhe pjesa më e madhe e tyre mbeten të pazgjidhura. Nëse një sulmues zbulohet dhe niset procesi i gjykimit, ka tendencë që rasti të rezultojë me një gjobë relativisht të vogël apo me lirim me kusht.
Statusi i gazetarëve nuk është i rregulluar ligjërisht, për shkak se struktura ligjore e Kosovës nuk bën dallim ndërmjet sulmit ndaj një qytetarit të rregullt dhe sulmit ndaj një gazetarit që është duke kryer një punë që ka rëndësi publike.
“E vërteta është bërë e kushtueshme dhe gjithnjë e më pak kolegë kanë vullnet që ta ekspozojnë veten ndaj rrezikut duke kryer punën — që as nuk paguhet sa duhet — nga dashuria dhe entuziazmi”, thotë Fićović.
Një nga sulmet e pazgjidhura ndaj mediave është incidenti me të shtëna armësh që ndodhi në portalin KoSSev në Mitrovicën e Veriut në korrik 2015. Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre vjet prej kur u shkrepën disa plumba në muret dhe dritaret e lokalit të KoSSev, autorët e këtij krimi ende nuk janë gjetur. Gazetarët e KoSSev kanë bërë përpjekje për ta gjetur të vërtetën për këtë rast, por deri më sot nuk kishin sukses.
Dhe ky nuk është i vetmi rast i sulmit në zyret e redaksisë së KoSSev në vitet e fundit. Tatjana Lazarević, redaktore në KoSSev, e shpjegon presionin me të cilin ballafaqohen: “Na kanë djegë një veturë, e kanë kërcënuar familjen time, na kanë bërë presion administrativ nëpërmjet institucioneve, përfshirë këtu paditë, kanë bërë përpjekje për stigmatizim dhe përjashtim social duke i bërë presion lexuesve tonë, na kanë sulmuar verbalisht, na kanë lënë si organizatë jashtë ngjarjeve dhe listave të distribuimit, jemi ballafaquar me akuza të rreme, dhe [politikanët] kanë dhënë deklarata në të cilat na kanë përshkruar si ‘armiq të shtetit’…”
Rroga e muajit të ardhshëm e pasigurt
Shumë probleme me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë janë të zakonshme pa marrë parasysh gjuhën në të cilën kryhet puna. Në shumë raste, gazetarët punojnë pa kontrata dhe ka raste në të cilat punëdhënësit nuk i paguajnë për punën e tyre. Gjatë gjithë kohës, gjykatat që merren me këto raste janë tepër të ngadalshme sa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Por një nga problemet më të mëdha, që në veçanti i prekë gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe, është pasiguria në financim.
“Shumica e gazetarëve punojnë për paga minimale dhe për shumë prej tyre nuk paguhen kontributet e pensionit; pra ata janë pjesë e ekonomisë së zezë”, thotë Ničić.
Ai thekson se përveç RTK2, kanali televiziv që financohet nga buxheti i Kosovës, katër mediave elektronike dhe gazetës Jedinstvo që financohet nga buxheti i Serbisë, shumica e mediave në gjuhën serbe mbështeten në financim në formë të projekteve. “Ato janë kryesisht projekte të vogla që zgjasin 3 deri në 6 muaj, më së shumti deri në një vit, dhe këta persona janë nën presion të vazhdueshëm sepse nuk e dinë se a do ta fitojnë projektin për ta vazhduar punën dhe a do të kenë mundësi të mbijetojnë”, thotë Ničić, duke shtuar se gazetarët shpeshherë nuk e dinë se a do të paguhen muajin e ardhshëm. “Me të vërtetë jam i shqetësuar për të ardhmen e mediave serbe në Kosovë”.
Burimet e tjera të të hyrave janë pothuajse inekzistente. Marketingu kryesisht mbështetet në fushata të kohëpaskohshme të organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, ndërsa për shkak të situatës së vështirë ekonomike në zonat me shumicë serbe, kompanitë rrallëherë reklamojnë dhe kompanitë që kanë pronarë shqiptarë tregojnë pak interesim për të reklamuar në mediat në gjuhën serbe.
“Vetëm një numër i vogël i të rinjve duan të punojnë në fushën e gazetarisë dhe me sa duket, gazetaria është një nga profesionet që premton më së paku”, thotë Fićović. Ajo thekson se donatorët gjithnjë më shumë e shohin veten si partnerë të OJQ-ve se organizatave mediale.
Mediat në gjuhën serbe në përgjithësi kanë zyre të vogla ku punojnë disa persona dhe detyrohen t’i performojnë disa role njëkohësisht; kjo vlen si për gazetarët, ashtu edhe për kameramanët dhe montazhierët.
“Kameramanët tonë janë njëkohësisht montazhierë dhe specialistë të audios dhe ndriçimit; për ta thënë thjeshtë, janë tre në një”, thotë Ničić, që përveç rolit të saj në Asociacionin e Gazetarëve Serb, e moderon edhe emisionin e debatit Slobodno Srpski dhe është korrespondente e Zërit të Amerikës në gjuhën serbe. “Në vitet e fundit, puna jonë është vështirësuar nga fakti se nuk kemi qasje për t’i intervistuar personat që duam, thjeshtë për shkak se plot zyrtarë dhe përfaqësues, kryesisht nga komuniteti serb, nuk duan të shfaqen në mediat tona, kështu që nuk mund ta marrim as deklaratën më të thjeshtë”.
Fićović pajtohet, dhe shton se për shkak të situatës në gazetari, mediat dhe gazetarët kanë reputacion të keq në shoqëri. “Një numër i caktuar i gazetarëve janë fajtorë për këtë, ata që kanë depërtuar në autoritete lokale dhe qendrore. Kjo tregon që interesat personale të tyre janë mbi interesin publik”, thotë ajo, duke iu referuar gazetarëve që ajo thotë po i shërbejnë agjendave specifike politike.
Ajo beson se problematike është edhe varësia financiare, për shkak se rrezikon të ndikojë tek politikat redaksionale të disa mediave. “Mendoj se ky profesion kurrë nuk ka qenë në nivel më të ulët”, thotë Fićović. “Mirë është që nuk ka më gjuhë të urrejtjes në media, që ka më shumë tolerancë ndëretnike dhe në atë kuptim, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Bashkëpunimi mes kolegëve serbë dhe shqiptarë është me të vërtetë në një nivel të lakmueshëm”.
Për shkak të pasigurisë së madhe të financimit dhe si pasojë e numrit të vogël të personave në zyre të redaksive, mediat e gjuhës serbe në Kosovë ndonjëherë detyrohen të heqin dorë nga temat kualitative dhe interesante për t’i ndjekur ngjarjet aktuale. Ničić thotë se gazetaria është kryesisht e bazuar në transmetim të informatave nga mediat apo agjencitë e tjera, apo të lajmërimeve të partive të caktuara politike, ndërsa mungojnë hulumtimet themelore për tema të interesit publik.
Me sa duket këto media të vogla lokale dhe të pavarura shpeshherë i nxisin rastet më serioze në këtë shoqëri”, thotë Ničić, duke shtuar se për shkak të mungesës së kapacitetit, ato shpeshherë nuk kanë mundësi t’i çojnë deri në fund lajmet apo t’i vazhdojnë artikujt që janë interesant. “Mediat serbe që njëkohësisht mbulojnë më shumë se një temë nuk e kanë lluksin ta caktojnë një gazetar për një temë”, thotë Ničić.