Janë vërtetuar edhe dy raste të tjera me COVID-19 në vend, të cilat u shpallën të hënën mbrëma nga Ministria e Shëndetësisë, duke e rritur numrin e rasteve në 15. Të dielën mbrëma, qeveria e Kosovës shpalli emergjencën e shëndetit publik pas vendosjes së kufizimeve të shtuara që pothuajse e ngujojnë tërë vendin.
Dy rastet e reja, një çift 26 vjeç, thuhet se kanë ardhur nga Londra; janë zbuluar nga shërbimi shëndetësor në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari dhe janë dërguar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Prishtinë.
Prej 15 rasteve të vërtetuara, shatë prej tyre janë nga Vitia, katër nga Malisheva, një nga Klina, një nga Prizreni, një nga Obiliqi dhe një nga Podujeva. Nëntë prej tyre — ata që vuajnë nga sëmundjet paraprake — po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së, kurse të tjerët janë mbyllur në karantina vetjake.
Pas kufizimeve që u shpallën të premten mbrëma, të gjitha fluturimet hyrëse në Kosovë janë pezulluar prej datës 16 mars, duke përjashtuar fluturimet ushtarake dhe mjekësore. Fluturimet dalëse me pasagjerë ende lejohen.
Ndalimi i punës së bareve, kafeneve, restoranteve, qendrave tregtare dhe tregjeve të kafshëve e automjeteve vazhdon të jetë në fuqi. Mediat kanë raportuar se janë arrestuar gjashtë persona në Pejë sepse nuk kishin mbyllur kafenenë në përputhje me vendimin e qeverisë, dhe dy të tjerë janë arrestuar në Prizren pasi penguan zyrtarët policorë gjatë mbylljes së kafenesë së tyre.
Nuk ka pasur ndonjë incident të veçueshëm në Prishtinë; sipas Miranda Mullafazliut, zyrtare për informim në Komunën e Prishtinës, “qytetarët po tregojnë se janë të vetëdijshëm për rrezikun e kësaj pandemie”.
Dyqanet ushqimore mbesin të hapura, kurse lokalet që shesin edhe shërbejnë ushqim njëkohësisht — furrat për shembull — lejohen vetëm të shesin e jo të shërbejnë, sipas një postimi në Facebook të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Barnatoret mbesin po ashtu të hapura; Ministria e Bujqësisë ka thënë se edhe barnatoret bujqësore do të qëndrojnë hapur.
Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në Prishtinë ka thënë për K2.0 se këto masa janë “të përshtatshme dhe të nevojshme” për situatën. “Vetëm distancimi shoqëror mund ta parandalojë përhapjen e mëtejme të COVID-19”.
Masat lehtësuese në sektorët e ndryshëm
Pas kufizimeve të qeverisë dhe këshillave nga institucionet e shëndetësisë për të ndenjur në shtëpi dhe për ta shmangur kontaktin me njerëz të tjerë, janë vënë edhe masa të tjera ndër sektorë për ta lehtësuar këtë dhe për ta mbrojtur ekonominë e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë në një konferencë për shtyp të dielën se duhet të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me rrymë dhe, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar, operatorët e internetit dhe të telekomit udhëzohen të mos i ndërprejnë konsumatorët në rast mospagimi deri më 30 prill.
Qeveria pritet të miratojë masa të reja për të siguruar që shërbimet e ngrohjes, ujit dhe grumbullimit të plehrave të vazhdojnë të funksionojnë. Kompania Rajonale e Ujësjellësit e Prishtinës dhe Kompania Pastrimi tashmë i kanë shtyrë afatet e fundit të pagesave.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka pezulluar pagesat e kësteve për kreditë deri më 30 prill për ata që kanë vështirësi t’i kryejnë; pezullimi mund të vazhdojë edhe më gjatë, varësisht prej gjendjes. Huamarrësit që kanë hasur në shtrëngime financiare si pasojë e rënies së të ardhurave mund të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesa për ta pezulluar pagimin e kësteve, dhe banka do t’i shqyrtojë kërkesat veçmas.
Për t’i mbrojtur përfituesit e skemave pensionale, Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka deklaruar që pensionerët nuk janë të detyruar të paraqiten fizikisht te qendrat e vazhdimit pensional tash për tash sepse pensionet e tyre nuk do të ndërpriten. Aplikuesit për skemat sociale po ashtu nuk detyrohen të paraqiten fizikisht për të aplikuar dhe riaplikuar, dhe seancat mjekësore janë pezulluar.
Bislimi po ashtu ka shtyrë afatet për nxjerrjen e faturave për tatimin në pronë, për pagimin e këstit të parë si dhe për paraqitjen e ankesave për tatimin në pronë dhe për certifikatat e vlerës së vlerësuar.
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka thënë në një njoftim për media të hënën se ka rezerva të mjaftueshme të grurit, naftës dhe produkteve farmaceutike. “Jemi në kontakt me furnizuesit e rezervave shtetërore. Situata është nën kontroll, nuk duhet të jemi në një situatë që të kemi panik”, ka thënë ajo.
Sipas saj, është nxjerrë një urdhër për ta ndaluar fryrjen e çmimeve, dhe inspektorati i tregtisë po vazhdon të kryejë hetime për bizneset që është raportuar se kanë rritur çmiment për gjësendet thelbësore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka urdhëruar zyrat e noterëve, përmbaruesit privatë dhe profesionistët e tjerë të lirë ligjorë “të zvogëlojnë” kontaktet me palët dhe t’i anulojnë aktivitetet e tjera që mbledhin njerëz.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka vendosur t’i ndihmojë fermerët kosovarë duke i shtyrë përkohësisht afatet për t’i përfunduar projektet e granteve nga viti 2019.
Evropa mbetet epiqendra
Kufizimet globale kanë vazhduar të rriten, meqë OBSh-ja e shpalli Evropën si epiqendrën e pandemisë globale. Komisioni Evropian ka propozuar të pezullohen të gjitha udhëtimet joesenciale drejt Bashkimit Evropian për 30 ditë.
Gjermania, Franca dhe Holanda ishin shtetet e fundit që vendosën kufizimet, përfshirë mbylljen e shkollave, mbylljen e kufijve dhe ndalimin e punës së kafeneve, bareve dhe restoranteve.
Të gjithë vullnetarët e Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara anekënd botës janë urdhëruar të kthehen në ShBA.
Në Evropë, vetëm Mali i Zi vazhdon të jetë i paprekur nga virusi; qeveria malazeze ka ndaluar grumbullimet publike të premten më 13 mars. Po ashtu ka mbyllur shkollat, ka ndaluar anijet rekreacionale dhe hyrjen e shtetasve të Sllovenisë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë dhe Zvicrës. Protestat masive që janë mbajtur nga Kisha Ortodokse Serbe muajt e fundit do të pezullohen përkohësisht.
Në pjesën tjetër të rajonit, kufizimet po rriten gjithashtu. Serbia ka shpallur gjendjen emergjente, ka mbyllur shkollat dhe ka urdhëruar njerëzit më të vjetër se 65 vjeç të vetizolohen. Në Bosnjë, Federata e Bosnjë-Hercegovinës ka shpallur gjendje katastrofe, ndërsa Republika Srpska ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Institucionet arsimore janë mbyllur në të gjithë vendin dhe mësimi po mbahet në internet ose përmes transmetuesve publikë. Kroacia ka mbyllur shkollat dhe universitetet për dy javë. Autoritetet e shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut kanë nxjerrë një hartë ndërvepruese për ta gjurmuar virusin në vend.
Shqipëria vazhdon të jetë në gjendje emergjente ku është ndaluar gjithë transporti publik dhe privat. Kryeministri Edi Rama ka shpallur në Facebook se prej të hënës (16 mars), e gjithë lëvizja në këmbë do të ndalohet pas orës 18:00.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka publikuar një uebfaqe që tregon informata për simptomat dhe masat parandaluese, me të dhëna të mbledhura nga OBSh-ja dhe autoritetet vendore të shëndetësisë.
Këshillat janë të rrimë larg nga njëri tjetri, t’i zvogëlojmë daljet, t’i lajmë duart mirë dhe t’i ndjekim sugjerimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.