Pikëpamje | Mjedis

Viktimat e qytetit pa ajër

Nga - 10.04.2025

Jemi në mes të një emergjence shëndetësore.

Gjëja e parë që më kujtohet nga vjeshta e vitit 2001, kur mbërrita në Prishtinë për të filluar studimet, ishte era e rëndë që më goditi sapo dola nga autobusi. Një erë mbytëse që më shkaktoi një ndjesi djegieje në hundë e kokëdhimbje që shponte në ballë. Vetëm më vonë mësova se ajo erë e fortë vinte nga dioksidi i squfurit, një gaz që lirohet nga djegia e qymyrit në termocentralet, që ende e furnizojnë Kosovën me energji.

Si dikush që vinte nga komuna rurale e Kamenicës, nuk isha i mësuar me këtë ndotje. Me kalimin e muajve dhe viteve, nuk e ndieja më atë erë mbytëse. Mendoja se përpjekjet e qeverive për ta ulur ndotjen kishin treguar sukses. Derisa, muaj më parë, u takova me një investitor gjerman, i cili po e vizitonte për herë të parë Prishtinën, dhe ma përmendi të njëjtën erë mbytëse. Atëherë e kuptova se kishin ndryshuar vetëm “filterat” në nuhatjen time, të cilët ishin adaptuar me erën e djegies së qymyrit e jo filterat e termocentraleve.

Si dikush që është angazhuar kryesisht në fushat e shkencave politike, administratës publike dhe çështjeve socio-ekonomike, ndotja e ajrit dhe e mjedisit nuk kanë qenë gjithmonë në fokusin tim. Derisa u bëra prind në vitin 2018. Pas kësaj, përveç që u bëra shumë më i ndjeshëm ndaj problemeve të përditshme si zhurma e automjeteve, që t’i shqyen timpanët e veshit, trotuaret e bllokuara ku nuk mund të ecësh lirshëm, mungesa e sigurisë për këmbësorët, mungesa e hapësirave të gjelbëra apo parqeve, qentë endacakë, që sulmojnë nga frika dhe uria, u bëra gjithashtu më i vetëdijshëm për praktikat që ndikojnë drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit.

U bëra më i vetëdijshëm për grimcat e rrezikshme të pluhurit që vijnë nga termocentralet dhe veturat; për mungesën e gjelbërimit dhe hapësirave publike që do të pastronin ajrin e ndotur; për mungesën e një sistemi funksional të transportit publik, që do të zvogëlonte varësinë nga veturat; për djegien e mbeturinave në lagje; për lirimin e metanit nga deponitë e pakontrolluara që ndot ajrin që thithim çdo ditë;për ndjesinë e lodhjes kolektive që krijohet kur një qytet bëhet i pabanueshëm, dhe njerëzit mësohen ta durojnë këtë realitet si diçka të zakonshme.

Kjo rritje graduale e ndjeshmërisë ndaj problemeve mjedisore më shtyu ta zhvendos fokusin tim aktivist drejt çështjeve të ndotjes së ajrit dhe drejtësisë mjedisore. Meqë për shumë vite kam ndjekur nga afër zhvillimet institucionale dhe ekonomike, ideja për ta zhvilluar vendin në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me obligimet që kemi marrë si shtet përmes Agjendës së Gjelbër deri në vitin 2050, u bë një tjetër shtysë e fortë për t’u angazhuar më thellë në këtë fushë. Zhvillimi i qëndrueshëm, përtej progresit ekonomik, merr parasysh edhe mirëqenien sociale, psikologjike dhe shëndetësore të qytetarëve, dimensione që nuk mund të mbesin më jashtë diskutimeve për të ardhmen e vendit.

Në mes të një emergjence shëndetësore e mjedisore

Në shkurt të këtij viti, së bashku me aktivistë të tjerë, të shqetësuar njësoj për ndotjen e ajrit dhe mjedisin, themeluam Institutin Atlas, një nismë civile e përbërë nga vullnetarë që vijnë nga fusha të ndryshme, por që ndajnë një shqetësim të përbashkët për mjedisin dhe cilësinë e jetës në Kosovë. Atlas lindi nga bindja se ndotja e ajrit dhe kriza mjedisore në vend nuk janë më vetëm çështje teknike, por emergjenca shëndetësore dhe shoqërore, të cilat kërkojnë mobilizim të menjëhershëm publik.

Qëllimi i Atlasit është të ndikojë në politikat publike dhe vetëdijen qytetare përmes forcës së të dhënave, komunikimit vizual dhe rrëfimit njerëzor. Në një mjedis ku çështjet e ndotjes shpesh anashkalohen nga politika dhe ku organizatat mjedisore kanë mungesë kapacitetesh apo ndikimi, Atlas synon të krijojë një model të aktivizmit të bazuar në fakte, të qasshëm për publikun dhe të zëshëm në hapësirën publike.

Atlas synon të shërbejë si urë lidhëse mes nismave të suksesshme lokale, siç ishte rezistenca e sukseshme e aktivistes Shpresa Loshaj për mbrojtjen e Lumbardhit nga ndërtimi i hidrocentraleve, ekspertizës vendore e ndërkombëtare dhe vendimmarrjes në nivel qendror dhe lokal. Në Atlas besojmë se vetëm përmes një përfshirjeje të gjerë të qytetarëve, profesionistëve dhe politikëbërësve mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, ku zhvillimi ekonomik ec krah për krah me mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies kolektive.

Alarmimi për ndotjen e ajrit nuk është diçka e re. Raporte të shumta të Bankës Botërore (BB), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Agjencisë Evropiane për Mjedisin (AEM), Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), si dhe të organizatave të tjera vendore, prej më shumë se dy dekadash, kanë shkruar për problemet e ndotjes së ajrit dhe mjedisit në përgjithësi. Megjithatë, gjetjet e këtyre raporteve shpesh janë varrosur thellë në dokumente shumëfaqëshe, të pakuptueshme për publikun e gjerë, të shkruara me një gjuhë teknike dhe të paraqitura në formate që janë të vështira për t’u kuptuar nga ata që nuk e kanë profesion shkencën mjedisore, shëndetësore apo energjinë.

Pikërisht për këtë arsye, duke u mbështetur në të dhënat dhe analizat e këtyre raporteve, Instituti Atlas i ka ripublikuar ato në formate vizuale të thjeshtuaar dhe të qasshme për të gjithë qytetarët. Në këto pak javë që kur ia kemi nisur, kemi parë një mbulim më të gjerë mediatik dhe një ngritje të ndjeshme të vetëdijes qytetare për këto çështje.

Gjetjet e këtyre raporteve, që po i paketojmë në një formë të re, përmbajtësisht e vizualisht, japin një pasqyrë të zymtë për cilësinë e jetës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Prishtinës.

Më specifikisht, në Kosovë, 99% e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit që tejkalon nivelin e sigurt të caktuar nga OBSH. Niveli ditor i grimcave të imëta ndotëse (PM2.5) arrin deri në 367 mikrogramë për metër kub, që është 25 herë më i lartë se kufiri i sigurisë për fëmijët. Kjo ndotje është e lidhur drejtpërdrejt me vdekshmërinë e fëmijëve nën moshën pesë-vjeçare, rrezikun e lindjeve të parakohshme, peshën e ulët në lindje, sëmundjet e frymëmarrjes, por edhe me rënien e aftësive për të mësuar. 

Sipas të dhënave të AEM, Kosova qëndron në vendin e parë për vdekje të parakohshme për shkak të ndotjes nga grimcat PM2.5. Këto grimca janë jashtëzakonisht të vogla, depërtojnë në gjak dhe janë të lidhura me sëmundje kronike si kanceri, goditjet në tru dhe sëmundjet e zemrës.

Përveç kësaj, çdo rritje prej pesë mikrogramësh në PM2.5 çon në rënie për një pikë në mesataren e notave të nxënësve, që për Kosovën përkthehet në një ulje potenciale prej 68 pikësh në suksesin shkollor të fëmijëve.

Ndotja e ajrit ndikon edhe në shëndetin e të rriturve. Në vitin 2024, mbi 17,000 raste të hospitalizimeve nga sëmundjet respiratore u regjistruan në Kosovë, një normë prej 990 raste për 100,000 banorë. Këto shifra tregojnë jo vetëm një krizë shëndetësore, por edhe një barrë financiare të konsiderueshme, me një kosto vjetore që tejkalon 350 milionë dollarë, sipas BB. 

Ndërkohë, të dhënat tregojnë se kontribuesit kryesorë në ndotjen e ajrit nuk janë vetëm termocentralet, transporti e aktiviteti industrial. Edhe ne si qytetarë ndikojmë në masë të madhe, përmes djegies së qymyrit dhe drurit për t’u ngrohur. Të dhënat nga monitorimi i ajrit tregojnë gjendje jo të mirë të ajrit edhe në qytete larg termocentraleve, si në Gjilan apo Pejë. Në Kosovë, 72% e familjeve përdorin dru për ngrohje dhe 37% për gatim, duke krijuar ndotje të ajrit brenda (e jashtë) shtëpisë që shkakton sëmundje kronike të mushkërive, sulme në zemër, probleme gjatë shtatzënisë, e deri te kataraktet dhe dëmtimet e syve.

Një tjetër burim i ndotjes së ajrit është gjendja alarmante me mbeturinat. Kosova gjeneron rreth 580,000 tonë mbeturina në vit, por vetëm 26% menaxhohen në mënyrë të sigurt, e vetëm 2.5% prej tyre riciklohen, ndërsa 746 deponi ilegale janë shpërndarë në gjithë vendin. Në këto deponi, mbeturinat shpesh digjen në mënyrë të pakontrolluar, duke liruar metan, një gaz serë shumë i fuqishëm që kontribuon në ndryshimet klimatike dhe ndotjen e ajrit. Kosova ka nivelin më të lartë të lirimeve metanit për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.

Pos metanit nga djegia e mbeturinave, djegia e pyjeve që liron PM2.5, grimca të dëmshme për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, ka vazhduar. Nga 2001 deri në 2023, Kosova ka humbur 17,350 hektarë mbulesë pyjore, prej të cilave 2,250 hektarë i ka humbur si pasojë e zjarreve.

Të gjitha këto fakte nuk janë thjesht numra — janë thirrje për veprim. Nuk mund ta pranojmë më një realitet ku ndotja e ajrit, mbeturinat, mungesa e gjelbërimit dhe infrastruktura e degraduar na i shkatërrojnë shëndetin dhe të ardhmen. Qytetet tona kanë nevojë për planifikim të qëndrueshëm, transport publik funksional, riciklim, politika klimatike të integruara dhe, mbi të gjitha, vullnet politik dhe qytetar për të mos lejuar që kjo situatë të normalizohet.

Deri më tani, institucionet publike kanë bërë tepër pak sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Ndërkohë që shteti i Kosovës grumbullon mesatarisht 300 milionë euro në emër të taksës mjedisore, taksë e cila mblidhet nga bizneset që shkaktojnë dëm në mjedis, në dy vitet e fundit janë investuar mesatarisht më pak se tetë milionë euro në mbrojtjen e mjedisit.

Dikur, grupi muzikor Gjurmët i këndonte “qytetit pa lum”, një metaforë e mungesës së gjallërisë dhe shpirtit urban në kohë të vështira. Sot, përveç mungesës së lumit, qytetet tona janë edhe pa gjelbërim, pa hapësira të shëndetshme publike dhe, më së keqi, pa ajër të pastër. Nuk jemi më vetëm viktima të një tranzicioni të tejzgjatur politik e ekonomik, por edhe viktima të një mjedisi që na sëmur përditë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0