Idea është e thjeshtë.
Anita e vogël do të shkonte me babin e saj, në një nga mëngjeset më relaksuese të së dielave të verës, në një aventurë interesante të trashëgimisë kulturore. Pas një udhëtimi me veturë për rreth 30 minuta nga Prishtina, ata do të arrinin në qytetin antik romak të Ulpianës.
Të pajisur me syze të realitetit virtual (RV), ata do t’i bashkoheshin një grupit të turistëve, të themi gjermanë, dhe do ta përcjellnin cicëronin. Varësisht nga të dhënat, të cilat do t’i merrnin nga arkeologët, ata do ta përjetonin qytetin antik ashtu siç ishte në shekullin e katërt apo të gjashtë dhe, kush e di, ndoshta do t’i shihnin disa projektime të qytetarëve dhe ushtarëve shumë origjinal duke i kryer detyrat e tyre.
Jo vetëm Anita e vogël, por sigurisht shumica e njerëzve të vegjël në këtë botë nuk do të ishin ngopur me gjëra të tilla.
Qyteti romak i Ulpianës, jo larg Prishtinës, së fundmi është restauruar, por idetë për ta ngjallur vendin për gjeneratën e ardhshme kanë mbetur ende si shpresa të cilat si duket vështirë mund të realizohen. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Por siç qëndrojnë gjërat tani, më me gjasë dyert e Ulpianës do të hapeshin atëherë kur të arrini, dhe nëse jeni me fat atë ditë, dikush ndoshta do të ju udhëzonte. S’ka syze RV, s’ka turistë gjermanë — dhe kjo vështirë se është aventurë interesante.
Sali Shoshi, drejtor ekzekutiv i Cultural Heritage Without Borders (CHWB), që ka ndihmuar me punët e ruajtjes dhe edukimit në këtë lokacion, thotë se ata duan të bëjnë një eksperiment të tillë, por duket i pasigurt se a do të kenë sukses apo jo.
Sidoqoftë, ai është i bindur që mësimet shkollore në të gjitha fazat e arsimit, si dhe ekskurzionet, duhet të ndryshojnë sa i përket eksplorimit dhe kuptimit të trashëgimisë nga e kaluara.
Sali Shoshi i Cultural Heritage Without Borders thotë se sa i përket qasjes së Kosovës ndaj trashëgimisë kulturore në gjysmë shekullin e fundit, pak ka ndryshime. Foto: Almir Mehmetaj / K2.0.
Sigurisht, ai mendon që trashëgimia kulturore është më shumë se ligjëratat me zë të bajatshëm dhe vizitat tek Lidhja e Prizrenit apo shtëpia e ish-Komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit.
“Trashëgimia kulturore mund të bëhet burim i pajtimit, bashkëjetesës… një katalizator për pranimin e ndryshimit; mund të jetë edhe faktor për zhvillim ekonomik”, thotë ai. “Është burim të cilin mund ta mendojmë si karrierë [të mundshme për të ardhmen], një element për të cilin realisht askush nuk diskuton”.
Por sipas Shoshit, shumë pak ka ndryshuar në 50 vitet e fundit në qasjen ndaj trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“E vizitova një herë Muzeun e Kosovës me disa fëmijë të parashkollores — djali im ishte njëri prej tyre”, thotë ai. “Dhe më kujtohet cicëroni që më tha ‘Ky është një artefakt nga shekulli i katërt Para Krishtit…’ — thuajse fëmiu e din çfarë janë ato sende!”
“Nuk kemi vende të tilla ku fëmijët janë pjesëmarrës dhe janë të përfshirë në mënyrë aktive në mësimnxënien e historisë".
Sali Shoshi, Cultural Heritage Without Borders
Në ditët e sotit është lehtë të mësohet për Akilin nga Hollywood-i, apo të mësohet për Zhan d’Ark apo fiset ilire në lojëra kompjuterike si “Civilization” apo “Age of Empires”. Dhe ka plot mundësi tjera për t’i mësuar fëmijët për trashëgiminë kulturore nëpërmjet shfaqjeve, performancave, lojërave dhe metodave tjera angazhuese.
“Kam parë plot muze në Perëndim ku e gjithë klasa e fëmijëve shkojnë dhe vetëm vizatojnë artefakte, nëpërmjet interpretimeve të tyre”, thotë Shoshi. “Ose shkojnë dhe mbajnë performanca”.
Në një vizitë të tillë, ai kujton ta ketë parë gjithë strukturën: fëmijë të vegjël me kostume të ushtarëve antik dhe lodra në formë të shpatave, shigjetave dhe shtizave.
“Ulpiana është vend i përkryer për performanca të tilla klasike. Aty mund të mundohemi ta kthejmë këtë lloj teatri të lashtësisë”, thotë ai. “Nuk kemi vende të tilla ku fëmijët janë pjesëmarrës dhe janë të përfshirë në mënyrë aktive në mësimnxënien e historisë. Nuk mund të mësojnë për ilirët apo romakët në klasë të pestë apo të gjashtë pa e patur mundësinë ta përjetojnë vet atë periudhë”.
Ngjallja e mësimeve
Personat përgjegjës për lokacionet e trashëgimisë kulturore nuk janë të vetmit që duhet ta rimendojnë mënyrën se si i angazhojnë vizitorët. Ekziston një kryqëzim i qartë me mënyrën se si trashëgimia kulturore trajtohet në shkolla.
Me sa duket shkollat e Kosovës, sipas projektimit institucional, nuk janë ende të afta për t’ua transmetuar nxënësve trashëgiminë kulturore në mënyrë kompetente.
Në kurrikulet shkollore, trashëgimia kulturore nuk ekziston si entitet i ndarë, por mësohet brenda tri lëndëve: histori, gjeografi dhe edukatë qytetare.
Dallojnë mënyrat se si shpjegohen temat e tilla nga mësuesit, të cilët në fund të fundit janë individë me idetë dhe metodat e tyre, dhe me ndjesinë e tyre të profesionalizmit. Por në një sektor shumë të kritikuar me plot sfida, nuk kemi nevojë ta zgjerojmë shumë imagjinatën për të supozuar se në shumë raste është e njëjta, e vjetra — mësuesit ligjërojnë, dhe nxënësit ëndërrojnë me sy të hapur.
Me sa duket fëmijët e Kosovës kanë apetit për punë ndërvepruese dhe angazhuese për trashëgiminë kulturore, por po mungon infrastruktura dhe prioritizimi. Foto nga Cultural Heritage WIthout Borders.
Pasi reflekton për pak kohë, Supije Zhitija, drejtoreshë e shkollës fillore Gjergj Fishta në Prishtinë, pranon se trashëgimia kulturore i ka vlerat e saj. Ajo mendon se arsyeja pse shkollat në përgjithësi nuk po i japin ndonjë vëmendje të veçantë mund të jetë sepse prioritetet tjera janë shtyer më fort, dhe në fund zëri më i lartë fiton.
“Duhet të jemi të sinqertë: trashëgimia kulturore ka mbetur pak prapa sepse ka shumë prioritete tjera, dhe shpeshherë varet se kush ngul këmbë më shumë”, thotë Zhitija. “Por ne do të përfitonim shumë nga theksimi i trashëgimisë kulturore, sepse janë shumë sende që lidhen në të — nga veshjet, traditat etj., — dhe nëse kërkojmë punë pjesëmarrëse nga fëmijët, ata mund të të befasojnë secilën herë”.
Ndjesia që fëmijët në Kosovë kanë apetit për mësimnxënie pjesëmarrëse përforcohet nga menaxheri i programit për kulturë të CHWB-së, Alban Morina, i cili ka qenë i përfshirë në projekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore me fëmijë dhe studentë të prejardhjeve të ndryshme.
“Nga treguesit që i kemi marrë gjatë punës me gjeneratat e reja, kemi parë se ato janë mjaft të sensibilizuara dhe për më tepër janë shumë të gatshëm të marrin pjesë në punë të trashëgimisë kulturore”, thotë Morina. “Vetëm infrastruktura ka nevojë të zhvillohet, në mënyrë që lokacionet në teren të jenë të gatshme për ta përfshirë rininë në trashëgimi kulturore”.
Njihe veten
Në mënyrë pasive dhe indirekte, ne vazhdimisht bashkëjetojmë me trashëgiminë kulturore, qoftë asetet e prekshme si monumentet, peizazhet apo artefaktet, apo kulturën e paprekshme që përbëhet nga folklori, muzika dhe traditat e tjera.
Artan Krasniqi, gazetar i kulturës në Koha Ditore i cili i ka mbledhur shkrimet e tij mbi këtë temë në një libër me gjashtë vëllime të quajtur “Monumentet”, thotë që lidhja e shoqërisë me trashëgiminë kulturore është shumë-dimensionale.
“Së pari është lidhja emocionale, sepse njerëzit kanë kujtime për objektet, për historinë e tyre, që transmetohen nga gjenerata në gjeneratë”, thotë ai. “Shumë monumente të trashëgimisë kulturore janë funksionale edhe në ditët e sotme, që do të thotë se kanë lidhje funksionale”.
Me fjalë tjera, Kosova duhet të kalojë kohë duke e njohur veten për t'ia treguar botës potencialin e saj të plotë.
Njerëzit ende luten në kisha dhe xhamia më shumë se 500 vjet të vjetra, apo jetojnë në kulla që janë gati poaq të vjetra, prandaj ai mendon se njerëzit e kuptojnë atë lidhje historike, arkitekturale dhe kulturore. Sidoqoftë, ai mendon se ende ka shumë punë për të bërë në lidhje me trashëgiminë kulturore.
“Thelbësore për secilën shoqëri është njohja e vetes”, thotë Krasniqi. “Kemi shembuj të fqinjve tonë të cilët nuk kanë trashëgimi kulturore dhe mundohen dëshpërimisht të krijojnë diçka nga grimcat e historisë për ta treguar si trashëgimi të tyre kulturore. Ndërsa ne sinqerisht kemi, por nuk e vlerësojmë sa duhet”.
Me fjalë tjera, Kosova duhet të kalojë kohë duke e njohur veten për t’a treguar botës potencialin e saj të plotë. Në këtë mënyrë, vendi jonë mund të tërheqë më shumë se disa turistë që vijnë kalimthi, dhe mund të vendoset në hartën e turizmit të Ballkanit, në të cilën është e qartë se ajo mungon, sipas Krasniqit.
“Nuk është faji i turistëve; ne nuk kemi bërë sa duhet për t’i thirrë ata që të vijnë në Kosovë, dhe për t’i mbajtur këtu më pas”, thotë Krasniqi. “Nëse nuk është ndonjë mashtrim [nga ana e bizneseve të hotelerisë] për t’iu shmangur taksave, atëherë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se gjysma e turistëve në Kosovë nuk qëndrojnë më shumë se dy ditë”.
Një tjetër problem me sa duket është që përderisa të paktën ata që punojnë në teren e kanë kuptuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore, kemi parë pak përpjekje të mirëfillta për ta lidhur atë me komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë. Krasniqi dhe Shoshi i CHWB-së të dy pajtohen se duhet të bëhet më shumë për t’i përfshirë të gjitha komunitetet e Kosovës dhe gjithashtu për të mësuar më shumë për trashëgiminë kulturore si pikë e bashkësisë, e jo e ndarjeve.
“Trashëgimia kulturore e Kosovës nuk i përket shqiptarëve, e as kishat ortodokse nuk i përkasin serbëve”.
Artan Krasniqi, gazetar i kulturës
Krasniqi thotë se në fund të fundit ne nuk duhet të mburremi për atë se cili monument apo trashëgimi shpirtërore është “i joni” dhe cili është “i atyre” për një arsye të thjeshtë:
“Trashëgimia kulturore e Kosovës nuk i përket shqiptarëve, e as kishat ortodokse nuk i përkasin serbëve, sepse nëse flasim për [vendbanimin parahistorik] Vlashnjen, nuk kishte as shqiptarë e as serbë. Gjatë kohëve kur u ndërtuan Patriarkati i Pejës apo Manastiri i Graçanicës nuk kishte serbë, vetëm njerëz ortodoksë. Paraardhësit shqiptarë ishin ortodoksë dhe paraardhësit serbë ishin ortodoksë”.
Sipas Shoshit, kjo është temë e ndjeshme e cila duhet të trajtohet me kudjes. Ai mendon se në veçanti duhet të kemi kujdes me ato që ua mësojmë fëmijëve tonë sepse ai nuk ka dëshirë që fëmiu i tij të rritet duke e ndjerë të njëjtën indinjatë si gjenerata e tij; nuk ka nevojë për të, lufta ka përfunduar.
“Historia nuk mund të fshihet”, thotë ai. “Por sidoqoftë, duhet të flasim për të në një mënyrë që reflekton drejt të ardhmes”.
Në vend se të jetë pikë e konfliktit, ai thotë se mund të jetë pikë e pajtimit, një arsye më shumë për të bashkëjetuar, dhe një pikë e vlerësimit të së kaluarës që tani ka rrjedhë në një trashëgimi kulturore të shumëllojshme në Kosovë.
Trashëgimia për të ardhmen
Megjithatë, për të zhvilluar biseda të tilla, një tjetër çështje duhet të zgjidhet parimisht: Si më së miri të garantohet dhe inkurajohet qasja publike në trashëgimi kulturore, njëkohësisht duke e ruajtur atë në mënyrë të përgjegjshme?
Deri sot, shumë pak përpjekje janë bërë për ta lidhur trashëgiminë kulturore me zhvillim ekonomik. Këto dyja po shihen si sfera të ndara që janë shumë larg njëra tjetrës. Në vend që të përdoret në mënyrë aktive trashëgimia kulturore si mundësi për të krijuar vende të qëndrueshme të punës, më shpesh trajtohet si “kosto” për kuletën publike dhe barrë fiskale për disa nga qytetarët më të varfër të Evropës.
Në buxhetin e vitit 2019, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i alokoi mbi 6 milino euro për trashëgiminë kulturore të Kosovës — më shumë se gjysma e të cilave u alokuan për shpenzime kapitale — por ajo shifër parashihet të bie në vitet e ardhshme. Burimet tjera të financimit aktualisht vijnë nga BE-ja dhe fondet tjera të huaja, si dhe nga departamentet kulturore të komunave.
“Duhet ta kemi një qasje të organizuar, e jo të kemi një qasje që na kërkon të gjejmë hartë apo thjesht të hymë në një lokacion pa e ditur sigurt ku është monumenti”.
Dr. Florina Jerliu nga Fakulteti i Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës kryen shumë punë të trashëgimisë kulturore me studentët, nga dokumentimi te resaturimi dhe konservimi, dhe mendon se nuk po i ipet rëndësi e mjaftueshme aspektit ekonomik të trashëgimisë kulturore. Ajo thotë se është një trend i përhapur për t’i bërë përsëri të gjitha monumentet në muze që zakonisht mbesin të zbrazët, dhe thotë që më shumë përpjekje duhet të bëhen për ta bërë trashëgiminë kulturore më të pavarur.
Për ta ilustruar filozofinë e saj, ajo thekson një shembull të një projekti që e ndërmorri Fakulteti vitin e kaluar në Janjevë, me mbështetje nga Ministria e Kulturës, në të cilin një gjeneratë e tërë shkuan dhe i renovuan rreth 15 shtëpi që ishin braktisur dhe ishin gati duke u rrënuar.
“Shkuam përsëri semestrin e ardhshëm për ta kryer pjesën e restaurimit, dhe arritëm ta krijojmë një ide për atë se çfarë stimuj ekonomik mund të kenë ata, sepse nuk mund t’i bëjmë muze”, thotë ajo. “Kështu që i përpiluam disa përqindje [vlerësime] për atë se cilat mund të shndrrohen në hostele, cilat në punishte të birrës apo furra të bukës, dhe sa mund të sjellin të hyra”.
Fshati Janjevë në Lipjan mendohet se daton nga shekulli 14-të dhe ka qenë subjekt i disa projekteve të restaurimit në vitet e fundit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Nga përvoja e saj në teren, si në qytetin antik të Ulpianës ku morri pjesë në punimet e fundit për restaurim dhe konservim, ajo thotë se është jetike të përcjellen ndërhyrjet e tilla me përpjekje për ta shtuar numrin e vizitorëve dhe mundësitë për qasje në lokacione të tilla.
“Duhet ta kemi një qasje të organizuar, e jo të kemi një qasje që na kërkon të gjejmë hartë apo thjesht të hymë në një lokacion pa e ditur sigurt ku është monumenti sepse nuk ka fare shenja”, thotë ajo. “Mund të duket e parëndësishme, por i ka dy efekte. Efekti që orientimi të udhëzon për të parë diçka [dhe ta mundëson këtë] në përputhje me një itinerar të caktuar”.
Jerliu beson se hapi i ardhshëm logjik do të ishte ndjekja e shembullit të Ministrisë së Bujqësisë, e cila i subvencionon nismat për bujqësi të shkallës së vogël. “Pse mos ta bëjë Ministria e Kulturës të njëjtën gjë për nisma të vogla lokale?”, pyet Jerliu, dhe jep një shembull të një “shtëpie të vogël të flisë”.
Një nismë e tillë do të kërkonte një subvencion të vogël për një furrë që bën vetëm fli, ushqim i pëlqyer si nga vendasit, ashtu edhe nga vizitorët; zakonisht ata që e hanë ankohen që u është fryrë barku, e kanë pirë një lum ujë, dhe nuk mund të flenë, por prapëseprapë thonë që do ta hanin prapë, sepse me sa duket ndonjëherë shpërblimi ia vlenë përkundër pasojave.
Profesoresha e arkitekturës Dr. Florina Jerliu beson se duhet të bëhet më shumë për ta lidhur trashëgiminë kulturore me mundësitë për zhvillim ekonomik. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.
Jerliu, Shoshi dhe ekspertët e tjerë të terenit të gjithë pretendojnë që trashëgimia kulturore mund të prodhojë plot vende të punës — si shoferë autobusi, cicëronë, shitës birrash, pozita të hotelerisë, arkitektë, arkeologë — dhe efekte tjera të lidhura ekonomike, si nxitja e turizmit dhe zhvillimi i bizneseve të vogla. Por ekziston një frustrim i qartë që kur po përpilohen planet për “zhvillim ekonomik” mundësitë e tilla me sa duket po shpërfillen, harrohen apo thjesht nuk po kuptohen.
“Ta marrim për shembull një qytet si Prishtina, ku tash e 20 e vite idea e zhvillimit ishte që nuk është e rëndësishme të ruhet zona historike sepse duhet ta prioritizojmë zhvillimin”, thotë Jerliu, e cila i referohet ndërtimit të pandalshëm që ka ndodhur nga fundi i luftës. “Ata nuk e kuptojnë që perspektiva e zhvillimit mund të ndodh nëpërmjet ekonomizimit turistik të zonës historike. Ata i ndajnë këto sende”.
Aktualisht, elementet përbërëse të trashëgimisë kulturore janë të ndara ndërmjet disa institucioneve — si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe departamentet e ndryshme brenda komunave — dhe ka pak koordinim efektiv ndërmjet tyre, thotë Jerliu.
Politikanët dhe agjendat e tyre të fundit janë të lëvizshme dhe të përkohshme. Trashëgimia kulturore, sipas vet definicionit të saj, ka jetëgjatësi.
Së fundmi, profesoresha e arkitekturës e formoi një pjesë të ekipit të ekspertëve dhe zyrtarëve qeveritarë për ta përpiluar Strategjinë Kombëtare të Kosovës për Trashëgimi Kulturore 2017-2027, e cila është plot qëllime të mira për ta prioritizuar “qëndrueshmërinë” dhe “vlerat socio-kulturore, ekonomike” të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Por sado që i kanë qëllimet e mira, strategjitë janë disi të pakuptimta pa zbatim efektiv.
Ende është relativisht herët në atë plan 10 vjeçar, por Jerliu thotë që sinjalet tregojnë që mbetet kryesisht vetëm si diçka e shkruar.
Historia e fundit tregon gjithashtu se vëmendja për trashëgiminë kulturore shtohet në Kosovë kur është në pyetje anëtarësimi në UNESCO — thuajse ka rëndësi vetëm kur thotë politika e përditshme.
Por politikanët dhe agjendat e tyre të fundit janë të lëvizshme dhe të përkohshme. Trashëgimia kulturore, sipas vet definicionit të saj, ka jetëgjatësi, vlera dhe kalohet nga gjenerata në gjeneratë.
Dhe nëse gjenerata e sotme janë vetëm mbrojtës që po e ruajnë thesarin, ne duhet të sigurohemi që kjo trashëgimi është e qasshme, që mund të ndërveprojmë me të dhe t’i japim kuptim në mënyrë që stërnipët/mbesat e Anitës — dhe stërnipët/mbesat e tyre — mund ta kuptojnë se kush janë.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia