Në thelb | Politika

Çfarë opsionesh patën serbët e Kosovës?

Nga - 25.10.2017

Monopoli politik i Listës Serbe që mbështetet nga Beogradi.

Kur dolën rezultatet e zgjedhjeve lokale, që u mbajtën të dielën me 22 tetor, rrallë kush u befasua që Lista Serbe përsëri dominoi në të gjitha komunat me shumicë serbe. Në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2013, paraardhësit e kësaj partie Nisma e Qytetarëve Serbe, fituan shtatë nga 10 komunat me shumicë serbe. Këtë vit, Lista Serbe ka fituar në raundin e parë në nëntë komuna dhe ka shkuar në balotazh vetëm në Kllokot, ku udhëheq me 42 përqind të votave.

Javën e kaluar gjatë kampanjës elektorale, zyrtarët nga qeveria e Serbisë e përsëritën thirrjen e tyre të kahmotshme, që serbët e Kosovës duhet të votojnë për Listën Serbe, entitet politik i formuar para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014. “Lista Serbe nuk është vetëm parti, por është projekt shtetëror”, tha për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) drejtori i të ashtuquajturës Zyrës së Serbisë për Kosovë dhe Metohi, Marko Gjuriq.

E pritur ishte që një qasje e tillë të dënohej nga partitë opozitare shqiptare në Kosovë. Ato vazhdimisht kanë folur kundër kontrollit të Beogradit mbi serbët e Kosovës nëpërmjet Listës Serbe, duke theksuar se ndikimi i jashtëm mbi partitë që përdorin pozitën e tyre kushtetuese për ta penguar shtetësinë e e Kosovës është dëmtim i sovranitetit të vendit. Ata i theksojnë gjithashtu si shembuj primarë çështjet si refuzimi i Listës Serbe për ta mbështetur formimin e ushtrisë së Kosovës, meqë zyrtarët qeveritarë të Serbisë vazhdimisht kanë thënë para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit se vetëm Lista Serbe do të garantonte bllokimin e këtij hapi.

Por ndërhyrja e Beogradit është pritur me kritika brenda spektrit politik të serbëve të Kosovës. Oponentët aludojnë se Beogradi është duke i shfrytëzuar lidhjet historike që ekzistojnë ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Beogradit, si dhe lidhjet e vazhdueshme ekonomike. Qeveria e Serbisë vazhdon të investojë në zona të Kosovës në të cilat jetojnë serbët – veçanërisht në veri – për t’i ruajtur sistemet funksionale të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe për t’u paguar pensionet shumë qytetarëve. Në prill të vitit 2017, u raportua se 8,327 pensione u shpërndanë nga Beogradi për serbët e Kosovës, ndërsa qeveria e Serbisë është duke paguar gjithashtu mijëra rroga të sektorit publik në Kosovë.

“Nëse dikush i cili merret me çështjen e Kosovës në qeverinë serbe thotë ‘Vetëm Lista Serbe i përfaqëson pikëpamjet e Serbisë dhe vetëm Lista Serbe mund të bashkëpunojë me Serbinë, dhe nëse dikush tjetër fiton rastësisht, ne nuk do të bashkëpunojmë me ta’ - kjo është idiotësi!"

Oliver Ivanoviq

Oponentët thonë se mbështetja e qeverisë serbe për një parti i jep Listës Serbe një avantazh të padiskutueshëm, e kështu dëmtohet demokracia dhe mundësitë për konkurrencë të drejtë.

Oliver Ivanoviq, i cili ishte kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut nga radhët e Iniciativës Qytetare Serbi, Demokraci, Drejtësi, ankohet se fushata nuk është e barabartë për shkak të mbështetjes së hapur që Beogradi i jep Listës Serbe. “Jemi duke i dërguar mesazh Beogradit: ‘Dëgjoni, edhe ne jemi serbë’”, tha Ivanoviq për K2.0 më herët gjatë fushatës zgjedhore.

“Kemi të drejtë për pikëpamje tjera. Pikëpamjet tona janë ndryshe nga ato tuajat, por kjo nuk ka rëndësi… nëse dikush i cili merret me çështjen e Kosovës në qeverinë serbe thotë ‘Vetëm Lista Serbe i përfaqëson pikëpamjet e Serbisë dhe vetëm Lista Serbe mund të bashkëpunojë me Serbinë, dhe nëse dikush tjetër fiton rastësisht, ne nuk do të bashkëpunojmë me ta’ – kjo është idiotësi!”

Ai ngul këmbë se nuk do të lejojë që ta përdorin ata që po mundohen ta ushtrojnë ndikimin e tyre, dhe se do ta përcjell drejtimin të cilin ai mendon se është i duhuri. “Nuk do të lejoj që të përdorem si përparësi nga dikush”, tha Ivanoviq. “Do të bëj diçka për t’i përmirësuar jetët e qytetarëve këtu”.

Por javën e kaluar, ndonëse e lëvdoi Listën Serbe në RTS, Gjuriq vazhdoi t’i denonconte kundërshtarët e saj, veçanërisht Ivanoviqin. “Jam i bindur se qytetarët e Kosovës nuk do ta mbështesin politikën e Oliver Ivanoviqit, meqë nuk kanë sjellur asgjë të mirë”, tha Gjuriq.

Ivanoviq ishte kandidati i cili kishte më së shumti mundësi për ta sfiduar kryetarin aktual të komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili mbështetej nga Beogradi dhe garonte për mandatin e dytë të cilin edhe e fitoi pa balotazh. Rakiq i fitoi zgjedhjet në rrethana të diskutueshme në zgjedhjet e kaluara. Ishin zgjedhjet e para në të cilat morën pjesë serbët e Kosovës. Kolegu i Rakiqit, Krstimir Pantiq, ishte deklaruar si fitues i zgjedhjeve që pjesërisht ishin përsëritur më 1 dhjetor, 2013, pasi balotazhi i parë i nëntorit ishte njollosur nga dhuna dhe frikësimi i votuesve. Por kur u betua, ai refuzoi njohjen e simboleve shtetërore të Kosovës.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën në shkurt të vitit 2014, Ivanoviq u mposht përsëri – doli i dyti. Por ndërkohë edhe ai ishte bërë burim i polemikave, meqë ishte arrestuar një muaj më parë si i dyshuar për krime të luftës. Më vonë ai u gjet fajtor, por më pas bëri apel të suksesshëm për rigjykim, që ende nuk është mbajtur; Ivanoviq vazhdimisht ka pretenduar se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht, por kur K2.0 i kërkoi ta shtjellonte më tej këtë pretendim, ai refuzoi.

Në zgjedhjet e kaluara lokale, Ivanoviq humbi ndaj Rakiqit – i pari fitoi 28 për qind, ndërsa i dyti 53 për qind të votave. Në një klimë të dhunës dhe thirrjeve për bojkotim nga disa qarqe të caktuara, vetëm 18 për qind e popullsisë së Mitrovicës së Veriut doli për të votuar, ndërsa në katër komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrja arriti mbi 25 për qind. Sidoqoftë, ai beson se mund të fitojë të dielën, pa marrë parasysh sfidën e madhe që e pret.

Pas fushatës kaotike të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, e njollosur me akuza të kërcënimeve dhe frikësimit, edhe fushata aktuale është karakterizuar me afera të tensionuara, meqë partitë opozitare përsëri po ankohen për “shantazhim dhe frikësim” të qytetarëve serbë nga Lista Serbe.

Oliver Ivanoviq, kandidati i Nismës së Qytetarëve SDP për Mitrovicën e Veriut, beson se mbështetja e Beogradit për Listën Serbe krijon konkurrencë të padrejtë. Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.

Më herët gjatë fushatës, katër kandidatë për asamble lokale nga Nisma e Qytetarëve SDP, partia e Ivanoviqit, u tërhoqën nga fushata në rrethana të paqarta. Megjithatë, Ivanoviq beson se arsyet për tërheqjen e tyre janë të qarta dhe thekson letrën e dorëheqjes që u shkrua nga njëri prej kandidatëve dhe u dërgua në Komisionin Qendror Zgjedhor. Kandidati që dha dorëheqje i nxiti qytetarët ta mbështesin Listën Serbe, meqë sipas tij janë “njerëzit e vetëm që luftojnë realisht dhe sinqerisht për mbijetesën e serbëve”. “E qartë është se dikush ndikoi te këta njerëz”, tha ai. “Si? U shantazhuan dhe u kërcënuan shumë”.

Kjo situatë u bë edhe më e tensionuar më herët gjatë javës së kaluar kur Ivanoviq ishte duke marrë pjesë në një debat për zgjedhjet lokale në transmetuesin privat televiziv TV Kim në Zveçan. Papritmas u ndërpre transmetimi pasi ishte prerë një kabllo. “Në këto rrethana, kur të reduktohet hapësira në media, çfarë mund të bëjmë?”, u ankua Ivanoviq në bisedë me K2.0. “Si ta përçojmë mesazhin tonë në media?”

Akuzat nga Ivanoviq kundër Listës Serbe u përfshinë edhe në slloganin e SDP-së për zgjedhjet e sivjetme lokale: “Bëhuni të guximshëm për një moment apo jetoni me frikë për katër vitet e ardhshme”.

K2.0 kontaktoi me Listën Serbe për të marrë reagimin e tyre ndaj akuzave, por nuk ata nuk u përgjigjën.

Ndryshimi i marrëdhënieve

Ndonëse Ivanoviq është kritik ndaj rolit që e luan Beogradi në politikën e Kosovës, ai prapëseprapë beson se ata duhet të jenë të përfshirë në “çështjet madhore”. Ndërsa Nenad Radosavljeviq, që garonte si kandidat nga radhët e Inicijativës Drejtësia Popullore për zgjedhjet lokale në Leposaviq, jo vetëm që e kritikon mbështetjen e Beogradit për Listën Serbe, por beson se Serbia nuk duhet të ndërhyjë fare në punët e serbëve të Kosovës. “Si serbë në Kosovë ne duhet të kemi negociata të drejtpërdrejta me shqiptarët, e jo nëpërmjet Beogradit”, thotë ai.

Radosavljeviq, i cili ishte kryetar i komunës së Leposaviçit në periudhën 2001-02, nuk as që besonte se do t’i fitojë zgjedhjet këtë herë, meqë kandidati i Listës Serbe është favorit dhe doli të jetë ashtu. Megjithatë, ky politikan me përvojë që vjen nga qyteti më verior në Kosovë ka motive tjera në lidhje me këtë garë.

“Ideja ime nuk është t’i fitoj zgjedhjet e ardhshme. Por dua t’i hap sytë popullit – serbëve të Kosovës dhe popullit të Serbisë, të cilët me sy të mbyllur e pranojnë çka thotë Beogradi për jetët e tyre”, thotë ai. “Misioni im është t’ia shpjegoj popullit tim se si duhet të jenë të inkurajuar dhe të thonë atë që është në interesin tonë, dhe si të veprojnë në këtë drejtim… dua t’u shpjegoj atyre këtë presion që e kemi në veri, dhe të kërkoj që të luftojmë për më shumë liri, e për të mos qenë të kontrolluar nga Beogradi”.

Nenad Radosavljeviq nuk besonte se kishte mundësi reale për t’i fituar zgjedhjet lokale në Leposaviq, por ai garoi për ta përçuar një mesazh se ka serbë që përfaqësojnë pikëpamje më ndryshe nga ato të Listës Serbe. Foto: Eraldin Fazliu / K2.0.

Radosavljeviq shpjegon se si më parë ishte ftuar për të qenë pjesë e Listës Serbe, dhe si e ka refuzuar këtë ofertë menjëherë. “Edhe mua më thirrën, por nuk dua të jem pjesë e diçkaje që krijon vetëm gjëra të këqija për qytetarët tanë”, thotë ai. “Ne do të jemi pjesë e Kosovës dhe unë nuk e shoh si problem këtë”.

Megjithatë, qëndrimi i Radosavljeviqit është mjaft i rrallë në mesin e përfaqësuesve serbë, të cilët në përgjithësi i theksojnë lidhjet e fuqishme ndërmjet serbëve në Kosovë dhe Serbisë. “Serbët e Kosovës janë shumë të varur nga Serbia, jo vetëm financiarisht – kanë edhe lidhje shumë të fuqishme historike”, shpjegon Miodrag Miliceviq, drejtor ekzekutiv i organizatës Aktiv, OJQ me seli në Mitrovicë që merret me angazhimin civil. “Serbët e Kosovës janë gjithmonë të përkushtuar ndaj Serbisë për shkak të historisë dhe lidhjeve tjera. I dëgjojnë rekomandimet e liderëve të Serbisë, të cilët u tregojnë për kë duhet të votojnë”.

Prej fundit të luftës, pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës kanë treguar një tendencë për ta parë Serbinë si mbrojtëse të të drejtave të tyre në Kosovë; dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit – i cili nisi në vitin 2011, tre vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe ndërmjetësohet nga BE-ja – ka shërbyer si vazhdimësi e kësaj sitaute, meqë Serbia ka folur në emër të tyre.

Megjithatë, ndonëse marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar në parim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka bërë shumë pak për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike, ajo ka ndikuar shumë në spektrin politik serb në Kosovë, duke e fuqizuar Listën Serbe. Më 19 prill, 2013, pas nënshkrimit të marrëveshjes që premton formimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, Beogradi i nxiti serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë për herë të parë – si dhe ta mbështesin Listën Serbe.

“Në ditë të sotit, meqë jemi katër vite më vonë, shumë njerëz mendojnë se të gjithë po i ndihmojnë Listës Serbe që ta monopolizojë spektrin politik, duke mos lënë hapësirë për forca të tjera politike, e duke mos lejuar që ato t’i shprehin politikat e tyre”, thotë Miliçeviq.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte po të formonim qeveri të re në Prishtinë dhe qeveri të re në Beograd”.

Sanja Sovrliq, gazetare

Ai mendon se kjo mbështetje e hapur për një parti që ka lënë shumë pak hapësirë për partitë tjera u shtron disa pyetje legjitime përfaqësuesve të tjerë serbë: “Pse janë serbët e tjerë më të mëdhenj se ne? A janë më serbë se ne?”

Miliçeviq beson se Beogradi nuk është i interesuar t’i dëgjojë pikëpamjet e tjera të serbëve të Kosovës, meqë po të kishte më shumë parti përfaqësuese, do të ishte më vështirë ta ushtronin kontrollin e tyre. Një entitet i unifikuar bën që të kenë më pak kokëçarje. “A keni parë së fundmi ndonjë protestë në mesin e komunitetit serb kundër politikave të partive udhëheqëse në Serbi në relacion me Kosovën?” pyet Miliçeviq në mënyrë retorike. “Nuk besoj. Nuk keni parë kundërshtim”.

Në anën tjetër, me sa duket qeveria e Kosovës nuk ka mundësi e as vendosmëri të ndikojë në këtë proces. Në marrëveshjen e vitit 2013 me Beogradin, Kosova u fokusua më së shumti në shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë ne veri, që të inkuadrohet nën jurisdiksionin e Kosovës kjo pjesë e vendit; ata mund ta kenë aleat të fuqishëm Listën Serbe, meqë është parti e cila ushtron kontroll politik në teren.

Lista Serbe tashmë është partnere në nivelin qendror të qeverisë së Kosovës. I ka tre ministra dhe nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u siguron atyre veto efektive për shumë procese të cilat kërkojnë shumicë e 2/3 nga përfaqësuesit e komunitetit serb. Në klimën aktuale, me sa duket ka pak hapësirë për pikëpamje të tjera të serbëve në Kosovë.

Sanja Sovrliq, gazetare e RTV MIR në Leposaviq, beson se mundësitë për demokraci të pastër dhe pluraliste janë minimale në një të ardhme së afërt. Ajo thotë se zgjedhjet dhe proceset demokratike të së ardhmes varen nga ndryshimet demokratike në Beograd dhe Prishtinë.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte po të formonim qeveri të re në Prishtinë dhe qeveri të re në Beograd”, thotë Sovrliq. “Jo Vuçiq, Thaçi e Haradinaj. Nuk e di kush, por definitivisht njerëz të cilët duan ta mbështesin demokracinë dhe lirinë e mediave. Demokracia në veri të Kosovës varet nga ndryshimet në Beograd dhe Prishtinë”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO