S`fundmi | Sports

Futbolli kthehet në shtëpi me Fadilin

Nga - 11.09.2018

Kosova luan ndeshjen e parë garuese në Prishtinë, përkujton burrin që e mundësoi atë.

Ndodhi më në fund. Dhjetë vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë dhe më shumë se dy vjet pas pranimit në UEFA, Kosova e luajti ndeshjen e parë garuese ndërkombëtare në tokë të Kosovës.

Pasi e kaloi gjithë fushatën e kualifikimit për Kupën Botërore 2018 duke luajtur ndeshjet si nikoqir në Shkodër, më 10 shtator Kosova e luajti ndeshjen e parë si nikoqir në turneun e ri të UEFA-s, Liga e Kombeve, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, kundër Ishujve Faroe.

Ndonëse pjesa e parë ishte më e shkretë dhe e sikletshme dhe dukej se rëndësia e ngjarjes ndikoi tek fluiditeti i lojës ofanzive të ekipit nikoqir, në fillim të pjesës së dytë Kosova i shënoi dy gola dhe kështu shënoi një fitore historike 2-0.

Loja morri një karakter tragjik për shkak se burri sipas të cilit është emëruar stadiumi nuk ishte aty për ta parë ndeshjen. Fadil Vokrri, ish-presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, i cili luajti rol të madh për njohjen dhe pranimin e federatës në FIFA dhe UEFA, fatkeqësisht ndërroi jetë në qershor në moshën 57 vjeçare.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ekipi nikoqir doli në fushë me fanela ‘Vokrri, 9’. Pasi shënoi golin e parë në minutën e 50-të, Arbër Zeneli vrapoi deri te banka rezervë e Kosovës dhe e ngriti lart njërën prej këtyre fanelave, në mesin e lojtarëve të tjerë të cilët po e festonin golin.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Para kësaj, në minutën e nëntë të pjesës së parë, pankarta të shkruara ‘Vokrri, 9’ u ngritën lartë nga publiku, ku pastaj grupi ultras i Kosovës Dardanët, e shpalosën një tifo në të cilën shkruante “our hero” (heroi ynë). Emrin e ish-sulmuesit të Prishtinës, Partizanit të Beogradit dhe Jugosllavisë e kënduan gjatë gjithë lojës. Kështu u siguruan që Vokrri të ishte i pranishëm. Kjo sigurisht do të kishte qenë një prej netëve që do ta kishte bërë atë më së shumti krenar.

Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës Bernard Challandes, i cili i ka fituar katër nga pesë ndeshjet e tij të para pa pranuar asnjë gol, ja kushtoi fitoren Vokrrit. Ndërsa trajneri i Ishujve Faroe, Lars Olsen, tha për K2.0 se rëndësia e kësaj ndeshje definitivisht e bëri ndeshjen më sfiduese për ekipin e tij.

Ekip i ri në një garë të re

Turneu i ri i UEFA-s u prit me huti nga shumë tifozë të futbollit për shkak të formatit të ndërlikuar të tij, por Liga e Kombeve i ofron futbollit kosovar më shumë se mundësinë për ta luajtur ndeshjen e parë historike si nikoqir dhe për ta përkujtuar ish-presidentin.

Hyrja e Kosovës në UEFA dhe fushata e vështirë e kualifikimit për Kupën Botërore 2018 e ka lënë Kosovën në vendin 141 në renditjet e FIFA-s, e 50-a nga 55 anëtarët e UEFA. Renditja e ulët do të thotë që Kosova pashmangshëm do të përballet me një detyrë herkuliane për t’u kualifikuar në Euro 2020, kur të tërhiqet shorti për garën kualifikuese në dhjetor.

Megjithatë, Kosova ka siguruar vendin në radhën e katërt dhe të fundit të Ligës së Kombeve, në Ligën D, specifikisht në grupin 3, përkrah Azerbajxhanit, Maltës dhe kundërshtarëve të natës së mbrëmshme, Ishujve Faroe. Nëse e fiton grupin, Kosova ngritet në Ligën C dhe kështu ka mundësi të ngritet edhe në renditje, për t’u përballur me një kalibër më të lartë të kundërshtarëve në edicionin e ardhshëm të garës.

Por turneu i sivjetshëm gjithashtu ofron mundësinë për t’u kualifikuar par Kampionatin Evropian në vitin 2020. Katër ekipet me rekordet më të mira në katër Ligat e Kombeve të cilat më vonë nuk arrijnë të kualifikohen për Euro 2020, do të hyjnë në një play-off turne në mars të vitit 2020, për të garuar për një nga katër vendet e fundit. Pra, Kosova i ka dy mundësi për të hyrë në këtë turne.

Ka kaluar një kohë e gjatë deri sa Kosova ka arritur në këtë fazë – pra ku luan ndeshjet si nikoqir brenda vendit dhe ku vendet në turne të mëdha duken të arritshme, e jo fantazi të parealizueshme. Fakti që do të luajnë në vendlindje sigurisht se do t’u ndihmojë lojtarëve në përpjekjet e tyre për kualifikim. Vonesat teknike, mungesa e qeverisë, rregullat e rrepta të UEFA-s të gjitha kanë kontribuar në vonimin e arritjes së Kosovës në këtë aspekt.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Apetiti i publikut kosovar për ndeshje ndërkombëtare me sa duket vetëm është shtuar nga kjo vonesë, meqë biletat për ndeshjen e mbrëmshme u shitën brenda disa orëve. Dhjetëra mijëra shikues që ishin në publik brohoritën shumë kur Zeneli dha golin e parë, dhe ato brohoritje u ndihmuan lojtarëve vendas, të cilët e shënuan të dytën golë nëpërmjet Atdhe Nuhiut, pesë minuta më vonë.

Publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti për secilin lojtar që u zëvendësua. Netët si kjo në Prishtinë sigurisht do t’i ndihmojnë Kosovës për të tërhequr lojtarë të talentuar që kanë të drejtë të luajnë për disa ekipe kombëtare. Çështjet e identitetit gjithmonë përmenden në ndeshjet ku është i përfshirë ekipi kombëtar i Kosovës, por ja vlenë të përmendet se në stadiumin e mbushur plot shihej më shumë e kaltërta dhe e verdha e flamurit të Kosovës, se e kuqja dhe e zeza e Shqipërisë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por ngjyra që e definoi natën ishte e bardha e maicave që iu përkushtuan Vokrrit. Sulmuesi ishte në fushë për një prej ndeshjeve më të paharrueshme që janë luajtur në Prishtinë, kur ekipi nga kryeqyteti e mposhti Partizanin e Beogradit në Ligën e Parë të Jugosllavisë para 40,000 njerëzve në vitin 1986.

Mbrëmë, ai ishte përgjegjës për krijimin e më shumë kujtimeve të pashlyeshme të futbollit në Kosovë, kur ekipi më i ri ndërkombëtar i UEFA-s doli në vendin e parë të grupit në garën më të re ndërkombëtare. Në një parullë anash fushës shkruante se Fadili ende po na shikon. Shpresojmë se po.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.