Shkurt | LGBTI

Refuzohet kërkesa historike për ndryshim të emrit dhe gjinisë

Nga - 17.05.2018

Aktivisti zotohet se do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore që i ka në dispozicion.

Kërkesa e parë e bërë nga një person transgjinor në Kosovë për ndryshim të emrit dhe gjinisë në dokumentet e tij të identifikimit është refuzuar. Blert Morina e dorëzoi kërkesën për ta ndryshuar emrin në çertifikatë të lindjes, letërnjoftim dhe pasaportë, nga ‘Blerta’ në ‘Blert’, si dhe për ta ndryshuar gjininë nga F (Femër) në M (Mashkull). Këtë kërkesë ai e bëri muajin e kaluar tek Zyra e Regjistrit Civil në qytetin e tij të lindjes, në Gjakovë.

Por më herët gjatë kësaj jave, Blerti u informua nga Drejtorati për Punë të Përgjithshme Administrative brenda Zyrës së Regjistrit Civil të Gjakovës, se kërkesa e tij ishte refuzuar. Ky vendim u lëshua pas një rekomandimi negativ nga Komisioni brenda Agjencisë së Regjistrit Civil, një organ brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili ka për detyrë të bëjë rekomandime për kërkesa.

Blertit iu caktua gjinia biologjike femërore në lindje, por ai identifikohet si burrë në të gjitha sferat e jetës, nga familja dhe rrethi shoqëror, e deri te vendi i punës. Ai e kishte dorëzuar kërkesën për të përshtatur dokumentet me identitetin e tij, në përpjekje për të gëzuar përfshirje të plotë në shoqëri, pasi që kjo mospërputhje ka bërë që ai të përjetojë diskriminim të vazhdueshëm në jetën e tij të përditshme.

Blert Morina kërkoi ta ndryshonte emrin dhe seksin në dokumentet e tij zyrtare. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në një kërkesë gjashtë faqëshe që e dorëzuan tek zyrtarët, Blerti dhe përfaqësuesja e tij ligjore shpjeguan se si dokumentet aktuale të identifikimit, e pengojnë atë në shumë aktivitete të jetës së përditshme, prej qasjes në institucione e deri tek bankat – në çfarëdo kohe dhe rrethana në të cilat ai detyrohet t’i shfaq dokumentet e tij të identifikimit. Veçanërisht i theksojnë përvojat e pakëndshme të Blertit secilën herë kur kalon kufirin, ku i duhet tu nënshtrohet hetimeve të hollësishme si rrjedhojë e faktit që identiteti gjinor të cilin ai e shpreh nëpërmjet pamjes së jashtme, nuk përputhet me seksin dhe emrin në dokumentet e tij të identifikimit.

“Kur iu referuam integrimit në shoqëri, iu referuam pengesave të cilat i ballafaqojmë në jetën e përditshme, sepse fatkeqësisht paragjykimet ndodhin në një shkallë të lartë në shoqërinë tonë, dhe normat e vendosura janë të rrënjosura thellë, ku domosdoshmërisht duhet të adaptohesh në mënyrë që të funksionosh më lehtë”, thotë Blerti. “Kur pamja e personit nuk përputhet me dokumentet e tij, ky funksionim bëhet shumë i vështirë”.

Kërkesë për bazë ligjore

Si bazë për ndryshimin formal të emrit dhe gjinisë në dokumentet zyrtare të identitetit të Blertit, aplikimi i tij i referohet Urdhërit Administrativ për Kushtet dhe Procedurat për Ndryshimin dhe Përmirësimin e Emrave Personal, veçanërisht dispozitës që thotë: ‘Emri personal e pengon integrimin e personit në shoqëri’.

Megjithatë, në vendimin zyrtar citohet një rekomandim i Komisionit të Agjencisë së Regjistrit Civil, duke deklaruar se aplikacioni nuk i ka përmbushur kushtet e Urdhërit Administrativ. “Komisioni ka vlerësuar se arsyeja e ofruar nga parashtruesja e kërkesës nuk qëndron… pasi që emri ‘Blerta’ nuk e pengon integrimin e personit në shoqëri”.

Vendimi i cili e refuzoi kërkesën e Blert Morinës për ndryshim të emrit dhe gjinisë në dokumentet e tij zyrtare ofron shumë pak hollësi. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Rina Kika, avokate e të drejtave të njeriut e cila e përfaqëson Blertin, thekson se nuk është ofruar ndonjë shpjegim apo arsyetim shtesë për atë se si Komisioni arriti deri tek rekomandimi i tij. “Nuk e kanë argumentuar pse nuk i pengon [Blertit]”, thotë ajo. “Si e arsyetojnë? Si mund ta refuzojnë një kërkesë gjashtë faqëshe me argumentime ligjore, vetëm me një arsyetim të thjeshtë, se nuk e pengon integritetin e një personi në shoqëri?”

Kika, e cila thotë se tani e ka referuar rastin tek Avokati i Popullit të Kosovës, thotë se mungesa e argumentimeve të mëtejme ligjore është e papranueshme. “Nuk mund të thonë thjeshtë: ‘Jo, ky person nuk i përmbush kërkesat”, thotë ajo. “Cili kusht nuk po përmbushet? Si matet ai kusht? Si matet integrimi i një personi në shoqëri?”

Edhe më parë, aktivistët e LGBTI-së i kanë shprehur shqetësimet e tyre sa i përket kërkesave të ndryshimit të gjinisë në dokumente të identifikimit. Institucionet mund të mos i kenë të qarta veprimet që duhet të ndërmerren, për shkak se nuk ka ndonjë udhëzim specifik administrativ që e përcakton qartë këtë proces. Megjithatë, Rina konsideron se i njëjti Udhëzim Administrativ që përdoret për ndryshim të emrave, është po aq i mjaftueshëm për ndryshim të gjinisë në dokumente të identifikimit dhe se nuk ka arsyetim ligjor që e parandalon këtë.

“Struktura ligjore është gjithëpërfshirëse dhe mungesa e një udhëzimi specifik administrativ nuk është arsye për refuzim të kërkesës për ndryshim të gjinisë në dokumente të identifikimit”, thotë Kika. “Dhe ne i kemi prezantuar këto baza [legjislative] kur e kemi dorëzuar kërkesën”.

Avokatja e të drejtave të njeriut, Rina Kika, thotë se ajo dhe Blerti janë të përgatitur për t’i ndërmarr të gjithë hapat ligjor për ta ndryshuar emrin dhe gjininë e Blertit në dokumentet e tij të identifikimit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Si në bazën ligjore të prezantuar në kërkesë, Kika theksoi Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, të cilët e njohin identitetin gjinor. Kërkesa gjithashtu iu referua Konventave Ndërkombëtare të cilat e obligojnë shtetin për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët dhe për t’i trajtuar ata në mënyrë të barabartë, gjegjësisht Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventës Ndërkombëtare për të Drejta Civile dhe Politike, dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut –  ku të trija janë të zbatueshme në Kosovë. Gjithashtu, iu referua vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë të obligueshme dhe të aplikueshme në Kosovë sipas Nenit 53 të Kushtetutës.

“Vendimin e konsideroj diskriminues dhe do t’i përdorim të gjitha masat ligjore që i kemi në dispozicion për ta arritur pikën ku Blerti do t’i gëzojë të drejtat të cilat i përkasin”, thotë Kika. Ajo shton se do ta dorëzoj ankesën në Agjencinë e Regjistrit Civil dhe nëse do të ketë nevojë, ajo dhe Blerti janë të përkushtuar që ta çojnë rastin nëpër të gjitha shkallat e sistemit gjyqësor, deri tek Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, për Blertin është shumë e rëndësishme që t’i shkojë këtij procesi në mënyrë të rregullt dhe publike, për shkak se një rezultat pozitiv mund të shënojë moment historik për komunitetin transgjinor në Kosovë.

“Për mua si Blert, nuk ka ndonjë peshë a e bëj këtë publike a jo”, thotë Blerti. “Por unë e di rëndësinë që e ka për komunitetin transgjinor dhe duke i ndërmarr hapat e rregullt dua të ndihmoj në ngritjen e nivelit të ndërgjegjësimit për këtë çështje dhe t’i ndihmoj komunitetit transgjinor”.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO