Blogbox | LGBTI

‘Dashuria është vlerë tradicionale, jo urrejtja apo dhuna’

Nga - 18.09.2018

Edhe pse parada e Krenarisë u organizua me sukses, shoqëria serbe nuk është afër pjekurisë apo tolerancës.

Pa dhunë dhe pa incidente, u mbajt parada e pestë e Krenarisë së Beogradit, të dielën më 16 shtator në kryeqytetin serb, nën moton “Thuaj PO”. Shëtitja e Krenarisë në kryeqytetin serb është një ngjarje e cila në pesë vitet e fundit karakterizohet njëkohësisht si protestë dhe festë, që përfaqëson një lloj kurorëzimi të ‘Javës së Krenarisë’ – një shumëllojshmëri të diskutimeve në panele, ekspozita dhe ngjarje të tjera të dedikuara për personat që identifiikohen me statusin LGBTQ në Serbi.

Sidoqoftë, nën shkëlqimin dhe flamurin me ngjyra të ylberit, jo gjithçka është aq gej.

Foto: Lazara Marinković.

Organizatorët e Krenarisë së Beogradit thanë se numri i policëve që mbikqyrnin ngjarjen ishte përgjyskuar në krahasim me vitet e mëparshme, kur ishin të pranishëm deri në 5,000 anëtarë të shërbimit të sigurisë. Megjithatë, qendra e qytetit u bllokua gjatë manifestimit nga kordonët e policisë, automjetet e policisë, patrullat e kalorësisë dhe qentë e policisë ishin në gatishmëri. Gjithçka u krye pa asnjë incident, edhe pse një grup i vogël prej rreth 15 personash me postera anti-gej, ikonat e krishtera ortodokse dhe një fotografi të kriminelit të luftës Ratko Mladiq, protestuan paqësisht pranë kordoneve të policisë.

Grumbullimi i pjesëmarrësve të Krenarisë filloi rreth mesditës në afërsi të Sheshit Slavija, me muzikë, balona, flamuj me ngjyrë të ylbertë, vallëzim dhe shfaqje drag. Para shëtitjes, një artiste serbe Dita Von Bill, e veshur me kostum popullor serb të zbukuruar me pëlhura me ngjyra të ylberit, u shpall “Mbretëresha e Krenarisë” e këtij viti.

Foto: Lazara Marinković.

“Dashuria është vlerë tradicionale, jo dhuna apo urrejtja – dua ta dërgoj këtë mesazh me veshjen time. Jam shumë krenare për ty dhe për mua, ” tha Dita gjatë fjalimit të saj përpara marshimit të Krenarisë.

Gazetarja Suzana Trninić u shpall ‘ndrikulla’ e Krenarisë së këtij viti. Në një fjalim prekës përpara marshimit të Krenarisë, ajo theksoi para njerëzve prezent, duke përfshirë edhe miqtë e saj që janë në dyshim nëse personat LGBTQ duhet të mbështeten, se “nuk duhet ta doni atë që nuk e kuptoni, por ju jeni të detyruar që ta respektoni”.

Me fjalë të forta solidariteti për të gjithë ata që iu kanë shkelur të drejtat e njeriut në baza ditore, ajo dërgoi mesazhin se “ne do t’i kujtojmë miqtë që heshtën, më shumë se armiqtë që ishin me zë të lartë”, duke u bërë thirrje të gjithë atyre që abstenuan të bashkohen në luftën për një shoqëri më të mirë.

Parada, e cila filloi në mes të pasdites, përfundoi në Parkun e Studentëve, ku për herë të parë në histori ka pasur programe socializuese dhe programe muzikore të Krenarisë deri në orët e hershme të mbrëmjes.

Foto: Lazara Marinković.

Përveç disa qindra personave LGBTQ nga Serbia, ka pasur aleatë hetero me fëmijët dhe familjet e tyre, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistë LGBT vendas, si dhe shumë aktivistë LGBT nga jashtë dhe diplomatë të huaj.

Krenaria u ndoq gjithashtu nga zyrtarët dhe politikanët serbë. Gjatë fjalimeve të mediave nga kryebashkiaku i ri i Beogradit, Zoran Radojičić dhe ministra të ndryshëm, mund të dëgjoheshin fjalimet e njohura si “të gjithë qytetarët e Serbisë, pa marrë parasysh seksualitetin, gjininë, ngjyrën e lëkurës dhe prona të tjera personale, duhet të jenë të barabartë dhe se si shteti duhet të punojë në përmirësimin e statusit të tyre duke miratuar ligje “.

Foto: Lazara Marinković.

Në praktikë, Serbia e ka pritur për shumë vite projektligjin për komunitetin e të njëjtës gjini, si dhe një projektligj për barazinë gjinore dhe identitetin e gjinisë. Këto ligje do t’u mundësonin personave transgjinorë që të bëjnë ndryshime gjinore në dokumentet e identifikimit pa sterilizim të detyrueshëm ose ndryshim mjekësor të gjinisë. Ata gjithashtu do t’u mundësonin personave transgjinorë që të jetonin jetë dinjitoze pa diskriminim dhe refuzim, madje pa pasur nevojë për të treguar identitetin e tyre kur tregojnë dokumentin e tyre jo-gjinore në vende të tilla si bankat, shkollat, universiteteti, intervistat për punë ose në spitale.

Në vitin 2013, Kodi Penal i Serbisë paraqiti nocionin e krimeve të urrejtjes, por deri më sot nuk ka pasur asnjë vendim të vetëm mbi këtë bazë të dhunës ndaj personave LGBTQ. Përkundrazi, në shumë raste të dhunës që janë raportuar, për shembull, ato të dokumentuara nga organizata Da se zna! (Le të njihet!), autorët e krimeve që kanë rrahur personat transgjinorë dhe gej duke përdorur kërcënime me vdekje, kanë marrë dënime të vogla, duke përdorur “rrethana lehtësuese” të ndryshme për krimet e tyre.

Ndërkohë që numri i sulmeve kundër personave LGBTQ është reduktuar, organizatat e të drejtave të personave LBGTQ thonë se një numër shumë më i madh i rasteve nuk raportohen në polici nga frika dhe për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve.

Foto: Lazara Marinković.

Kryeministrja Ana Brnabić – gruaja e parë dhe që ka dalë haptazi lezbike për të mbajtur një pozitë kaq të lartë shtetërore në Serbi – nuk ka folur zyrtarisht për mediat, por përpara marshimit ajo vizitoi pjesëmarrësit e Krenarisë dhe foli me aktivistët. Shumë aktivistë në Serbi, si dhe vetë personat LGBTQ, besojnë se Ana Brnabić nuk po bën mjaftueshëm – ose me të vërtetë nuk është duke bërë fare – për t’i mbrojtur të drejtat e personave LGBTQ në Serbi, as nuk i kupton ato në thelb dhe kështu emërimi i saj në pozitë të kryeministres është ‘pinkwashing’.

Në llogarinë zyrtare të Twitter të Kryeministres të Serbisë, ku fotografitë që kanë të bëjnë me ngjarjet e ndjekura nga Brnabić janë postuar rregullisht, nuk ka pasur postime rreth vizitës së saj në paradën e Krenarisë të këtij viti.

Po ashtu, ajo që mungon edhe këtë vit ishte artikulimi në mënyrë të qartë dhe paraqitja me vendosmëri e kërkesave dhe mesazheve politike në emër të organizatorëve, qoftë gojarisht apo përmes posterave. Kërkesat janë gjetur vetëm në faqen e Parades, por pyetja është shtrirja e këtyre mesazheve dhe kërkesave.

Duket se Krenaria e Beogradit ka rënë në një lloj krize identiteti – diku midis zbavitjes karnavale dhe protestës politike – gjë që ngre pyetje rreth efikasitetit të saj.

Sipas artistes dhe aktivistes për të drejtat e personave transgjinorë, Sonja Sajzor, në programin e Krenarisë të sivjetshëm dhe Javës së Krenarisë, mungonin gratë transgjinore. Në mediat sociale, Sonja shprehu pakënaqësinë e saj, duke nxjerrë në pah çështje të ndryshme në organizimin e Krenarisë, siç është përjashtimi i grave transgjinore nga panelet që diskutojnë problemet e personave transgjinorë në Serbi. Në vend të grave transgjinore, burra –  ndjenja e identitetit personal të të cilëve korrespondon me gjininë e tyre të lindjes – ishin të angazhuar në panele.

Në të vërtetë, lëvizja LGBTQ në Serbi përshkruan gjendjen kontradiktore në shoqërinë serbe në tërësi. Madje edhe në mesin e organizatave LGBTQ ekziston një mosmarrëveshje e thellë, prandaj Beogradi ka një tjetër, Krenaria e qershorit, e udhëhequr nga disa organizata, përfaqësuesit e të cilëve nuk pajtohen me qasjen dhe mënyrat e aktivistëve që organizojnë Krenarinë e shtatorit.

Foto: Lazara Marinković.

Pjesëmarrja e dobët e komunitetit lokal të LGBTQ në paradën e Krenarisë mund të lidhet me faktorë të ndryshëm: mbi të gjitha, sepse personat që nuk kanë dalë haptazi para familjeve të tyre dhe të tjerët besojnë se do të regjistrohen dhe do të ekspozohen ndaj linçimit të medias, ndërkohë që ka edhe një frikë për sigurinë personale gjatë hyrjes dhe daljes nga kjo ngjarje, veçanërisht pas incidenteve të profilit të lartë të sulmeve dhe dhunës në vitet e hershme të Krenarisë.

Komente negative nga ‘qytetarët e zakonshëm’ në mediat sociale, bëjnë thirrje për të linçuar, vrarë, torturuar dhe përndjekur personat LGBTQ, duke i quajtur ata “të sëmurë”, “të çuditshëm ” dhe emra të tjerë degradues – të gjitha nën pretekstin e mbrojtjes së “vlerave tradicionale” gjë që dëshmon se shoqëria serbe nuk është as e pjekur e as tolerante, pavarësisht shkallës në të cilën politikanët dhe zyrtarët e shtetit duan të bindin veten, përfaqësuesit e publikut dhe të komunitetit evropian ndryshe.

Në pasdite, pas ecjes së Krenarisë, interneti u përmbyt me fyerje të shumta dhe kërcënime të dërguara për artistët dhe personat LGBTQ të cilët kishin veshur kostume kombëtare serbe në kontekstin e Krenarisë, duke i akuzuar ata për “fyerjen e ndjenjave fetare” dhe “fyerjen e traditës sonë”.

Foto: Lazara Marinković.

Një tabloid madje botoi një fotografi të faqes së parë të një aktivisti në veshje tradicionale, të shoqëruar me deklarata homofobike të bëra nga politikanët e krahut të djathtë; ky është vetëm fillimi i mundshëm i nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës me qëllim të rritjes së shitjeve dhe fitimin e klikimeve.

Kjo sjellje e mediave – si dhe sjellja e disa figurave publike në Serbi – kryesisht kalojnë pa ndonjë sanksion serioz, prandaj ata dhe audienca e tyre inkurajohen të përsërisin akte të ngjashme pa dënim, pa frikë se duhet të vuajnë pasojat.

Një Krenari pa incidente, ashtu si një lezbike që kryeson një shtet, nuk është domosdoshmërisht një reflektim i gjendjes së të drejtave të njeriut në një vend. Në rastin e Serbisë, për fat të keq, kjo është ende një iluzion.

Foto kryesore: Lazara Marinković.

  • PËR AUTORIN/EN Lazara Marinkovic
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/ës nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO