Biseda | BE

Mimoza Ahmetaj: Ballkani është rajon fragjil që vazhdimisht ndikohet prej fuqive të jashtme

Nga - 15.03.2017

Ministrja e re e Integrimit Evropian thotë se BE ka të ardhme të ndritshme, se nuk ka plan B përveç integrimit në BE për Kosovën, dhe se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të miratohet në Kuvend.

Në këto shtatë vite prej kur është themeluar ministria e Integrimit Evropian, pra në vitin 2010, janë ndërruar tre ministra – Besim Beqaj, Vlora Çitaku dhe Bekim Çollaku. Me 14 shkurt të këtij viti, Mimoza Ahmetaj u emërua si e katërta. I ra në ditën e Shën Valentinit, megjithatë pozita e re që ajo e morri është larg dashurisë, meqë shumë objektiva ende nuk janë arritur, e për to duhet shumë punë.

Emërimi i Ahmetaj si ministre e Integrimit Evropian erdhi pasi kjo pozitë ishte vakante për disa muaj, meqë Çollaku dha dorëheqje në shtator 2016-ës për t’u bërë këshilltar i lartë i presidentit Hashim Thaçi. Deri sa ky boshllëk u zgjatë prej javëve në muaj, zëra të ndryshëm aluduan se figura të caktuara të Partisë Demokratike të Kosovës – të cilë i takon ministria e Integrimit Evropian, sipas marrëveshjes aktuale të koalicionit qeverisës- për këtë pozitë. Por ka pasur edhe refuzime nga kjo parti për ta kryesuar këtë ministri për shkak të dështimeve të kahmotshme për ta përfunduar procesin e liberalizimit të vizave.

46 vjeçarja Ahmetaj është përfshirë në politikë në dekadën e fundit, duke shërbyer si deputete e PDK-së prej vitit 2007 deri në 2010, para se të bëhej këshilltare e lartë e Thaçit, që ishte kryeministër në atë kohë. Së fundmi ajo është përfshirë në diplomaci ndërkombëtare, së pari si ambasadore e Kosovës në Slloveni (2011-13) e më vonë si ambasadore në Bruksel (2013-16), ku ajo trajtoi çështje me BE-në, NATO-n, Belgjikën dhe Luksemburgun. Ajo thotë se përvoja e saj diplomatike, dituria dhe kontaktet diplomatike që e ka krijuar në nivel evropian, do t’i ndihmojnë asaj në punën e re.

Kosovo 2.0 u takua me ministren Ahmetaj dhe e pyeti atë për pikëpamjet e saja në lidhje me rrugën evropiane dhe objektivat që i ka brenda ministrisë së Integrimit Evropian. Ahmetaj foli për motivet e saja për marrjen e pozitës së ministres, paqartësitë aktuale brenda BE-së pas Brexit dhe zgjedhjet e sivjetme në Francë, Holandë dhe Gjermani – ku është shënuar një rritje e grupeve të së djathtës ekstreme – si dhe për atë se si zhvillimet ndërkombëtare kanë ndikim në perspektivat evropiane të Kosovës.

K2.0: Prej shtatorit 2016 deri në shkurt 2017, ministria e Integrimeve Evropiane ka funksionuar pa ministër. Në media është komentuar se emërimi është bërë pas kërkesave nga faktori ndërkombëtarë që ky post mos të mbetet më vakant. Po ashtu ka paur zëra që pozita e ministrit është refuzuar nga disa figura politike duke ditur sfidat me të cilat janë përballur paraardhësit tuaj dhe duke mos dashur të ndihet pjesë e një dështimi, sikurse ka qenë në vazhdimësi mosliberalizimi i vizave. Ju a keni ndier përgjegjësi të shtuar kur e keni marrë pozitën e ministres?

Mimoza Ahmetaj: Paraardhësit e mi i kanë shtyer të gjitha punët dhe gjitha ato që sot i kemi arritur janë bërë duke iu falendëruar ministratve që para meje, që kanë pasur pozitën që sot unë kam. Ndihem përgjegjëse për pozitën që kam. Do të mundohem këtë përgjegjësi që më është dhënë të e arsyetoj maksimalisht. Në mandatin tim mbetet të bëjë gjithçka që të arrij këto objektiva. Tani mbetet të shihet se deri ku mund të arrijmë.

Mimoza Ahmeti është ministrja e katërt e integrimeve evropiane që prej se ministria është themeluar në vitin 2010.

Mandati i qeverisjes po vjen kah fundit madje ka të tillë që shohin edhe zgjedhje të parakohshme. Për ju, a është presion koha për t’i arritur objektivat e paracaktuara?

Për mua presion është arritja e objektivave dhe jo kur do të mbahen zgjedhjet.

Si është ndjenja me qenë ministre e integrimeve në një periudhë kur vet qenësia e Evropës është në pikëpyetje dhe kur ka rritje të ekstremit të djathtë në Evropë?

Një pyetje mjaftë e qëlluar. Ndjehem shumë e përgjegjshme. Nuk ka veprim që e marrë që nuk e mas tre ose katër herë nga aspekti praktik dhe efekti politikë që mund ta ketë dhe çfarë eho mund ta ketë në opinion publik dhe në BE.

Ndërsa sa i përket situatës në Bashkimin Evropian dhe rritjes së rrymave ekstreme, do të dëshiroja ta bëja një analizë më të gjërë për të treguar se frika nga rritja e këtyre rrymave të ekstremit të djathtë tani ka tregues të tjerë. Pas mbajtjes së referendumit në Britani dhe votimit pro BREXIT-it, brenda BE-së është rritur frika se ndoshta kjo do të ketë efektin domino te shtetet e tjera. Por zgjedhjet presidenciale së fundmi në Austri kanë dëshmuar tjetër gjë. Kandidati që fitoi atje vjen nga rryma pro evropiane, pra nuk është nga ektremi i djathtë. Pastaj, ndryshimet kushtetuese që u tentuan të bëhen në Itali nuk prodhuan domino efekt të rritjes së të djathtës ekstreme në Itali. Përkundrazi, forcat kryesore brenda Bashkimit Evropian janë forcat proevropiane dhe jo euroskeptike. BREXIT-i i ka mobilizu gjitha forcat proevropiane që të jenë më proaktive.

Bashkimi Evropian mbetet ende demokracia më e avancuar, tregu më i madh dhe ndër ekonomitë më të mëdha botërore.

Kjo gjendje  paqartësive brenda BE-së çfarë ndjenje ju krijon juve si ministre e integrimit evropian?

Puna e integrimit evropian nuk është punë ndjenjash por është punë, edhe politika është raport interesave dhe jo motivesh. Është raport i ambicieve të shtetit dhe qytetarëve tonë. Nuk duhet harruar një gjë, Bashkimit Evropian i janë dashur dy luftëra botërore për të ardhur te vendimi që Gjermania dhe Franca të ulen e të vendosin për një bashkëpunim mes vete dhe ky është ndërtuar mbi tri parime shtyllë: Liri, Barazi dhe Siguri, dhe si të tillë 70 vite pas krijimit të Bashkimit Evropian është e vështirë të mendohet se do të shpërbëhet. Bashkimi Evropian mbetet ende demokracia më e avancuar, tregu më i madh dhe ndër ekonomitë më të mëdha botërore.

Përkundër që është thënë nuk do të ketë zgjerim, Kosova ka arrit ta nënshkruajë marrëveshjen e parë dhe ka shënuar avansim në procesin e liberalizimit të vizave, dhe do të ketë çasje për herë të parë në programet e BE-së, që do t’i mundësojë studentëve tonë, bizneseve e shoqërisë civile të jenë më interaktive. Secili shtet i Ballkanit ka shënuar progres.

Por megjithatë ka një ngecje jo vetëm të Ballkanit në procesin e zgjerimit. Nuk është se BE-ja së fundmi ka shpreh shumë interesim për zgjerim. Ka një ngadalësim megjithatë. Përveç nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit [MSA-së], në tetor të 2015, çfarë llogarisni si progres në rrugën e integrimit evropian?

Nuk do të ketë pranim të anëtarëve të rinj ashtu siç është thënë në marrje të detyrës së kryetarit të Komisionit Evropian Junker, [Jean Claude Juncker ka thënë në vitin 2014 se në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësim të ri] por do të ketë vazhdim në proces drejtë integrimit, çka do të thotë  se shtetet janë të obliguara që t’i bëjnë reformat që shtetet të bëhen anëtare të BE-së. Nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit [MSA] si marrëveshja e parë kontraktuale e ka vulosur rrugën tonë evropiane

Nëse ju thuani se Evropa është lodhur apo nuk është e interesuar që t’i përfshijë shtetet e Ballkanit, unë do t’i përmend një argument tjetër. Vetëm vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së [Federica] Mogherini, dy herë në një periudhe kohore në më pak se një vit në Kosovë dhe rajon e tregon të kundërtën. Ne në vazhdimësi kemi pasur në Kosovë komisionerin Avrapomolous, komisionerin Hahn që së shpejti do vie në Kosovë që tregojnë se Evropa dhe Bashkimi Evropian janë mjaftë të interesuar që ta kenë Kosovën pjesë të vetën. Ne jemi të rrethuar gjeografikisht me shtete anëtare të BE-së dhe si të tillë nuk kemi rrugë tjetër.

Këtu doja të dilja në fakt. Ndonëse gjerësisht shihet se rruga e vetme e Kosovës është integrimi evropian, a ka rrugë tjetër ose “plan B” nëse në rastin më të keq do të dështonte projekti evropian. A ka Kosova një alternativë?

Për Kosovën dhe rajonin zgjedhje ma të mirë sesa integrimi në BE nuk ka. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të thotë stabilitet politik, do të thotë zhvillim ekonomik dhe një siguri më e madhe. Ne jemi rajon që 20 vite më parë kemi qenë në luftëra dhe si i tillë rajoni ende është fragjil nën tendencat e ndikimit të vazhdueshëm të fuqive tjera. Në mënyrë që ta mbajmë kështu rajonin dhe sa më stabil, e vetmja rrugë që duhet ndjekur është integrimi në Bashkimin Evropian.

Megjiatë Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor me procesin e stërzgjatur të liberalizimit të vizave. A mendoni se kjo çasje e BE-së mund të sjellë euro-skepticizëm te kosovarët, një gjë të cilën nuk e kemi parë më parë në Kosovë?

Prandaj them se sa më shpejtë e tejkalojmë demarkacionin avansojmë më tutje. Çdo shtyrje e mëtejshme qytetarët tonë do e paguajnë faturën. Ne do të mbetemi të izoluar. Në mënyrë që ta tejkalojmë këtë izolim duhet ta kalojmë demarkacionin.

Ju nuk keni qenë pjesë e ministrisë kur është vënë kusht demarkacioni me Malin e Zi. Por kur flisni me zyrtarë të Bashkimit Evropian, me Mogerinin së fundi, a i pyesni ata pse është vënë një kusht i tillë?

Nuk e vë në pyetje as unë e as Brukseli për diçka që jemi pajtuar pesë vite më herët. E para as Mogherini nuk ka qenë në këtë pozitë kur është vënë kusht. Për çka të diskutojmë?

Procesi i integrimit evropian nuk është punë për një ministri apo departament, por është punë multisektoriale.

Për të tejkaluar këtë kusht ndoshta, meqë është kusht politik më shumë sesa kusht teknik. Dhe meqë një çështje e tillë e ka destabilizuar shumë Kosovën nga brenda ndoshta do të mund të kërkohej që të hiqet ky kusht nga BE-ja?

BE-ja nuk është duke destabilizuar Kosovën. BE-ja na ka dhënë udhërrëfyesin, ne e kemi pranuar atë ashtu siç i kemi plotësuar 94 kritere duhet plotësuar edhe kriterin e  fundit.

Por nuk është kriter teknik. Po ua jap një shembull. Qytetarët Ukrainas dhe Gjeorgjian sapo kanë marr dritën e gjelbër për të udhëtuar në shengen zonë edhe pse në të dyja shtetet kanë pjesë të territorit të okupuar nga Rusia.  Nëse është kriter politik është i diskutueshëm e nëse është i diskutueshëm, a keni kërkuar nga BE që të hiqet si kriter?

Edhe një herë, çdo debat rreth demarkimit dhe udhërrëfyesit është debat i cili nuk na qon najkun.

Tash kisha me kalu tek objektivat e ministrisë së integrimeve evropiane. Si ndiheni si ministre e integrimeve evropiane kur e dini se objektiv kryesor i paraardhësve tuaj ka qenë liberalizimi i vizave dhe në anën tjetër ky objektiv nuk është arritur. Si e shihni ju si ministre e re?

Top objektiv i Kosovës është integrimi në BE. Ai është qëllim kryesor. Në këtë stad që jemi si staf dhe ministri, Kosova prioritet e ka implementimin e marrëveshjes së stabilizim asociim. Reformat që do të ndërrmerren në vazhdimësi janë në proces e sipër dhe janë duke u realizuar. Proces i integrimit evropian nuk është proces i një ministrie apo një departamenti por është multisektorial. Që nga parlamenti, ministritë e linjës, komunat, presidenca dhe kryeministrinë. Pra, të gjithë faktorët duhet të jenë në harmoni për të bashkëvepruar drejtë këtij qëllimi që kemi. Si minstri jemi koordinator të krejt departamenteve.

Objektivi im është ta shof MSA-në se si është duke u implementuar, t’i shof mekanizmat që dalin nga kjo marrëveshje të jetë fuksionale.

Dhe çfarë i ofron Kosovës implementimi i MSA-së?

Implementimi i saj do të thotë reformë, përgatitje drejtë integrimit. Harmonizim i të gjitha ligjeve me “Acquis Communautaire” si dhe të gjitha masave që dalin nga kjo marrëveshje. Objektiv i imi po ashtu do të jetë liberalizimi i vizave.

Në anën tjetër liberalizimi i vizave nuk është proces i integrimit. Liria e lëvizjes është pjesë e ndarë nga procesi i integrimit evropian. Është objektiv i yni edhe liberalizimi i vizave dhe kemi mbërri në hapin e fundit që duhet përmbushur. Në momentin që kalon demarkacioni, ne kemi marrë garanca edhe nga përfaqësuesja e lartë Mogherini në vizitën e fundit, që Kosova do të avansojë më tutje dhe nuk është fer që t’i mbajmë qytetarët tonë më tutje të izoluar.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën shqipe.

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO