Biseda | Art

Odile Burluraux: Artistët mund të kontribuojnë në mendimin ndryshe dhe duke ngritur pyetje

Nga - 20.03.2017

Kuratorët Odile Burluraux dhe Jessica Castex flasin për ekspozimin e punimit artistik të Hayoun Kwon me realitet virtual, “489 Years”, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Si pjesë e edicionit të 17- të javës së Frankofonisë në Kosovë, një ekspozitë e re aktualisht po mbahet në Galerinë Kombëtare, me punime të artistes së Koresë Jugore, Hayoun Kwon. Ekspozita u hap me 16 mars dhe do të vazhdojë deri me 26 mars. Ajo përfshinë edhe video instalacionin e Kwon, “489 Years”, që u zgjodh nga dy kuratorë francez, Odile Burluraux dhe Jessica Castex nga Muzeu Komunal i Artit Modern në Paris.

“489 Years” është punimi i tretë i Kwon në Zonën e Çmilitarizuar Koreane (ZÇK) – brezit tokësor që ruhet intensivisht, e që i ndanë Korenë Veriore me atë Jugore.  Punimi i Kwon është i bazuar në kujtimet e një ushtari të Koresë Jugore, i cili shërbeu në ZÇK.

Një pjesë e madhe e katit të dytë të Galerisë Kombëtare i është përkushtuar ekspozitës, që përveç filmit përfshinë edhe shënime nga ditari i ushtarit dhe një televizor të vogël që transmeton një intervistë me artisten. Filmi mund të shikohet në dy formate; i projektuar në një ekran të madh, ose në 3D, nëpërmjet syzeve të realitetit virtual.

Nëse e shikon filmin me syze 3D, krijon përshtypjen sikur je duke ecur brenda ZÇK-së, duke e parë nëpërmjet syve të ushtarit [protagonistit të filmit], deri sa ai e rrëfen tregimin e tij. Një moment veçanërisht i fuqishëm ndodh kur udhëtimi papritmas ndërpritet nga një derr i egër që rri i palëvizshëm dhe e vështron drejtpërdrejtë shikuesin. Pas disa momenteve, derri i egër kthehet dhe niset për t’u larguar, duke çaluar e me një këmbë mangu, me gjasë si rezultat i një prej shumë minave që gjinden në ZÇK; diku 3.5 milion vlerësohet se janë vendosur nga ushtritë e të dy anëve.

Ekspozita është premierë botërore, dhe Burluraux e Castex zbuluan se e zgjodhën këtë punim artistik meqë flet për kufij, ndarje dhe mungesë komunikimi, të gjitha çështje që ata mendojnë se janë relevante në Kosovë. Burluraux dhe Castex u takuan me K2.0 për të diskutuar “489 Years”, kuptimin pas këtij emri dhe qëllimin e provokimit të autorit me anë të këtij punimi.

K2.0: A mund të na tregoni se si arritët që ta kuroni një ekspozitë në galerinë kombëtare të Kosovës, dhe të na flisni pak për punën që e keni zgjedhur?

Odile Burluraux: Na ftuan që ta bëjmë një ekspozitë këtu sepse ishte java e Frankofonisë. E propozuam një punim që i përket koleksionit tonë dhe që e blemë sivjet, por që nuk është shfaqur në muzetë tona ende. Është punim i ri.

Jessica Castex: Është punim nga Hayoun Kwon, e cila u lind në Korenë e Jugut dhe studioi në Francë. Ajo është shumë e interesuar në historinë e dy Koreve, dhe puna e saj është e fokusuar në këtë histori. Ky punim, “489 Years”, është i fundit i një serie tri-pjesëshe për Korenë, dhe veçanërisht ZÇK-në.

Kujt i referohet ky titull “489 Years” (shqip: 489 Vite)?

OB: Për t’i hequr të gjitha minat nga ky territor duhen 489 vite, sepse ka aq shumë. Edhe pse është shumë i vogël si territor, vetëm katër kilometra në mes të Veriut dhe Jugut. Gjithashtu është krejtësisht e paprekshme për të gjithë përveç dy ushtrive, e madje as ato nuk shkojnë çdokund. Video nis me tregimin e një ushtari [të Koresë Jugore]. Emrin e ka Kim dhe ishte ushtar në këtë zonë.

Kim shkroi një ditar dhe disa letra dhe i bëri disa fotografi. Ne i kemi treguar botës disa ekstrakte të ditarit dhe shënimeve të tij. Kwon u takua me këtë burrë dhe foli me të dhe e inçizoi zërin e tij. Pra në video ne e dëgjojmë se çfarë thotë ai për jetën e përditshme, kur shkonte natën në ZÇK; se çfarë ndjente e mendonte ai, e çfarë shihte. Është vend ku mund të shohësh drunj e bimë që nuk ekzistojnë më, në vende tjera të botës. Ka gjithashtu kafshë që janë zhdukur, por atje ekzistojnë.

JC: Është zonë shumë e çuditshme. Gjatë viteve është shfaqur një pyll, me kafshë të egra. Kwon ka dëshirë që ta tregojë përvojën e kësaj zone, e prandaj ajo e përfytyroi filmin me teknikën e veçantë të realitetit virtual, me syze [3D]. Në fakt, nëse eksperimenton me këtë, mund ta kesh një përvojë të vërtetë fizike. Nuk e përfytyron vetëm me mendje, por edhe trupi e ndjen që është i zhytur në këtë zonë. Është shumë e fuqishme.

OB: Për ta bërë këtë video, ajo vizatoi shumë, sepse ajo e prodhon vet çdo imazh në studio. Është krejtë digjitale. Ajo e përzien një lloj realiteti me disa trillime të përfytyruara. Shumica e imazheve janë të vizatuara nga kuptimi i saj i suvenirëve të këtij ushtari, pra gjithçka është e përzier.

Në fund të videos nis një shpërthim zinxhir, i gjithë vendi shpërthen, dhe fillon të digjet. Çfarë mendoni se deshi të thoshte artistja me këtë përfundim?

OB: Është mënyra se si ajo e sheh rrezikun. Sepse gjithmonë ekziston një frikë nga Veriu, që vazhdimisht përpiqen që të prodhojnë armë dhe raketa bërthamore. Veriu po e kërcënon Jugun, dhe gjithë botën në fakt, por gjithashtu, ata janë vëllezër. Pra gjithmonë shtrohet kjo pyetje. Zjarri që ndizet dhe përhapet në kodër është si kufi i zjarrtë. Mendoj se është pikturim i kufijve. Është mesazh shumë i fuqishëm.

Për neve ka shumë kuptim që ta shfaqim këtë punim këtu, për shkak të çështjes së kufijve, çështjes së shteteve fqinje, që nuk mund të kenë gjithmonë dialog e të jenë në paqe. Ne menduam që do të jetë si shenjë, sepse ZÇK i frymëzon shumë artistët.

Në Seoul është një qendër e artit ku çdo vit e bëjnë një ekspozit me punime të artistëve ndërkombëtar dhe vendas për këtë zonë. Ata prodhojnë punime artistike, për të reflektuar e për të menduar për këtë problem.

Ndonjëherë artistët mund të kontribuojnë me mendime të ndryshme dhe duke ngritur pikëpyetje. Mund të jenë politike, sociale, ose historike, por në një mënyrë ndryshe, që mund t’i ndihmojë njerëzve që të flasin për këtë temë.

A mund të na i tregoni disa informata teknike? Për sa kohë do të jetë e hapur ekspozita, si mund ta shohin vizitorët dhe çfarë duhet të presin?

JC: Janë dy mënyra për ta parë filmin në 2D dhe në 3D me syze. Është edhe një dhomë që i përkushtohet dokumentimit, që është plot me letra, e ku mund të lexohen përshkrime për ZÇK-në, si dhe letrat e ushtarit me të cilin u njoftua artistja.

Fatkeqësisht, Kwon nuk arriti të vijë sepse është duke udhëtuar. Po udhëton vazhdimisht nga New York në Seoul dhe anasjelltas, sepse është duke punuar në një projekt të ri. Sa herë që ajo e bënë një video, i duhen diku dy vite punë, sepse secila video kërkon shumë kohë për t’u vizatuar dhe ndëtuar, sepse të gjitha i bënë vet.

Lexova që një prej specialiteteve të juaja si kuratorë është puna me artistë të rinj. Meqë jeni këtu, a keni menduar të ekspozoni punën e ndonjë artistit/es kosovar/e?

OB: Në fakt erdhëm këtu për t’u njoftuar edhe me artistë vendas. I patëm dy takime sot pasdite dhe nesër i kemi katër takime me artistë të ndryshëm nga Kosova. Është mënyrë për t’i parë punimet, njerëzit, e për të folur me ta dhe për të menduar nëse mund ta ftojmë ose propozojmë një ide për dikë.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është mbajtë në gjuhën angleze.

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO