Në thelb | Maqedonia

Pak persona po i ndjekin hapat e sinjalizuesve

Nga - 06.01.2018

Pavarësisht ligjeve të favorshme, jo shumë njerëz guxojnë të sinjalizojnë në Maqedoni.

Pothuajse të gjithë kanë dëgjuar për Edward Snowden/in, sinjalizuesin i cili zbuloi mbikëqyrjen e kryer nga NSA-ja, përgjegjës për një nga rrjedhjet më të rëndësishme të informatave në historinë e SHBA-së. Por pak njerëz i njohin “Snowden-ët” e Maqedonisë, zbulimet e të cilëve kanë qenë aq të fuqishme saqë kanë ndihmuar për ta rrëzuar një qeveri të korruptuar.

Disa sinjalizues që punojnë për policinë sekrete maqedone i siguruan të ashtuquajturat “bomba” – inçizimet të cilat përmbajnë biseda të zyrtarëve të lartë qeveritarë në të cilat me sa dukej zbulonin qartë se ish-Kryeministri Nikola Gruevski i kishte përgjuar në mënyrë të paligjshme 20,000 njerëz, duke përfshirë këtu ministra, gazetarë dhe diplomatë.

Presioni të cilit iu nënshtruan këta sinjalizues tregon qartë rëndësinë e mbrojtjes së individëve të cilët raportojnë sjellje të paligjshme: tre prej sinjalizuesve u arrestuan menjëherë pasi e Kryeministri Nikola Gruevski mori vesh për “bombat”.

Në një rast të quajtur “Puç”, kreu i atëhershëm i opozitës dhe Kryeministri aktual, Zoran Zaev, i cili i publikoi përgjimet, u akuzua për “shantazh dhe dhunë kundër zyrtarëve shtetërorë” dhe u urdhërua ta dorëzonte pasaportën. Tre të dyshuarit e tjerë, duke përfshirë këtu ish-kreun e policisë sekrete, Zoran Verusevski, u arrestuan.

Zoran Lazarevski, njëri prej sinjalizuesve i cili po punonte në Administratën për Siguri dhe Kundërzbulim dhe kaloi gati një vit në arrest për të njëjtat akuza, së fundmi foli publikisht për operacionin e sinjalizimit.

Në një intervistë për kanalin maqedon NovaTV, Lazarevski, inxhinier i cili kishte punuar për shërbimin sekret për 25 vjet, tha: “Isha i përgatitur për çdo eventualitet. E kisha pranuar se mund të ndodhte skenari më i keq”. Akuzat për rastin “Puç” u hodhën poshtë nga zyra e Prokurorit Special në fillim të këtij viti.

Megjithatë, sinjalizuesit e njohur maqedonë, si Lazarevski, me sa duket deri më tani nuk i kanë frymëzuar njerëzit e tjerë që punojnë në sektorin e shërbimit publik për t’i zbuluar shkeljet. Edhe studentët, të cilët i mbështetën sinjalizuesit duke protestuar dhe duke kërkuar ndryshime në qeveri, nuk po tregojnë tendencë për ta ngritur zërin për korrupsionin në universitete.

Nuk ka sinjalizues në sektorin publik apo privat

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve thotë se sinjalizuesit potencialë zbulojnë informata brenda institucionit të tyre apo – nëse kjo dështon apo lidhet me menaxhmentin e institucionit – jashtë institucionit të tyre, te agjencitë e tjera kompetente publike, siç është Ministria e Brendshme, apo Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (SCPC).

Ligji u ofron mbrojtje punëtorëve të institucioneve qeveritare dhe kompanive private. Nëse nuk ruhet konfidencialiteti i sinjalizuesit, mund të shqiptohet gjobë deri në 6,000 euro për institucionin apo kompaninë.

Nëse nuk ruhet konfidencialiteti i sinjalizuesit, mund të shqiptohet gjobë deri në 6,000 euro për institucionin apo kompaninë.

Në 21 muajt e fundit që kur ligji hyri në fuqi, SCPC-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë për ndonjë lloj informacioni apo aktiviteti që shihet si i paligjshëm. Punëtorët e sektorit privat gjithashtu kanë të drejtë të sinjalizojnë, por nuk është raportuar ndonjëherë diçka e kësaj natyre në këtë sektor.

“Nuk kemi marrë raporte të sinjalizimit nga brenda institucionit apo si institucion i jashtëm”, tha SCPS-ja për K2.0. Ky institucion gjithashtu mbledh të dhëna statistikore për sinjalizim në gjithë vendin. “Në vitin 2016 dhe 2017, në bazë të raporteve vjetore që i dorëzojnë institucionet publike te Komisioni, nuk kemi shënuar raste të sinjalizimit në institucione publike apo kompani private”.

Qeveria dhe disa ministri, si Ministria e Brendshme dhe e Mbrojtjes, poashtu nuk regjistruan ankesa të sinjalzuesve. As punëtorët e Administratës së Doganës Maqedone nuk kanë sinjalizuar. Nuk është regjistruar asnjë raport në fakultete të universiteteve të vendit.

Studentët kanë frikë të raportojnë korrupsionin

Rezultatet e një studimi me titull: “A do të ketë sinjalizues në Universitet?”, të zhvilluar nga Instituti për Hulumtim dhe Edukim Strategjik (Shkup), tregojnë se studentët dhe punëtorët e institucioneve të larta arsimore nuk e njohin Ligjin për Mbrojtje të Sinjalizuesve, as mekanizmat ekzistues për raportim të korrupsionit brenda universiteteve.

Në vitin 2014 studentët protestuan në Shkup me moton: “Bëhu aktiv! Plotësoje veten! Studentizo!”. Kjo me sa duket nuk ka shkaktuar ndryshim të mendimit. Foto: Plenumi i Studentëve.

Ky studim, i publikuar në dhjetor të vitit 2017, tregoi se gati 70 për qind e studentëve të juridikut nga katër universitetet më të mëdha në Maqedoni të cilët morën pjesë në anketë nuk e njohin këtë ligj. Në anën tjetër, gati gjysma e tyre thanë se kishin dëgjuar për praktika të korrupsionit, por gati 80 për qind u përgjigjën se nuk do të raportonin kurrë korrupsion sepse kanë frikë nga pasojat.

Praktikat e korrupsionit që u përmendën më së shumti nga studentët ishin kushtëzimi që profesorët u bëjnë studentëve për t’i blerë librat e tyre në mënyrë që ata t’i kalojnë studentët në provim, si dhe dhënia e ryshfetit nga studentët për t’i kaluar klasët.

Profesoresha Aleksandra Gruevska Drakulevski, pjesë e ekipit hulumtues, thotë se studentët duhet të jenë të inkurajuar dhe të sigurtë se nuk do t’i vuajnë pasojat, dhe se do të merren masat e duhura pas raportimit.

“Nëse universitetet dhe fakultetet marrin masa ligjore për mbrojtje të sinjalizuesve, unë besoj se në të ardhmen, studentët dhe punëtorët do të inkurajohen për të raportuar”, thotë Drakulevski. Ajo beson se prezentimi i ligjit në mënyrë të duhur te studentët dhe punëtorët do të ketë ndikim pozitiv në luftën kundër korrupsionit.

Aleksandra Zivkovic është anëtare e Plenumit të Studentëve, shoqatë joformale e studentëve e cila i organizoi demonstratat masive të studentëve në Shkup në vitin 2014. Ajo beson se studentët nuk janë të interesuar të sinjalizojnë për shkelje të kryera në universitet, siç është rryshfeti dhe nepotizmi në punësim dhe promovim, sepse ata besojnë se ligjëruesit e mbrojnë njëri-tjetrin.

“Studentët nuk u besojnë institucioneve sepse konsiderojnë se nuk mund të ndryshojë asgjë. Ata gjithashtu mendojnë se profesorët mund të hakmerren”, thotë Zivkovic, e cila ka kryer magjistraturën në fushën e korrupsionit në sektorin e arsimit të lartë.

Anëtarja e Plenumit të Studentëve, Aleksandra Zivkovic, beson se disa praktika të paligjshme që kryhen në universitete as që perceptohen si korrupsion. Foto nga Aleksandra Zivkovic.

“Disa praktika, si ndërhyrjet nëpërmjet të afërmve apo miqve, apo rastet kur studentët i paguajnë profesorët për orë private, as që perceptohen si korrupsion” vazhdon Zivkovic. “Mendësia e studentëve i pranon këto shkelje si të zakonshme sepse korrupsioni është i gjithëpranishëm në shoqëri”.

Zivkovic mendon se Parlamenti i Studentëve – organizatë e përbërë prej përfaqësuesve të studentëve të cilët punojnë për interesat, kërkesat dhe propozimet e tyre – mund të luajë rol në motivimin e studentëve për të raportuar korrupsion.

“Në 25 vitet e fundit, Parlamenti i Studentëve ka qenë i ndërthurur me Qeverinë. Në një situatë ideale, parlamenti do t’i adresonte këto çështje te Senati i Universitetit, autoriteti epror akademik i këtij institucioni, dhe do t’i mbronte të drejtat e studentëve bashkë me ombudspersonin e studentëve”, thotë Zivkovic.

Slagana Taseva, presidente e Transparency International-Macedonia pajtohet me Zivkovic-in që studentët dekurajohen për sinjalizim sepse besojnë që ligjëruesit e mbrojnë njëri-tjetrin.

“Studentët do të inkurajoheshin ta ngrisnin zërin për shqetësimet e tyre në lidhje me korrupsionin sikur universitetet të garantonin procedura të sinjalizimit nga të cilat studentët nuk do të dëmtoheshin”, thotë Taseva.

Presidentja e Transparency International-Macedonia, Slagana Taseva, thotë se studentët dekurajohen për të qenë sinjalizues sepse besojnë që ligjëruesit e mbrojnë njëri-tjetrin. Foto nga Slagana Taseva.

Do të kalojë kohë para se qytetarët të bëhen të guximshëm – duke përfshirë këtu edhe studentët – për t’u bërë sinjalizues. Tash për tash, një prej arsyeve që Maqedonia është më e prapambetur se shtetet e tjera në rajon është se një përqindje shumë e madhe e qytetarëve besojnë se sinjalizuesit duhet të ndëshkohen për zbulim të shkeljeve.

Sipas analizës së të dhënave me titull: “Qëndrimet Publike në lidhje me Sinjalizimin në Europën Juglindore”, të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, 3/10 e njerëzve në Maqedoni besojnë se sinjalizuesit duhet të dënohen për veprimet e tyre – gati dyfish më shumë se mesatarja rajonale (këto anketa u zhvilluan edhe në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi).

Në një ngjarje që u mbajt për ta festuar Ditën Ndërkombëtare të Sinjalizuesve, Katica Janeva, pjesë e ekipit të prokurorisë speciale i cili po i heton përgjimet e publikuara, tha se qytetarët janë më pak të prirur për të sinjalizuar praktika të korrupsionit dhe të krimit sepse kanë frikë nga pasojat.

“Prandaj duhet t’i inkurajojmë për të raportuar praktika të tilla. Por ekziston një problem me besimin në institucione që i shtohet rrezikut që ndërlidhet me sinjalizimin – shumëkush nuk beson se institucionet do ta zbatonin ligjin në një rast të tillë”, tha Janeva në një konferencë të mbajtur më herët gjatë muajit në Shkup.K

Foto kryesore: K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO