Sport | Monografi

Pas hapave të kampioneve

Nga - 16.03.2017

Derisa përfaqësuesja e futbollit të grave zhvillon ndeshjet e para të karakterit garues, ato mund të frymëzohen nga dy superyjet e lojërave evropiane.

Kur Fatmire Bajramaj u largua nga Kosova në moshën 5-vjeçare, ajo mori rrugën e cila sa ishte e njohur aq ishte edhe ndryshe nga ajo të cilën e përjetoi një pjesë e madhe e gjeneratës së saj. Largimi nga Istogu me nxitim ishte çështje domosdoshmërie për familjen e saj, e cila i mblodhi gjësendet në orët e para të mëngjesit të vitit 1993. Gjermania ishte vendi ku i vunë rrënjët, së pari si refugjatë. Është ky një rrëfim të cilin ajo e ndanë me shumë të tjerë të gjeneratës së saj, duke përfshirë edhe futbollistë, por ajo që pasoi sot po u pësëritet vazhdimisht vajzave të reja të vendindjes së saj.

Me ngjyrat gjermane, Fatmirja u bë njëra prej të famshmeve; njëra prej lojtareve më të mira që futbolli evropian i grave kishte prodhuar. Ajo u bënte ballë pengesave, të cilat në shumë raste, dukej se sa vinin e grumbulloheshin kundër saj. Në vitin 2009, ajo botoi një libër — “Qëllimi im në jetë: Nga refugjatja te kampionia botërore” — që kishte për qëllim t’i frymëzonte të tjerët përmes rrëfimit të saj.

Fatmirja (në të majtë) feston fitoren e Kampionatit Botëror me Gjermaninë në vitin 2007. Numri 19, sepse ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç. Foto: imago/Ulmer.

Më 28 shkurt, Fatmirja, tani nënë dhe ende relativisht e re, 28-vjeç, deklaroi se po tërhiqej nga futbolli profesional. Karriera e saj i kishte arritur të gjitha majat e mundshme — medalje në Kampionatin Botëror, në dy Kampionate Evropiane, një Ligë të Kampionëve, një Kupë të UEFA-së, dhe medalja e bronztë olimpike janë vetëm disa prej të arriturave — derisa shumëkujt i dha shembull. Por në vitin 2013, Fatmire Bajramaj u bë Fatmire Alushi, pasi u martua me lojtarin kosovar Enis Alushin. Ajo lindi një djalë, i cili u bë faktor i rëndësishëm në vendimin e saj sa i përket karrierës, në nëntor të vitit 2015.

“Ky vendim është përnjëmend i vështirë për mua sepse vërtetë do të më pëlqente të luaja për ndonjë klub të mirë përsëri”, tha Alushi në mesazhin e saj të tërheqjes nga futbolli, në një postim në Instagram. “Për fat të keq, ishte e pamundur të gjenim një qytet ku bashkëshorti im Enisi dhe unë do të mund t’i artikulonim planet tona private dhe sportive. Prandaj vendosa që të merrem tërësisht me familjen time së pari”, tha ajo.

“Vërtet më pëlqen të jem nënë dhe ta shohë djalin tim se si po rritet dita-ditës. Po të vazhoja me karrierën time dhe me udhëtimet e shpeshta që kërkohen nuk do të ishte e mundur ta shoh atë kaq shpesh”.

Një ditë pas tërheqjes së saj nga futbolli, u shkruajt një moment tjetër historie.

Kapitulli i futbollit i jetës së saj tani ishte mbyllur; tani koha ka ardhur për heroina të reja, pioniere të reja, ikona të reja, e koha zor se do të mund të ishte më e duhur.

Alushi asnjëherë nuk e pati opsionin të luante për Kosovën; për këtë do të mund t’i ketë shkuar vetëm mendja në moshën 19-vjeçare kur e fitoi Kupën Botërore me Gjermaninë, duke luajtur rolin kryesor në finale dhe pas 79 paraqitjeve si dhe medaljeve të Kampnionatit Evropian më 2009-ën dhe 2013-ën.

Nuk ndjente keqardhje për përfaqësimin e vendit të saj të adoptuar për gati një dekadë, me gjithë të arriturat individuale dhe kolektive. Vendi i tretë të cilin e fitoi në çmimin e FIFA-së Ballon d’Or në vitin 2010 flet qartë për famën e saj, dhe vështirë se mund të thuhet diçka që ajo s’do të kishte arritur në vitet që vinin.

Një ditë pas tërheqjes së saj nga futbolli, u shkruajt një moment tjetër historie — një hap i freskët i cili u përfol për 12 muaj rresht — kur përfaqesuesja e Kosovës luajti ndeshjen e parë.

Polonia e fitoi ndeshjen, e cila u zhvillua si pjesë e një turneu në Alania të Turqisë, me rezultatin 5-0. Rezultati, megjithatë, nuk kishte fort rëndësi në këtë kontekst, dhe vështirë se mund të shpërfillej elementi i simbolizmit brenda asaj që ndodhi në atë 24-orësh. Një epokë kishte mbaruar; e një tjetër, plot mundësi të cilat kurrë më parë nuk ishin aq afër realitetit, kishte nisur për vazjat e Prishtinës, Prizrenit dhe të vendeve tjera anembanë Kosovës.

Qendresa Krasniqi e sjell përpara topin në ndeshjen e parë të Kosovës kundër Polonisë. Foto: Federata e Futbollit e Kosovës.

Më 6 prill, kosovaret do të ndeshen me Shqipërinë — u desh të ishte Shqipëria — në garat e para kualifikuese për Kampionatin Botëror për Gra që do të mbahet në vitin 2019. Pakkush pret suksese të llojit të Fatmires, së paku jo edhe për një kohë, dhe nuk duhet harruar që ekipi i parë i grave në Kosovë u formua në vitin 1985.

Ndërmjet viteve 1989 dhe 1999, derisa kolegët e tyre luanin në kushte të rrezikshme, shpesh fshehtas, nuk ka të dhëna për ndeshje të grave. Një ligë e strukturuar nuk kishte filluar para vitit 2011; nëse mund të themi se futbolli i meshkujve ndërmori një hap emocional në Turku në shtatorin që shkoi, në shumë aspekte hapat që i ndërmori gjinia e kundërt — relativë për disa prej kundërshtarëve të tyre — janë edhe më të mëdha.

Por, disa parime nuk ndryshojnë. Derisa lojtarët ambiciozë kosovarë i kanë pasur si modele bijtë të hujësuar si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami — e ardhmja e të cilëve ka ngjallur shumë diskutime por siç duket do të vazhdojnë t’i mbrojnë ngjyrat e Zvicrës — te gratë ekzistojnë ende modelet standarde për t’u ndjekur, megjithëse Alushi, një mesfushore aq e zonja, tani mund të shihet vetëm në repriza.

Njëra prej tyre tashmë gëzon profil ndërkombëtar. “Jam shumë krenare që po luaj për Suedinë dhe Kosovën gjithashtu e kam në zemër. Krejt familja ime është nga Kosova, dhe prandaj kjo medalje është edhe për Suedinë edhe për Kosovën. Të dyjat i kam në zemër”. Këto ishin fjalët e Kosovare Asllanit, lojtaren e përfaqësueses suedeze, pasi e siguroi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike në Rio në vitin 2016.

Kosovare Asllani (në të djathtë) në gara për medaljen e artë në Lojërat Olimpike Rio 2016. Foto: imago/Xinhua.

Sikurse Shaqiri dhe të tjerët, Asllani është yll anglez; ajo iu bashkua ekipit Manchester City, kampionit aktual të Superligës së Grave në vitin 2016, pasi kaloi katër vjet në Paris Saint-Germain — derisa dy vitet e fundit i kaloi duke i shkuar pas hapave të të famshmes Fatmire Alushit. Muajt e parë në qytetin anglez i kaloi duke i ndihmuar ekipit ta fitonte ligën dhe kupën; ajo, sikurse Alushi, ka shpirt fitues dhe nuk kënaqet me vendin e dytë.

Për disa, ajo është ekuivalente e Zlatan Ibrahimovic-it dhe nuk është vështirë të kuptohet arsyeja për këtë: Tiparet prej zeshkaneje dhe trashëgimia ballkanike bashkë me aftësinë metronomike ta gjejë rrjetin, e bëjnë krahasimin të lehtë. Ashtu sikurse Ibrahimovic, ajo u lind në Suedi, me prindër emigrantë; si Ibrahimovic, 27-vjeçarja ka qenë hajmalia sulmuese e Suedisë për disa vjet me radhë; si Ibrahimovic, ajo shkëlqeu në Saint-Germain-in e Parisit para se të vazhdonte me sfida të reja në Manchester.

“Kam luftuar për të gjitha vajzat me origjinë të huaj në Suedi”, i kishte thënë portalit Fifa.com vitin e shkuar. “Ato e ndezin flakën në zemrën time kur paraqiten telashet. Ato më shtynë të bëjë shumë më shumë. Ato do të më bëjnë t’i arrij ëndrrat e mia një ditë, dhe shpresoj se do ta kuptojnë se edhe ato mund t’i arrijnë ëndrrat e tyre, nëse përpiqen”.

Këto janë fjalët të cilat e përmbledhin përpjekjen me të cilën mund të identifikohen shumë njerëz që janë larguar nga Kosova në kërkim të një jete jashtë vendlindjes. Personat si Asllani, e cila gjithashtu luajti në SHBA me ekipin Chicago Red Stars, dëshmojnë se çka mund të bëhet dhe me gjasë janë më të rëndësishëm se qifti i Shaqirit dhe i Xhakës: Ato përfaqësojnë betejën e një gjinie dhe betejën e një kombi.

“Ekipi po përmirësohet dhe kjo na je shpresa për të ardhmen”.

Blerina Musa

Sfida tash, në nivel sporti, është që ai ndikim të filtrohet te sportistet që i prodhon Kosova në nivel lokal. UEFA e ka mbështetur Kosovën me hartimin e një strategjie zhvillimore për futbollin e grave për katër vitet e ardhshme.

Infrastruktura është çelësi për vendin i cili ka trimëri sportive në gjene; dhe kur një delegacion i nje organi drejtues të futbollit europian e vizitoi Prishtinën nëntorin që shkoi, ai u zotua të ndihmonte në shumë mënyra — duke përfshirë aspektin e marketingut të sportit i cili shpesh shihet si periferik dhe i paqasshëm për vajzat e reja si nga Kosova ashtu edhe nga vendet tjera. Përpjekjet për të themeluar një ligë U-16 përbëjnë një hap pozitiv, me një rrugëtim të qartë i cili është i rëndësishëm për kultivimin e lojtareve kosovare për të ardhmen.

Lojtaret e sotme tashmë po i testojnë të arriturat. “Arsyeja pse fituan ishte sepse patën përvojë”, tha lojtarja kosovare Blerina Musa pas ndeshjes së dytë të humbjes me rezultat 3- 0 kundër Rumanisë, që solli paksa pozitivitet përkundër rezultatit. “Në pjesën e dytë krijuam shanse por nuk patëm finishe. Ekipi po përmirësohet dhe kjo na je shpresa për të ardhmen”.

Trajnerja e saj, Aferdita Fazlija, theksoi se “përgaritja fizike dhe përvoja” ishin dallimet ndërmjet ekipeve, por tha se skuadra e saj “kishte potencial të njëmendtë”. Është ky një refren që përsëritet edhe sa i përket përvojës jo të madhe të përfaqesueses së meshkujve, paraqitja e parë e të cilëve në një ndeshje kualifikuese për Kampionat Botëror ishte plot sulme, por i mungonte elementi i realizimit përfundimtar.

Kjo patjetër do të ndodh dhe këto dështime në Kampionatin Botëror do të shërbejnë si mësime, të paktën për të parë qasje të ndryshme të lojës. Loja e parë e Kosovës do ta ketë për kundërshtar skuadrën tashmë të njohur. Pesë lojtarët e Shqipërisë luajnë për Hajvalinë, kampionin kosovar, dhe shumë prej tyre i kanë rrënjët përtej kufirit. Ndeshja me Shqipërinë paraqet një ushtrim se si t’i dilet në krye emocionit të një derbi lokal dhe presionit i cili e karakterizon një ndeshje të tillë; ndeshjet e radhës kundër Greqisë dhe Maltës mund të shërbejnë si ushtrime edhe më thelbësore, por gjithçka, në këtë fazë, është mësim i cili do t’i ketë baticat dhe zbaticat e veta.

Megjithatë, është ky një mësim i cili udhëhiqet nga rrugëtimi i atyre të cilët kanë pasur sukses më parë. Kur Alushi u largua nga Istogu atë mëngjes traumatizues para 24 vitesh, duke u larguar nga vendlindja së bashku me famljen e saj në një udhëtim rraskapitës e të rrezikshëm katërditor drejt Gjermanisë, ajo vështirë se do të mund ta paramendonte jetën e cila do të pasonte dhe shpërblimet të cilat ajo do t’i sillte. Ky rrugëtim i futbollisteve kosovare do të jetë patjetër më pak i ashpër, edhe nëse merr më shumë kohë; përparësia e lojtareve të Kosovës sot është se modele më të mira se Alushin dhe Asllanin s’do të kishin pasur kurrë.K

Foto kryesore: imago/foto2press.

 

Kthehu prapa tek Monografia e Sportit

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO