Në thelb | Kulturë

HAPËSIRA E BASHKI-‘M’-IT NË PRISHTINË

Nga - 29.08.2016

Klubi 'M' lë mbresa me publikë të shumëllojshme.

Është vështirë të shpjegohet saktësisht Klubi M; pjesërisht bar, pjesërisht kafene, pjesërisht qendër kulturore – hapësirë që ofron muzikë nga elektronika e tekno deri te tingujt më eksperimental e alternativ, madje ndonjëherë edhe xhaz. Gjindet 10 minuta larg në këmbë nga qendra e qytetit. E rrethuar me shtëpi banimi, ‘M’ ka edhe një oborr mjaft të gjërë që ofron mundësi shoqërimi e relaksimi.

Prej hapjes para gjashtë muajve, ‘M’ ka krijuar reputacion për ofrim të një rangu të gjërë të ngjarjeve muzikore dhe kulturore për njerëz me shije dhe stile të ndryshme. “Idea themelore është të mundohemi e të krijojmë një vend, një shtëpi të ngjarjeve që nuk është e varur prej donatorëve të ndryshëm”, thotë pronari, Dren Maliqi. “Qytetit i duhet një vend i tillë, ku të rinjtë mblidhen, ku bashkohen njerëz që mendojnë; shpirta të lirë që nuk ua ndinë”.

Para rishpikjes si hapësirë shoqërore, kjo ndërtesë ishte shtëpi e zakonshme familjare në gjendje jo aq të mirë. Ajo kishte qëndruar e zbrazët për dy vite, dhe Maliqi e morri përsipër që ta rinovonte vet, duke e transformuar në një klub që tani qëndron hapur deri në orët e hershme të mëngjesit. “Unë rrezikova dhe bëra diçka që rrallëkush në Kosovë e bën, të provoj të investoj në kulturë pa asnjë cent në xhep”, thotë Maliqi, i cili e kaloi një vit duke kryer renovimet e nevojshme. “Është shumë personale për mua. Është diçka që po zhvillohet si hapësirë, si program, si koncept, e edhe me publikun e njerëzit që vizitojnë”.

Përderisa tani ‘M’ ofron kryesisht ngjarje muzikore, Maliqi bashkë me bashkëshorten e tij Vlera Spahija në të ardhmen të ofrojnë një shtrirje më të gjërë të aktiviteteve kulturore. Megjithatë, tani për tani synimi kryesor është që të bëhen financiarisht të qëndrueshëm. “Po punojmë që ta bëjmë një vend që e mban vehten, që prodhon të hyra, që i mbulon shpenzimet e mirëmbajtjes dhe të stafit. Pra në gjashtë muajt e ardhshëm do të vazhdojmë me të njejtin tempo të gjashtë muajve të kaluar”, thotë Maliqi.

Ai beson që duke u siguruar të gjithë artistëve një hapësirë ku mund të praktikojnë talentin e tyre, le që nuk u kushton asgjë, por është diçka që mund të rezultojë në gjëra të bukura në të ardhmën. “Kemi më shumë punë gjatë natës se sa gjatë ditës”, thotë ai. “E kemi një hapësirë që ndonjëherë përdoret, por ndonjëherë mbetet e zbrazët. Nuk na kushton asgjë që t’i inkurajojmë të gjithë njerëzit që kanë nevojë të ushtrojnë në art, muzikë ose kulturë, që të vijnë e ta shfrytëzojnë vendin tonë. Njerëzit që kanë nevojë për hapësira, njerëzit që nuk financohen nga askush, por e bëjnë me dashamirësi. E kemi këtë mundësi, dhe do ta japim gjithmonë”.

Spahija shpjegon se si, edhe pse u duhet të sigurojnë qëndrueshmëri financiare, shpirti karakteristik që ‘M’ po mundohet ta përforcojë është më i bazuar në vlera artistike dhe kulturore se sa në përfitime financiare. “Është veçanërisht për artistë në përgjithësi, por edhe për muzikantë që ende nuk kanë pasur sukses, ose që e bëjnë vetëm se e duan”, thotë ajo. “Njerëzit vijnë këtu për të luajtur muzikë për qejf. Kishte raste kur njerëzit vinin e thonin se nuk e bëjnë për para, por për qejf, dhe do ta bënin përsëri për qejf. Ky lloj mirëkuptimi që e kemi krijuar me njerëz të caktuar është shumë mirë për neve, veçanërisht në këtë kohë kur të gjithë e kanë vështirë”.

Muzikantët që luajnë në ‘M’ dallojnë, prej njerëzve që thjeshtë e duan muzikën dhe duan ta ndajnë atë me tjerë, e deri te DJ lokal e bende alternative.

Edhe muzikantët klasik mund të gjejnë vend aty, si flautistja Erëmira Çitaku, e cila u takua me K2.0 në një vizitë së fundmi kur performoi një set eksperimental me Liburn Jupollin dhe Luan Durmishin, në të cilin u munduan të krijojnë një “komunikim të muzikës me gjuhë”.

“Filozofi Martin Heidegger ka thënë se gjuha është shtëpia e qenies “, shpjegoi Çitaku. “Sidoqoftë, kjo na ka shtyrë që të mendojmë për idenë se jo vetëm gjuha, por edhe muzika është shtëpia e qenies, diçka që kuptohet më së miri prej muzikantëve”.

Performanca u karakterizua me tinguj të veçantë nga një pajisje e vogël elektronike që e operonte Çitaku, përkrah flautës dhe vokaleve të saja, deri sa vëllau i saj Lumi bënte instalacion të drejtpërdrejtë me video. E gjithë performanca u quajt “Shtëpia e Qenies 2”. Versioni i parë u performua verën e kaluar në projektin artistik Baushtellë.

Çitaku mendon se një hapësirë si ‘M’ është diçka pozitive dhe siguron një lokal të përshtatshëm për projekte të tilla artistike. “Kemi ushtruar këtu disa ditë rradhazi”, tha ajo. “Mundësia që ‘M’ po e jep është shumë e mirë sepse shpesh ne muzikantët nuk kemi hapësirë për t’u bërë bashkë me njëri tjetrin. Besoj se është hapësirë e përshtatshme për ta shprehur vetën më lirshëm se zakonisht”.

Blerta Kosova, një prej talenteve të reja të muzikës në Kosovë, veç se ka bërë disa bashkëpunime me ‘M’, duke përfshirë prova e performanca të ndryshme. Ajo mendon se ky klub është vend i rehatshëm ku njerëzit rrezatojnë energji pozitive dhe miqësore. “Përveç që është ‘fole e jetës së natës’, siguron edhe një hapësirë për qëllime artistike”, tha Kosova për K2.0. “Ata janë të gatshëm të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me ‘lloje të ndryshme të artistëve’, dhe është thjeshtë një vend ku të gjithë mund ta sjellin një koncept ose një ide dhe ta praktikojnë atë”.

Maliqi, i cili e përshkruan vetën si punëtor kulturor, thotë se stimulimi i artit dhe kulturës është proces që ka nevojë për durim dhe përkushtim, dhe krijimi i një kanali të komunikimit në mes të artistëve dhe publikut është një prej synimeve kryesore të ‘M’. “Një prej problemeve që bëjnë që arti të mos jetë fitimprurës – e unë mendoj që mund të jetë – është fakti që njerëzit thjesht pritojnë, ose ndoshta presin që të përfitojnë menjëherë”, thotë ai. “U mungon gjithashtu motivi për të punuar me publikun dhe artistët. Njëri prej synimeve tona është ta bëjmë pikërisht këtë, në mënyrë që të krijojmë një komunitet dhe të sigurojmë vazhdimësi me këtë shtëpi si vend që ofron hapësirë dhe mundësi”.

Megjithatë, roli i ‘M’ e tejkalon rolin e një qendre kulturore dhe tejkalon çdo definicion konvencional të një hapësire. Spahija, që zakonisht kur pyetet mbi rolin e saj në ‘M’ përgjigjet, “Hej, unë vetëm po ndihmoj”, thotë se për të në fund të fundit është e rëndësishme që kushdo që viziton të ndihet sikurse përket këtu.

“Nëse kam diçka personale me këtë shtëpi, dua që të gjithë ata që vijnë të mos ndihen të gjykuar ose të trembur nga tjerët”, thotë ajo. “Të kemi aq shumë diversitet sa që të mos futemi në një kategori të të qenit vend për ‘këta’ apo ‘ata'”.

Gjatë ditës ‘M’ është kryesisht vend i qetë, dhe për ata që kalojnë andej është kafene që gjithashtu ofron një meny të shkurtër të ushqimeve ku ka “edhe ushqim të shpejtë, edhe alternativa më të shëndetshme”.

Vizitorët janë gjithashtu të lirë që ta shohin biblotekën e çuditshme në papafingo, ku mund të gjejnë koleksionin eklektik të librave të axhës së Maliqit, Shkelzenit; filozofi, kritiku i artit, analisti politik dhe intelektuali është pronari i shtëpisë.

Shtrirja e ofertës së ‘M’ është mjaft e larmishme pasi që mund të merret me qira prej grupeve të ndryshme për aktivitetet e tyre. “Përveç muzikës, po flasim për një hapësirë ku mund të organizohen evenimente të ndryshme”, thotë Spahija. “Për tani nuk po bëjmë asgjë tonën, por po mbulojmë organizime të ndryshme, nëse doni të mbani ndonjë seancë trajnuese apo workshop-e, dhe i kemi inkurajuar të gjitha organizatat që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, veçanërisht ato që janë më të margjinalizuara”.

Udhëheqja e një hapësire si ‘M’ i ka sfidat e veta. Maliqi shpjegon se aktualisht problemet më të mëdha janë ato më praktike. “Hapësira është 730 metra katrorë dhe duhet shumë kohë për ta mirëmbajtur”, thotë ai. “Sfidë tjetër është t’i sjellim njerëzit këtu, por ajo është më shumë e lidhur me programin”.

Problem tjetër është lokacioni, pasi që për shkak të banorëve që jetojnë në lagje, duhet të kenë kujdes me nivelin e zhurmës pas mesnatës. “Nuk jemi në qendër, por jemi të rrethuar me banorë”, thotë Spahija. “Është pak problematike që të zhvillojmë çfarë duam, veçanërisht për party pas mesnatës”.

Udhëheqja e një hapësire si ‘M’ i ka sfidat e veta. Maliqi shpjegon se aktualisht problemet më të mëdha janë ato më praktike. “Hapësira është 730 metra katrorë dhe duhet shumë kohë për ta mirëmbajtur”, thotë ai. “Sfidë tjetër është t’i sjellim njerëzit këtu, por ajo është më shumë e lidhur me programin”.

Problem tjetër është lokacioni, pasi që për shkak të banorëve që jetojnë në lagje, duhet të kenë kujdes me nivelin e zhurmës pas mesnatës. “Nuk jemi në qendër, por jemi të rrethuar me banorë”, thotë Spahija. “Është pak problematike që të zhvillojmë çfarë duam, veçanërisht për party pas mesnatës”.K

Fotot nga Cristina Mari dhe Klubi “M.”

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO