Biseda | DokuFest2018

Qendresa: E them llojin e tingullit që e dua

Nga - 03.08.2018

DJ, producentja dhe këngëtarja flet për ruajtjen e zërit të saj në industri dhe rrënjët e saj kosovare.

Qendresa Sopa, ose thjeshtë Qendresa si emër artistik, ka bërë atë që shumë të rinj të tjerë janë detyruar ta bëjnë para se të hynin në industrinë e muzikës: shërbeu kafe këtu, modeloi atje – i pagoi taksat. Por tani, pas rreth 8 vitesh, ajo më në fund është lidhur krejtësisht me muzikën, që është bërë reflektim i saj, përbërja e saj.

Muzika e Qendresës është shpërndarë në internet prej lansimit të Shades On, EP me gjashtë këngë të prodhuara bashkë me producentin në Londër, Hugo Mari, në tetor 2017. Gilles Peterson i BBC i ka lëshuar tingujt e tyre në valët e radios dhe tani Qendresa është duke e shtyer para karrierën e saj si solo artiste në disa nivele, përfshirë këtu performancat e saj si DJ, shkrimin/prodhimin e këngëve dhe këndimin. Ajo gjithashtu e drejton një radio emision në NTS Radio, e bazuar në Londër.

E lindur prej prindërve kosovarë në Londër, dhe e rritur në veri të Londrës, përzierja e ndikimeve dhe personalitetit modest të saj reflektohen në jetën reale dhe në muzikën e video klipet e saj, nëpërmjet të cilave e shpreh një shpirt elegant.

Emri i saj ka qarkulluar gjithnjë më shumë në Kosovë në muajt e fundit, prej kur e publikoi Shades On. Sonte ajo do të performojë si live dhe si DJ bashkë me partnerin dhe producentin e saj Rob Mack (anëtar i King Krule dhe projekteve të tjera muzikore) si akti i parë i DokuNights në skenën Andrra.

Para se ta hapë programin muzikor të DokuFest, Qendresa bisedoi me K2.0 për krijimin e karrierës në një prej kryeqyteteve të muzikës bashkëkohore dhe për procesin e zhvillimit në një muzikante me zë pa e shitur shpirtin te djajtë e industrisë.


K2.0: A ktheheni shpesh në Kosovë? A keni ende marrëdhënie me familjen e juaj dhe qytetin këtu?

Qendresa: Jam kthyer çdo vit pas luftës, por jo edhe aq shumë në dy vitet e fundit sepse kam qenë shumë e zënë. Babi është nga Ferizaji dhe mami nga Obiliqi. Kur vi, rri me familjen e babit dhe me të mamit.

Prindërit e mi shkuan për të jetuar në Londër në vitin ’89. U detyruan të vinë fshehurazi. Shumë sende po ndodhnin në Kosovë, kështu që u detyruan të jenë të kujdesshëm. Erdhën në Londër dhe disi arritën të qëndrojnë atje dhe të mos kthehen.

Pas një viti më lindën mua, dhe jetuan për një kohë të gjatë në hapësira të vogla me miq kosovarë të familjes. Më në fund morrën azil, dhe ja ku jemi, 28 vite më vonë.

Si ndiheni që jeni kthyer?

Ndihem mirë, dhe tani kam shumë lidhje. Njerëzit më shkruajnë në Instagram dhe më folin kur jam këtu – duan të më takojnë. Dje e takuam një vajzë të mirë e cila ma lexoi fallin. Në fakt tani është më mirë sepse kam arsye tjera për të ardhur, përveç pushimeve. Tani kam arsye për të komunikuar me njerëz, dhe për të qenë pjesë e ndodhive.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Këtë verë ju performuat edhe në Turtle Fest në Shqipëri, dhe tani do të performoni në DokuNights. Çfarë përvoje keni këtu me muzikë?

Vështirë është ta përshkruaj. E paramendoja kur dilja në klube të Prishtinës. Doja të isha DJ, doja të luaja për njerëzit dhe miqtë e mi, dhe gjatë pushimeve verore ishte shumë interesante… dhe tani ja ku jam.

A keni jetuar gjithmonë në Londër? Çfarë u pëlqen te ky qytet?

Londra më pëlqen fillimisht për shkak se është vendi im, dhe se identifikohem me të. I ka të gjitha. Çdo verë kur kur vija këtu për një muaj dhe kthehesha, isha mirënjohëse që jam nga Londra, sepse e shoh se si jetojnë familja ime këtu dhe se nuk është bash lehtë. Pra kur kthehem në Londër them: “E kam botën në duar, dhe duhet ta përdori si avantazh”.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Londra është djep i shumë muzikantëve dhe bendeve, madje edhe lëvizjeve muzikore, si grime

Të jep lirinë për të qenë çfarë të duash në muzikë. Mendoj se kjo është ndërkombëtare tani, dhe se të gjithë po bëhen eksperimentalë, por mendoj se Londra të lejonë ta shprehësh veten si të duash, në çfarëdo mënyre. Pranohen të gjitha llojet e muzikës.

Si mendoni se ndikoi ky qytet, dhe veçanërisht pjesa veriperëndimore e tij prej nga vjen ti, në fillimin apo evoluimin tënd në muzikë?

Duke qenë nga veriu, Londra veriperëndimore, e di se atje kemi një përzierje të dy llojeve të klasave [shoqërore]. Ka njerëz shumë të varfër, që i strehon shteti, dhe pastaj ka njerëz shumë të pasur, veçanërisht në Londrën veriperëndimore. Nëse keni dëgjuar për zjarrin e Grenfell Tower, ajo zonë, Kensington dhe Chelsea, është zonë ku ke njerëz shumë, shumë të pasur dhe shumë, shumë të varfër.

Kjo më frymëzoi shumë sepse më lejoi ta shijoja stilin luksoz të jetës që është shumë i arritshëm në Londër, por edhe urinë për të arritur diçka sepse nuk ta falë kërkush. Në Londër sheh shumë njerëz që ua kanë falur gjërat, qoftë në biznes apo muzikë apo çkado. Por kur punon vet në atë qytet, mund të frymëzohesh shumë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Çfarë bënë përveç muzikës? A mund të mbijetosh vetëm nga muzika?

Nuk kam qenë kurrë në universitet. Në fakt shkova por e lash. Studiova artet e bukura për një vit, pastaj modën, dhe pastaj mendova: këto mund t’i bëjë pa studiuar. Plus e mira e Londrës është që ndonjëherë nuk të duhet domosdoshmërisht të kesh diplomë. Po të kisha patur dëshirë me të vërtetë për ta ndjekur karrierën në modë – fatmirësisht nuk pata! – jam mjaft e sigurt që do ta kisha realizuar, po të isha fokusuar me të vërtetë.

Por fillova ta eksploroja muzikën, të bëja muzikë me miq dhe familje, me njerëz me të cilët studioja, dhe më ndihmoi shumë. Nuk jam shumë e mirë me provime e sende, dhe muzika është shumë praktike, kërkon pjesëmarrje aktive më shumë se teori – hyn në të dhe e zbulon formulën për ta krijuar një këngë.

Këtu jam tani, duke e zbuluar. Por tani vetëm po bëj muzikë. Kam punuar si kamariere prej kur e kam lënë shkollën. Punoja në restorane, bare… deri vitin e kaluar kur fillova të performoja si DJ, dhe e drejtova emisionin e NTS, dhe një mik i imi që punon si agjent më morri dhe jam shumë me fat – tani vetëm bëj muzikë.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Si fillove të prodhosh vet muzikë?

Fillova para shtatë a tetë vitesh, me miq. Isha në një periudhë të keqe të jetës. Si duket për shkak që e lash shkollën dhe nuk kisha plane për të adhmen, dhe prindërit si shqiptarë tipik më thonin “Hajde, shko në fakulltet ose bon diçka me jetë…”

Isha në situatë shumë të keqe me miq, marrëdhënie, familje – nuk e dija çfarë po bëja. E kisha një grup të miqve me të cilët jam shumë e afërt tani. Shkuam në shkollë së bashku por kurrë nuk rrinim së bashku sepse ata ishin tepër të dhënë pas muzikës dhe një vit më të mëdhenj se unë dhe tepër cool për mua. Por para shtatë viteve e rikuperuam miqësinë tonë dhe filluam të bëjmë muzikë në një prej banesave të tyre. Prej atëherë ka shkuar vetëm lart e më lartë…

Si tingëllonte muzika juaj në fillim dhe si mendon që ka evoluar prej atëherë?

Ka evoluar në kuptimin që tani mund ta kontrolloj më shumë zërin tim… Ndonjëherë kam dëshirë të kthehem në atë fazë që isha atëherë kur nuk mendoja shumë, por thjeshtë shprehesha në moment.

Tani ka shumë më shumë mendime. Mendon për arranzhim, strukturë. Ndonjëherë kur jam duke incizuar mendoj ‘si do ta lansosh këtë? E pastaj them ‘Jo! Rri në moment dhe bone kangën!” Falltarja më tha dje që nuk duhet të mendoj kaq shumë, dhe duhet thjeshtë të dorëzohem e të shkoj me rrjedhën e jetës. Tani jam këtu.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në fillim ke punuar disa këngë me një grup të quajtur Mindset dhe ke punuar gjithashtu me Hugo Mari në EP-në Shades On. Si ishin këto bashkëpunime, dhe a kanë të ardhme?

Pra këta miq që i përmenda janë Mindset, e pjesë e saj është edhe Hugo. Pra ishim të gjithë ne. Pastaj të gjithë e lanë bendin, dhe mbetëm vetëm ne dy.

Unë desha ta mbajë vetëm emrin tim, Qendresa, dhe miqtë e mi më thanë: “Po, definitivisht më mirë se Mindset, nëse je vetëm ti në skenë… më mirë ta ketë emrin tënd, dhe normalisht t’i japësh merita edhe producentit atëherë kur duhet”. Sigurisht kjo nuk shkon për personin tjetër sepse don t’i njihet puna njëlloj, dhe është e kuptueshme – më shkon nerva pak por është e kuptueshme [qesh].

Pra tani jam duke punuar solo, dhe jam më e vendosur kur punoj me producentë. Duhet të them “kjo është kënga ime”. Sepse producentët definitivisht mund t’i marrin vokalet dhe të vendosin si artist dytësor, ose të mos përfshijnë fare.

Nëse je duke u munduar të rritesh në karrierë si unë, duhet të jesh e vendosur. Këtë e mësova në projektin Mindest, sepse mendoja “oh, universi do të më udhëzojë…” Kur të gjithë miqtë e mi e lanë dhe filluan të punojnë në vende serioze, e kuptova që duhet ta bëja vet.

Tani do t’i lansojë disa këngë të reja të cilat janë në fazë të postproduksionit, dhe pastaj do të fokusohem në një album.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Stilin realisht nuk e ke komercial apo mainstream. Si arrin ta ndërtosh karrierën duke ruajtur njëkohësisht zërin dhe identitetin?

Më herët po flisnim për Londrën, dhe është mirë disi që jemi në Londër dhe që e kam emisionin në NTS [radio], sepse aty i lëshova këngët e mia dhe kështu e bëra emrin. Por është e vështirë sepse njëkohësisht nuk kam dashur kurrë të jem mainstream, pra nuk dua ta shtyj veten me zor.

Por jemi me fat që jemi në Londër sepse kemi lloje të ndryshme të radio stacioneve. Pra për shembull kemi emisione të natës të cilat ndoshta i përshtaten më shumë muzikës time dhe asaj që unë e përfaqësoj. Mendoj se dua të bëhem mainstream por jo me emrin tim si artiste. Disi dua ta bëjë për artistët e tjerë.

Gjithmonë më ka pëlqyer të shkruaj këngë për artistë të tjerë sepse mendon më pak, dhe mund të jem më e hapur për emocionet e mia, dhe ta shkruaj një këngë të thellë pop e të mos ndihem e lidhur me të, dhe të ja jap dikujt për ta kënduar. Kam vështirësi sepse lidhem me këngët që i shkruaj.

Lidhem disi dhe mendoj “Nuk dua ta ndaj këtë” ose “Nuk dua dikush të mendojë që jam e dobët”. Kur shkruan këngë dashurie mund të dalësh shumë e dobët… nuk është diçka e keqe, po ndonjëherë nuk dua.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Disa prej video klipeve të juaja të lënë ndjesinë e 90-ve sa i përket modës, tingujve dhe lëvizjeve. Ju u lindët në 1990, pra prej nga erdhi ky frymëzim nga vitet e 90-a? Si e pranove?

Sa i përket modës, mund të përgjigjem shpejtë – dyqanet e bamirësisë në Londër! Gjithmonë i vizitoj, çdo ditë, edhe kur kam para… dhe gjithmonë ka sende të 90-ve.

Ndërsa për muzikë… radiot lëshonin muzikë shumë të mirë sa ishim duke u rritur në Londër. Edhe muzika e keqe ishte e mirë! Edhe ato palidhje si muzika e Avril Lavigne ishin shumë të mira. “I’m with you” është këngë shumë e mirë. A po më kupton? Edhe ato më palidhje ishin të mira. E shkrova një këngë para disa ditëve dhe më kujton Dido! Ajo epokë më frymëzon shumë. Mendoj se 90-at më frymëzuan, por 80-at ma dhanë dëshirën për të bërë muzikë.

Mendoj se për shkak që nuk isha pjesë e asaj kohe, kur e dëgjova mendova “Çka është kjo?” E doja shumë. Kjo ma dha dëshirën për të bërë muzikë. Shumë prej këtyre këngëve i kam dëgjuar para tetë viteve.

A je ballafaquar me pasiguri apo a ka ndikuar tek proceset kreative fakti që nuk je trajnuar profesionalisht?

Më parë po. Gjithmonë e kam patur Logic por mendoja “nuk jam si miqtë e mi”. Por tani them: “Kjo po del prej meje, dhe do ta luaj”.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Keni shumë shtresa. Keni punuar si modele, keni kënguar dhe prodhuar muzikë, dhe në shkurt të vitit të kaluar ju debutuat në Boiler Room si DJ, për Shën Valentin… Ju gjithashtu e drejtoni një emision në NTS Radio ku lëshoni një përzierje të R’n’B, hip hop, slow jams, madje edhe pop e house music. Çfarë synoni të arrini kur jeni në radio, kur jeni duke performuar në klube para publikut, dhe kur jeni në studio duke prodhuar muzikë për albumin? Si lidhen këto tri role? Çfarë kërkoni nga secila?

Kur fillova të modeloja, e urreja, por e bëja për t’i paguar taksat e sende. Kisha dëshirë të isha parimisht artiste, e pastaj modele. E urreja faktin që isha modele dhe bëja muzikë si aktivitet dytësor – e urreja!

Mendoja se si artiste mund të isha çfarëdo, e si modele mund të isha pak e trashë e ta kisha stilin tim. Por si modele më thonin “ke fillu me bo kuka…” e shumë më vinte inat se më pëlqenin kukat e mi.

Tani më duket se kam më shumë fuqi. Kam avantazhin. tani si DJ, e kam muzikën time. Nuk jam aq e vendosur sa tingëlloj tani, por u them njerëzve çfarë dua, ndërsa me modelim ata më tregojnë çfarë duan prej meje. Tani them kjo dua të tingëllojë kështu, dhe këtë lloj të muzikës do ta luaj për sonte. Më mbetet mua për të vendosur, dhe këtë e kam synuar gjithmonë – fuqinë time – sepse po, e urrej të më urdhërojë dikush në punë.

Edhe kur fillova të bëja muzikë, fillimisht mbaja seanca në studio me Zero 7. Ata ishin më të vjetër dhe shfrytëzonin shumë autotune në zërin tim. Isha disi e re në këtë punë dhe thoja “Kam menduar se kisha zërin e mirë – por është e qartë që nuk e kam”. Nuk kisha kontroll në ato seanca në studio. Thjesht duhej të këndoja ashtu siç më thonin, edhe nëse e shkruaja vet.

Tani kam kontroll. E them atë që dua. Normal që jam e hapur ndaj njerëzve dhe dua të provoj sende të reja, dhe më pëlqejnë komentet e kritikat, dhe angazhimi me producentë, por po, në thelb dua të kem kontroll.

A ndikoi në këtë lloj të bashkëpunimit dhe trajtimit fakti që je një grua e re?

Po, sepse si grua, flas dhe nuk më dëgjojnë – edhe mes miqve ndodh ndonjëherë, edhe pse pa qëllim. Është e trishtë por kështu shkon. Kërkon shumë punë…

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

R&B definitivisht ka ndikuar në muzikën e juaj. Është një stil që ndoshta nuk është më aq mainstream sa ishte në të kaluarën – ndoshta tekno sot është më e njohur se R&B, që për disa gjenerata më të reja mund të tingëllojë si stil “i vjetër”. Si e përshkruani R&B bashkëkohor, dhe muzikën që e bëni ju sot?

Është shkrirje e gjithçkafit. Më pëlqen të marr nga Erykah Badu – jo bash “të marr”, por nuk mund të durohem sepse ajo ka ndikuar shumë tek unë sepse e kam dëgjuar shumë në vitet e fundit.

Gjithashtu mundohem të jem e pranishme në rritjen time në Londër. Për shembull, gjatë kohës kur isha duke u rritur në Londër, u zbulua grime dhe unë isha shumë e pranishme në atë skenë. Nuk lëshohej ende në radio stacione, por unë e dëgjoja kurdo që kisha mundësi, e incizoja kurdo që kisha mundësi, dhe jam krenare të them se grime vjen nga qyteti ku jam lindur dhe tani është përhapur në gjithë botën.

Dua ta bëj një lloj muzike si hip hop, disko me përzierje të 80-ve e 90-ve, e ta shkrijë me rritjen time në Londër – në lagje jo shumë të mirë, me njerëz të cilët i përkisnin minoriteteve, refugjatëve… dua ta përfaqësoj disi këtë në R&B-në time.

Por ndikohem shumë edhe nga Mariah Cary, parimisht për shkak se ishte heroina ime deri sa isha duke u rritur, dhe pastaj Erykah Badu, The Roots, A Tribe Called Quest, por edhe njerëz si Lou Reed etj.

Ku i ke dëgjuar këto ndikime muzikore? Po flisni për qytetin dhe kulturën, por ku i dëgjoni këta tinguj? Veçanërisht kur kemi parasysh ndikimet e juaja nga dekadat e kaluara, dhe atë se si njerëzit në atë kohë i janë qasur muzikës – pra më shumë nëpërmjet revistave, emisioneve muzikore televizive, radios…

Fillimisht i kam dëgjuar në YouTube, dhe është më së miri, sepse ke shumë rekomandime dhe ndonjëherë ato nuk i gjen në dyqane që shesin pllaka vinil. Them se shumë më shumë gjej muzikë në YouTube se në dyqane, sepse nuk kam gramafona dhe kërkon shumë punë – më duhet të përqendrohem tërësisht kur shkoj në dyqane të muzikës. E në YouTube thjeshtë sillem nëpër uebfaqe…

Producenti dhe partneri i Qendresës, Rob Mack, gjithashtu është i frymëzuar nga vendlindja e tij, Londra, si dhe gjenerata e diasporës kosovare. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Sa i përket emisionit të juaj në NTS, ju lëshoni muzikë dhe zhanre të ndryshme. Me siguri edhe DJ setet i ke të ngjashme…

Këtë e ka Londra njeri.

Rob Mack: Në një qytet të tillë e ke çdo kulturë: Xhamaikane, Amerikane, Indiane, Turke… Dhe kur njerëzit lindin në gjenerata të reja, mënyra se si lidhen me njëri tjetrin është kultura, muzika, dhe të gjithë e sjellin ndjeshmërinë e tyre. Disa prej miqve të mi u pëlqen muzika punk, disa dubstep, tjerëve elektronika, xhezi dhe elektro funk. Në këtë mënyrë bëhen bashkë grupet e miqve në Londër, në jug, veri, lindje…

Qendresa: Secila zonë ndikohet deri diku nga Karaibet. Ndoshta më shumë gjatë 80-ve dhe 90-ve, dhe tani lidhet më shumë me ndikime afro-karaibe, veçanërisht në rajone si Londra Jugore… Por nëse shkon në një klub të Londrës, edhe klubet mainstream lëshojnë hip hop dhe trap e sende, por ajo lidhet më shumë me faktin se muzika pop është më e gjërë.

Tani njerëzit janë të hapur ndaj hip hopit e muzikës trap, kështu që kur luaj nuk ma ndinë. Kur fillova të performoja si DJ isha shumë e sikletosur, kështu që lëshoja këngë që më pëlqejnë, të zhanreve grime, trap, hip hop, soul… Dhe po mundohem ta ruaj këtë, por nuk dua të dallojë shumë njëkohësisht – por definitivisht Londra të frymëzon.

Më herët folët për përfaqësimin e konteksti të migrimit, të minoritetit, të familjes që është përballur me vështirësi gjatë përpjekjeve për të qëndruar, si të ardhur. Ju jeni londineze kosovare e cila po mundohet ta krijojë një karierë në muzikë, dhe kur të kam kontaktuar për këtë intervistë, ishte një kohë kur Rita Ora po e vizitonte Kosovën dhe Dua Lipa fitoi në Brit Awards. Si ndiheni për këtë “fenomen”? Si të duket?

Është çmenduri. Më kujtohet kur doli Rita dhe të gjithë ishim shumë krenarë. Shumë ishim krenarë dhe ende jemi. Mendoj se kam mësuar shumë për neve si komb. Askush nuk është si ne. Një kosovar e vëren tjetrin në kilometra: “Hajde këtu, hajde n’shpinë teme!” [Qesh].

Rob: Si i huaj më duket shumë interesant. Dhe po mësoj shumë nga Qendresa me këtë. Jam rritur me plot shqiptarë, kam parë identitete të ndryshme e kësi sende, por historia e këtij kombi është shumë e re, dhe pasojat e historisë së tij e mënyrës se si është shpërndarë në botë…

Tani i sheh gjeneratat e reja të njerëzve që janë rritur në pjesë të ndryshme të botës por janë prapëseprapë krenarë dhe identifikohen me trashëgiminë kosovare. E shohim në muzikë, por e shohim edhe në sport: Januzaj, Shaqiri, Xhaka, të gjithë janë shumë krenarë me prejardhjen e tyre, dhe e përhapin mesazhin. Për njerëz më të ri se Qendresa, që janë 14 apo 15 vjeçarë, është mirë kur i shohin kosovarët duke arritur sukses ne çfarëdo situate, qoftë në muzikë, sport, modë, inxhinieri… i frymëzon.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Pa e ekzotizuar prejardhjen tënde, a mendoni se fakti që vjen nga një familje e migrantëve të ka shtyer në ndonjë mënyrë të veçantë për të punuar, për shkak se nuk i ke marrë gjërat si të mirëqena?

Definitivisht po. E mbaj në mend kur babi më shpjegoi kuptimin e emrit tim. Dhe kur vi këtu çdo vit, çdo verë, dhe e shoh se si mundohen familja ime, kushërirët e mi të cilët nuk kanë perspektivë… jo të gjithë… më bënë të luftojë më shumë, për mua dhe për ta. Të shtyen disi.

Kur i dëgjoj tregimet e mamit se si kanë ardhur këtu… Ne u kthyem në Kosovë në vitin 1997. Ishte hera e parë që u kthye mami prej kur u larguan në ’89, dhe babi nuk pati mundësi të kthehej. Ajo erdhi me mua, vëllaun tim dhe ishte shtatzënë me vëllaun më të vogël. Erdhëm dhe filloi lufta.

U detyruam të ikim. Prindërit e mi i fshehën të gjitha prej meje. Nuk më lanë të shihja lajme. Ishte shumë pikëlluese. E dija që po ndodh diçka. Kur ikëm, shkuam me autobus në Maqedoni dhe qëndruam në një shtëpi plot me maqedonë shumë të nervozuar… ishte çmenduri. Mami ishte në fazat e fundit të shtatzënisë dhe e gjithë kjo më bëri shumë të uritur sepse e shihja mamin të frikësuar… ishte kohë e çmendur dhe po, më motivoi shumë.

Për fund, ndonjë këngë për lexuesit tonë?

Beauty, nga S4U dhe 808 ink. Janë muzikantë shumë të mirë të Londrës.

Intervista është zhvilluar në gjuhën angleze dhe redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.