Biseda | Muzikë

Rebekah: Puna e DJ-it është për të ndarë energji

Nga - 19.09.2017

Ylli i teknos godet Prishtinën.

DJ Rebekah, e cila jeton në Berlin, erdhi në Prishtinë të premten pasdite (15 shtator), dhe dukej e freskët për performancën e saj në Teatrin Oda. Ajo do të performonte menjëherë pas DJ-it vendas, Totonit, duke filluar nga ora 2 pas mesnate e deri në mëngjes. Tingujt e saj të rëndë të muzikës tekno sollën prani të fuqishme dhe vigane, dhe patën ndikim elektrizues tek audienca. Ato ishin në kontrast me figurën e saj të vogël.

E lindur në Birmingham në Mbretërinë e Bashkuar, Rebekah ka gati 20 vjet përvojë si DJ, ndonëse kohë pas kohe ka pushuar dhe e ka ndryshuar stilin. Vizita e saj në Prishtinë ishte pjesë e turneut për albumin “Fear Paralysis” dhe u organizua nga promotorët lokalë Next Level, të cilët po festonin 11-vjetorin e tyre. Atë e zbuluan kur performoi në Exit Festival në Novi Sad.

Në fillim të karierës së saj Rebekah eksperimentonte me tinguj dhe zhanre të ndryshme. Adoleshencën e kishte të vështirë, por tani jeton një jetë të shëndetshme. Çdo ditë ushtron në palestër dhe është vegane. Fakti që jeton në Berlin, kryeqyteti i veganëve, ia ka lehtësuar këtë. Por ky qytet është edhe kryeqyteti botëror i teknos, prandaj Rebekah e ka lirinë ta zhvillojë kreativitetin e saj. Është vendi në të cilin ka ëndërruar të jetojë gjithmonë.

Në bisedë me K2.0 para performancës së saj, Rebekah foli për historinë e karrierës së saj, ndeja të ndryshme nëpër botë, meritat e miksimit me llaptop dhe me pllaka apo gramafona, si dhe ofroi këshilla për gra që duan të zhvillojnë karrierë si DJ.

Foto nga Petrit Rrahmani.

K2.0: Thatë se prej moshës 16-vjeçare e keni ditur se doni të bëheni DJ. Si nisi gjithçka? A i frekuentonit klubet e natës në atë kohë?

Rebekah: Kisha shkuar në 2-3 klube dhe më kujtohet si e shikoja DJ-in dhe mendoja: ‘Këtë dua të bëj’. DJ-i që po performonte ishte një tip i quajtur Scott Bond, i cili lëshonte epic house, e më vonë kaloi në trance, dhe ishte një prej DJ-ëve më të mëdhenj të muzikës trance në Mbretërinë e Bashkuar. Familjet tona njiheshin mes vete, kështu që kisha qasje. Miksimi është i hapur për të gjithë, dhe jo për disa njerëz të zgjedhur apo për elitën, apo diçka e tillë.

Pjesërisht ishte ajo, e pjesërisht ishte fakti që isha në klub të natës. Aty ndihesha sikur në shtëpi. Kisha vështirësi gjatë adoleshencës dhe kur shkoja në klub, ishte si arratisje nga ajo jetë. Kështu që doja të isha pjesë e saj. E kisha ndjenjën që përshtatesha në të.

Kur e nisët karrierën si DJ? Çfarë muzike bënit në fillim?

Gramafonat i mora kur i kisha 17 vjet. Ushtrova për gati një vit dhe në fakt fillova të performoja mjaft shpejt. Brenda një viti e mbajta performancën e parë. Bëja muzikë në ndeja të miqve, ose miqtë më gjenin ndeja në të cilat performoja. Pastaj punova në disa klube dhe performova edhe aty. Nuk isha shumë e mirë në atë kohë, por arrita t’i siguroj disa performanca aty-këtu.

Pastaj kur shkova për të jetuar në Londër, nisa të merresha me modelim, sepse isha e re dhe më duheshin paratë – klishe! Më kontaktoi një agjenci dhe më tha: ‘po ne mund të të ndihmojmë me karrierën tënde’, sepse e panë se ishte lehtë për të më inkuadruar në treg, por nuk më respektuan realisht si DJ. I kisha 19 apo 20 vjet, por për shkak se isha shumë e re, mendova vet me veti: ‘po, do ta bëj’. Do të kisha bërë çkado, sepse thjesht doja të isha DJ.

Filluan të më inkuadrojnë në skenë dhe prej vitit 2000 deri në vitin 2004 po lëshoja muzikë house në Mbretërinë e Bashkuar. I mbajta disa performanca jashtë vendit por kryesisht performoja në Mbretërinë e Bashkuar. Dikur e kuptova që nuk më pëlqen realisht ajo muzikë, dhe se nuk kisha dëshirë të merresha me të, kështu që u ndala.

"E kam kryer me ndeja, i kam shijuar me më të mirët. Dikur të bëhet shumë bajat."

Rebekah

E lash agjencinë, e lash Londrën dhe u ktheva në Birmingham, ku fillova të kuptoja përsëri se çfarë doja nga muzika. Ishin të gjitha ato që i dëgjoja në fillim, house e Chicagos dhe tekno. Pastaj e zbulova muzikën minimale dhe më ndihmoi të kuptoja se dashuria për muzikën tekno ishte ende aty, dhe se nuk kishte vdekur kurrë.

U ktheva në fakultet, studiova, dhe pastaj fillova të mësoj si të prodhoj muzikë, dhe fillova ta prodhoja vet. Ai proces, prej kur e lashë Londrën deri kur nënshkrova kontratë me një kompani tjetër muzikore, m’i mori tetë vjet. Tani nuk më duket aq gjatë, por në atë kohë ndodhën aq shumë sende sa që ishte sikur të kisha nisur gjithçka nga fillimi. Prandaj kam performuar si DJ kaq gjatë. Sikur t’i kisha dy kariera të ndryshme si DJ. Kësaj radhe performoj vetëm muzikën që e dua.

Iu bashkuat edhe kompanisë muzikore të Chris Liebing-ut, CLR. Si ndodhi kjo?

Chris filloi ta lëshonte një remiks timin, e pastaj më kërkoi të inçizoja një miks për emisionin e tij online. Pastaj ai vazhdoi duke më kërkuar më shumë muzikë, e kështu unë i dërgoja më shumë e më shumë, dhe në fund më ftoi që të bëhesha pjesë e ekipit. Ishte si ëndërr, sepse kam performuar e vetme si DJ prej fillimit të viteve 2000. Kurrë nuk kam qenë e lidhur me dikë, dhe shumë e doja atë përvojë.

Ishte shumë mirë që u bëra pjesë e këti label-i; ndejat, udhëtimet me të njejtit njerëz, të qenit pjesë e saj – jetë e pastër, vegane. Më pëlqeu shumë. Ishte si një lëvizje e vogël. E kishim një komunitet të vogël, dhe ishte shumë mirë për një kohë.

Jeta e pastër e veganizmi nuk janë zakonisht dy sendet e para që i lidhin njerëzit me kulturën tekno. Si e balanconi jetën e shëndetshme me karrierën e DJ-it?

Për mua nuk ka mënyrë tjetër. E kam kryer me ndeja, i kam shijuar me më të mirët. Dikur të bëhet shumë bajat, sepse është e njëjta përvojë vazhdimisht, dhe asnjëherë nuk i ka ndihmuar hapësirës sime mendore. Pra për mua, në nivel personal, kjo ishte mënyra e vetme.

Kam takuar shumë njerëz të botës së teknos të cilët drejtojnë kompani të mëdha muzikore dhe kanë pozita të mëdha në këtë industri, dhe asnjëherë nuk më kanë dhënë ndjenjën që më ka dhënë Chris-i. Kur njoftohesh me Chris Liebing-un e sheh sa i ngrohtë e sa i hapur është, e kjo më tërhoqi te CLR-ja. Nuk është se të gjithë janë për të jetuar pastër. Disa pinë e shkojnë nëpër ndeja edhe vet, por janë shumë më pranues ndaj zgjedhjeve të krejtve, e kjo më tërhoqi shumë. Ishte më shumë shpirtërore.

Kam kaluar kohë me shumë tipa të muzikës house në Mbretërinë e Bashkuar dhe shpeshherë nëse nuk je duke shkuar nëpër ndeja me këta njerëz, karriera nuk të përparon sepse duhet të jesh nëpër ndeja vazhdimisht me ditë të tëra. Nuk doja ta bëja më këtë. Ta shkatërron trupin dhe nuk kisha më energji për t’i dhënë muzikës dhe kreativitetit. Ky kolektiv më dha shumë më shumë hapësirë për të qenë kreative.

Për Rebekah, puna e saj si DJ është thjeshtë funksion që e kryen si një medium për krijim të energjisë. Foto: Petrit Rrahmani.

Çfarë dëshiron nga miksimi?

Mendoj se miksimi është për energji, energjinë ndërmjet meje dhe publikut. Por është edhe për t’i lejuar njerëzit në publik të ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe ta ndajnë atë energji. Nuk më pëlqen kur krejt fokusi është tek unë, sepse unë jam aty thjesht si medium për ta krijuar këtë energji. Kjo më pëlqen te muzika tekno. Nuk ka vokale. Është më thelbësore. Dua që njerëzit ta përjetojnë këtë, sepse unë gjithmonë e rikrijoj atë që e përjetoj. Jam dashuruar me këtë muzikë dhe këtë dua ta ndaj me të tjerët.

Ka njerëz që i kritikojnë DJ-ët sepse gati të gjithë miksojnë me llaptopë në vend se të përdorin pllaka, duke i humbur kështu kreativitetin, aftësitë, e madje edhe kualitetin e tingujve. Çfarë mendimi keni për këto përparime teknologjike dhe mënyrën si kanë ndikuar në miksim?

Mendoj se teknologjia përparon dhe nuk duhet të jetë e lidhur për tradita në atë kuptim. Po, fakt është që miksimi i dy këngëve apo trakave me gramafonë kërkon aftësi, dhe përshtatja e ritmit të atyre dy këngëve kërkon aftësi, por nuk mund t’i largojmë përparimet teknologjike.

Krejt lidhet me individin. Nëse del një person i ri që ndihet më rehat kur mikson me CDJ (CD Player – pajisje për miksim me CD ose fajlla muzikorë kompjuterikë si .mp3 e .wav), le të miksojë me CDJ. Më mirë është të analizohet produkti që del nga miksimi me CDJ, apo me llaptop, apo me pllaka. Ka DJ e përdorues të dobët të të gjitha këtyre mediumeve, e gjithashtu ka edhe DJ shumë të mirë që performojnë me të gjitha këto, pra duhet ta ndërrojmë fokusin e të kthehemi kah ajo që po del nga zërimi – a tingëllon mirë në klub.

Personalisht nuk dua të ketë mur ndërmjet meje dhe njerëzve. DJ-ët tradicionalë që miksojnë me pllaka ia kthejnë shpinën audiencës, sepse normalisht pllakat i kanë prapa, pra kur mikson e ke një pengesë. Por të gjithë janë vetëm mediume për krijim të energjisë. Janë thjesht vegla që i kemi, dhe nuk duhet ta zhvlerësojmë asnjërën.

I keni rënë rreth e qark botës duke luajtur tekno. Na tregoni përvojën më të veçantë, më të çuditshme ose më të çmendur që e keni pasur me audiencën ose njerëzit që i keni takuar?

Kam performuar pothuajse çdokund. Ndoshta jo në Antarktidë, por në listë e kam. Kam udhëtuar në Azi shpesh, dhe kam performuar në Kinë tetë ose nëntë herë përgjatë viteve. Herën e fundit isha në Kunming, krahinë e Yunnan-it në veri. Ky vend njihet shumë për ushqim djegës, dhe njerëzit atje kanë shumë pasion.

Performova në një klub dhe më paralajmëruan, më thanë ‘shiko, njerëzit aty çmenden, por çmenden për një periudhë shumë, shumë të shkurtë kohore’. Pra performova për 45 minuta dhe ishte si koncert i rokut. Më duket se është një video online. Njerëzit me kuptimin e plotë të fjalës kapeshin në tavan, bërtisnin, hidheshin nga skena në publik – ishte mjaft ndejë e çmendur. Pas 45 minutave, të gjithë u rraskapitën dhe ikën. Ishte tepër intensive dhe u lodhën shumë shpejt. Ishte shumë interesante.

Për mendimin tim, Azia po bëhet vend shumë i mirë për tekno. Po hapen disa klube shumë të mira. Zakonisht janë të vegjël dhe intimë, e kjo më pëlqen. Njerëzit atje kanë shumë energji të mirë.

Meqë ka performuar nëpër botë, Rebekah e vlerëson publikun e Ballkanit për dashurinë që e kanë për ndeja dhe për jetën e natës. Foto: Petrit Rrahmani.

E në Ballkan? I keni parë disa pjesë. Keni peformuar në Exit Festival dhe në Kotor në Mal të Zi. Si ju duken njerëzit atje? A është energjia ndryshe?

Janë më të ftohtë, por u pëlqejnë ndejat dhe jeta e natës. Luajta edhe në Sofie dhe ishte shumë ndejë e mirë. Njerëzit atje… vajzat ishin mahnitëse, shumë të bukura. Mendoj se në të gjitha këto zona gratë duken shumë të bukura, dhe kur ke një përzierje të mirë të grave e burrave, dhe të gjithë e pëlqejnë teknon, është atmosferë shumë e mirë.

Çfarë këshilla ke për gratë që duan të bëhen DJ?

Nëse e kanë shumë seriozisht, atëherë u rekomandoj të studiojnë, të shkojnë në shkollë ose në ndonjë kurs – ta kenë shumë të qartë se çfarë duan të bëjnë. A don me qenë DJ? A don me peformu në qytetin tënd apo don jashtë? Atëherë, nëse e ke shumë seriozisht, mëso si të prodhosh muzikë.

Në fillim idhull e kisha Scarlett Etienne-in. Ajo bënte muzikë dhe më frymëzoi edhe mua që të filloja. E kuptova që nuk mund të përparosh vetëm si DJ. Performoja në qytetin tim, por për të parë botën, për të shkuar përtej, u detyrova të bëja muzikë e të bëhesha pjesë e një kompanie muzikore. Duket si diçka e madhe në fillim, por është e lehtë. Thjesht duhet të punosh shumë.K

Foto kryesore: Petrit Rrahmani.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO