Në thelb | Art

Motër e vëlla pikturojnë jetën e romëve

Nga - 02.11.2017

Kjo dyshe po kërkon studio.

Ëndrra e kahmotshme e Farija dhe Bajram Mehmetit ka qenë ta kenë një atelie. Këta dy romë, motër e vëlla, synojnë ta ruajnë kulturën rome nëpërmjet artit të tyre. Por sigurimi i një hapësire në të cilën do të mund të pikturonin del të jetë më sfidues se për shumicën e artistëve të tjerë.

Ngjashëm janë përballur me vështirësi edhe gjatë përpjekjeve për t’i nxjerrë punimet e tyre jashtë katër mureve të shtëpisë së tyre modeste në fshatin Lepinë; rruga e vështirë e tyre drejt njohjes ka kërkuar jo vetëm talent natyror dhe punë disavjeçare, por edhe gatishmëri për ta shfrytëzuar maksimalisht çdo mundësi që u paraqitet.

Mehmetët janë mirërnjohës për ndihmën që u kanë ofruar disa njerëz, duke i mbështetur ata që t’i publikojnë punimet e tyre. Në javët e fundit, një grup adhuruesish të veprave të Farijas dhe Bajramit u bënë bashkë për ta nisur një fushatë për financim publik në KosovaIdeas që synon grumbullimin e fondeve të nevojshme për ta ndërtuar atelienë. Gjatë fushatës 45-ditëshe janë grumbulluar mbi 15,000 euro, me donacione të kosovarëve dhe të të huajve nga jashtë.

“Kur ke diçka në zemër, ajo dashuri të tërheqë, dhe e bënë. Dashuria për pikturën ishte brenda meje."

Bajram Mehmeti

Me padurim por plot shpresë, Farija dhe Bajrami e kanë përcjellur nga afër progresin e fushatës nga shtëpia e tyre e thjeshtë në Komunën e Lipjanit, rreth 30 minuta udhëtim me veturë nga Prishtina. Me t’u afruar te porta e oborrit të tyre, menjëherë vërehët shenja e Farijës: rreth murit të jashtëm të shtëpisë së tyre dhe në lavamanin zbukurues në oborr ajo e ka pikturuar një kurorë lulesh dhe gjethesh.

Farija dhe Bajrami e shoqërojnë K2.0 në një dhomë të vogël të ditës, muret e së cilës janë të mbuluara me pikturat e Bajramit, të cilat i paraqesin motivet kryesore të punës së tij, momentet e jetës së përditshme të romëve. Në këto mure ka edhe portrete të grave rome të veshura me shalla plot ngjyra, të pikturuara nga Farija. Kjo dhomë ka qenë dëshmitarja më besnike e jetës së tyre; meqë kjo shtëpi i ka vetëm dy dhoma për shtatë anëtarë të familjes Mehmeti – Farija, Bajrami, prindërit e tyre dhe tre motra e vëllezër të tjerë – ajo dhomë shërben si dhomë e ditës, dhomë e fjetjes dhe studio.

Farija, 39-vjeçare, dhe Bajrami, 37-vjeçar, e kanë kaluar jetën e tyre në fshat, ku rutina e përditshme kalon ngadalë. Ata shkojnë edhe në fusha të misrit dhe mbledhin drunj për t’i ndihmuar familjes, kur nuk janë në dhomë duke vizatuar e pikturuar. Meqë të shtatit janë të papunë, të hyrat e vetme të familjes sigurohen nëpërmjet punës sezonale dhe të hollave të pakta të cilat i sigurojnë duke i shitur pikturat kohë pas kohe.

“Kjo e paraqet një familje duke punuar në një fushë misri”, thotë Bajrami, duke bërë me gisht drejt njërës pikturë e cila është e varur në mur. “Kur punojnë romët, e gjithë familja angazhohet. E vërtetë është kjo. Kështu punojmë edhe ne”.

Puna e Bajram Mehmetit e paraqet jetën e përditshme të romëve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Bajrami e ka dashur pikturën që nga fëmijëria. Kur ishte në shkollë fillore ai ia tregoi vizatimet mësuesit, por ai nuk besonte se ishin punimet e tij. Bajramit i kujtohet se si mësuesi e qortoi duke i thënë se detyrat e shtëpisë ia kishin bërë prindërit. Por me të kaluar koha, vizatimet e Bajramit u bënë gjithnjë e më të mira, dhe mësuesi u bind.

“Ai më tha: ‘Nëse vazhdon kështu, do të bëhesh artist një ditë’”, e kujton Bajrami me krenari.

Pasi kreu shkollën e bujqësisë në Lipjan, ëndrra e Bajramit për ta studiuar artin u shkatërrua. Familja e tij ishte prekur nga varfëria dhe nuk mund ta dërgonin Bajramin në Akademinë e Arteve për shkak të barrës së papërballueshme financiare.

Por në vitin 2000, ai fitoi shpresë nga një emision në radio. Ai e dëgjoi zërin e një piktori lokal, Zoran Zivkovic, i cili bënte thirrje për aplikime nga studentët e rinj në shkollën e tij të pikturës në fshatin Ugljare në Fushë Kosovë. Bajrami e shkroi numrin e tij, por nuk kishte telefon të shtëpisë. Nëna e tij kërkoi nga një shoqe e saj – për të cilën ajo punonte – që ta telefononte Zivkovicin dhe t’i thoshte ta regjistronte të birin e saj.

“Kur dikush e don një veprimtari, qoftë si fëmijë apo si i rritur, e gjen një mënyrë”, thotë Bajrami. “Kur ke diçka në zemër, ajo dashuri të tërheq, dhe e bën. Dashuria për pikturën ishte brenda meje, dhe kështu vazhdova të pikturoja”.

Bajrami e mbajti ekspozitën e tij të parë ndërkombëtare në vitin 2004, pasi talenti i tij u vërejt nga një autor dhe aktivist i të drejtave të njeriut nga SHBA-ja. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Meqë nuk kishte transport të rregullt publik gjatë klimës së tensionuar sociale të pasluftës – dhe nuk ishte e pazakontë që romët në veçanti të përndiqeshin në këtë kohë – Bajrami nuk pati mundësi ta vijonte mësimin çdo ditë, dhe kështu ai shkonte të paktën një herë në javë për të mësuar nga Zivkovic-i. Piktori nga Ugljara i ndihmoi Bajramit autodidakt t’i përmirësojë teknikat e pikturimit, dhe kështu së shpejti Bajrami e mbajti ekspozitën e tij të parë në Ugljare.

Ai thotë se peizazhet ishin temë dominante e punës së tij deri në vitin 2001, kur ai u takua me Paul Polansky-n, autor dhe aktivist i të drejtave të njeriut nga SHBA-ja. Polansky ndikoi shumë te puna e Bajramit dhe Farijës. Ky shkrimtar, i cili kishte punuar me të drejtat e romëve në Kosovë, kishte dëgjuar për Bajramin dhe talentin që e kishte ai për pikturë, dhe kështu e kishte vizituar shtëpinë e tij.

Bajrami i kujton sugjerimet e Polansky-t: “‘Pse nuk po e pikturon jetën e romëve?’”. I bindur për të provuar, pikturat e peizazheve së shpejti i zëvendësoi me portrete të romëve duke jetuar në tenda, duke punuar në fusha misri, duke shitur shalqinj dhe duke marrë pjesë në ngjarje të tjera tipike për komunitetin rom dhe jetën e Bajramit.

“Thonë se një pikturë vlen sa një mijë fjalë. Dhe çdo pikturë që e krijoj e ka një histori”, thotë ai. “Shumë prej tyre janë për përvojat e mia, nga fëmijëria e deri më sot, apo tregimet që i kam dëgjuar nga romët e tjerë. Pikturat e mia janë histori të vërteta”.

Përkushtimi i Polansky-t për të ndihmuar me ekspozimin e punimeve të Bajramit për jetën rome bëri që pikturat e tij ta kalojnë kufirin e të shfaqen në ekspozita në Zvicër dhe Austri në vitin 2004; Bajrami ende e ka publikimin “Bajram Mehmeti, Piktura nga një Rom në Kosovë”, të shkruar nga Polansky dhe Andreas Meier, drejtor i Seedamm Kulturzentrum.

“Arti shpeshherë lulëzon në rrethana veçanërisht të favorshme, ku jeta evoluon më lehtë…”, shkroi Mehmeti në parathënien e këtij shkrimi. “Megjithatë, arti lulëzon edhe në rrethanat më të vështira, veçanërisht aty ku nuk pritet, ku duket si luks, ku mungojnë domosdoshmëritë e jetës: uji i pastër i pijshëm, ushqimi i bollshëm dhe ngrohtësia në muajt e ftohtë të dimrit. Por, si kundërshtim i hapur, këtu arti e kërkon të drejtën e vet për të qenë…”

Piktura nga imagjinata

Gjatë vizitës së Polansky-t në shtëpinë e familjes Mehmeti në Lepinë, nuk ishin vetëm pikturat e Bajramit ato që e kapën vëmendjen e aktivistit amerikan. Ai e vërejti një portret të një gruaje, të cilin e kishte skicuar Farija, e që më pas e kishin varur në dhomë të ditës.

“Kur i pa portretet e mia, ai më inkurajoi të pikturoja portrete të grave rome”, thotë Farija. “Atëherë mendova ‘nuk e di, do të provoj’. Dhe pastaj provova, dhe ndoshta nuk e bëra si duhet, por vazhdova ta bëja më shumë e më shumë. Ushtrova shumë me vëllaun tim”.

Farija Mehmeti gjithmonë e ka dashur vizatimin. Punimet më të dalluara të saj janë portretet e grave rome. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për Farijën, familja e saj nuk arriti ta paguante as shkollën e mesme. Para se t’i vizitonte Polansky, ajo asnjëherë nuk i kishte menduar pikturat e saj në mënyrë më profesionale, ndonëse kishte vizatuar gjithmonë.

“Gjithmonë merrja copa letre dhe vizatoja portrete. Kjo disi më joshi gjithmonë. Para se të vinte Polansky, vizatoja gra të bukura me shumë grim, por kjo nuk ishte e tillë”, thotë ajo, duke bërë me gisht drejt një portreti të cilin e kishte vizatuar së fundmi. “Nuk ishte e veshur kështu, me shall që e vënë gratë rome”.

Sot të gjitha portretet e grave rome që i pikturon Farija duken më reflektive, flokët e tyre të mbuluara me ngjyra të ndezura. “Ndoshta janë duke menduar për të ardhmen dhe jetën e tyre”, thotë ajo. “Siç e paraqet vëllau im jetën rome, dhe siç e bëjnë shumë të tjerë nëpërmjet muzikës, këtë dua ta bëj unë nëpërmjet shallave dhe ngjyrave”.

Në të ardhmen, Farija shpreson se do të mund t’i shesë materialet të cilat i pikturon gjatë procesit të krijimit të portreteve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Farija fillimisht e pikturon yrnekun me ngjyra në një copë materiali, dhe pastaj e pikturon të njëjtin zbukurim në shallin e gruas në portret. “Zakonisht pikturoj nga imagjinata. Fillimisht e imagjinoj dizajnin dhe pastaj e krijoj portretin dhe dizajnin të cilin e kisha parashikuar më herët. E pikturoj në letër me ngjyra dhe emocione”, thotë Farija, duke shtuar se në të ardhmen ajo shpreson se do të mund t’i shesë materialet të cilat i pikturon.

“Mendoj se grave rome u pëlqen të veshin diçka të ngjashme me këto. Mundohem ta ruaj kulturën time, dhe kam dëshirë që këto [modele] të ekspozohen në Kosovë, në mënyrë që të kenë qasje në to të gjitha gratë nga të gjitha kulturat, jo vetëm gratë rome”.

Viteve të funditt, Farija ka nisur ekspozimin e portreteve të saja në ekspozita ad hoc, ndonjëherë si artiste e pavarur e ndonjëherë përkrah punimeve të vëllait të saj; ekspozita e parë e çiftit u mbajt në vitin 2011 në Teatrin Oda.

"Është shumë e rëndësishme ta kemi një atele, sepse ne planifikojmë ta përdorim për fëmijët e fshatit, për t’ua ofruar një vend ku mund t’i përmirësojnë talentet e tyre".

Bajram Mehmeti

Edhe Farija edhe Bajrami thonë se ekspozita me të cilën janë kënaqur më së shumti ishte ajo që u mbajt një vit më pas në Galerinë Kombëtare në Prishtinë, e cila u organizua nga drejtori i atëhershëm, Erzen Shkololli, për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

Meqë ishte i njoftuar me punimet e tyre prej vitit 2009, si dhe ishte i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ishin përballur ata për ta siguruar një studio, Shkololli së fundmi e mori këtë punë përsipër. Rreth një muaj më parë, tani si drejtor i Fondacionit “Unë e du Kosovën”, ai e nisi fushatën e financimit publik, me synim të grumbullimit të fondeve për ta ndërtuar një studio të vogël në oborrin e familjes Mehmeti. Një grup i njerëzve janë bërë bashkë për ta krijuar një dizajn arkitektonik dhe për t’i planifikuar të gjitha aspektet teknike.

“Kushtet në të cilat jetojmë vazhdojnë të jenë të vështira”, thotë Bajrami. “Është shumë e rëndësishme ta kemi një atelie, sepse ne planifikojmë ta përdorim për fëmijët e fshatit, për t’u ofruar atyre një vend ku mund t’i përmirësojnë talentet e tyre. E di nga përvoja se sa e rëndësishme është kur ke mundësi të jesh nën mbikëqyrje dhe ke hapësirë ku mund të pikturosh”.

Këtu mund të lexoni më shumë për fushatën e financimit publik.

Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO