Shkurt | Bisedë e Shkurtë

Trashëgimia arkitekturore në fokus gjatë Bisedës së Shkurtër

Nga - 14.05.2017

‘Shkatërroje të vjetrën; ndërtoje të renë’?

Më shumë se 50 njerëz i’u bashkuan Bisedës së Shkurtër të K2.0 në mbrëmbjen e së enjtes (11 maj), me temën për trashëgiminë arkitekturore. E mbajtur në oborrin e K2.0, diskutimi i hapur i titulluar ‘Shkatërroje të Vjetrën, Ndërtoje të Renë’ mbuloi tema prej kontributit të arkitekturës në identitet, deri te se kush duhet të vendosë nëse diçka ka vlerë arkitekturore.

Biseda u moderua nga Rron Gjinovci nga Organizata për Rritjen e Kualitetit në Arsim (ORCA), derisa tre panelistët ndihmuan që të fillojë biseda.

Rron Gjinovci moderoi Bisedën e Shkurtër për trashëgiminë arkitekturore, evenimentin e parë të vitit 2017, në oborrin e K2.0. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Skender Boshtrakaj, drejtori i Muzeut të Kosovës dhe kreu i Departamentit të Menaxhimit të Integruar në Ministrinë e Kulturës foli i pari. Ai fillimisht shprehi mbështetjen e tij ndaj protestës së fundit të studentëve, kundër ndryshimit të ndërtesës së Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, një ndërtesë moderniste e projektuar nga arkitekti i mirënjohur, Evard Radnikar, i cili ishte student i një arkitekti tjetër të famshëm, Le Corbusier. Boshtrakaj tërhoqi paralele në mes kësaj proteste dhe aktivizmit në Prizren për ruajtjen e Kino Lumbardhit, duke thënë që të dyja janë shembuj të përpjekjes për të ruajtur vlera arkitekturore, që janë të rëndësishme për komunitetin.

Duke u nisur prej këtij rasti, Boshtrakaj, po ashtu foli për objektet e periudhës socialiste, që ai i quajti si “objekte jetimë”, pasi perceptohen si diçka e tillë në opinionin e përgjithshëm. Ai argumentoi që Kosova e ka lënë trashëgiminë e kësaj periudhe në “stadin e jetimit”, por që duhen të bëhen përpjekje për të identifikuar se kush ta marrë përgjegjësinë “me e ruajt jetimin”. Ai tha që kjo duhet të ndodhë, pavarësisht se kush ka qenë prindi i këtyre jetimëve, dhe në çfarë rrethanash ata kanë lindur. Sipas Boshtrakaj, kosovarët duhen të vendosin se çka do të ndodhë, sepse shoqërisë i ka mbetur përgjegjësia për këta jetimë.

Ai vazhdoi të shpjegojë se tendenca e transformimit të objekteve të tilla ka qenë një zhvillim që e ka përcjell historinë e njerëzimit, por zakonisht është shfaqur një ‘prind, i cili i ka mbrojtur këta ‘jetimë’; sidoqoftë, ai tha që kjo nuk ka ndodhur në rastin e Kosovës, dhe që fajin kryesor e ka shteti. Veç kësaj, ai përmendi edhe disa raste kur skulptura apo objekte tjera të periudhës socialiste janë rrënuar nëpër Kosovë, duke shpërfytyruar hapësirat ku ato kanë qenë të vendosura.

Skender Boshtrakaj i përshkruajti vazhdimisht ndërtesat e periudhës socialiste si ‘jetimë’, duke thënë që dikush duhet të merrte përgjegjësinë për të ardhmen e tyre. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Sipas Boshtrakaj, e gjithë kjo është rezultat i disa faktorëve. Para së gjithash, ai sugjeroi që është zhvillimi global, që kishte filluar me rënien e murit të Berlinit, një zhvillim që simbolikisht asocohet me rënien e gjithë bllokut socialist. Në kontekst të trendeve globale, trashëgimia e kësaj periudhe cilësohet si jo ‘trendi’, dhe nuk është më ‘in’, dhe si e tillë kjo trashëgimi mbetet në ‘stadin e jetimëve’.

Së dyti, Boshtrakaj sugjeroi që kjo çështje lidhet me zhvillime të natyrës lokale, ku vlerat fillojnë të garojnë, mbivendosen vlera të reja; ai argumentoi që në Kosovë ka ndodhur mbivendosja e vlerave, dhe që e gjithë kjo është bërë brenda një gare të pakuptueshme.

Eli Krasniqi, socio-antropologe dhe themeluese/anëtare e Alter Habitur – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë bëri një rezyme të së shkuarës për të ndihmuar të kuptuarit e zhvillimeve që kanë ndodhur më vonë. Në prezantimin e saj, të cilin ajo e quajti ‘‘Kujtesa dhe Hakmarrja ndaj Ndërtesave Socialiste’’, Krasniqi solli një kontekst të zhvillimeve të kohës socialiste, që në bazë të kësaj të kuptohet se nga vjen refuzimi i trashëgimisë kulturore socialiste nga një grup i caktuar shoqëror.

Krasniqi, përmendi rastin e Preshevës, në Serbi, të vitit 2013, kur autoritetet serbe larguan memorialin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), dhe pas kësaj organizatat e dala nga lufta e Kosovës, në qytezën e Vitisë larguan një memorial të Luftës së Dytë Botërore. Sipas atyre që rrëzuan memorialin, e gjithë kjo ishte bërë ‘‘për t’i treguar Serbisë se edhe ne mundemi të rrëzojmë çdo monument të historisë së tyre’’.

Krasniqi tha që kjo na jep të kuptojmë se një pjesë e shoqërisë kosovare i sheh këto objekte duke folur për pronësi, e duke mos i parë si të tyret.

Eli Krasniqi shpjegoi që ka pasur reagime të ashpëra kundër ndërtimeve të peridhës socialiste në Kosovë, që lidhen me çështjet e identitetit, pronësisë dhe ndarjeve sociale. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Zhvillime të ngjashme ka pasur edhe në raste tjera, si në Prishtinë, kur u bë një përpjekje e pasuksesshme për të rrënuar përmendoren e “Bashkim-Vëllazërimit” – apo ndryshe e njohur si Trekëndëshi – pas luftës në vitin 1999. Krasniqi sugjeroi që kjo na lë të kuptojmë se pas luftës, konflikti në mes shqiptarëve dhe serbëve tashmë ishte zhvendosur edhe tek memorialët; ajo sugjeroi që ne duhet të shtrojmë pyetjen nëse edhe refuzimi i objekteve të periudhës socialiste bëhet për shkaqe të ngjajshme.  

Krasniqi po ashtu u fokusua edhe në zhvillimet politike të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo argumentoi që pas Luftës së Dytë Botërore, ka pasur një valë të persekutimit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe mos zhvillim ekonomik krahasuar me pjesët tjera të konfederatës; pas rënies së Aleksander Rankoviqit në 1966, kanë ndodhur zhvillime emancipuese, të pasuara me zhvillim ekonomik dhe industrializim të pjesëve të ndryshme të Kosovës.

Por, Krasniqi shpjegoi që këto zhvillime janë bërë duke anashkaluar disa rajone në Kosovë, ku vendet e industrializuara ishin kryesisht ata nga vinin partizanët shqiptarë, ndërsa zonat rurale mbeteshin të lëna anash. Krasniqi tha që kjo kishte ndarë shoqërinë në dy kategori: ata që shfrytëzonin të mirat që vinin nga komunizmi, dhe klasa punëtore. Ajo beson që kjo ndarje është përcjellë deri në ditët e sotme, përfshirë edhe perceptimet për trashëgimisë kulturore të periudhës socialiste, dhe që përpjeka për shpërfytyrimin e asaj trashëgimie duket si përpjekje për t’i fshirë gjurmët e asaj periudhe.

Pas prezentimit të Krasniqit, Gjinovci vuri theksin tek dimensioni klasor që i dha ajo refuzimit të trashëgimisë kulturore të periudhës socialiste, duke sugjeruar që ky refuzim nuk është vetëm vetëm një refuzim iracional, por brenda vetës ngërthen edhe një traumë shoqërore që ishte përjetuar gjatë asaj periudhe.

Folësja e tretë, Gresa Musliu është studente e arkikteturës dhe një prej organizatorëve të protestës së fundit kundër ndryshimeve në ndërtesën e Fakultetit Teknik. Ajo theksoi rrënimet arkitekturore që kanë ndodhur në Kosovë, duke i ndarë në dy periudha: ajo e rrënimit të trashëgimisë otomane dhe shkatërrimi i arkitekturës austro-hungareze, sipas motos ‘‘Shkatërroje të vjetrë, ndërtoje të renë’’.

Sipas Musliut, edhe sot po ndodhë e njëjta gjë me shkatërrimet e periudhës socialiste. Ajo përmendi rastin e ndërtesës së Pallatit të Shtypit – ku tërësisht është ndryshuar fasada, duke mos lënë gjë prej identitetit të mëhershëm të kësaj ndërtese – dhe tha që ka pasur shumë shembuj të ngjajshëm. Musliu argumentoi që në shumë raste rrënimi ose renovimi është bërë në objekte, që kur analizohen sipas standardeve ndërkombëtare për të vlerësuar ‘objektet me vlerë kulturore’, do të duhej të ishin ruajtur.

Gresë Musliu shpjegoi që në Kosovë është një histori e gjatë e rrënimit të arkitekturës nga periudhat e mëhershme, pavarësisht vlerave kulturore që i kanë këta objekte. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Ajo argumentoi që ndërtesa e Fakultetit Teknik i përmbush këto kritere, duke pasur rëndësi historike, meqë është ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë shenjë identifikuese për qytetin dhe atë periudhë. Musliu theksoi që vendimi që të ndërhyhet në fasadën e objektit ka qenë veçanërisht i befasishëm, duke marrë parasysh rëndësinë e tij estetike arkitekturore dhe që ishte projektuar nga një arkitekt i njohur botëror, dhe ka qenë simbol i stilit brutalist dhe etapës së modernizmit.

Musliu tha se ndërhyrja në ndërtesë është bërë me arsyetimin se ndërtesa ka humbje të energjisë. Por, ajo argumenton që kjo është normale në ndërtesat e vjetra që i’u nënshtrohen kohës dhe i’u shfaqen probleme të tilla, por që ndërhyrjet e jashtme nuk mund të bëhen në bazë të kësaj. Në pyetjen e një pjesëtari të audiencës nëse fasada e objektit mund të kthehet në gjendjen e saj të mëparshme, Musliu shpjegoi që fasada është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.

Pas prezantimeve nga folësit e ftuar, shumë anëtarë të audiencës shfrytëzuan rastin të japin komentet e tyre, apo të bëjnë pyetje direkte panelistëve dhe njëri-tjetrit.

Një nga pjesëmarrësit theksoi që ndërtesat e projektuara gjatë periudhës socialiste nuk duhen thjesht të dënohen si produkte komuniste por sugjeroi që ato shpërfaqin një frymë – stilin brutalist – të cilën e kanë ndjekur arkitektë të caktuar. Ky stil, sipas tij, i përket një periudhe të caktuar që nuk është përdorur vetëm në Jugosllavi, por edhe në vende të ndryshme – dhe nuk janë të lidhura detyrimisht me etapën e komunizmit.

Një pjesëmarrëse komentoi narrativat që përcjellin debatin rreth këtyre problematikave. Ajo argumentoi që pushteti aktual ka tendencë përjashtuese ndaj mendimeve dhe përvojave tjera dhe tenton të vë monopol në vendosjen e vlerave, duke përfshirë edhe diskutimet për objektet dhe arkitekurën. Ajo sugjeroi që kjo veçanërisht ndodh kur trajtohet periudha e ish-Jugosllavisë, dhe kur njerëzit kanë ide të ndryshme për objektet dhe besojnë që duhen të ruhen sepse përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës shoqërore dhe atëherë ata etikohen si Jugo-nostaligjikë.

Një pjesëmarrës tjetër, me nuanca ironike propozoi që të krijohet një listë e objekteve, busteve dhe skulpturave të periudhës socialiste dhe pas kësaj të rrënohen të gjitha këto, dhe të mbesin vetëm objektet, apo ‘trashëgimia e pastër shqiptare’ në Kosovë: “E pas kësaj të shohim se cilat objekte po na mbesin nëpër qytetet tona”.K

Foto kryesore: Agan Kosumi / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO