Skena zgjedhore e Kosovës pritet të ndryshojë shumë tash që janë bërë të qarta rezultatet nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën. Ndonëse ende janë duke u numëruar votat e fundit – dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk pritet t’i publikojë rezultatet e çertifikuara edhe disa ditë – të gjithë po e përmendin fjalën “ndryshim”.
Për herë të parë në historinë e Kosovës si shtet i pavarur, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – e njollosur me vite nga skandalet e korrupsionit dhe akuzat e vazhdueshme për “kapje të shtetit”, pritet ta kalojë një periudhë në opozitë, pavarësisht se është munduar ta përmirësojë imazhin e partisë duke përçuar një mesazh kundër korrupsionit. Lideri i partisë dhe kandidati i saj për kryeministër, Kadri Veseli, e pranoi vetë këtë, pasi partia e tij pritet të përfundojë në e treta, me përqindje më të ulët të votave se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Ndonëse mjaft komentues parashikuan se në zgjedhje do të zhvillohej një garë e ngushtë ndërmjet dy partive të mëdha opozitare, prapëseprapë kjo ishte e vështirë të besohej për një gjeneratë të votuesve që e kanë parë PDK-në duke qenë gjithmonë në qendër të politikës kosovare. Por me ngritjen e përqindjes së votave të numëruara, partitë opozitare dolën në kryesim dhe tema qendrore e natës së zgjedhjeve u bë se kush do ta fitonte vendin e parë.
Thuhet që VV në fund do të jetë në vendin e parë në rrugëtimin për ta formuar një qeveri të re, me përparësi shumë të vogël ndaj LDK-së; reagimet përkatëse të dy liderëve që po i prisnin rezultatet aludojnë se ata e dinin kah po fryente era. Ndërsa Albin Kurti i VV-së e shpalli fitoren dhe dha një fjalim të flaktë para mbështetësve që po valëvisnin flamuj shqiptarë në qendër të Prishtinës, Vjosa Osmani e LDK-së u duk më e qetë në një konferencë shtypi, në të cilën tha se nuk ishte ende e mundshme të dihej kush kishte fituar, derisa të numëroheshin të gjitha votat; ky mesazh u përsërit të hënën.
Kushdo që përfundon në krye të qeverisë së ardhshme, pas një gare kaq të ngushtë, nuk do të ketë mundësi të relaksohet e të kënaqet nga mbështetja popullore.
Meqë mbi 20,000 vota të diasporës kanë mbetur për t’u numëruar – e një pjesë e madhe e tyre pritet të shkojnë për VV – do të ishte befasi nëse LDK do t’i kalonte rivalët e saj për të dalë në vendin e parë.
Moti është folur për ndonjë formë koalicioni VV-LDK, dhe të dyja partitë kanë thënë që do t’i nisin bisedimet dhe do të mundoheshin ta formonin një qeveri. Negociatat do të jenë të vështira dhe të detajizuara, por të dy partitë vazhdimisht e kanë përjashtuar mundësinë për të formuar koalicion me PDK-në, e kombinimet e tjera të partive vështirë se do t’i kenë numrat për të formuar një mazhorancë, prandaj mbështetësit e të dyja partive presin që lidershipet e tyre përkatëse të arrijnë marrëveshje për koalicion.
Qeveria e re, kurdo që të formohet, do të ketë plot probleme që kërkojnë adresim: papunësia e përhapur, posaçërisht në mesin e të rinjve, sistemi i çrregullt i drejtësisë, sistemi i dobët i arsimit, korrupsioni dhe nepotizmi i thellë në institucionet kyçe, si dhe marrëveshja përfundimtare me Serbinë.
Gjithashtu duhet t’i bjerë në fije si do të bashkëpunojë me përfaqësuesit serbë, meqë Lista Serbe, që mbështetet nga Beogradi, e ka forcuar kapjen e saj të ulëseve të rezervuara për kandidatë minoritarë, pasi u akuzua vazhdimisht nga rivalët politikë për drejtim të një fushate të bazuar në kërcënime, frikësim dhe presion të tepruar.
Kushdo që përfundon në krye të qeverisë së ardhshme, pas një gare kaq të ngushtë, nuk do të ketë mundësi të relaksohet e të kënaqet nga mbështetja popullore – puna e vështirë do të fillojë nga dita e parë.
Por në përgjithësi këto u shquan si zgjedhje historike në historinë bashkëkohore të Kosovës: ndryshimi i qeverisë dhe fryma e re në fund të një procesi që ka demonstruar një pjekuri të shtuar politike në mesin e klasës udhëheqëse në vend.
Nga ‘lëvizja radikale e protestave’ në qeverinë e ardhshme të Kosovës?
Ngritja e Vetëvendosjes deri në majë, në prag të formimit të qeverisë, përfaqëson kulmin e ngritjes meteorike gjatë 15 viteve të fundit. E themeluar si lëvizje protestuese në 2005, Lëvizja mori pjesë në zgjedhjet parlamentare për herë të parë para më pak se një dekade.
Partia e ka zanafillën në Rrjetin e Aksionit për Kosovën, një grup i aktivistëve i themeluar më 1997 në kulmin e regjimit të Milošević-it, që kërkonte ndryshime sociale dhe qytetari aktive.
Kur u shndërrua në lëvizje politike, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje bënin grafite në muret rrethuese të ndërtesës së Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), në të cilat shkruhej ‘Jo Negociata’ – simbol ky i kundërshtimit të bisedimeve të drejtuara nga ndërkombëtarët asokohe për “statusin final” të Kosovës. VV e kundërshtoi veçanërisht procesin e decentralizimit, që ishte pjesë e Planit të Ahtisaarit mbi të cilin u bazua në fund pavarësia e Kosovës, duke argumentuar se krijimi i komunave të reja me shumicë serbe do ta kishte efektin e ndarjes së Kosovës mbi vija etnike.
LVV ka qenë po aq e zëshme dhe aktive kundër korrupsionit në mesin e liderëve të Kosovës.
Gjatë viteve, ata vazhdimisht protestuan për shkak të mungesës së transparencës dhe asaj që ata e shihnin si vendimmarrje të imponuar nga UNMIK-u, i cili kishte fuqi të gjera ekzekutive në nivelin kombëtar dhe lokal, në fusha të ndryshme si ligjvënia, gjyqësori dhe politikëbërja.
Metodat e tyre, që përfshinin veprime direkte – si bllokadat, rrëzimin e veturave zyrtare dhe protestat masive në rrugë që shpesh rezultonin në përleshje me policinë – shpesh e ndanë popullsinë e përgjithshme dhe bënë që Kurti dhe aktorë tjerë të partisë të arrestohen disa herë. Më 2007, dy aktivistë të LVV-së u vranë nga policët rumunë të UNMIK-ut, të cilët shkrepën plumba gome drejt një turme të protestuesve nga afërsia.
Pasi shumë prej kompetencave ekzekutive të UNMIK-ut u morën përsipër nga Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) kur Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, LVV e përqendroi pjesën më të madhe të energjisë te ky Mision, posaçërisht kur ky i fundit u përzi në akuza për korrupsion të profilit të lartë në radhët e saj.
Po LVV ishte po aq e zëshme dhe aktive kundër korrupsionit në mesin e liderëve të Kosovës. Lëvizja i drejtoi mijëra njerëz në një protestë kundër një ministri serb brenda qeverisë së Kosovës i cili përdori gjuhë degraduese në deklaratat e tij për shqiptarët në vitin 2015 dhe kundër emërimit të ish-liderit të PDK-së Hashim Thaçit si president një vit më vonë. Këto protesta rezultuan në trazira në rrugët e Prishtinës. Protestuesit u përleshën me policinë, e cila hodhi ujë e gaz lotsjellës drejt tyre.
Gjatë kësaj periudhe, LVV në mënyrë efektive e bllokoi skenën politikën kur deputetët e saj filluan të përdorin gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, një taktikë që ishte e projektuar për t’i parandaluar proceset e parlamentit, pasi koalicioni LDK-PDK i nënshkroi dy marrëveshje të diskutueshme ndërkombëtare në gusht 2015; LVV pohonte se marrëveshja për ta themeluar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë do ta ndante Kosovën më tej mbi vija etnike dhe praktiksiht do ta bënte shtetin të paqeverisshëm, si dhe që marrëveshja për demarkacion të kufirit me Malin e Zi i dorëzonte 8,000 hektarë të territorit të Kosovës.
Gjatë kulmit të protestave përçarëse, ambasadat e shumë prej aleatëve kyçë të Kosovës, si ShBA-ja, nuk takoheshin zyrtarisht me liderët e LVV-së.
Të dyja marrëveshjet përkraheshin fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar, sikurse mbështetet procesi i dialogut me Serbinë që LVV-ja gjithmonë e ka kundërshtuar; për një kohë të gjatë, Lëvizja ka argumentuar se Kosova nuk duhet të negociojë asgjë me Serbinë derisa fqinji i saj t’i pranojë krimet e luftës që janë kryer në Kosovë, të paguajë dëmshpërblimet dhe t’i ndriçojë rastet e 1,600 personave ende të pagjetur që nga lufta. Në vend se të negociojë me një shtet të huaj që ka shfaqur pak – ose aspak – shenja të besimit të mirë drejt Kosovës, LVV-ja argumenton se duhet të bëjmë përpjekje për t’u fokusuar në zhvillimin e një dialogu domethënës me qytetarët serbë brenda vendit.
Kundërshtimi i saj për procesin e dialogut, taktikat e pazakonshme dhe antipatia e përgjithshme drejt ndërhyrjes së huaj në Kosovë shpeshherë kanë bërë që LVV-ja të ketë marrëdhënie të tensionuara me bashkësinë ndërkombëtare.
Gjatë kulmit të protestave përçarëse, ambasadat e shumë prej aleatëve kyçë të Kosovës, si ShBA-ja, nuk takoheshin zyrtarisht me liderët e LVV-së dhe ambasadorët rregullisht i dënonin drejtpërdrejt dhe fuqimisht veprimet e LVV-së, të cilat i konsideronin “kundër vlerave demokratike”.
Megjithatë, këto marrëdhënie janë shkrirë vitet e fundit pasi LVV-ja ka ndryshuar pak sa për ta prezantuar një imazh më të moderuar, si dhe është munduar të tregojë se është fuqi serioze politike të cilës mund t’i besohen përgjegjësitë e pushtetit.
Me këtë transformim, LVV-ja i ka zbutur prirjet e fuqishme nacionaliste të cilat gjithmonë e kanë shoqëruar mesazhin e saj për “vetëvendosje”. Për një kohë të gjatë është shprehur synimi për ta mbajtur një referendum për bashkim me Shqipërinë, e gjithashtu partia njihet për mohim të simboleve shtetërore të Kosovës, si himni dhe flamuri.
LVV ka qenë njëra nga partitë e vetme politike në Kosovë që ua ka prezantuar votuesve potencialë një manifest gjerësisht konsistent - zotime të publikuara me një qasje të përgjithshme progresive dhe socialiste.
Ndonëse bashkimi mund të mbetet si ide aspiruese, ky kbazohej në propozime konkrete për politika që e rrisin nivelin e harmonizimit ndërmjet dy shteteve për çështje që lidhen me energjinë elektrike, arsimin dhe kontrollet doganore. Dhe ndërsa flamuri kombëtar shqiptar dhe ngjyrat e tij janë ende sinonime me partinë, Kurti e ka pranuar se si kryeministër, qasja e tij ndaj simboleve shtetërore të Kosovës do të jetë domosdoshmërisht e ndryshme nga ajo që e kishte si aktivist dhe lider i opozitës.
LVV ka qenë njëra nga partitë e vetme politike në Kosovë që ua ka prezantuar votuesve potencialë një manifest të qartë dhe gjerësisht konsistent, si dhe prioritetetet e veta për politika – zotime të publikuara me një qasje të përgjithshme progresive dhe socialiste. Pjesa më e madhe e retorikës së saj është fokusuar në mesazhe popullore kundër korrupsionit, pro fuqizimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik, por ajo gjithashtu e ka shtyrë përpara një vizion të krahut të majtë për ta shtuar mirëqenien sociale, për t’i fuqizuar të drejtat e punëtorëve, për ta reformuar arsimin dhe shëndetësinë, si dhe për mbrojtje më të madhe për mjedisin.
Me gjasë nuk është e rastësishme që përpjekjet e tilla për t’i shtuar standardet e përkushtimeve politike përtej premtimeve të paqarta dhe fantastike erdhën njëkohësisht me rritjen e shpejtë të mbështetjes për këtë parti.
Në vitin 2013, kandidati i saj Shpend Ahmeti e shënoi një fitore të madhe simbolike në garën për kryesinë e komunës së Prishtinës, duke i dhënë fund 13 viteve të dominimit të LDK-së në kryeqytet, në garën me një program të reformave të qarta: ndalimin e ndërtimeve të jashtëligjshme dhe të pakontrolluara në kryeqytet, rilidhjen e sistemit të ngrohjes publike, sigurimin e furnizimit me ujë 24/7 anembanë qytetit, ndryshimin tërësor të infrastrukturës së transportit publik, dhe furnizimin e përditshëm të fëmijëve të shkollave fillore me qumësht dhe kifle.
Në nivel kombëtar, LVV-ja garoi në zgjedhjet parlamentare për herë të parë në vitin 2010, kur i siguroi 14 ulëse, dhe katër vjet më vonë e shënoi një rritje modeste me dy deputetë më shumë.
Por pas katër vitesh, në 2017, LVV-ja e tregoi veten si fuqi të mirëfilltë elektorale në nivelin kombëtar. Në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën atë vit, LVV-ja u bë partia më e madhe në Kuvend, duke shënuar fitore në Ferizaj, Kaçanik dhe Fushë Kosovë, komuna të cilat më parë kishin qenë bastione të rivalëve të tyre.
Në zgjedhjet komunale që u mbajtën një vit më vonë, Ahmeti arriti ta ruajë postin e vet në Prishtinë, ndërsa partia i fitoi edhe dy komuna tjera: “qytetin e dytë” të Kosovës, Prizrenin, si dhe Kamenicën.
Kjo parti ka shënuar rritje të vazhdueshme, por performanca e saj në këto zgjedhje mbase ishte edhe më e jashtëzakonshme, pasi periudha pas zgjedhjeve të vitit 2017 karakterizohej nga turbulencat e brendshme në këtë parti. Ndarja kronike e partisë në fillim të vitit 2018, kur plot figura dhe aktivistë kyçë – përfshirë këtu Ahmetin – e lëshuan partinë për ta formuar Partinë Social-Demokrate (PSD) dhe rrezikuan t’ia ndalnin vrullin e ngritjes spektakolare LVV-së, meqë të dyja fraksionet dukeshin më të fokusuara për hakmarrje personale, sesa për opozitën e tyre ndaj qeverisë.
Por me sa duket edhe ky shpërqendrim nuk ka bërë shumë për t’i zhbindur votuesit se ka ardhur koha për t’ua dhënë rastin që t’i praktikojnë pretendimet atyre që dikur mendohej se kanë pak gjasa të hynin në qeveri.
Kthim i kufizuar për LDK-në
Ndërsa LVV-ja po e feston fitoren e vet të qartë, LDK-ja është aq afër, por aq larg.
Fakti se kjo parti përsëri po shtyhet për vendin e parë përfaqëson një kthim të jashtëzakonshëm në fatin e partisë, e cila para dy viteve humbi keq në zgjedhje.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, LDK shkoi nga top dyshja në vendin e tretë, pavarësisht që kishte formuar koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re (AKR). Paraqitja zhgënjyese e saj u pa kryesisht si dënim nga elektorati, pasi LDK-ja nuk e mbajti fjalën që e dha kur u zotua kundër bashkimit me PDK-në në 2014, duke iu bashkuar rivalit të kahmotshëm të saj në koalicionin qeverisës.
Para dy vitesh, pasi nuk ishte më as partia më e madhe opozitare, kishte plot spekulime për të ardhmen e një partie e cila kishte qenë në ballë të politikës së Kosovës prej fillimit të 90-ave, kur – nën lidershipin e Ibrahim Rugovës, i cili ende sot nderohet brenda partisë – e drejtoi rezistencën paqësore kundër regjimit të Milošević-it.
LDK-ja arriti ta përmirësojë deri diku profilin e saj në këto zgjedhje duke e zgjedhur Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre.
Një paraqitje më e fuqishme në zgjedhjet lokale më vonë gjatë vitit 2017 disi e zbuti këtë frikë, pasi LDK-ja i fitoi katër komuna në rundin e parë të votimit, dhe kishte më së shumti vota në nivel kombëtar, por më pas i fitoi vetëm edhe katër komuna tjera në 10 balotazhet ku garoi, duke humbur për pak vota kryeqytetin, Prishtinën.
LDK-ja arriti ta përmirësojë deri diku profilin e saj në këto zgjedhje, duke e zgjedhur Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre. Një nga qëllimet e zgjedhjes së Osmanit ishte që të përçonte një mesazh se partia po hapte rrugën që anëtarët më të rinj të partisë t’i përvetësonin pozitat e lidershipit, pasi LDK-ja shpeshherë ballafaqohej me kritikë që thoshin se kjo parti ishte shumë e kapur nga fraksionet tradicionale dhe nuk bënte reforma.
Por kjo zgjedhje me sa duket ishte e menduar mirë, pasi partia e shfrytëzoi popullaritetin e mirëfilltë të Osmanit në mesin e votuesve; në zgjedhjet e vitit 2017, ajo i siguroi më shumë se 60,000 vota, duke qenë kështu e dyta në partinë e saj, prapa kandidatit për kryeministër Avdullah Hotit, pavarësisht prej faktit se lidershipi i partisë ia caktoi numrin 81 në listën e kandidatëve.
Osmani u dallua në partinë e saj pasi shpesh shkoi kundër vijës së partisë, që është pak a shumë një anomali në politikën kosovare. Ajo ishte njëra nga politikanet e pakta brenda LDK-së që e kundërshtoi zëshëm koalicionin me PDK-në në vitin 2014, duke u shtyrë publikisht me liderin e partisë, Isa Mustafën, dhe duke bojkotuar Kuvendin gjatë votimit për ta zgjedhur Thaçin e PDK-së si president, që ishte pjesë e marrëveshjes së koalicionit LDK-PDK.
Veprimet e saj bënë që Osmani të ishte njëra nga politikanet e pakta të LDK-së që dolën nga koalicioni me PDK-në me reputacion të paprekur, madje të përmirësuar.
Por gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, ajo u ndoq nga pyetjet se a do të kishte mundësi të mirëfillta për të udhëhequr në imazhin e saj, dhe se sa do të kishte ndikim lidershipi tradicional prapa skenës. Këto pyetje do të mbesin tani që po fillojnë negociatat për koalicion.
Poshtë dhe (për disa) jashtë
Për partitë tjera politike në Kosovë, rezultati ndëshkues sigurisht do të përkthehet në një periudhë të reflektimit dhe analizës së vetvetes.
Në majë të listës është PDK-ja, e cila duket se ka rënë në opozitë pas më se një dekade në pushtet. Rezultatet zgjedhore në vitet e fundit treguan që mbështetja për këtë parti ka rënë, dhe në vitin 2017, ajo hyri në qeveri vetëm për shkak se e formoi një koalicion të madh parazgjedhor me “partitë tjera të luftës” që drejtohen nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjegjësisht me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën. Edhe atëherë nevojitej një skemë politike paszgjedhore për ta tërhequr AKR-në nga pakti parazgjedhor që e kishte formuar me LDK-në, e për ta inkuadruar atë parti në koalicionin qeverisës.
PDK-ja do të vazhdojë të ketë ndikim të konsiderueshëm në Kosovë. Ajo e ka kaluar kohën e saj në pushtet duke inkuadruar njerëz që i kanë qendruar besnikë partisë në pozita kyçe nëpër institucione dhe borde publike.
Përpjekjet e liderit të PDK-së, Kadri Veselit, për t’i bindur votuesit që partia kishte ndryshuar nën lidershipin e tij, me përpjekje të profilit të lartë kundër korrupsionit dhe fytyra të reja në listën e kandidatëve për deputetë, dhe se ai kishte përgjigje për morinë e problemeve me të cilat vazhdon të ballafaqohet vendi, me sa duket ishin të pamjaftueshme.
PDK-ja do të vazhdojë të ketë ndikim të konsiderueshëm në Kosovë. Ajo e ka kaluar kohën e saj në pushtet duke inkuadruar njerëz që i kanë qëndruar besnikë partisë në pozita kyçe nëpër institucione dhe borde publike, dhe në pushtet ka punuar afërsisht dhe për një kohë të gjatë me partnerë ndërkombëtarë – me sa duket i ka bindur që ajo mund ta ofrojë stabilitetin që ata e kërkojnë aq shumë.
Por aktualisht, partia duhet të bashkohet dhe të vendosë për veprimet e saj tash e tutje.
E njëjta vlen për AAK-në e ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme erdhën pas dorëheqjes që e dha Haradinaj pasi u thirr për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në lidhje me akuzat për krime të luftës gjatë kohës së tij si komandant i UÇK-së – kur dha dorëheqje, ai e mbajti një fjalim emocional në të cilin tha se nuk dëshiron që shteti i Kosovës të jetë në bankën e të akuzuarve.
Por pavarësisht prej arsyetimit të tij, ai garoi në këto zgjedhje si kandidat për kryeministër dhe iu përkushtua edhe më tej mesazhit rezistues për ta mbajtur taksën 100 përqindëshe që e imponoi qeveria e tij mbi produktet serbe, e cila e ka nervozuar pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar. Me sa duket ai shpresonte se rrethanat e tilla do ta kthenin në kryesministri me një valë të mbështetjes popullore, por ky plan i dështoi.
Koalicioni i PSD-së me AAK-në me gjasë do të përkthehet në të paktën disa ulëse në Kuvend për këtë të parën.
PSD – e cila iu bashkua AAK-së në një koalicion të papritur parazgjedhor pasi sondazhet treguan që pritet të mos e kalojë pragun zgjedhor 5% të nevojshëm për të siguruar ulëse në Kuvend – me gjasë është duke e parë suksesin zgjedhor të VV-së dhe duke menduar se çfarë do të kishte ndodhur po të mos ishin ndarë.
Në Prishtinë, komunë e cila qeveriset nga lideri i partisë Shpend Ahmeti (i cili i fitoi për herë të dytë zgjedhjet në vitin 2017 kur ishte pjesë e LVV-së), koalicioni AAK-PSD është në vendin e katërt, me vetëm 7% të votës; në Kamenicë, komuna tjetër e cila drejtohet nga ky subjekt, është i treti me 15%. Fitorja e VV-së në këto dy komuna ka treguar se partia e re nuk ka elektorat të madh.
Koalicioni i PSD-së me AAK-në me gjasë do të përkthehet në të paktën disa ulëse në Kuvend për këtë të parën. Nisma dhe AKR-ja me sa duket nuk do të jenë pjesë e Kuvendit për shkak se janë pak vota larg pragut 5 përqindësh.
Të dyja partitë kishin role të rëndësishme në koalicionet qeverisëse në të kaluarën, por të dyja janë mbështetur në elektorate të ngushta në zona të kufizuara gjeografike, dhe nuk kanë ofruar një vizion që i tërheq votuesit nga zonat tjera në numra të bollshëm për t’u bërë forcë relevante.
Do të ketë mjaft kohë për analiza. Ndërsa për VV-në dhe LDK-në, puna serioze e formimit të qeverisë vetëm sa ka filluar. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.