Në thelb | Personat e pagjetur

Gazetarët e zhdukur të Kosovës

Nga - 13.11.2020

Nënkuptimet e pasigurisë së gazetarëve.

Më se 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, thuajse të gjitha rastet e gazetarëve të zhdukur ose të vrarë mbeten të pazgjidhura. Shoqatat e gazetarëve në Serbi dhe në Kosovë kanë bërë thirrje të vazhdueshme që të merren përsipër këto raste, ndërsa familjarët gjejnë ngushëllim të paktë sa u përket informatave të reja për të dashurit e tyre.

Prej dekadash, kjo temë ka përçarë komunitetin shqiptar dhe atë serb të vendit. Në vitet e fundit janë formuar komisione me qëllim të ruajtjes së interesit politik dhe institucional për këtë çështje. Përfundimet e tyre japin një imazh neglizhence dhe politizimi të ngulitur — hetime të përcipta, hedhje faji dhe mungesë të mbështetjes themelore për përfshirjen e kësaj çështjeje në dialogun politik.

Jua sjellim historitë e 15 gazetarëve të Kosovës që janë raportuar të zhdukur ose të vrarë në Kosovë qoftë në bisht të luftës, qoftë pas saj, dhe për të cilët ende nuk ka pasur drejtësi.

Marjan Melonashi: shtator 2000

Marjan Melonashi doli nga vendi i punës në qendër të Prishtinës në orën 14:10 më 9 shtator 2000 dhe nuk është parë qysh atëherë. Dëshmitarët thonë se ka hipur në një taksi të portokalltë matanë rrugës për t’u kthyer në banesë. Sipas një lajmi nga Associated Press të botuar disa ditë më vonë, ai kishte pranuar disa thirrje kërcënuese në telefon para zhdukjes. Kolegët e tij merakoseshin për sigurinë e tij.

Melonashi, i cili raportonte për programin e gjuhës serbe në Radiotelevizionin e Kosovës, është një nga 15 gazetarët që janë zhdukur në Kosovë para dy dekadash. Deri më sot nuk është ngritur ndonjë akuzë kundër dorasve ose atyre që kanë urdhëruar vrasjet.

“E rëndësishmja është që këto krime të mos harrohen.”

Jelena Petković, gazetare

Në vend të kësaj, kjo çështje ose përmendet në përvjetorë të lirisë së shtypit, ose përdoret për t’ua drejtuar gishtin qeverive të Kosovës dhe Serbisë — në grupin e gazetarëve të zhdukur ose të vrarë ka edhe serbë, edhe shqiptarë. Ose, kishte të tillë sikur Melonashi që u përkisnin të dyja anëve.

E ëma e Melonashit, Cica Janković, lajmëroi për zhdukjen e të birit në ditën kur s’u kthye në shtëpi nga puna. Ajo shkoi te Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ekzekutivi de facto i Kosovës pas mbarimit të luftës në qershor 1999 dhe forca e saj e sigurisë. Ajo po ashtu raportoi zhdukjen te Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe te Ministria e Brendshme e Serbisë.

Çfarë kishte ndodhur në ndërkohën midis hyrjes në taksinë e portokalltë atë ditë dhe çastit kur prindërit kuptuan se ishte zhdukur? Pesë vjet më vonë është hapur një hetim për incidentin nga UNMIK-u, ku u konfirmua se askush nuk ishte marrë në pyetje lidhur me zhdukjen në atë kohë. Hetimi pas pak u mbyll dhe nuk shpuri kurrë në aktakuzë.

Kur pyet për Melonashin, reagimet janë të ndryshme. Disa pretendojnë se ishte cak për shkak të punës së tij në programin në serbishte dhe se 24 vjeçi ishte i fejuar me një serbe. Në muajt pas konfliktit, incidentet hakmarrëse ndaj popullatës serbe në vend — si dhe ndaj atyre që konsiderohej se kishin tradhtuar Kosovën ose prapavijën e tyre shqiptare — kishin arritur kulmin.

“E rëndësishmja është që këto krime të mos harrohen”, thotë gazetarja Jelena Petković, e cila ka mbuluar këtë temë për vite me radhë dhe ka folur me shumë familjarë të atyre që janë vrarë ose janë zhdukur. “Nuk bën t’i harrojmë këto krime dhe duhet ta mbështesim secilin koleg që dëshiron të merret me këtë temë”.

Afrim Maliqi: dhjetor 1998

Afrim Maliqi ishte gazetar për gazetën Bujku.

Bujku ishte rast interesant në skenën e gazetarisë në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. Kur shumë gazetarë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga vendet e punës në radion dhe televizionet publike dhe u mbyllën gazetat shqipe sikur Rilindja, të vetmet mediume që lejoheshin të botonin ishin ato që shiheshin si jokontraverse nga qeveria në Beograd. Një gazetë bujqësore nuk shihej si kërcënim për ata që donin ta ndrydhnin disidencën politike ndër shqiptarët e Kosovës.

Pra Maliqi dhe shumë gazetarë të tjerë vendosën t’i botonin artikujt e tyre politikë në gazetën bujqësore, e cila shpejt u bë burim i gazetarisë cilësore në mes të një amosfere gjithnjë e më të tendosur në Kosovë.

Më 2 dhjetor 1998, Maliqi ishte në një makinë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë me shokun e tij të ngushtë Hyzri Talla, i cili ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Talla kishte ardhur në Prishtinë për ta vizituar familjen gjatë një pushimi të luftës në Zonën e Llapit në verilindje të Kosovës.

Makina me dy burrat u qëllua me plumba. Njerëzit që gjendeshin në ndërtesat përreth dhe që ishin dëshmitarë të të shtënave nga dritaret e banesave kishin dëgjuar qitësit tek flisnin serbisht.

Një vajzë e re ishte plagosur gjatë të shtënave, por nuk kishte dëshmuar kurrë nga frika për jetën. Policia erdhi shpejt në vendin e ngjarjes dhe po ashtu erdhi një prokuror për ta parë skenën, por gjatë një dëshmie shumë vite më vonë, bija e Maliqit Gresa kishte thënë se ende nuk e dinë saktë se çfarë ka ndodhur atë ditë.

Një nga arsyet kryesore përse ekspertët besojnë se mbetet e pazgjidhur çështja e gazetarëve të zhdukur është natyra tranziconale e sistemit të drejtësisë dhe atij të policisë në Kosovë përgjatë viteve. Kur është vrarë Maliqi, forca lokale policore ishte e dominuar nga serbët e Kosovës dhe ishte nën ndikimin politik të Beogradit. Pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe tërheqjes së forcave të armatosura dhe atyre policore serbe, Kosova hyri në një periudhë protektorati ku organet policore dhe gjyqësore menaxhoheshin nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në vitin 2008.

Ajo kujton që familja nuk lejohej të fliste me policinë dhe u lejua ta merrte trupin e Afrimit vetëm pas një dite. Askush në familje nuk u mor në pyetje rreth ngjarjeve nga policia asokohe, por një zyrtar policor u kishte thënë se Maliqi ishte vrarë “me 30 plumba në trup”. Ai ishte 33 vjeç.

Si një nga themeluesit e qendrës kulturore në Podujevë në vitin 1990, Maliqi fillimisht shkruante për artin dhe kulturën. Artikulli i parë politik, i botuar në shkurt të vitit 1995 në gazetën Bujku, ishte për diskriminimin me të cilin ballafaqoheshin dita-ditës shqiptarët që mbetën të punësuar në institucionet e viteve të 90-ta, të cilat efektivisht ishin të shndërruara në institucione serbe. Gresa thotë se ai po ashtu shkruante për masakrat, vrasjet dhe fshatrat e djegura. Deri më sot nuk ka pasur hetim për vdekjen e tij.

Është vështirë të mbulohet kjo temë pa e nxitur zemërimin e njërit ose tjetrit grup etnik të përfshirë në konfliktin e Kosovës.

Gazetarët dhe të tjerët që e njihnin Melonashin pretendonin se raportimi i tij legjitimonte pushtimin e televizionit kryesor të vendit nga ata që ishin politikisht në favor të Slobodan Milošević-it ose të elitës qeverisëse në Beograd. RTK-ja, e cila atëherë njihej si Radiotelevizioni i Prishtinës, ishte stacion që më herët dominohej nga gazetarët shqiptarë dhe përmbushte nevojat e raportimit shqip në ish-Jugosllavi — ishte pasqyrim i demografikës në ish-provincën serbe. 

Të tjerët do të thoshin se Maliqi nuk është dashur të zhvillonte lidhje të afërta me UÇK-në. Në këtë narrativë, meqë kjo forcë e decentralizuar guerrile që i kundërvihej Armatës Jugosllave dhe paramilitarëve serbë ishte halë në sy për shumë njerëz, përfshirë edhe vetë forcën e policisë të dominuar nga serbët, Maliqi rrezikoi veten e tij duke bredhur në makinë me një komandant të UÇK-së.

“Si gazetarë duhet t’i rrimë larg politizimit të temave të tilla”, shpjegon Petković. “Natyrisht, diçka e këtillë mund të politizohet. Por mendoj që kjo temë duhet të qaset nga një kënd humanitar, sepse është çështje e të drejtave themelore të njeriut”.

Petković pohon se zgjidhja e këtyre rasteve mund të hedhë dritë mbi praktikën e gojëmbylljes së kundërshtarëve politikë dhe mbështetësve të tyre përmes rrëmbimeve dhe vrasjeve brutale. Dështimi në këtë aspekt mund të çojë në tërheqjen e gazetarëve kosovarë nga mbulimi i çështjeve të ndjeshme në të ardhmen — sikundër janë aktakuzat e ardhshme kundër figurave të UÇK-së ose politikanëve kosovarë.

Xhemajl Mustafa: nëntor 2000

Beriane Mustafa ka qenë e zëshme në kërkesën e saj që asgjë të mos pengojë zgjidhjen e vrasjes së atyre që janë etiketuar si kundërshtarë politikë menjëherë pas luftës në Kosovë. I ati i Berianes, Xhemajl Mustafa, mbase është figura e profilit më të lartë që është bërë viktimë e vrasjeve me motive politike në Kosovë. Pak ditë para vrasjes së tij, ai shkroi një artikull ku argumentonte se ishte NATO-ja e jo UÇK-ja që çliroi Kosovën.

“Unë besoj fuqishëm që kishte motive politike prapa vrasjes ose rrëmbimit të gazetarëve dhe se forcat politike kanë kontribuar për moszgjidhen e rasteve deri më sot,” thotë e bija. “Është e pamundshme për një gazetar me nam sikur babai im të jetë vrarë në pikë të ditës në Prishtinë dhe që askush të mos dijë gjë për atë punë”.

Duke qenë gazetare vetë, ajo këmbëngul se çdokush që vendos t’i bëjë gazetarët cak të shfarosjes apo të zhdukjes ka vetëm një qëllim në mendje: “Mbylljen e gojës së individit, ndalimin e llojit të raportimit që bën dhe frikësimin e të gjithë të tjerëve që të flasin për këtë ose të bëjnë raportim të ngjashëm”.

“Pra po, të gjitha vrasjet që janë kryer ishin edhe për t’ia mbyllur gojën dikujt dhe për t’i frikësuar të tjerët,” shpjegon ajo. Mustafa po ashtu beson që soji i raportimit të bërë nga disa prej gazetarëve të zhdukur ose të vrarë nuk është rrethanë lehtësuese për mosvënien e dorasve para drejtësisë.

“Nuk mendoj që as prapavija etnike e gazetarëve, as cilësia e raportimit të tyre duhet të merren parasysh kur diskutohen këto raste. Edhe pse është e qartë që disa individë të caktuar mund të kenë raportuar në mënyra që është menduar se kanë qenë në interesin e drejtpërdrejtë të një force të caktuar politike të përfshirë në konfliktin e Kosovës asokohe, vdekjet e tyre kishin për qëllim mbylljen e gojës”, përfundon ajo.

Enver Maloku: janar 1999

Enver Maloku ishte reporter i fushës së politikës për Radiotelevizionin e Prishtinës deri në vitin 1993, kur shumica e stafit shqiptar u pushua ose iku për shkak të trysnisë politike. Maloku u bë kreu i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) — një rrjet korrespondentësh dhe, fillimisht, mbështetësish të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

QIK-u grumbullonte informata për atë se çfarë ndodhte në zonat e largëta të Kosovës përgjatë viteve të 90-ta, si dhe promovonte aktivitetet e LDK-së dhe të themeluesit të saj Ibrahim Rugova. Ndërsa rrjeti zgjerohej gjatë dekadës, ata u bënë burimi më i besuar i informimit, thuajse duke luajtur rolin e një agjencie kombëtare të lajmeve.

Tentativa e parë për vrasjen e Malokut ndodhi në korrik 1998 kur u qëllua me armë në hyrjen e banesës së tij. Një tentativë e dytë ndodhi në janar 1999, sërish para banesës së tij. Bashkëshortja dëgjoi të shtënat dhe pa vrasësit duke braktisur vendin e ngjarjes. Ai iu dha plagëve dhe vdiq duke u trajtuar në spital.

Momir Stokuća: shtator 1999

Për motrën e Momir Stokuća-s, përkatësia etnike nuk ka përcaktuar njerëzit prej të cilëve ka kërkuar ndihmë kur lexoi në gazetat serbe për lajmin e vrasjes së vëllait në Prishtinë.

Branka Damjanović ishte merakosur kur Momoja, siç quhej nga familja, nuk u përgjigj në telefon. Ai kishte vendosur të qëndronte në Prishtinë pas përfundimit të konfliktit dhe punoi për të përditshmen serbe Politika, i bindur që prania ndërkombëtare do t’ia garantonte sigurinë — dhe siç thotë familja e tij, ai nguli këmbë që nuk kishte bërë kurrë diçka për ta shndërruar veten në cak.

Ata u dërguan prej një stacioni policor e arkivi në tjetrin, deri sa kuptuan se çdo informatë që lidhej me incidentin kishte humbur.

Policia e UNMIK-ut kishte pranuar një thirrje prej së cilës morën vesh se kishte ndodhur një incident në lagjen Pejton në Prishtinë. Ata kishin gjetur Momon e vrarë në dyshemenë e dhomës së gjumit. E tronditur, Damjanović u nis për në Prishtinë porsa dëgjoi lajmin. Askush nuk kishte informata për t’i dhënë.

Informata nuk patën as një vit më vonë. Pas dy vjetësh, Damjanović udhëtoi me fqinjin shqiptar në Prishtinë për të pyetur rreth hetimit. Ata u dërguan prej një stacioni policor e arkivi në tjetrin, deri sa kuptuan se çdo informatë që lidhej me incidentin kishte humbur.

Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti: 2001 dhe 2005

Jo të gjitha incidentet e këtilla lidhen me periudhën kaotike gjatë muajve të parë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë. Gazetarët Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti janë vrarë përkatësisht në vitin 2001 dhe në vitin 2005. Të dy punonin për gazetën e diasporës Bota Sot, e cila edhe sot njihet për animin nga LDK-ja dhe ish-Presidenti Ibrahim Rugova.

Këto dy vrasje në veçanti janë emblematike për përçarjet politike në Kosovë brenda komunitetit shqiptar. Rugova u bë figura politike më e identifikueshme e shqiptarëve në Kosovë gjatë fillimit të viteve të 90-ta, i cili përkrahte një qasje paqësore por strategjike për t’i shprehur kërkesat politike të shqiptarëve të Kosovës.

Kjo binte ndesh me qasjen e UÇK-së, e cila mendonte se rezistenca e armatosur ishte e nevojshme edhe për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin bërë cak i Ushtrisë Jugosllave të kohës, edhe për tërheqjen e vëmendjes ndaj krimeve që kryheshin në vend. Kjo ndasi do të mbartej edhe në periudhën relativisht paqësore të fillimit të viteve 2000.

Kastrati dhe Ajeti kishin shprehur kritika ndaj UÇK-së në shkrimet e tyre. Bota Sot mbështeste arrestimin e ish-anëtarëve të UÇK-së në kuadër të një “fushate më të gjerë kundër krimit”. Kastrati ishte qëlluar me plumb teksa ishte në makinë me ish-truprojën e Presidentit Rugova Besim Dajaku dhe anëtarin e LDK-së e ish-luftëtarin e UÇK-së Gani Geci. Kastrati dhe Dajaku nuk u shpëtuan të shtënave, ndërsa Geci mbijetoi me lëndime. Geci po ashtu ka qenë i zëshëm me kritika ndaj UÇK-së si njeri që dikur ishte vetë anëtar.

Në kolumnet e përjavshme, Ajeti përkrahte nevojën e ndjekjes penale të anëtarëve të UÇK-së në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila njihej si Gjykata e Hagës. Ai kritikonte protestuesit nacionalistë shqiptarë që kërkonin lëshimin e anëtarëve të arrestuar të UÇK-së nga forcat ndërkombëtare.

Sipas një raporti nga Këshilli për Mbrojtjen e Gazetarëve të botuar në kohën e vdekjes së tij, Ajeti ishte në proces të lënies së punës në Bota Sot për ta themeluar një gazetë rivale që do ta mbështeste kahjen e tij të raportimit mbi këtë çështje. Në maj 2005, Ajeti dorëzoi një ankesë ku pretendonte se ishte kërcënuar për shkrimet e tij. Ai po voziste nga Prishtina në Gjilan më 3 qershor 2005 kur u qëllua me plumb nga afër prej brenda një makine që kalonte pranë.

Krist Gegaj: shtator 1999

Krist Gegaj dhe Shaban Hoti, të vrarë në vitet 1999 dhe 1998, nuk kanë qenë gazetarë gjatë tërë karrierave të tyre, edhe pse punonin si gazetarë në kohën kur janë vrarë. Gegaj ishte bërë sekretar ekzekutiv i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës në fillim të viteve të 90-ta — gjë që ishte vendim kontravers duke marrë parasysh se Lidhja e Komunistëve të Kosovës ishte “spastruar” nga anëtarët më të fuqishëm shqiptarë në vitet paraprijëse. Ata që qëndruan në parti — dhe që pranuan pozita të larta — shiheshin si besnikë të Slobodan Milošević-it.

Sipas hulumtimeve të mbledhura nga Shoqata e Gazetarëve të Serbisë dhe një interviste me kreun e Radiotelevizionit të Prishtinës atëkohë Miladin Jović, Gegaj kishte folur me të për këtë vend të punës në vitin 1997. Jović e kishte punësuar në deskun e radios dhe televizionit në gjuhën shqipe, e cila kishte staf të pamjaftueshëm. Ai thotë që Gegaj nuk kishte pasur ndonjë problem gjatë kryerjes së punës deri në prill 1999, kur kërkoi të mos dilte në punë çdo ditë sepse mendonte se i cenohej siguria.

Gegaj jetonte në Istog, ku më herët kishte pasur një pozitë politike lokale, kur ra në pritë ndërsa kujdesej për bagëtitë afër pronës së tij në shtator 1999. Rrëfimet e torturimit të tij barbar që ia mori jetën ende qarkullojnë në rajonin e Istogut, të cilat u shkaktojnë fërgëllima edhe atyre që nuk pajtohen me vendimet e gazetarit që u bë politikan. Trupi i tij u gjet të nesërmen në një lumë të afërt.

Shaban Hoti: korrik 1998

Në anën tjetër, Shaban Hoti shpeshherë lihet jashtë listave të gazetarëve të zhdukur ose të vrarë gjatë konfliktit të Kosovës dhe pas tij. Hoti, i cili ishte profesor i gjuhës ruse, punonte si përkthyes për gazetarë rusë që udhëtonin nëpër Kosovën perëndimore për të intervistuar anëtarë të UÇK-së në korrik 1998. Vdekja e tij ngre çështjen se a duhet të përfshihen punëtorët medialë — ata që nuk janë gazetarë ose reporterë por luajnë rol të rëndësishëm në prodhimin e lajmeve — kur diskutohet shënjestrimi i gazetarëve.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë Bekim Blakaj kishte folur me Petković-in për këtë rast në një artikull të botuar nga Shoqata e Gazetarëve të Serbisë. Ai ka thënë që Hotit dhe gazetarëve rusë u ishte thënë nga policia serbe të mos shkojnë përtej një pike të caktuar që thonin se kontrollohej nga UÇK-ja. Dihej që UÇK-ja ndalonte autobusë dhe makina dhe i nxirrte pasagjerët, sipas Blakajt.

Blakaj e quan Hotin përkthyes dhe gazetar, edhe pse ishte e qartë që ishte kapur gjatë kohës kur punonte vetëm si përkthyes. Ai dhe kolegët rusë ishin zënë nga UÇK-ja më 21 korrik. Gazetarët ishin lëshuar po atë ditë, por Hoti ishte vrarë me armë pesë ditë më vonë në Malet e Berishës.

Mbetjet e Hotit janë gjetur në vitin 2001 në vendin ku mendohet se është qëlluar me plumba. Ndryshe nga të gjitha rastet e tjera, dorasit e krimit në rastin e Hotit u përballën me ligjin. Ish-anëtari i UÇK-së nga ai rajon Hajredin Balaj u dënua me 13 vjet burg nga Gjykata e Hagës për vrasjen e Hotit dhe tetë civilëve të tjerë.

Ljubomir Knežević (left) and Aleksandar Simović (right).

Ljubomir Knežević, Mile Buljević dhe Aleksandar Simović: 1999

Ka të tjerë, sikur Ljubomir Knežević, Mile Buljević and Aleksandar Simović, të cilët janë zhdukur në maj, qershor dhe gusht 1999 dhe ka pak të dhëna publike për rrethanat e zhdukjes së tyre.

Shefki Popova: shtator 2000

Shefki Popova ishte një ndër gazetarët më të spikatur të Rilindjes në kohën kur vdiq. Kur gazeta e vjetër e Rilindjes rifilloi punën shkurtimisht pas luftës, ai punonte si korrespondent nga Vushtrria. Në kohën kur gazetarët më të mirë të rajonit zhvendoseshin në kryeqytet për punë më fitimprurëse, Popova vendosi të rrinte në Vushtrri.

Miqtë thonë se nuk ishte rastësi që u vra një muaj para zgjedhjeve të para komunale të mbajtura në Kosovë prej përfundimit të luftës. Qytetarët e Kosovës morën pjesë masivisht në këto zgjedhje, madje disa vlerësojnë se rreth 80% e votuesve kishin dalë për të dhënë votë. Sidoqoftë, ishte po ashtu mundësia e parë për partitë të krijojnë bastione lokale meqë deri atëherë, pushteti kryesisht fokusohej në nivelin kombëtar. Figurat sikur Popova mund të jenë konsideruar si kërcënime ndaj kësaj dinamike të re.

Ranko Perenić dhe Đuro Slavuj: gusht 1998

Ranko Perenić dhe Đuro Slavuj janë dy rastet më të hershme të zhdukjes së gazetarëve gjatë konfliktit në Kosovë.

Ata u zhdukën gjatë një daljeje në terren ndërsa punonin për Radio Prishtinën në gusht 1998, rrugës për në manastirin e Sveti Vraçit në Zaqisht ku ishin nisur për ta shkruar një temë për murgjit e rrëmbyer. Ata padashur hynë në komunën e Rahovecit që atëherë kontrollohej nga UÇK-ja dhe janë parë për herë të fundit në pasditen e 21 gushtit në Hoçë të Madhe.

Perenić dhe Slavuj mbase njihen më shumë sesa njerëzit e tjerë në këtë listë sepse pllaka përkujtimore që ishte vendosur afër vendit ku janë zhdukur është shkulur disa herë deri më sot. Pllaka, e cila ka mbishkrimin “Në këtë vend më 21 gusht 1998 janë kidnapuar kolegët tanë gazetarë — jemi në kërkim të tyre” në serbishte dhe në shqipe, është vandalizuar dhe është hequr shtatë herë nga vendosja e parë.

Sipas kryeredaktores së gazetës më të shquar kritike në gjuhën serbe në Kosovë Kossev, Tatjana Lazarević, kushtet për zgjidhjen e këtyre krimeve nuk kanë ekzistuar që nga përfundimi i luftës.

“Së pari, klima politike nuk është e pranishme”, thotë ajo. “Nuk ka institucione që bëjnë punën e tyre si duhet, si dhe janë thellësisht të kriminalizuara. Në këtë kontekst, nuk pres që ndonjë vepër kriminale do të trajtohet mirëfilli, lëre më krimet ku viktimat janë njerëz që e kanë pasur punë kërkimin e llogaridhënies nga politikanët dhe institucionet”.

Ajo po ashtu thotë që elementi etnik i këtyre rasteve — i cili sipas saj nuk do të duhej të luante rol — ka shkaktuar mungesë interesi për trajtimin e tyre.

“Lufta ka mbaruar, dy vendet nuk kanë arritur pajtimin, por konteksti i urrejtjes dhe armiqësisë është i çimentuar thellë, sidomos në strukturat qeverisëse dhe narrativat shtetërore”, thotë Lazarević. “Elitat qeverisëse janë të njëjtat që kemi pasur qysh nga fillimi i viteve të 90-ta. Njerëzit që drejtojnë të gjitha proceset në vendet tona kanë qenë pothuajse saktësisht njerëzit e njëjtë nga dekadat e kaluara. Në një situatë të këtillë, nuk duhet të befasohemi që nuk ka epilog të kësaj çështjeje”.

“Zgjidhja e një çështjeje të këtillë do ta lehtësonte punën time si gazetare në Kosovë.”

Tatjana Lazarević, kryeredaktore e Kossev

Ajo parashikon që për sa kohë organizatat ndërkombëtare japin shtytjen kryesore për trajtimin e këtyre rasteve do të ketë pak sukses në drejtim të zgjidhjes. “Nismat e tilla janë reduktuar në projekte të industrisë së ndërtimit të paqes. Bëhet çështje e nxehtë për një kohë të caktuar, e vënë në pah zakonisht nga dikush prej margjinave”, thotë ajo.

“Nuk ka nisma lokale në të dyja anët. Nuk është filluar ose shtyrë nga vetë gazetarët e shoqatave përkatëse të gazetarëve. Në mënyrë që të jetë nismë e vërtetë lokale duhet të ekzistojnë dy gjëra: ndërgjegjësimi se këto raste duhet të zgjidhen dhe besimi që ia vlen të përfshihesh”.

Ndonëse liderët politikë në Kosovë si dhe shoqatat e gazetarëve në Kosovë dhe në Serbi vazhdojnë ta përmendin temën e vrasjeve dhe zhdukjeve të pazgjidhura, çështja përcëlluese në zemër të debatit shpeshherë shpërfillet. Për Lazarević-in, asnjë gazetar nuk do të ndihet plotësisht i qetë përderisa është e pranishme mundësia se kjo mund të ndodhë sërish.

“Zgjidhja e një çështjeje të këtillë do ta lehtësonte punën time si gazetare në Kosovë”, thotë ajo. “Ia kemi borxh edhe profesionit, edhe komuniteteve”.K

Imazhet: Arrita Katona & Atdhe Mulla / K2.0. Të gjitha imazhet bazohen në fotografitë arkivore të individëve të zhdukur — nuk ka imazhe të Krist Gegajt, Shaban Hotit apo Mile Buljević-it pasi asnjë foto arkivi nuk ishte në dispozicion në domenin publik.

Kthehu prapa tek Monografia

  • 07 Nov 2021 - 07:24 | Nebi:

    Nuk e kam te qarte pse Haki Braha nuk permendet ne kete shkrim?

  • 03 Dec 2020 - 07:24 | Esma:

    Eshte hera e pare qe ndegjoje per keto ndodhi ne kosove. Me vjen keq per familjaret e tyre sepse mos zbardhja e rasteve dhemb me shune se nje e vertet sado e hidhure te jete ajo!!!

KOMENTO