Suzana Zogiani-Sekiraqa, 35-vjeçare nga Prishtina dhe nënë e dy fëmijëve, është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e bashkëshortit të saj në 2018 duke e goditur me sëpatë deri në 11 herë në banesën e tyre në Dole, Francë. Ajo është duke kryer dënimin në burgun e grave të Kosovës në Lipjan.
Dy javë më parë, ajo ka ndarë historinë e saj dhe ka folur për jetën e vështirë me familjen e bashkëshortit në Kosovë dhe martesën e trazuar që ka vazhduar në Francë ku ata kanë imigruar ilegalisht. Duke dhënë pikëpamjen e vet rreth asaj se çfarë e ka shkaktuar një krim aq të dhunshëm, Suzaka ka folur kundër autoriteteve për mospërfilljen e dhunës sistematike ndaj së cilës ajo është nënshtruar nga bashkëshorti i saj, duke kërkuar një dënim më pak të rreptë.
“Edhe Hitchcock-u do t’ia kishte zili asaj për ndërtimin e një skenari të tillë imagjinar”, thotë një pjesë e deklaratës nga paneli gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke iu referuar pretendimit të Suzanës se ajo ka vepruar në gjendje të shokut pasi — përveç abuzimit të cilit i është nënshtruar nga bashkëshorti i saj — e ka parë atë duke abuzuar djalin e tyre seksualisht.
“Krimi është krim”, mbetet arsyetimi i zakonshëm moral kur ndodh vrasja e partnerëve intimë. E kam dëgjuar këtë shprehje shumë shpesh në vitin 2017, ndërsa isha duke hetuar rastet e grave të cilat vrasin bashkëshortët apo partnerët dhe nëse krimet e tilla dallojnë mes rasteve të shumta të femicidit që e shohim në Kosovë në baza vjetore. Hulumtimi demonstroi në shkallë të lartë atë që përgjithësisht e tregojnë studimet për vrasjet e partnerëve intimë. Që nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, literatura akademike e deri te të dhënat e hulumtimeve nga e gjithë bota, studime të shumta bëjnë lidhje direkte mes dhunës në familje dhe vrasjes së partnerëve intimë.
Liri e hequr dy herë
Kam kaluar një ditë në një burg të grave duke biseduar me gratë të cilat kanë kryer krime të dhunshme kundër burrave të tyre dhe duke shikuar dosjet e tyre. Tri nga gratë e burgosura të cilat i kam intervistuar kanë përshkruar jetët e tyre si të udhëhequra nga normat tradicionale gjinore. Ku burrat shohin gratë e tyre si çanta grushtimi, ku ata mund të shfaqin nervozën më të dhunshme; një objekt për ta përdorur dhe për ta poshtëruar.
Një nga gratë, një 42-vjeçare e dënuar me 11 vite burgim pasi ia kishte prerë fytin bashkëshortit kur ai ishte në gjumë, e ka përshkruar jetën para martesës si të qetë dhe mjaft të gëzueshme. E pamartuar dhe pa fëmijë, ajo bënte jetë të mirë në një fshat në Kosovë dhe shpesh udhëtonte në Evropën perëndimore për të vizituar vëllezërit e saj që jetonin atje me familjet e tyre. Ajo ka thënë: “Si grua kam pasur shumë liri nga familja ime për të udhëtuar”.
Sipas saj, bashkëshorti 57-vjeçar të cilin ia kishte zgjedhur familja doli të ishte njeri i dhunshëm i cili nuk do ta nënshtronte atë vetëm përmes dhunës fizike, por do të gjente kënaqësi duke e torturuar dhe duke e turpëruar. “Përse u skuqe, përse buzëqeshe?”, e pyeste ai shpesh pasi i dërgonte mesazhe anonime nga një numër tjetër telefoni kur të dytë ishin në të njëjtën dhomë.
Këto marrje në pyetje pasive-agresive do ta thellonin më tej tërbimin e tij ndaj saj. Tash ajo do ta vuajë më shumë se një dekadë në burg, ku po ambientohet me një realitet të vështirë, me një tjetër “shtëpi”.
Historia e Suzanës
Ngjashëm, Suzana ishte duke luftuar për ta gjetur një shtëpi për vete. Në mes të një ambienti toksik në shtëpinë e prindërve të bashkëshortit ku ajo jetonte, e nënshtruar ndaj dhunës së bashkëshortit, me një foshnjë të sëmurë që pësoi një rrëzim të tmerrshëm, ajo u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, por më vonë u këshillua të kthehej te bashkëshorti dhe ta gjente një mënyrë për ta bërë martesën të funksionojë.
Duke kërkuar një shtëpi më të sigurt dhe një jetë më të mirë, Suzana u largua nga shteti në mënyrë ilegale me dy fëmijët e saj; bashkëshorti i ndoqi më vonë. Përderisa ajo kujdesej për fëmijët dhe shtëpinë, gjithashtu ndiqte kurse të gjuhës frënge dhe më pas u regjistrua në një universitet për të studiuar psikologji. Në ndërkohë, ajo pretendon që bashkëshorti i saj zgjodhi “rrugën e gabuar” duke u përfshirë në vjedhje dhe falsifikime për krim të organizuar; “rrugë” që mundësoi forcimin e abuzimit ndaj Suzanës dhe fëmijëve.
Një organizatë e cila ndihmon viktimat e dhunës në familje në Dole, Francë, në mënyrë anonime ka konfirmuar për KohaVision që Suzana kishte kërkuar ndihmë disa herë: “Ajo ka shpjeguar në detaje fyerjet, kritikat e vazhdueshme, mbikëqyrjen dhe kontrollin intensiv, turpërimin, kërcënimet, ndalimin e parave, shkatërrimin e gjërave dhe dokumenteve të saj personale, mbërthimet brutale, kërcënimet me thikë, shkuljen e flokëve, goditjet dhe grushtimet ndaj saj. Kur fliste për dhunën, znj. Zogiani-Sekiraqa gjithmonë ishte duke qarë dhe duke u dridhur. Ajo na tregonte që kur bashkëshorti i saj ishte agresiv, djali i tyre ishte gjithmonë i pranishëm dhe djali ishte gjithmonë viktimë direkte e dhunës së bashkëshortit të saj”.
Autoritetet në Francë ishin të vetëdijshme për dhunën që Suzana po e përjetonte nga bashkëshorti. Në korrik 2018, Gjykata e Lyon-it e dënoi burrin e saj me dy vite lirim me kusht nën mbikëqyrje të policisë pasi kërkoi falje dhe premtoi se do ta merrte terapinë kundër varësisë ndaj drogës dhe do të kujdesej për familjen e tij. Por u deshën vetëm dy muaj deri sa e shkeli premtimin. Më 3 shtator 2018, policisë në Dole iu paraqitën fotografi të një ore të madhe të shkatërruar ndërsa bashkëshorti i Suzanës ishte duke ia përplasur asaj kokën në të.
Depresioni i Suzanës, që ajo pretendon se është rezultat i jetës së vështirë bashkëshortore, është tipar i zakonshëm i grave të cilat arratisen nga dhuna martesore në Kosovë dhe kërkojnë ndihmë nga institucionet. “Pothuajse të gjitha gratë që kemi pasur në strehimore gjatë këtyre dy dekadave janë në terapi të rëndë mendore për shkak të dhunës të cilën e përjetojnë përgjatë viteve”, ka thënë një person i punësuar në strehimoren në Prishtinë në kohën kur kam qenë duke hulumtuar varfërinë në të cilën gratë në Kosovës shtyhen nga bashkëshortët e tyre.
Një tjetër hulumtim imi, mbi përdhunimin martesor ku asnjëri nga partnerët nuk është vrarë, tregon llojet e marrëdhënieve me fuqi jo të barabartë mes çifteve, të dhunës dhe mungesës së autonomisë mbi trupat e tyre që gratë i përjetojnë gjatë martesave. Mëtimi të cilin burrat e ndiejnë ndaj trupave të grave të tyre është mëtimi i njëjtë që e ndiejnë për t’ua marrë jetën.
Prandaj, një e përbashkët e dukshme mes grave të cilat kanë vrarë bashkëshortët e tyre dhe atyre që janë vrarë nga ta është dhuna të cilën ato e përjetojnë gjatë martesës, mungesa e një shtëpie të sigurt, jostabiliteti dhe varësia ekonomike, si dhe pritshmëritë shoqërore të cilat ende lypin që gratë “ta bëjnë martesën të funksionojë”.
Neglizhim dhe indiferencë institucionale
Mënyra në të cilën si shoqëri e zbërthejmë domethënien e një rasti të dhunës ekstreme në familje, si në rastin e Suzana Zogiani-Sekiraqës — si dhe në rastet e tjera të vrasjeve të dhunshme në familje — shkon dorë për dore me mënyrën si institucionet e trajtojnë dhunën në familje dhe të drejtat e grave. Dhe ka dëshmi të shkruara që institucionet shtetërore ende nuk e konsiderojnë luftën kundër dhunës në familje si prioritet urgjent.
Raporti i parë i mbikëqyrjes së implementimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje 2016-2020 nga Ministria e Drejtësisë — i cili nuk është i qasshëm për publikun — e tregon këtë. Progresi në adresimin dhe luftimin e dhunës në familje kryesisht raportohet nga një numër i trajnimeve të mbajtura me policët, prokurorët, hetuesit, gjykatësit dhe profesionistët tjerë relevantë apo të tjerët që janë të përfshirë në këtë fushë.
Megjithatë, objektivat të cilat kërkojnë përpjekje të vendosura dhe që do të sillnin ndryshim domethënës nuk janë arritur. Nuk është raportuar progres në punësimin e të mbijetuarve të dhunës në familje nga Zyrat e Punësimit në nivel lokal, gjë që do të ndihmonte shumë gra të largoheshin nga shtëpitë e dhunshme dhe të fillonin një jetë të re për veten dhe fëmijët e tyre.
Nuk ka asnjë buletin statistikor vjetor mbi numrin e rasteve të raportuara dhe të trajtuara një mënyrë multidisiplinare, të dhëna që do të ndihmonin për të kuptuar natyrën e përhapjes së dhunës në familje dhe kështu të krijoheshin programe gjithëpërfshirëse dhe mënyra efektive për ta trajtuar. Nuk ka asnjë studim periodik kombëtar mbi dhunën në familje, përhapjen e saj, profilin e ushtruesve të dhunës në familje dhe profilin e viktimave. Aspekte këto që jo vetëm do ta zgjeronin debatin për këtë fenomen pandemik, por gjithashtu do t’i ndihmonin institucionet për të bërë më mirë punën e tyre, madje edhe më lehtë.
Sidoqoftë, një ndër observimet më zhgënjyese nga ky raport tregon që institucioneve u mungojnë kapacitetet edhe për t’i kuptuar aktivitetet, obligimet dhe përgjegjësitë që dalin nga Strategjia dhe Plani i Veprimit. Observimi i njëjtë ceket në studime nga shoqëria civile që tregojnë se shumë zyrtarë të cilët punojnë me viktima të dhunës në familje kryesisht njohin formën fizike; në grua të nxirë dhe të gjakosur, apo një me gjymtyrë të thyera. Sa u përket formave të tjera të dhunës, siç është ajo psikologjike, ekonomike, seksuale, pak prej tyre dinë t’i kuptojnë.
Kjo paaftësi e shumicës së ekspertëve të drejtësisë në Kosovë na bën shumë prej nesh të tregohemi naivë duke pasur pritshmëri të larta. Kjo gjithashtu shpjegon shakanë e Hitchcock-ut në vendimin zyrtar për rastin e Suzanës. Zgjedhja për t’i përqeshur pretendimet e saj nuk demonstron vetëm mungesë të etikës por gjithashtu papërgjegjësi të plotë në lidhje me një temë shumë të ndjeshme, një tabu për shoqërinë e Kosovës, që është incesti dhe abuzimi i fëmijëve.
Një shaka nuk e ndihmon publikun të përballet dhe të kuptojë krimet në familje, martesat e dhunshme dhe hapësirat e pasigurta që ndjellin frikë dhe agoni; me norma shoqërore që ende festojnë agresionin si një sjellje mashkullore, por reagon ndaj agresionit femëror me polemika dhe intolerancë. Veçanërisht për një nënë që vret.
Një qasje konstruktive institucionale e kupton si rolet tradicionale gjinore formësojnë jetët tona si gra, si e mohojnë agjencinë tonë për vendimmarrje, dhe punon drejt çmontimit të hierarkive familjare dhe besimeve të dëmshme. Një qasje e tillë u ofron njerëzve mënyra për t’u përballur me traumën dhe bën vend për bashkëpunim kuptimplotë me ekspertët akademikë dhe ata të shoqërisë civile për kuptim më të thellë të dhunës dhe formave të pakuptueshme në të cilat manifestohet.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.