Blogbox | Diaspora

A do të ishte një vajzë shqiptare zgjedhja e duhur?

Nga - 24.12.2021

Reflektime për lidhjet në diasporë.

Pak më shumë se para dy vitesh e shkrova një ese personale për K2.0 me titull “Një vajzë shqiptare do të ishte zgjedhja e duhur“. Artikulli ishte reflektim për lidhjet në diasporë, në të cilin u përpoqa të pajtohesha me presionin që marrim nga familja dhe shoqëria për t’u martuar me partnerë shqiptarë.

E vija re gjatë muajve se njerëzit linin komente të gjata të përzemërta në rubrikën e komenteve për historitë e tyre zemërthyese, dashurisë përtej kufijve kulturorë dhe luftës me identitetin shqiptar. Këto tema, së bashku me të tjerat që i kam trajtuar për këtë revistë, janë ato që i kam mbajtur që kur isha fëmijë. Teksa i lexoj këto përvoja personale të njerëzve që vazhdojnë t’i tregojnë në komente ndihem më pak i huaj. Ndajmë beteja të përbashkëta.

Dhe imagjinoni se si u ndieva kur redaktorët e K2.0 më thanë se eseja ime shpesh shfaqet në 10 artikujt e tyre më të lexuar çdo javë, për më shumë se dy vjet që kur u publikua.

Nganjëherë mendoj se e kam kaluar tërë jetën duke e pyetur veten pse disa gjëra shkojnë në një mënyrë të caktuar në kulturën tonë dhe pse e kemi të vështirë të ndryshojmë. Kam provuar ta diskutoj këtë me prindërit dhe të afërmit e mi, por bisedat nuk çonin askund. Ndonëse më thoshin se kisha të drejtë, se disa praktika kulturore duhet të ndryshonin, të nesërmen gjithçka kthehej njësoj siç kishte qenë.

Kur isha i vogël ëndërroja të kisha superfuqi dhe të isha në gjendje të bëja ndryshime në botë, por kur u rrita e kuptova se kjo ishte vetëm ëndërr e një fëmije. Por pasi i pashë reagimet pozitive për përvojat e mia personale, më në fund ndihem sikur jam brenda një bisede më të gjerë dhe se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë. Të paktën, jam ndierë më pak i vetmuar në këto pyetje.

Pasi mësova rreth popullaritetit të esesë sime, u përballa me pyetje të reja. Çfarë ndikoi që reflektimet e mia për lidhjet ndërkulturore dhe ballafaqimet me identitetin të merrnin vazhdimisht kaq shumë vëmendje? Dhe pas dy vitesh, a ndihem ende njësoj?

“Nuk do të isha shqiptar”

Po e filloj me suksesin e artikullit, sepse mendoj se arsyeja është mjaft e drejtpërdrejtë dhe e zakonshme. Kërkimi i partnerit është cikli rreth së cilës rrotullohet jeta jonë. Shoqëria e vendos të pasurit e një partneri dhe krijimin e familjes si një lloj parakushti për t’u pranuar në kategorinë e njerëzve që po i bëjnë gjërat siç duhet. Sado që vende dhe kultura të ndryshme po i lënë pas disa zakone dhe besime, një person në të dyzetat me bashkëshorte dhe fëmijë konsiderohet më shumë si normë sesa dikush i së njëjtës moshë që është beqar.

Dhe në shoqërinë kosovare shoqëri që në shumë mënyra është ende e ankoruar në të kaluarën ky fakt mbetet conditio sine qua non (kusht thelbësor). Na shtyejnë të kuptojmë se qëllimi i vetëm i jetës sonë është të krijojmë familje. Pikë. Dhe partneri, e panevojshme të thuhet, duhet të jetë shqiptar. E lehtë për ata që jetojnë në Kosovë, më e komplikuar për tërë fëmijët e diasporës që kanë lindur apo janë rritur jashtë vendit.

Të kesh partner të huaj dhe të krijosh familje duke përzier kultura është baraz me etiketimin e përhershëm si i ndryshëm.

Të kesh partner të huaj dhe të krijosh familje duke përzier kultura është baraz me etiketimin e përhershëm si i ndryshëm. Tashmë je person i martuar me dikë të huaj, gati se zhdukesh si individ dhe bëhesh vetëm kjo etiketë, personi që ka bërë diçka që nuk duhet. Besoj se artikulli rezultoi i suksesshëm sepse ka njerëz që kanë pasur guximin ta bëjnë këtë hap, të veprojnë kundër pritshmërive të familjes, për dashuri.

Më tepër se kaq, mendoj se ka shumë njerëz që kanë tentuar ta bëjnë këtë, apo do të donin ta bënin, por e dinë se çfarë do të nënkuptonte. Janë ndierë të lidhur me vështirësitë e mia dhe e kanë kuptuar se nuk janë të vetmit në gjithë këtë. Kombësia e partnerit është tepër e rëndësishme, sepse në shoqërinë tonë, idetë e nderit dhe dinjitetit kanë ende rëndësi të jashtëzakonshme.

Edhe pse acid, ky pasazh nga romani i dytë i Pajtim Statovcit “Kryqëzimi” përmbledh se si jam ndierë ndonjëherë:

Besoj se njerëzit në vendin tim plaken përtej viteve të tyre dhe vdesin kaq të rinj pikërisht për shkak të gënjeshtrave të tyre. I fshehin fytyrat e tyre ashtu si një nënë që e mbron fëmijën e saj të sapolindur dhe shmangin të shihen në një dritë të pakëndshme me saktësi pothuajse ushtarake: nuk ka gënjeshtër e histori që ata nuk do ta tregojnë për veten e tyre për ta ruajtur fasadën e tyre dhe për t’u siguruar që dinjiteti i tyre dhe nderi mbetet i paprekur dhe i panjollosur derisa të gjenden në varret e tyre.

Gjatë gjithë fëmijërisë sime e urreja këtë për prindërit e mi, e përbuzja si thumbimin e një skuqjeje alergjie apo ndjenjën e të qenit i zhytur në ankth, dhe u betova se nuk do të bëhesha kurrë si ata, kurrë nuk do të më interesonte se çfarë mendojnë të tjerët për mua, nuk do t’i ftoja kurrë fqinjët për darkë thjesht për t’i ushqyer me ushqim që nuk mund ta përballoja kurrë për veten time. Nuk do të isha shqiptar, në asnjë mënyrë, por dikush tjetër, kushdo tjetër.

Identiteti, martesa, mbijetesa

Por a ndihem ende njësoj? Çfarë kam parë në këto dy vite dhe pse martesat e përziera janë ende një tabu për kaq plot njerëz?

Një gjë për të cilën jam më i vetëdijshëm tani është se kërkimi i një partneri të së njëjtës kombësi nuk është diçka krejtësisht unike për kosovarët apo shqiptarët. Shumë e përdorin këtë fakt për ta justifikuar mënyrën se si e shikojmë këtë temë, teksa thonë se nëse edhe të tjerët e bëjnë, atëherë nuk është aq gabim. Unë e shoh këtë formë të të menduarit si një tjetër provë të frikës sonë për t’u marrë me problemet tona. Vetëm për shkak se dikush tjetër po e bën të njëjtën gjë nuk do të thotë se është e drejtë.

Lënia e shtëpive të tyre dhe fillimi i një jete të re në një vend të huaj nuk kishte të bënte me kënaqësi apo vetë-përmbushje për prindërit tanë, por më tepër me mbijetesë.

Dëshiroj ta kuptoj pse për brezin e prindërve tanë martesa mes kulturash është diçka kaq e paimagjinueshme. Ndoshta për ata që i kanë rritur fëmijët jashtë mund të nënkuptojë mposhtje, sepse fëmijët po zgjedhin anën tjetër dhe jo të tyren. Rritja e fëmijëve jashtë vendit është një sfidë e papërshkrueshme dhe në fund çka ndodh? Vajza apo djali martohen me një të huaj dhe automatikisht largohen më shumë nga atdheu.

Çfarë kuptova është se është normale që prindërit tanë ta konsiderojnë martesën e përzier si diçka të paimagjinueshme, sepse për ta e tillë është. Të lindur e të rritur në Kosovë dhe pasi kanë jetuar pjesën më të madhe të jetës së tyre aty, do të ishte e vështirë për ta të mund ta përfshijnë një person të huaj në jetën e tyre private. Lënia e shtëpive të tyre dhe fillimi i një jete të re në një vend të huaj nuk kishte të bënte me kënaqësi apo vetë-përmbushje për prindërit tanë, por më tepër me mbijetesë.

S’mund ta theksoj sa duhet këtë fakt. Për prindërit tanë, largimi nga Kosova ishte për mbijetesë. Pak donin të largoheshin, për më tepër, u detyruan. Pra, është normale që mund të mos jenë doemos të dashuruar me kulturën e vendit ku përfunduan duke i rritur fëmijët e tyre. Kështu që, është e kuptueshme që nuk dëshirojnë t’i shohin fëmijët e tyre të zhduken në këtë kulturë të re.

Megjithatë, ne fëmijët e diasporës, patëm mundësinë të jetojmë përnjëmend në vendin ku jemi rritur, pavarësisht vështirësive. Zotëruam gjuhën e vendit të ri, jemi të afërt me zakonet dhe kulturën dhe për këtë arsye mund ta imagjinojmë mundësinë e martesës me atë që për prindërit tanë, edhe pas kaq shumë vitesh qëndrimi, është kulturë të huaj.

Për ne, martesa hipotetikisht e përzier është më se e mundur sepse brenda nesh ka dy botë. Nëse në trupin e prindërve tanë është vetëm Kosova, në trupin tonë është edhe Kosova edhe vendi në të cilin jemi rritur. Mundohem të jem i ndërgjegjshëm për pamundësinë që prindërit tanë ndonjëherë të jenë në gjendje 100% të na kuptojnë. Jetët tona kanë qenë kaq të ndryshme nga ato të tyre, jo vetëm për shkak të kontekstit historik, por për shkak të përvojës së të jetuarit të dy jetëve në një trup. Ishte dhe është ende e vështirë për prindërit tanë dhe për ne.

Faktor tjetër që mendoj se luan rol është feja. Edhe pse Kosova nuk është saktësisht vendi më fetar, dhe për shumë njerëz Islami — feja mbizotëruese — luan vetëm rol nominal në jetën e përditshme, feja mbetet faktor i rëndësishëm për shumicën e kosovarëve. Përzierja e feve nuk është gjithmonë diçka e lehtë për t’u bërë.

Faktori i fundit që mendoj se është vendimtar është historia e shqiptarëve në Kosovë. Kosova u pavarësua vetëm në vitin 2008 dhe mund të thuash se deri në atë datë kemi qenë gjithmonë nën kontrollin e dikujt tjetër. Populli ynë ka luftuar për dekada që të na njihen të drejtat dhe diçka më bën të mendoj se kjo luan një rol kyç në brezin e prindërve tanë.

“Me të gjitha ato që na është dashur t’i kalojmë vetëm e vetëm të mos zhdukemi nga faqja e dheut, dhe tani çfarë bën? Do të martohesh me një të huaj?”

Kjo është ajo që mendoj se kalon nëpër mendjet e tyre.

Por mendoj se mund të ketë disa dallime të rëndësishme mes nesh dhe shqiptarëve të Shqipërisë. E konsiderojmë veten të njëjtë, jemi të gjithë shqiptarë, kështu që teorikisht nuk duhet të ketë dallim. Megjithatë, ndryshimi thelbësor është se si shohim martesat e përziera. Njoh shumë shqiptarë që janë martuar apo fejuar me njerëz të kombësive të tjera, veçanërisht italianë, meqenëse jam rritur në Itali dhe kam disa miq shqiptarë që jetojnë aty.

Por si rregull, miqtë e mi kanë rrënjë familjare në Shqipëri, jo në Kosovë. Shoh shumë më tepër liri në komunitetin e tyre të diasporës në këtë aspekt. Madje, në disa raste për ta një martesë e përzier pothuajse duket sikur konsiderohet si një sukses, hap përpara, diçka për t’u krenuar.

Gjersa mendoja për këtë çështje vendosa të pyes në një grup në Facebook të shqiptarëve që jetojnë në Itali të ma shpjegojnë se si përjetohet martesa e përzier dhe nëse ka ndonjë të martuar me një italian/e. Ka pasur kaq shumë komente nga njerëzit që janë në martesa të përziera. Shumica e tyre ishin gra shqiptare të martuara me burra italianë.

Kam parë miq që zhduken nga rrjetet sociale sapo gjejnë një djalë shqiptar. Kam parë miq që jetojnë jashtë vendit që takojnë një vajzë në Kosovë dhe martohen sa hap e mbyll sytë.

Sigurisht që ka raste, edhe pse jo të shumta, që nuk kanë funksionuar sepse familja shqiptare nuk e ka pranuar tjetrin. Por në thelb, martesa e përzier pranohet shumë më tepër nga shqiptarët nga Shqipëria. Edhe për ta po ashtu, një faktor historik hyn në lojë. Që nga fundi i Perandorisë Osmane, shqiptarëve të Shqipërisë nuk u është dashur të luftojnë për t’i ruajtur rrënjët e identitetit të tyre, për dallim nga ne.

Edhe pse periudha komuniste ishte tepër e vështirë për ta, çka ishte e sigurt në jetën e tyre të përditshme ishte fakti se ishin shqiptarë dhe askush nuk mund ta kundërshtonte këtë. Për ne është ende vështirë mbrojtja dhe ruajtja e identitetit kombëtar, diçka për të cilën shqiptarët në Shqipëri nuk kanë nevojë të luftojnë. Dhe jo sepse nuk e duan apo sepse janë kundër vendit të tyre, por sepse janë të vetëdijshëm se asgjë nuk mund t’ua heqë kurrë ndjenjën e të qenit shqiptar.

Një vajzë shqiptare për mua

Verën e kaluar, u ktheva në Kosovë për herë të parë pas tetë vitesh dhe u bombardova me pyetje që kishin të bënin ekskluzivisht me atë se si po ecte gjetja e një partnereje. Dhe nëse duhej, të afërmit e mi më thanë, ata do të kërkonin një vajzë shqiptare për mua.

Gjatë dy viteve të fundit më kanë thënë se isha me fat që isha djalë dhe më lejohej të kisha një të dashur që nuk ishte shqiptare. Kam parë miq që zhduken nga rrjetet sociale sapo gjejnë një djalë shqiptar. Kam parë miq që jetojnë jashtë vendit që takojnë një vajzë në Kosovë dhe martohen sa hap e mbyll sytë. Kam parë kushërinj dhe të njohur tek martohen nxitimthi në Kosovë, krijojnë familje dhe më pas iu duhet të shkojnë jashtë shtetit për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Punojnë punë të vështira, qëndrojnë vetëm derisa të hapet mundësia për bashkim familjar dhe më pas fillojnë një cikël tjetër të së njëjtës jetë që bënë brezat e prindërve tanë. Ndryshim i vetëm është se ata u detyruan, kurse ne, teorikisht e kemi mundësinë të zgjedhim.

Vazhdoj ta shoh se si kjo ndikon thellësisht në jetën e të gjithë neve. Dhe teksa shoh këto zgjedhje të nxituara, këtë nevojë për t’i mbajtur idetë e nderit, më dhemb. Sepse secili prej nesh duhet të jetë i lirë t’i krijojë përvojat e veta, të jetë me personin që vërtet na pëlqen dhe e duam, pa qenë të kufizuar nga kombësia.

Është tjetër gjë të zgjedhësh të kesh partner shqiptar pasi të kesh bërë rrugëtim personal, pasi të kesh pasur disa përvoja konkrete, pasi të kesh zbuluar anët e reja të vetes dhe të thuash, “mirë, dua një partner shqiptar për këto arsye dhe sepse jam i bindur se është gjëja e duhur për mua”.

Dhe është krejt tjetër gjë të zgjedhësh të kesh një partner shqiptar sepse nuk do ta cenosh nderin e familjes apo si një detyrim. Ekziston tërë dallueshmëria e botës mes këtyre dy opsioneve — dallimi mes të qenit i lumtur apo i mjerë gjatë gjithë jetës.

Shumica e njerëzve me të cilët kam folur për këtë më kanë thënë se në fund të fundit nuk ka rëndësi edhe nëse bën zgjedhjen që nuk duhet ta bësh, sepse dashuria fiton, dashuria është më e fortë se gjithçka. Fatkeqësisht, tek ne jo, jo gjithmonë. Tek ne dashuria nuk fiton, fiton nderi. Dhe zgjedhjet që bazohen në nder mund të shkatërrojnë jetë. Dhe edhe nëse nuk ta shkatërron jetën, vetëm kur i dëgjon prindërit tek thonë “E pranoj zgjedhjen tënde, por nuk jam i lumtur me të”, është mjaftueshëm e dhimbshme.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0