Në thelb | COVID-19

Biseda me heronjtë e palëvduar të Prishtinës në krizën COVID-19

Nga - 19.03.2020

Prishtinë / 17 Mars.

Isha skeptike për koronavirusin. Kur mbërritën lajmet e para nga Kina, mendova se do të kalojë shpejtë dhe pa na ndikuar, ngjashëm sikur SARS-i, dhe se do të zhvillohet një vaksinë.

Isha skeptike për panikun, edhe kur degët e virusit u zgjeruan në Itali dhe filluan të përhapeshin imazhet e rrugëve të zbrazura të Milanos dhe Venedikut nëpër rrjetet sociale.

Isha gjithashtu skeptike kur kolegia nga burimet njerëzore të zyrës sonë në Prishtinë na solli të gjithëve maska dhe dezinfektues para se të shënohej rasti i parë në Kosovë.

Gjashtë ditë më vonë dhe pas 20 rasteve të vërtetuara me COVID-19, jam në anën e kundërt të skeptikëve. Mbase ky është tranzicioni shkallë-shkallë që të gjithë po e përjetojmë në mendjet tona këto ditë.

Kam dalë nga shtëpia vetëm disa herë pas datës 13 mars, kur Kryeministri Albin Kurti ftoi një konferencë për shtyp për t’i shpallur dy rastet e para të sëmundjes në vend, një burrë 77 vjeç nga Kosova dhe një grua 20 vjeçe nga Italia.

Për punëtorët anembanë botës që detyrohen ta vazhdojnë punën për shkak të nevojës së publikut për shërbimet e tyre, kjo është kohë veçanërisht e pasigurt.

Gjatë vizitave nëpër dyqane dhe barnatore të dielën në mëngjes, më mbërtheu realiteti kur një farmaciste u prek pasi dëgjoi fjalët “faleminderit që po punoni sot”. Si të ishte shpërthyer tullumbacja me gjilpërë.

“Kemi dëgjuar aq shumë fyerje ditëve të fundit, dhe e kuptojmë që njerëzit janë të stresuar, madje agresivë dhe mosbesues,” më tha ajo. “Është shumë e lodhshme”.

Vetëm disa minuta më vonë, shitësi në dyqanin ku po blija harxhet dukej tepër i dërrmuar. “Ishte ditë e rëndë dje”.

“Dje” ishte e shtuna e 14 marsit: dita e parë e izolimit të këshilluar.

Për punëtorët anembanë botës që detyrohen ta vazhdojnë punën për shkak të nevojës së publikut për shërbimet e tyre — apo për shkak të mbijetesës ekonomike — kjo është kohë veçanërisht e pasigurt.

Mjekët, policët dhe të tjerët me profesione të tilla, të cilët po bëjnë çmos për të shpëtuar jetë njerëzish në Kosovë dhe në botë, janë deri diku të trajnuar ose të vetëdijshëm se çfarë mund të shkaktojnë gjërat sikur menaxhimi i turmave dhe emergjencat shëndetësore. Për shitësit, pastruesit, vozitësit e autobusëve, pronarët e dyqaneve, punëtorët e pompave të benzinës, punëtorët e furrave, madje edhe farmacistët — disa nga heronjtë e palëvduar në krizën COVID-19 — kjo është e papritur.

Si kamariere në burektore që vë maskën dhe dorëzat për të shërbyer makiato përmes një dritareje, ndërsa tarraca e dyqanit ku punon është e rrethuar me shirit të verdhë të “rrezikut”, kjo është tejet larg prej të zakonshmes.

Edhe pse shumë po vazhdojnë të dalin për shëtitje në park, e vërteta është se punëtorët e ndërmarrjeve të ndryshme dhe pronarët e bizneseve të vogla po i ndiejnë ndikimet.

Të martën, për te pushuar pak prej vetizolimit (dhe para se të çmendej situata politike), dola për t’i intervistuar disa njerëz që po vazhdojnë të punojnë për ta mbajtur shoqërinë në funksion.

***

Me maskë e dorëza, Drilon Krasniqi, një burrë 27 vjeç që mban një shitore perimesh në qendër të Prishtinës, është ndër pronarët e bizneseve që po vazhdojnë t’i mbajnë dyqanet hapur. Ai thotë se shitorja e tij ka pasur 50% më pak blerës të hënën, kurse gjatë ditës tjetër kanë ardhur edhe më pak.

“Është shumë keq, sidomos për tipin e biznesit tim. Do të bëhej mirë nëse mbërrij t’i paguaj shpenzimet për këtë muaj, qiranë, tatimet…” S’pret më shumë se kaq.

Herë pas herë, Driloni derdh pakëz dezinfektues në grumbullin e të hollave në arkë duke u përpjekur t’i mbajë metalet të dezinfektuara në çdo kohë.

Driloni, i cili mban një shitore të vogël të pemëve dhe perimeve, thotë se numri i blerësve është përgjysmuar, mirëpo ai vazhdon të punojë me maskë dhe dorëza. Cristina Marí / K2.0.

“Tash nuk jemi në sezonën e prodhuesve të Kosovës — ajo është në verë — pra jemi vërtet të varur nga furnizuesit, dhe ata nuk më marrin seriozisht”, ankohet ai.

Ai thotë se tashmë ka parë fryrje të çmimeve nga ana e tyre për produktet sikur limonët, të cilët kërkohen shumë për shkak të praktikave të pirjes së çajit në Kosovë.

Driloni i shiste limonët nga 1.7 euro për kilogram deri vonë, por tani po i shet 2.8 euro për kilogram. Ai thotë se është prekur nga rritja e njëjtë e çmimeve nga furnizuesit.

Një pronar shitoreje na tregon faturat e furnizuesve me dallim prej një jave (majtas e hershmja; djathtas më e funda). Pronarët e shitoreve po raportojnë rritje të çmimeve për produktet si limoni dhe xhenxhefili. Cristina Marí / K2.0.

Në dyqanet e tjera që kam vizituar, çmimet e furnizuesve për produktet sikur xhenxhefili janë rritur për një euro, prej 2.5 në 3.5 euro, kështu duke e rritur çmimin për konsumatorët prej 3 në 4 euro për kilogram.

Ndërsa Driloni flet për efektet e krizës ndaj biznesit të vogël familiar, vjen një komshi dhe ia jep disa maska mbrojtëse. Para se të dalë, ai zgjat krahun në banak dhe merr një portokall për shaka: “tash jemi barabar!”

Ata qeshin me ngjarjen… por së shpejti kjo s’do të jetë aq e hareshme. Barnatoret kanë mbetur pa maska.

Duke e respektuar rregullën e re të Odës së Farmacistëve, e cila thotë se klientët duhet të hyjnë një nga një në barnatore, unë hyra brenda dhe e përshëndeta farmacisten një metër shtesë larg xhamit që zakonisht ndan punëtorët prej blerësve. 

“Tash jemi njëri për tjetrin. E dimë rolin e farmacistëve dhe stafit mjekësor, dhe jemi të bashkuar… kjo është përgjegjësia jonë etike tash.”

Farmacistja 29 vjeçe

Barnatoret janë prej ndërmarrjeve të vetme që kanë mbetur të hapura edhe në shtetet sikur Spanja dhe Italia që kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, dhe që po zbatojnë rregulla më të rrepta të ngujimit sesa në Kosovë.

“Më se çdo gjë, njerëzit janë të shqetësuar”, thotë një farmaciste 29 vjeçe që preferon të mos i përmendet emri. “Njerëzit po blejnë më shumë medikamente, por ne po i këshillojmë mos ta bëjnë këtë dhe nuk po i lëmë të blejnë më shumë barna sesa që u duhen. Ata që duan më shumë janë në të vërtetë njerëzit që vuajnë prej sëmundjeve kronike dhe frikohen se do të shpenzohen”.

Ajo thotë se nuk e ka parë të fejuarin e saj prej konfirmimeve të para të COVID-19 në Kosovë më 13 mars, dhe ajo po i përcjell me kujdes procedurat e dezinfektimeve kur kryen orarin.

“Kur kthehem në shtëpi nga puna, kur hyj brenda, i zhvesh rrobat pa prekur as gjë dhe shkoj në banjo për t’u larë me shumë kujdes, por edhe në shtëpi po mbaj distancë fizike nga prindërit sepse tashmë janë të moshuar”. 

Në barnatoren e tyre të rrahur nga dielli, katër njerëz po vazhdojnë t’i mbajnë ndërrimet e tyre të rregullta ditore. “Tash jemi njëri për tjetrin. E dimë rolin e farmacistëve dhe stafit mjekësorë, dhe jemi të bashkuar… E di se kemi familje, por… kjo është përgjegjësia jonë etike tash”.

*** 

Gjatë ecjes drejt qytetit u ndala te parku i vogël pranë Sallës 1 Tetori ku vraponin disa të rinj në shteg. Një grua rreth 40 vjeçe vraponte rreth e rrotull, e ndjekur nga nëna e saj më e ngadaltë; të dyjat mbanin maska mjekësore. Disa njerëz të tjerë rrinin përreth, larg nga njëri-tjetri.

Më poshtë, punëtorët e Departamentit të Hortikulturës të Komunës së Prishtinës vazhdonin t’i ujitnin lulet në rrugën Agim Ramadani. Një kolege më dërgoi një mesazh që presidenti ka thirrur konferencë për shtyp në mbrëmje. Supozova që do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme brenda orësh, prandaj u nguta t’i intervistoj punëtorët e tjerë.

Në hapësirën çlodhëse pranë Sallës 1 Tetori në Bregun e Diellit, vrapuesit dhe të rinjtë rrinë e sodisin. Cristina Marí / K2.0.

Në rrugën pranë hyrjes së një hoteli të qetë që zakonisht vlon me njerëz, e pyeta një taksist rreth idesë së karantinës.

“Kam qenë në burg, kështu që është e lehtë për mua!” thotë ai duke qeshur. Me një palë syze fort të errëta, Halil Canolli së voni është kthyer në punë pas një pushimi dymujor. Tash po pushonte.

“Çfarë momenti — i shoh njerëzit me dhe pa maska në rrugë, por kur hyjnë në taksi i vendosin maskat”, thotë ai.

Halili mbante dorëza dhe kishte dezinfektues brenda veturës — ai po ashtu thotë se ka një procedurë të kujdesshme të dezinfektimit kur kthehet në shtëpi, ku e presin gruaja dhe pesë fëmijët.

Ai shpjegon se paga e tij llogaritet si përqindje e udhëtimeve që bën çdo muaj. Meqë ka më pak njerëz në rrugë për shkak të krizës së COVID-19, natyrisht se të ardhurat do të ndikohen.

Për Asllan Beqirin, vozitës i kamionit për mbeturina, gjërat janë më ndryshe. Siguria e vendit të tij të punës nuk ka pësuar. Megjithkëtë, ai vazhdon të ekspozohet ndaj mbeturinave tona gjatë pandemisë.

Asllani, vozitës i kamionit të mbeturinave, thotë se nëse shoqëria ia lehtëson punën, edhe ata do ta bëjnë të lehtë për shoqërinë. Cristina Marí / K2.0.

“Nëse nuk marrim mbeturinat rregullisht, ato mund të grumbullohen dhe të keqësohet gjendja, jo vetëm me koronavirusin por edhe me sëmundjet e tjera”, thotë ai.

Si baba i tre fëmijëve, por me dy nipa të tjerë në shtëpi, ai mban ndërrimin e dytë për kompaninë Pastrimi. “Ende shohim njerëz jashtë, edhe ata që janë në “pushime të dhunshme”, por ky nuk është pushim. Nëse ata e bëjnë të lehtë për ne, ne e bëjmë të lehtë për ta”.

***

Edhe pse kishte kaluar koha e drekës, s’kisha ngrënë asgjë sepse nuk ke ku — s’kanë mbetur shumë mundësi tash!

Pata një takim online me redaktorët për ta diskutuar mbulimin tonë. Puna jonë përtej izolimit është e kufizuar, jo sepse jemi të shqetësuar për vetveten, por kryesisht sepse lëvizja jonë mund t’i ekspozojë njerëzit e tjerë të cenueshëm.

Vendosa të shkoj në Parkun e Qytetit për këtë bisedë online; më duhej t’i kryeja edhe disa intervista të tjera pas takimit, dhe kështu nuk do të kisha nevojë të shkoja në banesë dhe mund t’i zvogëloja rreziqet e hyrje-daljeve. Pas gjithë këtyre shoshitjeve u ndjeva pakëz qesharake — parku ishte plot me njerëz.

Ndërsa prisja fillimin e takimit, shfrytëzova mundësinë të flas me familjen time në Spanjë, një shtet që është në gjendje alarmi meqë është prekur së tepërmi nga COVID-19. Me raste të reja çdo ditë, tash po thonë se shteti do ta arrijë kulmin e infektimeve në fund të prillit. Kjo do të thotë se izolimi do të zgjasë më shumë se 14 ditë.

***

Aisha Çoçaj po e pastronte banakun në një furrë afër shkollës Sami Frashëri. Nga fundi i ndërrimit të saj, me shumë pak blerës, fytyra e saj shprehte një përzierje të lodhjes dhe gëzimit. “E hapëm këtë furrë vetëm pesë muaj më parë”, shpjegon ajo.

Si biznes familjar me rreth tetë punëtorë, gjysma e të ciliëve janë gra, furra po vuan nga mungesa e nxënësve të shkollës së mesme që gjendet pranë tyre. Por pavarësisht ngujimit, njerëzve u duhet buka.

“Ditën e parë pas konfirmimit të rasteve të para, të shtunën, ne patëm aq shumë konsumatorë, ndoshta mendonin se po përfundon bota…”, thotë ajo.

Mes mosbesimit dhe kujdesit, 31 vjeçja shtatzënë shpreson që do të furnizohen me më shumë miell pas dy javësh, një mall që është vështirë të gjendet edhe në supermarketet më të mëdha të vendit.

Aisha 31 vjeçe mirëmban një furrë familjare që e kanë hapur vetëm pesë muaj më parë në Prishtinë. Cristina Marí / K2.0.

“Zakonisht kemi rezerva të miellit, pra tani kemi kapacitet të pjekim për dy javët e ardhshme”, thotë ajo. “Shpresoj që ndërkohë furnizuesi do ta gjejë një zgjidhje, sepse tash ai nuk ka miell”.

Furra e Aishës po ashtu u shërbente konsumatorëve në lokal, por iu desh ta ndalonte pas udhëzimeve të nxjerra këtë javë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, mbas të cilave qeveria i urdhëron të gjitha bizneset që shesin dhe shërbejnë ushqim vetëm të shesin për të marrë me vete. Kjo masë ndikon burektoret, qebaptoret dhe furrat sikur ajo e Aishës.

“Konsumatorët janë zvogëluar për 30 ose 40%, sidomos pasditeve”, thotë ajo. “Për momentin jemi të informuar, dhe do të vazhdojmë kështu si jemi dita-ditës”.

***

Po bëhej vonë dhe shqetësohesha që mund të shpalleshin masa më të rrepta në mëngjes, kështu duke m’i kufizuar mundësitë në ditët në vijim dhe informatat që mund t’i marr nga njerëzit që janë jashtë.

Hipa në autobusin e parë që pashë për të folur me një kondukter që ka mundësuar transportin publik këto ditë. Ishte katërshi për Gërmi dhe ata s’ishin të nxehtë për intervista. Në radio mund t’i dëgjoje vetëm fjalët “panik, panik, panik”. Dola te hyrja e Parkut Kombëtar, aty ku mbaron linja, dhe nuk kisha qenë në dijeni se atje po festohej 1 Maji. Hypa menjëherë në autobusin e radhës.

“Sot kishte më shumë njerëz në Gërmi sesa në fundjavat e zakonshme, por po i marrin kerret,” thotë Shemsi Maçastena, një bletar nga Podujeva që vozit autobusin e verdhë.

Shemsi Maçastena vozit njërin nga autobusët e verdhë të linjës numër 4 Gërmi-Matiqan, i cili nuk ka pothuaj asnjë pasagjer këto ditë. Cristina Marí / K2.0.

Kosovari me banim të mëhershëm në Gjermani dhe Çeki është fort skeptik për koronën.

“Tash vonë kam pasur gripin dhe nuk kam shkuar te mjeku”, thotë ai. “Edhe kjo do të kalojë”.

Krahas skepticizmit, ai i merr shumë seriozisht masat mbrojtëse. Edhe pse ka kontakt shumë të vogël me publikun — ai vozit prapa një xhami me maskë dhe dorëza — i fërkon duart me dezinfektues në çdo ndalesë semafori. Kolegu i tij kondukter, Hizdri Sherifi, i cili s’mund ta shmang kontaktin me të hollat e pasagjerëve, ka nisur t’i bëjë dorëzat me dezinfektues çdo herë që merr monedha.

Autobusët dezinfektohen çdo ditë si pjesë e masave të shpallura nga Komuna, dhe të dy punëtorët ndjekin procedura të rrepta të pastrimit kur kthehen në shtëpi.

Gjatë tërë udhës nga Gërmia në Matiqan, vetëm tre njerëz hipën në autobus, dhe vetëm një djalë i ri pagoi biletën. Autobusi funksionon pak a shumë i zbrazët. Ata thonë se të hënën kishin shitur vetëm 20 bileta, kurse zakonisht shesin me qindra.

“Nuk e di pse na detyrojnë t’i vozisim këta autobusë kur s’ka pasagjerë”, thotë Shemsiu. “Po e shpenzojmë naftën dhe kohën palidhje”.

Hizdri Sherifi është në kontakt të përditshëm me pasagjerët, shumë prej të cilëve janë të moshuar, por thotë se po e mban një rutinë të rreptë të dezinfektimit të monedhave dhe duarve këto ditë. Cristina Marí / K2.0.

E pyeta Hizdriun se si po e menaxhon kontaktin me kaq shumë pasagjerë, sidomos me të moshuarit që janë më të cenueshëm.

“E pashë një çift të moshuar dhe i pyeta, ‘pse po hipni në autobus, është rrezik për ju?’ dhe ata shqetësoheshin për mua sepse jam në kontakt me shumë njerëz. U thashë: ‘kjo është sikur në filma. I keni parë ata filmat ku protagonistët kurrë nuk sëmuren apo nuk vrahen? Ne jemi protagonistët në këtë rast!”

Shpresoj që mendimet e tij të mira janë po ashtu të sakta, por druaj se s’janë.

*** 

Në shtëpi m’u kujtuan të gjitha shpjegimet e dhëna nga të intervistuarit. Hyr në banesë, hiqi maskën dhe dorëzat me kujdes, mos prek asgjë, zhvishu, hyr në banjo dhe laji duart dhe fytyrën mirë e mirë. U lava e tëra. Vesha tesha të reja. I dezinfektova kamerën, telefonin, çelësat, dhe disa të holla që i kisha në xhep.

M’u kujtuan gjithë ato gjëra që kisha prekur, dhe se vetëm vetizolimi na mban të sigurt. M’u kujtuan lajmet hidhëruese dhe punëtorët me të cilët fola. Edhe unë isha duke punuar, dhe ecja ime mund t’i ketë ekspozuar njerëzit e cenueshëm. Ndjenjat e përgjegjësisë etike dhe fajit më përcollën tërë ditën.

Në fund të natës dëgjova këngën ‘Beautiful strangers’ nga Kevin Morby, dhe mendova më vete se nëse mund të kemi empati për punëtorët në ballë të kësaj pandemie; ata që i kanë familjet e tyre, rrethanat ekonomike, brengat dhe dëshirat; nëse mund të kemi empati ndaj tyre po aq sa kanë ata ndaj nesh duke na shitur bukë, barna e naftë pas të gjithash, ndoshta do të jemi në rregull.

Ndërkohë, #RriNshpi.K

Imazhi i ballinës: Cristina Marí / K2.0.