Mentorimi | Sporti

Kaltër, verdhë, bardhë — futboll, politikë, identitet

Nga - 16.02.2019

Si po ndikon sporti në ndërtimin e kombit dhe në identitetin e Kosovës.

Më 3 maj 2016, në mes lotëve të gëzimit dhe një atmosfere ngazëllimi të anëtarëve të delegacionit të Kosovës dhe gazetarëve të sportit, Kosova e morri lajmin se ishte pranuar si anëtare e 55-të e UEFA-s gjatë Kongresit të kësaj organizate në Budapest. Vetëm dhjetë ditë më vonë, larg nga Budapesti, në Kongresin e FIFA-s në Meksiko Siti, Kosova fitoi anëtarësimin e plotë në këtë organizatë, duke fituar kështu edhe të drejtën për të garuar në ndeshjet kualifikuese për Kupën Botërore 2018.

Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ishte në Meksiko Siti për ta parë Kosovën duke u pranuar më në fund në FIFA në maj 2016. Foto nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Fushata e parë e kualifikimit nuk vajti mirë për Kosovën, e cila e fitoi vetëm një pikë në këtë grup, të marrë në ndeshjen e parë në Turku të Finlandës. Një problem i veçantë ishte se asnjë stadium në Kosovë nuk ishte i licensuar sipas standardeve ndërkombëtare për të mbajtur ndeshje kualifikuese dhe si pasojë Kosova u detyrua që ndeshjet si nikoqire t’i luante në qytetin e Shkodrës në Shqipëri.

Për shkak të rezultateve të dobëta dhe faktit se ndeshjet po luheshin jashtë Kosovës, dukej se paraqitja e Kosovës në garat ndërkombëtare të futbollit nuk do ta venitnin pasionin e shqiptarëve të Kosovës për Kombëtaren e Shqipërisë — Kosova, me sa dukej, do të mbetej vetëm një ekip simpatik, por vazhdimisht nën hijen e pasionit të flaktë për dashurinë e parë, Shqipërinë.

Arsyet për këtë pasion të thellë për Shqipërinë janë të zhytura në histori.

Shqiptarët etnikë përbëjnë mbi 90 përqind të popullsisë së Kosovës, e cila më 1913, kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane, mbeti pjesë e Serbisë, dhe më vonë — pas 1918 — pjesë e Jugosllavisë. Përgjatë dekadave, shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin të mendimit se të drejtat kombëtare të tyre u ishin mohuar, e ndoqën traditën e kahmotshme të kërkimit të “mollës së ndaluar”.

Si reagim, plot shqiptarë të Kosovës u organizuan përmes lëvizjes guerrile kaçake gjatë 1920-ve, lëvizje kjo që nisi një kryengritje kundër administratës serbe. Pas Luftës së Dytë Botërore, organizimi u bë kryesisht në formë të organizatave klandestine politike, që arritën kulmin gjatë viteve të 80-a. Të gjitha këto lëvizje — nga vitet e 20-a deri në fund të 80-ve — e kishin një synim të qartë dhe të qëndrueshëm: bashkimin me Shqipërinë.

Kur hyri në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në vitet e 90-a, boshti i betimit të ushtarëve të saj ishte “çlirimi dhe bashkimi i tokave shqiptare”. Kjo ndihmoi t’i bënte emocionet në lidhje me bashkimin me Shqipërinë më të forta dhe të gjalla, ndjesi këto që janë shprehur gjithashtu nëpërmjet dashurisë për ekipin kombëtar të futbollit të Shqipërisë.

Kombëtarja e Shqipërisë ishte në një nivel të ulët — por shqiptarët e Kosovës ishin të etur për ta vizituar Shqipërinë dhe për t’i kënduar Kombëtares së saj të Futbollit.

Edhe pas fundit të luftës në Kosovë, debati për identitetin kombëtar të shqiptarëve etnikë në Kosovë vazhdoi të ishte intensiv, madje ndikoi në zhvillimet e përditshme politike. Përderisa Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës, e kishte propozuar një flamur që potencialisht mund të kishte qenë flamuri i ardhshëm i Kosovës, kundërshtarët politikë të tij, kryesisht shoqata të dala nga UÇK, e dogjën publikisht. Ndonëse “flamuri dardan” — siç e quante Rugova — kishte elemente ekskluzive kombëtare shqiptare, kundërshtarët politikë e konsideruan idenë e një flamuri tjetër që dallon nga ai kombëtar shqiptar si një tradhëti kombëtare.

Kur përfundoi Lufta në Kosovë në 1999, Kombëtarja e Shqipërisë ishte në një nivel të ulët sa i përket rezultateve dhe interesimit nga qytetarët e Shqipërisë për t’i përcjellur ndeshjet e saj. Por shqiptarët e Kosovës ishin të etur për ta vizituar Shqipërinë dhe për t’i kënduar Kombëtares së saj të Futbollit.

Së shpejti u organizua ultras-grupi i Kombëtares, Tifozat Kuq e Zi (TKZ). Boshti i TKZ-së ishin djemtë e vajzat e reja nga Kosova. Pas pak kohe u kthye në modë përcjellja fanatike e të gjitha ndeshjeve të Shqipërisë dhe mijëra kosovarë udhëtuan plot pasion, kudo që luante Kombëtarja e “Nënës Shqipëri”.

Kosova e formoi ekipin e saj kombëtar rreth të njëjtës kohë, por meqë nuk kishte ndeshje të rregullta ndërkombëtare, ky ekip krijoi pak lidhje emocionale dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u përqendruan plotësisht në ekipin e Shqipërisë.

Sigurisht idea e një Kosove të pavarur ishte diçka e re për semantikën kombëtare shqiptare. Kjo ide nisi të formësohet përgjatë viteve ‘70 kur Krahina Autonome e Kosovës fitoi kompetenca kushtetuese në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Por ideja e një kombi të ndarë kosovar hasi në rezistencë të madhe, jo vetëm në mesin e qarqeve disidente nacionaliste, por edhe në mesin e nomenklaturës komuniste të shqiptarëve të Kosovës.

Me ndryshimet në gjeopolitikat globale që erdhën me rënien e sistemeve socialiste në Evropën Lindore në fillim të 90-ve, plot shqiptarë filluan ta shohin pavarësinë e Kosovës si projekt politik të realizueshëm, disa me ngazëllim, e disa më me ngurrim, duke e pranuar atë si një kompromis duke patur parasysh pamundësinë politike të bashkimit me Shqipërinë.

Elita e shqiptarëve të Kosovës filloi ta konsideronte seriozisht idenë që pavarësia e Kosovës mund të bëhej synim i lëvizjes politike të saj kur u bë e qartë se po afrohej fundi i Jugosllavisë në fund të 80-ve. Në vitin 1989, intelektualët shqiptarë të Kosovës e themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë politike jokomuniste në Kosovë, të kryesuar nga Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Rugova e shpalli idenë e Kosovës së pavarur dhe në shumë mënyra u bë kreu i këtyre përpjekjeve. Por deri në mes të 2000-ve, në kontekstin e ri të Kosovës së pasluftës, ai iu referua pavarësisë si një “kompromis” në lidhje me aspiratat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.

Pas luftës së vitit 1999 dhe veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë në 2008, u bë goxha e qartë se idea e unifikimit kombëtar është një ëndërr — jo vetëm për shkak të pamundësive ndërkombëtare, por edhe për shkak të pasigurive brenda-kombëtare. Pavarësisht kësaj, simbolet e reja të shtetit, nga flamuri e deri tek himni, prapëseprapë u kundërshtuan fuqishëm në disa qarqe, pasi që shumëkush nuk ishte i gatshëm ta pranonte atë që e ndjente si identitet të imponuar prej të huajve.

Ndërkohë, pasi u sigurua pavarësia dhe tani që Kosova ishte një entitet i pavarur politik, u nis idea e një ekipi kombëtar futbollistik të Kosovës —  ndonëse u zhvillua ngadalë.

Suksesi përforcon identitetin

Për shkak të betejës së gjatë për pranimin në organet qeverisëse ndërkombëtare të futbollit, tetë vite kaluan prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe deri tek ndeshja e parë garuese që u mbajt në Finlandë.

Pas fiaskos në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2018, në vjeshtë Kosova nisi të garonte për edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kosova performoi shumë më mirë në këto ndeshje dhe arriti të përfundonte e para në grupin e saj. Nga gjashtë ndeshje, ekipi i fitoi katër dhe barazoi në dy syresh, pa e humbur asnjë ndeshje.

Performanca e shkëlqyer e Kosovës në Ligën e Kombeve të UEFA-s, e cila u mbyll me një fitore 4-0 në Prishtinë në të cilën Arbër Zeneli shënoi het-trik, ka nxitur pasion të fortë për ekipin. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Performanca e mirë krijoi eufori në mesin e shqiptarëve të Kosovës. Sigurisht, përveç suksesit, ndikoi edhe fakti se Kosova filloi t’i luante për herë të parë ndeshjet e saja në Prishtinë, pasi që stadiumi u akreditua sipas standardeve ndërkombëtare. Turmat e pafundme të njerëzve që prisnin të blinin bileta për ndeshje shkaktuan edhe konflikte fizike.

Ishte e qartë se shqiptarët e Kosovës kishin filluar të ndjenin pasion për Kosovën — Kombëtaren e saj dhe flamurin e saj.

Albert Mecini sociolog i sportit, mendon se kemi parë një ndryshim të madh në perceptimin e njerëzve në lidhje me simbolet shtetërore të Kosovës, por gjithashtu sa i përket lidhjes emocionale që i përkushtohet idesë së shtetit të Kosovës.

Megjithatë, ai mendon se ka dallime ndërmjet gjeneratave. “Për shembull, gjeneratat e mesme dhe më të vjetra i respektojnë simbolet e shtetit të Kosovës”, thotë Mecini. “Kjo shihet edhe gjatë ndeshjeve sportive — qoftë në futboll ose në sporte tjera — kur këto gjenerata manifestojnë sjellje të dinjitetshme në lidhje me simbolet dhe shtetësinë”.

Por sipas sociologut, në mesin e gjeneratave më të vjetra është një lidhje tjetër sociologjike me flamurin kombëtar [shqiptar]. “Lidhja e tyre me simbolin është më specifike: si kujtim, si një lloj marrëdhënie me kombin të cilit i përkasin”, thotë ai për K2.0, duke shtuar se në anën tjetër, gjenerata më e re identifikohet me simbolet shtetërore pa komplekse ose ngarkesa emocionale.

Simbolet kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë janë parë rregullisht në ndeshjet e Kosovës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Megjithatë, dashuria gjithnjë më e madhe për simbolet dhe idenë e Kosovës së pavarur manifestohet gjithashtu në aspekte tjera. Sukseset e sportistëve kosovarë kanë qenë evidente edhe në sporte tjera, veçanërisht në xhudo. Medalet e njëpasnjëshme të Majlinda Kelmendit, Akil Gjakovës, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit etj., si rrjedhojë e të cilave u ngrit në mënyrë triumfale flamuri i Kosovës në Olimpiadë dhe në kampionatet evropiane dhe botërore, e kanë forcuar këtë ndjenjë të krenarisë.

Festimet më 17 shkurt — në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës — protestat e ndryshme civile, marshet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, apo ndërhyrjet e shpeshta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit — që më parë kishte qenë zonë në të cilën nuk ka operuar kjo njësi — njashtu kanë ndikuar që flamuri i Kosovës të bëhet prore më popullor në mesin e popullit të Kosovës.

“Simbolet janë metafora qendrore e identiteteve kombëtare”, thotë Sibel Halimi, profesoreshë e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. “Kombet nuk ekzistojnë, ato nuk janë të dukshme nëse nuk ka simbole. Për shoqëritë që kanë dalur nga lufta, simbolet janë shumë më të fuqishme se për shoqëritë që jetojnë një jetë relativisht normale dhe pa konflikte, pa armiq të jashtëm”.

Sipas Halimit, sa më shumë armiq të jashtëm të përcaktohen, aq më shumë bëhen simbolet identitet primar i kombeve të caktuara. Ajo gjithashtu beson se simbolet më së shpeshti paraqiten kur janë në garë ndërmjet shteteve të ndryshme dhe kjo më së shpeshti ndodh në sport.

Momentet kur shfaqet flamuri duke u valëvitur nga figurat e arteve, si këngëtaret e Kosovës që janë të njohura nëpër botë — Rita Ora apo Dua Lipa — gjithashtu shërbejnë si katalizator për ngritjen e një ndjenje respekti, dashurie dhe krenarie për flamurin dhe simbolet shtetërore.

Flamuri i shtetit të Kosovës gjithashtu shpeshherë paraqitet nga sportistët kosovarë që i përfaqësojnë shtetet e ndryshme perëndimore në të cilat ata janë rritur — një mori rastesh të këtilla kemi në sportet luftarake, si dhe në Kombëtaren futbollistike të Zvicrës, në të cilin luajnë shumë futbollistë shqiptarë.

Por mbase mbi të gjitha, pika fokale për kultivimin e ndjenjës së krenarisë për Kosovën dhe simbolet e saj shtetërore vazhdon të jetë Kombëtarja e Futbollit dhe sukseset e fundit të saj.

Kombëtarja e Kosovës tani e ka ultras-grupin e saj që quhet Dardanët, emër ky që është marrë nga fisi i lashtë ilir që mendohet të ketë jetuar pak a shumë në atë që është territori i sotëm i Kosovës.

Rrëfenja nacionaliste shqiptare është e bazuar në pretendimin se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve të lashtë, që do të thotë se emri i ultras-grupit shpreh një prirje të (pa)vetëdijshme për ta theksuar identitetin specifik të Kosovës në kuadër të identitetit gjithëshqiptar.

Në të vërtetë, një debat që prore e ka shoqëruar procesin e zhvillimit të Kombëtares të futbollit të Kosovës ka qenë ajo nëse duhet të quhet kombëtare apo përfaqësuese.

Lorik Berisha, sekretari i përgjithshëm i Dardanëve, beson se vetë emri i garës — Liga e Kombeve — tregon se UEFA e konsideron atë si ligë të kombeve dhe nuk e njeh emërtimin ‘Përfaqësuese’.

Lorik Berisha, Sekretari i Përgjithshëm i grupit të tifozvë të Kosovës, Dardanët, preferon ta përdorë termin ‘Kombëtare’, e jo ‘Përfaqësuese’, për ta përshkruar Kosovën, por ngul këmbë se të tjerët janë të lirë t’i thonë si të duan. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

“Ne si ‘Dardanë’ kurrë nuk kemi thënë se i kemi dy kombëtare; gjithmonë kemi thënë se është një komb shqiptar dhe një kombëtare”, thotë Berisha. “Por prapëseprapë preferojmë ta quajmë atë Kombëtare të Kosovës. Për shembull, po të luante Kosova kundër Shqipërisë, nuk mund të themi se po luan ‘Përfaqësuesja’ e Kosovës kundër ‘Kombëtares’ së Shqipërisë.

Sidoqoftë, Berisha thotë se të gjithë kanë të drejtë t’i thonë ekipit si të duan, qoftë Përfaqësuese ose qoftë Kombëtare.

K2.0 gjithashtu kërkoi koment nga TKZ-ja për këtë temë, por ky grup refuzoi të përgjigjej, duke pretenduar se kjo temë e thellon ndarjen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në “ata kundër neve” dhe se “çfarëdo krahasimi me këtë tendencë është i papranueshëm”.

Një farë lloj rivaliteti është zhvilluar ndërmjet ekipit shqiptar dhe atij kosovar që prej pranimit të Kosovës pasi që federatat po shtyhen për talentët e rinj dhe shumë ish-lojtarë shqiptarë janë etiketuar si ‘tradhtarë’ kur kaluan në ekipin e Kosovës.

"Të gjithë ata me të cilët ballafaqohemi në fazën e grupeve i kemi rivalë, përveç Shqipërisë, sepse kjo gjithmonë do të jetë ndeshje vëllazërore."

Lorik Berisha, Dardanët

 

Meritan Shabani i Bayern Munich, Milot Rashica i Werder Bremen dhe Egzon Binaku i Malmö FF — të gjithë fëmijë të emigrantëve nga Kosova — e kanë ndarë opinionin gjatë garës ndërmjet dy ekipeve kombëtare për talentë të rinj që luajnë në Evropë; Shabani dhe Rashica kanë zgjedhur Kosovën, ndërsa Binaku ka zgjedhur Shqipërinë.

Megjithatë, përderisa TKZ-ja refuzoi të deklarohej nëse e mbështetë apo jo Kombëtaren e Kosovës, Dardanët nuk e shprehën të njëjtin ngurrim për të folur për këtë temë dhe nuk e fshehën faktin se akoma e mbështesin Kombëtaren e Shqipërisë.

Berisha thotë se Dardanët nuk e shohin Shqipërinë si rivale. “Synimi jonë është të kualifikohemi për Kampionatin Evropian dhe të gjithë ata me të cilët ballafaqohemi në fazën e grupeve i kemi rivalë, përveç Shqipërisë, sepse kjo gjithmonë do të jetë ndeshje vëllazërore”, tha ai, duke folur para shortit për ndeshjet kualifikuese.

Ndonëse Kosova dhe Shqipëria iu shmangën njëra-tjetrës në shortin për ekipet kombëtare, kjo “ndeshje vëllazërore” do të luhet në kategorinë U21, për shkak se dy palët kanë rënë në të njëjtin grup për kualifikimet për Kampionatin Evropian U21 që do të mbahet më 2021.

Sociologia Halimi gjithashtu pretendon se që të dy flamujt e plotësojnë njëri-tjetrin, duke shtuar se “të dy simbolet janë pjesë përbërëse e historisë dhe nuk mund të ndryshohen sepse relacionet që i kanë krijuar qytetarët me ato simbole nuk lidhen me të tashmen, por me të kaluarën”.

Një histori e ngatërruar

Lidhjet ndërmjet futbollit, politikës, nacionalizmit dhe identitetit nuk janë të kufizuara në ekipin relativisht të ri kombëtar të Kosovës.

Në vitet e 80-a, Kosova përjetoi shtypje të intensifikuar nga shteti jugosllav kundër shqiptarëve, me arrestime sistematike dhe brutalitet policor, si dhe vdekje të dyshimta të ushtarëve shqiptarë gjatë kryerjes së shërbimeve kombëtare në Ushtrinë Jugosllave. Situata u keqësua në 1981 pas demonstratave të studentëve, të cilat si kërkesë kryesore kishin që Kosova të bëhej republikë. Këto demonstrata u gjykuan si “armiqësore” dhe “kundër-revolucionare” nga shteti jugosllav.

Në atë kohë, KF Prishtina ishte e vetmja skuadër kosovare që po garonte në Ligën e Parë të Jugosllavisë dhe kështu shumëkush nisi ta perceptonte si një ekip kombëtar të shqiptarëve të Jugosllavisë. Ndeshjet e tyre zakonisht tubonin 35-40,000 shqiptarë, jo vetëm nga Kosova por nga qytetet e ndryshme të Jugosllavisë me popullsi shqiptare, të cilët vazhdimisht survejoheshin nga sigurimi shtetëror.

Epoka e artë e KF ‘Prishtina’ në vitet 80-a, kur Fadil Vokrri ishte ylli i ekipit, u pa si fitore kundër shtypjes për plot shqiptarë të Jugosllavisë. Foto nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Sa herë që KF Prishtina e mposhte ndonjë nga gjigantët e futbollit jugosllav, veçanërisht dy ekipet nga Beogradi — Crvena Zvezda-n dhe Partizan-in — kjo në Kosovë përkthehej si fitore ndaj politikës nacionaliste serbe. Brohoritjet prej tribunave në këto ndeshje ishin qartazi politike. Gjeneratat e vjetra që tregojnë se si pas secilit gol të shënuar ata ndjenin sikur po hakmerreshin ndaj politikës represive shtetërore.

Në fillim të 90-ve, pasi Slobodan Milošević hyri në pushtet dhe politikat nacionaliste serbe u intensifikuan edhe më shumë, shqiptarët u dëbuan nga stadiumet dhe palestrat sportive, siç kishte ndodhur paraprakisht në shkolla, në Universitetin e Prishtinës dhe në spitale. Por, gjatë këtij segregacioni, shqiptarët e Kosovës u mobilizuan dhe e krijuan një sistem paralel në futboll, përkrah atij në arsim dhe shëndetësi.

Fshatarët mirëdashës ua dhanë për shfrytëzim fushat e tyre ekipeve të futbollit dhe për një dekadë një brez i tërë luajti futboll në fusha me baltë, ku përrosat përdoreshin si dush, kurse furgonët si zhveshtore. Sigurisht, policia nuk e lejoi që kjo të rridhte qetë dhe shumë herë i ndërprenë ndeshjet duke i rrahur dhe arrestuar sportistët dhe tifozët për të vetmen arsye që ata dëshironin të luanin futboll.

Pas fundit të luftës, shqiptarët e Kosovës u kthyen në stadione dhe salla të sportit, dhe ligat e sportit u bënë përsëri funksionale. Fillimisht, ngazëllimi i lirisë dhe i kthimit në stadione solli një interesim të madh për futbollin. Mediat i kushtuan më shumë rëndësi, ndërsa tifozët i mbushnin e stërmbushnin stadionet, veçanërisht në edicionin e parë të Kampionatit të Futbollit të Kosovës në 1999-2000.

Karrierat e shumë lojtarëve të talentuar filluan në livadhe dhe u kryen para se ta kishin mundësinë ta përfaqësonin një ekip të mirëfilltë ndërkombëtar.

Por me kohë, interesimi nga mediat dhe donatorët filloi të binte dhe si rrjedhojë e kësaj, ra edhe interesimi i tifozëve, si dhe numri i tyre në stadione.

Në atë kohë u krijua një kombinim i lojtarëve më të mirë nga Liga e Kosovës, duke formuar kështu një ekip që konsiderohej si embrioni i ekipit kombëtar të së ardhmes. Por deri sa u fituan njohjet nga UEFA dhe FIFA në vitet e fundit, ky ekip pati shumë pak mundësi për të luajtur ndeshje.

Ndonëse i liruar nga frika e shtypjes shtetërore që ishte e pranishme në vitet e 90-a, futbolli i Kosovës nuk u lirua ende nga izolimi ndërkombëtar dhe gjeneratat e njihnin vetëm përvojën e lojës me njëri tjetrin brenda vendit — karrierat e shumë lojtarëve të talentuar filluan në livadhe dhe u kryen para se ta kishin mundësinë ta përfaqësonin një ekip të mirëfilltë ndërkombëtar.

Ekipi i ri kombëtar luajti në mënyrë sporadike. Ndeshja e parë jozyrtare “miqësore” — kundër Ekipit Kombëtar të Shqipërisë — u luajt në Prishtinë në 2002, por për tri vitet e ardhshme, Kosova nuk luajti më. Në nëntor 2005, ekipi bëri turne në Qipron e Turqisë, duke luajtur kundër Qipros dhe Sapmit, pastaj në prill 2006 luajti kundër Monakos dhe në qershor 2007 kundër Arabisë Saudite.

Por pas ndeshjes së parë kundër Shqipërisë, asnjëra prej këtyre ndeshjeve “miqësore” para pavarësisë nuk u luajtën në Kosovë dhe kjo nuk ndryshoi deri kur Kosova e priti përsëri Shqipërinë në Prishtinë më 17 shkurt, 2010, në përvjetorin e dytë të pavarësisë.

Më vonë, madje para anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, Kosova u lejua të luante ndeshje zyrtare miqësore.

Ndeshja e parë, kundër Haitit në mars 2014, nuk u duk si një ndeshje e zakonshme miqësore, që shpeshherë karakterizohen nga numri i ulët i tifozëve dhe mungesa e ngazëllimit të tyre. 17,000 biletat që ishin në shitje për këtë ndeshje u shitën brenda disa orëve dhe stadioni ishte krejt verdhë e kaltërt.

Ishte shenjë që ky komb ka qenë i uritur për ndërkombëtarizimin e sportit.

“Nuk pritëm se do të ishte ngjarje kaq e madhe”, tha trajneri i befasuar i Haitit para ndeshjes. “Tashmë e kemi kuptuar rëndësinë e kësaj ndeshje”.

Presidenti, kryeministri dhe ministri i kulturës, rinisë dhe sportit dhanë deklarata emocionale para ndeshjes dhe ndërrimi i pasdites u anulua për nxënësit në Mitrovicë, qytetin ku u mbajt ky takim historik. Lokacioni i zgjedhur ishte plot simbolizëm — ndeshja e parë zyrtare e kombëtares së Kosovës në “qytetin e ndarë etnikisht”, në një stadion që mbante emrin e Adem Jasharit, komandantit të UÇK-së që shihet si hero prej shumë shqiptarëve të Kosovës.

Pasi Haitit erdhën miqësoret tjera me Turqinë, Senegalin, Omanin, Guinenë Ekuatoriale, dhe sigurisht, Shqipërinë, para njohjeve nga FIFA dhe UEFA, që i mundësuan më në fund Kosovës të luante miqësore si anëtare e plotë nga qershori 2016.

Futbollistët e Kosovës tani janë të vendosur ta krijojnë historinë e tyre.

Gjatë këtij udhëtimi të gjatë dhe të vështirë për futbollin e Kosovës, figura që ishte në zemër të gjithë kësaj ishte legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Ish-sulmuesi, i cili në vitet e 80-a i kishte ngazëllyer tifozët duke shënuar kundër ekipeve jugosllave gjatë epokës së artë të KF Prishtinës, në vitin 2008 u bë president i Federatës së Futbollit të Kosovës. Ishte kryesisht për shkak të angazhimit të madh të tij që futbolli i Kosovës arriti t’i thyejë zinxhirët e izolimit dhe të pranohet si anëtar i barabartë në UEFA dhe FIFA.

Por më 9 qershor, 2018, Vokrri papritmas vdiq nga sulmi në zemër. Zëvendës Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zvonimir Boban, një yll i dikurshëm i AC Milan, e lëvdoi paraardhësin e tij të ekipit kombëtar jugosllav. “Rrallë jam takuar me të në vitet e fundit, por ai ishte burrë i madh”, tha Boban. “Shpresoj se do të takohemi në një botë tjetër dhe do të luajmë futboll”.

Stadioni i renovuar i Qytetit të Prishtinës, “foleja” e ekipit kombëtar të Kosovës dhe fusha ku Vokrri kishte shënuar gola para një qerek shekulli, e morri emrin e tij. Më 10 shtator, në minutën e nëntë të ndeshjes së parë që Kosova e luajti në Prishtinë pas vdekjes së ish-sulmuesit që dikur mbante numrin nëntë në fanelën e tij, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ta nderuar burrin i cili dha aq shumë për futbollin e Kosovës — si lojtar dhe si president i federatës.

Futbollistët e Kosovës tani janë të vendosur ta krijojnë historinë e tyre. Ata kanë kaluar nga koha e poshtërimit në vitet ‘90 në ditët e sotme kur po fitojnë gara në UEFA dhe kështu po ndezin pasionin për një ekip të ri dhe po ngritin pyetje për kombësinë në këtë proces.

Por, pavarësisht ngazëllimit të shtuar për ekipin kombëtar të Kosovës, nuk kemi parë venitje të ngazëllimit për ekipin kombëtar të Shqipërisë, suksesi i së cilit në finalet e Euro 2016 u brohorit në rrugët dhe kafenetë e Kosovës — ani pse para se të luante në ndeshje garuese Kosova. Si me kompleksitetet e identitetit, brohoritja për njërën nuk e përjashton domosdoshmërisht mbështetjen për tjetrën.K

Foto kryesore: Agan Kosumi.

*Shënim nga redaksia: Ky artikull është përditësuar pas publikimit, për të qartësuar se Jugosllavia ka ekzistuar në forma të ndryshme nga viti 1918 e tutje.