Të jesh zë disident në Kosovë kurrë nuk ka qenë punë e lehtë. Me numër të popullsisë pak më pak se 2 milion, ata që dalin kundër normave të establishuara mund ta gjejnë vetën shpejtë të etiketuar dhe të margjinalizuar. Por kur flasim për disidencë brenda partive politike të Kosovës, sfidat shumëfishohen – ndonëse të gjitha partitë e komplimentojnë vetën për “vlerat e tyre demokratike”, ekziston një qëndrim aktual i llojit “ose je me neve ose kundër neve”, dhe partitë sikur janë të vendosura që shkelin çfarëdo nocioni të debatit të brendshëm politik.
Shembulli i fundit u shpërfaq javën e kaluar në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Donika Gërvalla, aktiviste veterane e LDK – dhe kryetare e degës së LDK-së në Gjermani – e cila e ka ngritur zërin vazhdimisht kundër mënyrës së drejtimit të partisë nën liderin aktual, Isa Mustafa, nuk u lejua të hynte në takim nga rojet e sigurimit.
Marrëdhëniet e Osmanit me lidershipin e partisë kanë qenë të turbullta, pasi që duket se janë shfaqur mospajtime brenda LDK-së. Në fjalimin e tij inagurues në Kuvend, Mustafa i kritikoi deputetët e LDK-së përfshirë Osmanin – që votuan kundër formimit të koalicionit qeverisës. Osmani ka qenë në veçanti kritikuese ndaj elementit të marrëveshjes që e bëri ish-liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, president të Kosovës gjatë vitit, dhe ajo e bojkotoi Kuvendin në ditën e votimit.
Komunikimi publik në mes të Osmanit dhe Mustafës ka qenë kryesisht i kufizuar në shkëmbim të akuzave të ndërsjella përmes statuseve në Facebook. Pavarësisht faktit se është deputete e LDK me numrin e tretë më të lartë të votave, deklaratat publike dhe pikëpamjet e saja për liderin ia kanë margjinalizuar aktivitetin politik, dhe e kanë bërë të ardhmen e saj politike të merr kahje të panjohur.
“Kjo nuk është demokratike, kjo është autoritare”
Megjithatë, LDK assesi nuk është e vetmja parti që si duket e ngulfatë debatin e brendshëm; të gjitha partitë e mëdha tregojnë pak tolerancë drejt pikëpamjeve disidente. Pavarësisht presionit dhe rreziqeve të qenësishme me të cilat përballen ata që shkojnë kundër vijës së partisë, ende ka individë që e sfidojnë partinë e vet.
Një prej atyre që nuk shpreh frikë të thotë mendimin e vet është deputeti i PDK-së, Nait Hasani. Hasani ka folur publikisht kundër vijës partiake në shumë raste, dhe atë në çështjet kyçe ku partia ka paraqitur gati konsensus të plotë. Para se të shpallte Kosova pavarësinë, ai kundërshtoi mbështetjen e PDK për Planin e Ahtisaarit (që formon bazën e Kushtetutës së Kosovës), në 2013 foli kundër marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë, votoi kundër themelimit të dhomës speciale për krime të luftës vitin e kaluar, dhe ka qenë kritik i zëshëm i dy marrëveshjeve të diskutabile me Serbinë dhe Malin e Zi.
“Shumica absolute e deputetëve të PDK-së pajtohen me mendimet e mia, ndërsa në formën e votimit ata votojnë në bazë të kërkesës së kryetarit”, thotë Hasani. “Kjo nuk është demokratike, kjo është autoritare, quhet autoritarizëm i ndikimit politik nga autoriteti dhe kjo cungon të drejtën e veprimit të lirë”.
Hasani thotë se ka presione të shumta mbi deputetët, kur flasim për qëndrime politike. Ai beson se një pjesë e madhe e tyre burojnë prej komunitetit ndërkombëtar, që ushtron presion në lidershipin e partive qeverisëse për çështje kyçe, dhe ai presion pastaj transferohet direkt tek deputetët.
Hasani e përdorë si shembull marrëveshjen e nënshkruar së fundmi për demarkacion të kufirit me Malin e Zi. Pasi që rekomandimi pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian kërkon nga Kuvendi që të ratifikohet marrëveshja për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, Hasani argumenton se lidershipi i partisë është madje i gatshëm edhe të “sakrifikojë” territorin e vet për t’i ‘kënaqur’ partnerët evropian. “Bashkimi Evropian po bëhet i padrejtë… duke kushtëzuar heqjen e regjimit të vizave me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që qartë e zvogëlon territorin e Kosovës për mbi 8,000 hektarë”, thotë ai.
Hapësirë për zëra të ndryshëm
Një tjetër “rebel partiak” është ish-deputeti i Vetëvendosje, Ilir Deda. Derisa ish-partia e tij ishte e zhytur në një ngërç të eskaluar politik me qeverinë pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi në gushtin e kaluar, Deda shpesh e gjeti vetën duke vepruar dhe duke shprehur mendime që ishin nuk ishin në kuadër të politikave zyrtare të partisë.
Ai morri pjesë në votim për të ratifkuar Marrëveshjen e Stabilzim Asocimit me Bashkimin Evropian në nëntor, pavarësisht faktit se partia e tij e bojkotoi votimin. Zëvendës Kryetari Driton Caushi tha se “Deda nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Vetëvendosjes” pasi ky i fundit i kritikoi aktivistët që me forcë i larguan rrethojat e ngritura para ndërtesës së qeverisë më herët gjatë vitit.
Pasi i ka kritikuar metodat e përdorura nga partitë opozitare, që vazhdimisht aktivizuan gaz lotsjellës në Kuvend për ta bllokuar funksionimin e tij, Deda e la lëvizjen Vetëvendosje në prill. Ai ishte bërë anëtar i kësaj lëvizjenë vitin 2014. Pavarësisht dallimeve në mes të partisë dhe individit, ndarja e Dedës nga Vetëvendosje shënoi një ndryshim nga mënyrat e zakonshme të hidhura të largimeve politike. Në vend se të fillonin akuzat nga të dy anët, siç qëndron si praktikë për raste të tjera, Deda doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin Organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqajn, për të kumtuar lajmin e largimit.
Ai insiston se për të si deputet është thelbësore që t’i qëndrojë besnik vlerave dhe ideve të tij, e jo të bëhet kukull e ndonjë partie politike. “Në lëvizjen Vetëvendosje unë e kam ruajtur parimin të mos veproj dhunshëm”, thotë Deda, që e shpërfilli qasjen e “unifikuar” të opozitës duke prezantuar një zgjidhje kompromisi për t’i dhënë fund ngërçit politik, bashkë me Osmanin e LDK. “Dallimet me nesh vetëm sa janë thellu sa ka kalu kohë, dhe kemi arrit me një pikë kur konceptualisht kemi qenë larg njëri tjetrit”.
Mungesë e ideologjisë
Referimi ndaj dallimeve konceptuale nga Deda tregon shumë për peizazhin politik në Kosovë, ku ideologjia politike është vështirë të përcaktohet. Në shtatëmbëdhjetë vitet të pasluftës, ka pasur rritje të numrit të partive politike në Kosovë, por kjo nuk është shoqëruar me zhvillim të njëkohshëm të profilizimit të qartë ideologjik të partive politike. “Krejt partitë në Kosovë i kemi të djathta, krejt i kemi të majta e krejt të qendrës”, thotë Hasani.
Deda pajtohet se nocioni i ideologjisë politike në Kosovë mbetet shumë i paqartë. “PDK dhe LDK e shpallin vetën si parti të qendrës së djathtë, por kur i analizojmë disa nga politikat ekonomike të tyre, janë të majta”, thotë ai. “Nuk ka ideologji në Kosovë, përveç Vetëvendosjes që është e majtë, sepse partitë tjera nuk e kuptojnë seriozisht çështjen e ideologjisë”.
Në vend të ideve tradicionale të vlerave dhe ideologjive politike, politikanët kanë tendencë të lidhen ngushtë me të kaluarën dhe besnikërinë ndaj liderit, e jo ndaj programit partiak.