Mijëra qytetarë kosovarë u mblodhën në qendër të Prishtinës sot për të kërkuar hetim të pavarur për vdekjen e aktivistit politik Astrit Dehari. Tani kanë kaluar nëntë ditë prej vdekjes së Deharit gjatë kohës që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren; pavarësisht thirrjeve nga organizatat e të drejtave të njeriut për t’u hetuar vdekja e tij, asnjë hetim i tillë nuk është filluar, ndërsa rrethanat e vdekjes së tij mbesin të paqarta.
Qendra e qytetit ra shkurtimisht në qetësi, derisa protestuesit ecën të qetë nëpër Sheshin Nëna Terezë nga Sheshi Zahir Pajaziti, qetësi e cila thehej prej bërtimave të kohëpaskohshme: ‘Drejtësi për Astritin’, ‘Pa drejtësi nuk ka qetësi’ dhe ‘Unë jam Astriti’. Kur marshi arriti te Sheshi Skendërbe, protestuesit u mblodhën para shkallëve të Teatrit Kombëtar, ku dhanë fjalime avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, dhe aktivistë të shoqërisë civile të cilët kishin organizuar protestën.
Gashi i tregoi disa prej hollësive në lidhje me rastin e Deharit, që vazhdimisht janë përhapur në publik nëpërmejt mediave të ndryshme. Zbulimi i fundit gjatë fundjavës ishte se gjatë 68 ditëve që ai ishte burgosur pa akuzë, Dehari nuk u intervistua asnjëherë, e këtë e konfirmoi edhe vet prokurori i rastit dje.
Aktivistja e shoqërisë civile Jeta Berisha e përmendi këtë fakt në fjalimin e saj, the theksoi universalitetin e rastit të Deharit. “Shpërfillja ndaj Astritit është shpërfillje ndaj çdo qytetari”, tha ajo. Berisha e përfundoi fjalimin duke thënë se kjo shpërfillje vetëm sa do ta rris rezistencën për drejtësi, dhe përsëriti thirrjen për hetim të pavarur nga autoritetet jashtë Kosovës.
Ky universalitet si duket i solli kaq shumë protestues, përfshirë Adriatik Kelmendin, gazetar i mirënjohur i KohaVision. “Ne si qytetarë të Republikës së Kosovës duhet të ngrisim zërin që të krijohet siguri nga institucionet e vendit meqë kjo që i ka ndodhur Astriti Deharit sot, mund t’i ndodhë gjithësecilit nesër”, tha ai për K2.0.
Një protestuese tjetër, Vesë Kelmendi, e cila protestoi përkrah Deharit në shumë demonstrata duke apeluar për të drejtat e njeriut, u pajtua me këtë mendim. “Në të ardhmën ne mund të jemi viktima të një tragjedie të ngjashme”, tha ajo.
Për shumicën e protestuesve, kërkesat për hetim të pavarur ishin të rrënjosura në deklaratat kontradiktore që u dhanë nga zyrtarët kosovarë në lidhje me rastin. Siç tha Dukagjin Popovci, profesor i Universitetit të Prishtinës, për K2.0 në protestë: “Informatat kontradiktore që kanë dalur deri tani kanë hedh një hije të rëndë dyshimi në institucionet kosovare dhe unë mendoj se është detyrë që këtë hije ta heqin duke angazhuar një hetim të pavarur i cili do ta nxirrte të vërtetën në shesh.”
Vesë Kelmeni u pajtua, duke deklaruar se informatat e dhëna nga institucionet kishin patur shumë kontradikta, meqë fillimisht deklaruan që Dehari kishte vdekur nga overdoza me medikamente, e pastaj rezultatet e autopsisë gjetën se asfiksia kishte qenë shkaku i vdekjes. “Mendoj që hetimi i pavarur është e vetmja zgjidhje për këtë rast”, tha ajo.
Përveç informatave të pasakta që erdhën prej burimeve zyrtare, përhapja e informatave në shtyp si duket shkaktoi shumë zemërim në mesin e protestuesve, veçanërisht inçizimi i kamerave të sigurisë brenda burgut, që u publikua në shumë media javën e kaluar.
Organizatorja e protestës, Besa Luzha, tha për K2.0 se nuk mund t’i besojë një sistemi në të cilin Kryeprokurori nuk e ka xhirimin e momenteve të fundit të Deharit, por videot dalin në media. “Kjo nuk është drejtësi normale. Ky nuk është shtet normal”, deklaroi ajo.
Luzha përsëriti mendimet e bashkëorganizatores Berisha duke bërë thirrje që autoritetet jashtë Kosovës ta hetojnë rastin. Ajo beson që nuk është domosdoshmërisht e rëndësishme se prej nga vjen ekipi hetues; vetëm duhet që hetuesit e huaj të mos pengohen nga lidhjet politike. “Shumica e prokurorëve e policëve kanë ardhur përmes klanit Pronto”, tha ajo, duke iu referuar akuzave të nepotizmit që i’u bënë lidershipit të PDK-së, përfshirë Presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçit.
Por nuk ishin të gjithë protestuesit të unifikuar sa i përket pikëpamjeve të tyre. Avni Zogiani, anëtar i kahmotshëm i shoqërisë civile, tha për K2.0 që nuk beson se komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë në këtë rast. “Me të thënë të drejtën unë nuk besoj as në drejtësinë ndërkombëtare. Nëse nuk funksionon vendorja zor se mundet me sjell drejtësi dikush i huaji”, tha ai. “Por në anën tjetër na e dijmë se është shumë e vështirë me i besu drejtësisë vendore tu pasë parasysh se gjithë ato deklarata kontraverse që kanë dalë prej policisë dhe spitalit nuk janë trajtu prej institucioneve”.