Pak para zgjedhjeve parlamentare në gjithë vendin dhe atyre lokale në disa qytete, të planifikuara për 30 gusht, tensionet në Mal të Zi kanë filluar të rriten. Një nga qytetet ku situata pothuajse shpërtheu ishte Budva.
Protestat që u bënë të dhunshme janë duke vazhduar nga 17 qershori, kur kryetari dhe autoritetet e qytetit refuzuan të dorëzonin pushtetin pas votimit nga asambleja lokale. Pas valës së parë, policia ndaloi 54 njerëz dhe arrestoi 41 individë. Në mesin e tyre janë kryetari i larguar i komunës Marko Carević dhe kryetari i asamblesë Krsto Radović.
Prokuroria speciale e shtetit inicioi procedurë konfidenciale kundër Dragan Krapović-it, ish kryetar i komunës që i parapriu Carević-it, i cili ka qenë pjesë e qeverisë së njëjtë lokale, e gjitha siç thotë prokuroria për shkak të një krimi të pretenduar me qëllimin që të krijohet kaos dhe të bllokohet një kryqëzim në Budvë. Nga prokuroria kjo shihet si luftë kundër një forme të shtypjes nga aparati shtetëror ndaj atyre që e kundërshtojnë atë.
Sipas burimeve nga policia, nëntë oficerë policorë janë lënduar dhe është shkaktuar dëm ndaj automjeteve policore si dhe ndaj disa ndërtesave në Budvë.
Në të njëjtën kohë, mediat dhe qytetarët janë dëshmitarë të brutalitetit të policisë.
E gjithë kjo atmosferë e ktheu Budvën, metropolin e turizmit malazez, në një tokë të pëlleshme për luftën politike të kësaj vere.
Brutaliteti policor
Budva është një nga qytetet e pakta malazeze që pas zgjedhjeve të tetorit 2016, me një shumicë minimale, ra në duart e koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike Malazeze dhe Aleanca e Frontit Demokratik, që në nivelin qendror janë parti opozitare.
Kjo qeveri lokale zgjati deri atëherë kur anëtari i asamblesë Stevan Džaković ndërroi anët, duke u bërë anëtar i pavarur i asamblesë (pasi anëtarët e asamblesë i mbajnë mandatet tani dhe jo partitë politike përmes së cilave zgjedhen). Pas kësaj, siç do të thoshin njerëzit, ai “fluturoi” te partitë që mbështesin Partinë Demokratike Socialiste (DPS), partia udhëheqëse në nivel qendror.
Pas protestave të 17 qershorit para ndërtesës së komunës së Budvës, sigurimi privat u shfaq përkrah kordonëve policorë duke kontrolluar hyrjen e ndërtesës së komunës së Budvës për 15 ditë radhazi. Duke iu përgjigjur pyetjes nga një deputet mbi atë se pse sigurimi privat përfundoi para një institucioni publik, kryeministri Duško Marković (anëtar i DPS-së, sikurse kryetari i ri i Budvës) tregoi para Parlamentit Malazez që presidenti i sapozgjedhur pagoi një kompani private sigurimi nga Nikšić-i, pa dhënë detaje të tjera.
Tensionet në Budvë nuk janë zbutur për ditë të tëra. Ato vetëm sa përkeqësohen nga dhuna policore kundër qytetarëve, përdorimi i gazit lotsjellës dhe i forcës së tepërt.
Një numër rastesh janë xhiruar përmes telefonave dhe janë transmetuar përmes mediave tradicionale dhe sociale, dhe tanimë as inspektorati i brendshëm policor nuk mund t’i mbyllë sytë përpara brutalitetit të oficerëve policorë që rrahin dhe shtypin qytetarë që nuk rezistojnë.
Gjatë ditëve të para të protestave në Budvë, policia shpesh shënjestroi njerëz të rastësishëm, duke përfshirë qytetarë dhe zyrtarë komunalë që u mblodhën përpara ndërtesës komunale, që shëtisnin në qytet apo ishin ulur nëpër dyqane.
Shumë nga ta patën nevojë për ambulanca dhe spitale, në mesin e të cilëve edhe ish-kryetari i qytetit, Marko Carević, i cili e kishte të lënduar këmbën.
Trazirat dhe ndërrimi i qeverisë në Budvë ishin paraprirë nga vendimi për shpalljen e zgjedhjeve.
Partitë politike që nuk kanë lidhje me qeverinë në pushtet, intelektualë të pavarur, dhe pjesë të sektorit të OJQ-ve kanë shprehur befasinë e tyre ndaj vendimit të presidentit Milo Đukanović (ende kryetar i partisë në pushtet DPS) për shkurtimin e mandatit të Parlamentit Malazez dhe asambleve lokale për dy muaj. Ata besojnë se ky vendim është jokushtetues.