Duke pritë me ikë
Kroatët e fundit të Kosovës mendojnë për fundin e komunitetit të tyre shekullor.
Jo shumë kohë më parë, diku para 30 vitesh, rreth 9,000 kroatë etnikë jetonin në Kosovë, kryesisht në qytetet e Janjevës dhe Letnicës. Sot kanë mbetur më pak se 200, shumica të moshuar. Edhe ata pak të rinj që kanë mbetur veç po e presin mundësinë për të ikur.
Mes atyre që presin momentin e duhur për t’u larguar janë tre të rinj, të gjithë nën moshën 20-vjeçare, të cilët i takova në oborrin e Kishës së Shën Nikollës gjatë njërës prej vizitave të shumta në Janjevë me fotografin e K2.0, të zhvilluara gjatë muajve të fundit. Ashtu si shumica e njerëzve me të cilët biseduam në Janjevë dhe Letnicë, këta tre të rinj nuk dëshiruan që t’ua përmendim emrat publikisht apo t’i fotografojmë, duke thënë se kanë pasur përvoja të këqija me mediat në të kaluarën.
Kur i pyetëm se çfarë bëjnë dhe si jetojnë këtu, u përgjigjen pothuajse njëzëri: “Humbim kohë”!
Thanë se shpresojnë të shpërngulen së shpejti për në Kroaci dhe se ende nuk posedojnë dokumente kroate dhe, si të gjithë kosovarët e tjerë, duhet të presin për vizë. Shpresojnë të mund të qëndrojnë në Kroaci, ku kanë familjarë.
“E dimë se do të jetë e vështirë. As Kroacia nuk është ideale”, tha njëri prej tyre, duke shtuar se do të fillojnë si punëtorë sezonalë, ndoshta diku në bregdet. Si do t’ia dalin dhe çfarë do të bëjnë pas sezonit, nuk e dinë ende.
“S’na ka mbetur asnjë arsye që të qëndrojmë këtu. S’ka asgjë këtu”, tha një tjetër, teksa të tjerët pohuan me kokë.
Është vetëm një linjë e autobusit që shkon nga Janjeva për në Prishtinë çdo ditë. Shumica e bashkëmoshatarëve të tyre tashmë janë larguar dhe që të tre s’kanë as me kë të shoqërohen. Thanë se nëse do të rrinë, nuk kanë gjasa ta takojnë ndonjë vajzë, të martohen apo të krijojnë familje.
Të tre, dimrin dhe pranverën e vitit 2022 e kaluan duke i numëruar ditët deri në ikjen e tyre përfundimtare.
Janjeva
Janjeva është një qytet pothuajse i braktisur në fund të rrugës, diku 20 kilometra larg Prishtinës. Shtëpitë, një kishë dhe një xhami ndodhen midis maleve, mezi të vendosura në rrugë të ngushta, disa prej të cilave ende të shtruara me kalldrëm. Mezi gjen një shtëpi ku jeton dikush dhe e cila nuk është e dëmtuar. Disa janë braktisur qe aq gjatë, saqë pemë janë rritur nga brenda apo kafshët janë banorët e vetëm, përfshirë qentë endacakë që kanë gjetur strehë, apo kafshët shtëpiake për të cilat kujdesen vendasit.
Qendra e qytetit ka një klinikë të vogël, një ndërtesë të komunitetit lokal, disa kafene dhe një kuzhinë popullore, me gjasë vendi më i vizituar në Janjevë, ku një vakt në ditë u shërbehet rreth 126 njerëzve të të gjitha besimeve dhe kombeve.
Herë pas here, gomarët dhe kuajt të ngarkuar kalojnë nëpër rrugët e shkreta, duke bartur drunjtë nga pyjet aty afër. Mjeti kryesor për ngrohje në Janjevë është druri dhe shpesh i vetmi burim i të ardhurave për shumë banorë. Në qendër ndodhet edhe një degë e vogël e një fabrike të përpunimit të plastikës në të cilën punojnë disa banorë.
Janjeva dikur njihej për djathin e saj, suxhukun dhe për verën vendase, diçka pothuajse e pamundur të gjendet ditëve të sotme. Nikola, njëri nga prodhuesit e fundit të vegjël dhe njëri nga pak kroatët e mbetur këtu, thotë se shumë shpejt edhe ai do ta ndalojë prodhimin. Prej shumë famlijarësh që kanë jetuar në Janjevë, ka mbetur veç ai, bashkëshortja dhe djali i tij.
Gjatë pandemisë, bashkëshortja e tij u infektua me Covid dhe që atëherë nuk është shëruar plotësisht. Nikolla thotë se duke u plakur, po bëhet gjithnjë e më e vështirë ta punosh arën dhe djali i tyre nuk ia del dot t’i bëjë të gjitha vetë. Kanë vendosur që nga viti i ardhshëm ta ndalojnë prodhimin e suxhukut dhe djathit, t’i shesin bagëtinë dhe të jetojnë me atë që u mbetet — kursime, pensione dhe ndihmë nga familja në Kroaci. Thonë se nuk kanë rrugëdalje tjetër. E kanë të vështirë t’i fusin në treg produktet e tyre djathit dhe suxhukut dhe nuk kanë asnjë formë ta punësojnë dikë që t’ju ndihmojë në ara.
Megjithatë, kroatët e Janjevës janë krenarë me të kaluarën e tyre dhe nuk hezitojnë ta përmendin se qyteti i tyre është shtëpia e olimpistit, fitues të medaljes së artë, Josip Glasnović, i cili është lindur në Janjevë, por vizitën e parë në Kosovë si i rritur e pati tek nëntorin e kaluar.
Atmosfera e qetë në qytet ndryshon vetëm të premteve, kur një pazar i vogël hapet në sheshin kryesor dhe njerëzit vijnë nga fshatrat përreth.
Deri në fillim të viteve të ’90-a, Janjeva me rrethinë kishte rreth 750 biznese të regjistruara. Përgjatë historisë, Janjeva njihej për minierat e argjendit dhe plumbit, si dhe për zejtarët, prandaj ishte qendër tregtare e kësaj pjese të Kosovës. Në shekullin XX, u hapën fabrikat e përpunimit të metaleve dhe plastikës. Banorët thanë se sot kanë mbetur më pak se 10 biznese.
Prej rrugës “Dubrovnik”, në qendër të qytetit, u ngjitëm deri në kishën e Shën Nikollës. Nga oborri i kishës, shihet pjesa më e madhe e qytetit dhe vetëm prej aty vizitorët mund të përjetojnë ndjenjën e një vendi dikur të pasur e të bukur. Shtëpitë e mëdha me oborre dhe porta të vjetra. Malet, që kur soditen nga qendra e qytetit duken të rrezikshëm, prej këtu duken të butë dhe ta japin ndjenjën e të qenit i mbrojtur.
Në kishë na pret Don Matej Palić, banor i Janjevës, i cili pas studimeve jashtë Kosovës u kthye dhe shërbeu si prift në Letnicë e pastaj edhe në Janjevë. Shumica e familjarëve të tij janë larguar nga zona, ndaj Don Mateo, siç e thërrasin banorët, na flet për shtëpinë familjes së tij që ka filluar të shembet. Na përcolli në një dhomë të mbushur me libra, mes së cilës ndodhej një televizor që shfaqte HRT, transmetuesin publik të Kroacisë. Don Mateo na tregon se si e mësoi shqipen dhe tani mban meshën në të dy gjuhët. “Thjesht ua kam kërkuar shqiptarëve që e vizitojnë kishën të më ndihmojnë që mos po shqiptoj diçka gabimisht dhe të them ndonjë gjë të papërshtatshme gjatë adhurimit”, tha ai.
Duke qenë i vetëdijshëm për faktin se fëmijët kroatë të Janjevës po mësojnë gjuhën standarde serbe në shkollë, Don Mateo organizon mësim shtesë në kishë për t’ua mësuar atyre kroatishten standarde.
E vendosur për të rënë në sy, në mes librave gjendet një foto bardh e zi e tre të rinjve me Nënën Terezë. “Po, aty jam unë, shumë kohë më parë”, tha Don Mateo, duke përmendur se Nëna Terezë e vizitoi Janjevën një herë.
Don Mateo flet për Janjevën, traditat, kulturën dhe natyrën e saj me një dashuri të madhe. Por, me po aq pikëllim foli për të ardhmen dhe se si njerëzit po ikin. “Kam frikë se këtu s’ka të ardhme”, tha ai.
Ai na tregoi për ndjenjën e sigurisë që u shkatërrua nga një sërë plaçkitjesh së shtëpive, të cilat i lanë banorët e zonës në frikë prej muajsh. Në nëntor, kur kryeministri kroat Andrej Plenković vizitoi Kosovën, kroatët vendas folën me të për problemet e tyre kur e vizitoi Kosovën. Atij dhe zyrtarëve të tjerë që ishin me të i thanë se nëse nuk ndërmerret ndonjë hap, të gjithë do të ikin nga Janjeva. Pas kësaj pesë persona u arrestuan dhe patrullat e policisë u shtuan.
Bashkë me imamin vendas, Don Mateo kujdeset për të gjithë qytetin e Janjevës. “Dikur kemi pasur një këshill pleqnarësh dhe sot jemi vetëm ne dy”, tha Don Mateo, duke shtuar se ata të dy po përpiqen t’i zgjidhin problemet duke i kontaktuar institucionet, por edhe t’i adresojnë mosmarrëveshjet dhe t’u ndihmojnë njerëzve në nevojë në çfarëdo mënyre që munden.
Në oborrin e kishës i takuam dy vëllezër nga Janjeva. Njëri jetonte në Serbi, tjetri në Kroaci, kurse prindërit e tyre ende jetonin në Janjevë, vendi që ata e quajnë shtëpi. “Janjeva dikur ishte si Parisi”, tha njëri nga vëllezërit teksa qëndronim në oborrin e kishës. “Rrugët ishin të pastra, njerëzit të pasur, gjithçka kishte erë të këndshme. Sot pothuajse asgjë nuk e ka të njëjtën ndjesi”.
Mendim të njëjtë negativ ka edhe Lulzim Gashi, zyrtar i shërbimit civil. Ai thotë se kohëve të fundit, në punën e tij më shumë merret me ofrimin e ndihmës për njerëzit që duan t’i marrin dokumentet e tyre dhe të nisen në vende të tjera apo atyre që vijnë t’i çregjistrojnë anëtarët tashmë të vdekur të familjes. Ka kohë që në Janjevë nuk ka të porsalindur apo dasma. Ai thotë se në qytet dhe në zonat përreth jetonin 4,000 njerëz. Sot kanë mbetur vetëm rreth 1,600 banorë, por çdo ditë e më pak.
Njerëzit nga diaspora vijnë për vizita gjithnjë e më rrallë. “Lufta e bëri të veten. Është e trishtë kur rrënjët priten. Pema thahet vetvetiu”, tha Don Matej me trishtim.
Vitin e kaluar, për herë të parë, një grup ushtarësh nga Kroacia iu bashkua KFOR-it, forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë. Ushtarët vizituan Janjevën dhe Letnicën dhe disa banorë më vonë thanë se dëshira e tyre do të ishte që ushtarët të ishin vendosur me kroatët e Kosovës, duke thënë se kjo do t’i bënte të ndiheshin më të sigurt dhe të gjallëronin vendin.
Kroatët që kanë mbetur po ruajnë pjesë të trashëgimisë kulturore të Kosovës, përfshirë dialektin e tyre, kulturën dhe këmbanën e kishës për të cilën besohet se daton që nga viti 1368.
Në njërën nga pesë kafenetë e qytetit i takuam dy kroatë që kanë qëndruar në Kosovë, anipse familjet e tyre janë larguar shumë kohë më parë. Njëri ka dokumente të tri shteteve, tjetri ka vetëm ato kosovare. “Nuk shkoj askund”, tha ai, duke shtuar se thjesht nuk deshi të humbte kohë me procedura të ndërlikuara për të marrë dokumente. “E kam një letërnjoftim dhe kjo mjafton për të jetuar këtu”. Të dy thanë se nuk presin ndonjë ndryshim.
Megjithatë, Don Mateo ende ka shpresë. Ai i këshillon banorët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, duke u përpjekur t’i bindë që të merren me ekonomi dhe turizëm. Përpiqet t’i bindë njerëzit që të fillojnë ta ngritin zërin për çështje mjedisore dhe të nisin biznese. Kur e pyetëm nëse frikësohet se çka do të sjellë e ardhmja, thjesht na tha “Këtu do të jem”.
Letnica
Në Kosovën juglindore, në lartësi mbidetare prej 755 metrash, është Letnica. Kroatët e Janjevës, por edhe njerëz të feve të tjera nga qytetet e tjera të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, vijnë këtu për dy arsye: pelegrinazhi në faltoren e vjetër të Zonjës sonë së Letnicës dhe restorantin e Dubrovnikut. Përveç kishës dhe restorantit, qyteti ka po ashtu një dyqan të vogël dhe shtëpi të shumta të zbrazura dhe ndërtesa të braktisura.
Nuk ka asnjë ambulancë dhe kafene. Autobusi nuk e frekuenton këtë pjesë të rrugës. Heshtja thyhet vetëm nga zhurma e herëpashershme e lopëve që ecin lirshëm nëpër qytet. Banorët na treguan se janë të izoluar deri në atë pikë saqë nuk u prekën nga Covid dhe se vetëm një person u infektua gjatë gjithë pandemisë.
Gjashtë ditë në javë, rreth 15 kroatë të moshuar vijnë në restorant për të marrë një vakt ushqimi të përditshëm. Më të vjetrat janë motrat Petra dhe Marija, njëra e lindur në vitin 1933, tjetra në vitin 1938. I takuam derisa po pushonin në karriget para restorantit në njërën nga ditët e para me diell të marsit. Kryesisht ankohen. Për motin, ushqimin, mjekët dhe të moshuarit e tjerë që vijnë në restorant për të ngrënë.
Josefina dhe Mile Dokić, pronarët e restorantit, të dy në të pesëdhjetat, janë ndër të paktit njerëz më të rinj të mbetur në qytet. Qe pothuajse 10 vjet thonë se ushqimin e kanë siguruar me ndihmën e një fondi kroat që ndihmon kroatët në diasporë. Në vitin e parë ishin diku 50 veta që vinin. Çifti u shpreh se janë të vetëdijshëm që shumë shpejt nuk do të mbetet më njeri.
Lokali është vendtakim i të moshuarve të Letnicës, të cilët kur vijnë për të ngrënë, kalojnë pak kohë, presin të tjerët, bisedojnë pak dhe pastaj i kthehen vetmisë së tyre. Fëmijët i kanë lënë shumë kohë më parë dhe tani u dërgojnë para dhe vijnë për vizita disa herë në vit.
Paulina është personi i fundit që vesh fustanin tradicional vendas. E lutëm të na tregonte kostumet që i ka. “E kam vetëm këtë, një normal”, tha ajo përpara se të sillte një mantel të bardhë leshi, përparëse, çorape dhe pjesë të tjera të fustanit nga shtëpia e saj. “E kam edhe një tufë të tilla, por janë në dhomën tjetër, por e kam mbyllur dhe tani nuk po mund ta gjej çelësin”, tha ajo.
Por, kur e takuam në mars, ishte e veshur tërësisht me të zeza pasi djali i saj i vetëm, i cili jetonte me të në Letnicë, kishte vdekur. Më shumë se një muaj kanë kaluar që nga vdekja e tij dhe Paulina ende qan kur flet për të. Ajo thotë se nuk ka dashur të largohet nga Letnica as para dhe as tani pas vdekjes së tij. “Këtu është Nëna, nuk mund t’i largohem asaj”, tha ajo, duke bërë me shenjë drejt kishës. “Sa të jetë ajo këtu, do të jem edhe unë”.
Paulina, njësoj si banorët e tjerë më të vjetër, mbante në qafë një medaljon të vogël argjendi me imazhin e Virgjëreshës Maria të varur në një fije të kuqe. Një statujë e Marisë mbahet në kishën e fshatit për shekuj. At Marjan Demaj, me origjinë nga fshatrat përreth, mban çdo ditë meshën në shqip dhe kroatisht. Të dy shërbimet mbahen në një kishë pothuajse të zbrazët, në përjashtim të rasteve kur pelegrinët arrijnë në verë.
Besohet se statuja e Virgjëreshës Mari në këtë kishë, të cilën shumë e quajnë Madona e Zezë, ka fuqi mbinatyrore. Disa rrëfime thonë se disa njerëz kanë parë lot në fytyrën e saj. Për shekuj me radhë, gratë e të gjitha feve dhe etnive janë lutur këtu me shpresën për të mbetur shtatzënë apo që fëmijët e tyre të shërohen nga sëmundjet. Përveç Madonës së Zezë, muret janë pikturuar me figura të engjujve gra me lëkurë të errët. Origjina e statujës dhe pikturave në mure nuk dihen.
Ky vend është i rëndësishëm për katolikët në mbarë botën, sepse Agnes Gonxhe Bojaxhiu, apo Nëna Terezë siç njihet më gjerësisht, u shugurua këtu pas disa vitesh vizite nga Maqedonia në pelegrinazh me prindërit e saj. Statuja e Madonës së Letnicës besohet se është sjellë në Letnicë nga Shkupi të paktën 400 vjet më parë.
Besimtarët që vizitojnë tani Letnicën shpesh ecin edhe në Gjurmët e Nënës Terezë, një shteg gjarpëror pyjor midis Shkupit dhe Letnicës, pjesë të cilat disa besimtarë i kalojnë këmbëzbathur.
Kisha është ndërtuar në vitin 1866, por sipas Demaj, është rrënuar dhe rindërtuar disa herë. Në vitin 1928 u rindërtua sipas projekteve të katedrales në Sarajevë.
At Marjani dhe disa murgesha u ofrojnë ndihmë të moshuarve në Letnicë. Motrat bëjnë vizita të rregullta dhe kanë pajisjet për të ofruar kujdesin bazik mjekësor ose për t’i dërguar njerëzit te mjeku në Viti. Një mjek vjen në Letnicë një herë në javë.
Kisha ka disa dhoma ku qëndrojnë pelegrinët gjatë verës. Prifti thotë se po përpiqet ta bindë diasporën që të vijnë më shpesh, të mendojnë të kthehen dhe t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre. “Kushdo që do, ua lejojmë të bujnë në dhomat pranë kishës në vend që të rrinë në hotele jashtë Letnicës”, tha ai. “Kjo është mënyra se si ndihen për jetën këtu dhe mund të vendosin nëse dëshirojnë të kthehen”. Deri më tani nuk ka pasur që janë kthyer, ndërsa në fshat jetojnë vetëm rreth 200 banorë.
“Njerëzit që jetojnë këtu në përgjithësi mendojnë të largohen prej këtu”, tha Josefina teksa përgatiste një vakt në restorant. Ata po qëndrojnë por fëmijët e tyre janë larguar shumë kohë më parë duke filluar jetën e tyre larg Kosovës. Lokali ka qenë biznes familjar prej gjeneratash, por nuk janë të sigurt nëse do të kenë kujt t’ia lënë.
E kaluara
Të dhënat historike tregojnë se afro 800 vjet më parë punëtorët dhe minatorët katolikë erdhën në Kosovë nga Dubrovniku dhe Hercegovina. Disa u vendosën në zonën e Janjevës, 20 kilometra nga Prishtina e sotme, të tjerët në zonat përreth Letnicës, afër kufirit të tanishëm me Maqedoninë e Veriut. Sot pasardhësit e tyre në këto qytete identifikohen si kroatë etnikë. Pandërprerë kanë jetuar në këto anë deri në fillim të viteve të ’90-a dhe deri në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Largimi masiv i kroatëve të Kosovës filloi kur shpërtheu lufta në Kroaci. Në vitin 1991, Vojislav Šešelj, politikani ultranacionalist nga Serbia, erdhi në zonën përreth Letnicës dhe në një ngjarje publike proklamoi se kroatët duhet të deportoheshin nga Serbia (në atë kohë, Kosova ishte ende njëra nga provincat e Serbisë) për “në Kroacinë e tyre”. Muaj të tensionuar dhe plot frikë pasuan dhe pati incidente të shumta ku pronat e kroatëve u dëmtuan.
Në atë kohë, jeta po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Lufta bëri që Letnica dhe Janjeva pothuajse të shkëputeshin nga pjesa tjetër e Kosovës dhe banorët u detyruan të mbështeteshin tek njëri-tjetri. Mbijetesa po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Po ashtu po bëhej edhe më e vështirë që diaspora e këtyre komuniteteve, e cila gjithmonë kishte rol thelbësor, të dërgonte ndihma në shtëpi. Në një kohë, pensionet u ndalën dhe të gjitha të ardhurat publike u ndërprenë. Qeveria nacionaliste që ishte në pushtet në Kroaci në atë kohë u dërgoi mesazh kroatëve në Kosovë se janë të mirëseardhur në “mëmëdhe” dhe filloi emigrimi masiv.
Nga viti 1991 e tutje qeveria në Zagreb mbështeti emigracionin, ashtu si organizatat të afërta me kishën katolike që ndërmjetësuan për të siguruar që sa më shumë njerëz të largoheshin. Ata organizuan autobusë dhe ata që kishin mundësi ta përballonin koston, e transportonin pronën e tyre me kamion. Udhëtuan përmes Maqedonisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë për të mos kaluar nëpër Serbi, ndërsa të moshuarit dhe të sëmurët transportoheshin direkt në Zagreb.
Nga maji i vitit 1992 deri në maj të vitit 1993, 10 konvoje i transportuan rreth 2,200 njerëz. Studiuesi holandez Ger Duijzings, pjesa më e madhe e punës akademike së të cilit përqendrohet në kroatët e Kosovës, shkruan se gjatë vizitës së tij në Letnicë në vitin 1994 i takoi vetëm 20 shtëpitë banuara dhe disa të tjera në fshatrat përreth dhe shumica e banorëve ishin të moshuar.
Ndonëse ftesa e tyre erdhi nga niveli më i lartë i qeverisë, kroatët e Kosovës nuk u pritën mirë në Kroaci. Ata me anëtarë të familjes në Kroaci, kryesisht ata të Janjevës, u nisën për në Zagreb, ku ka pasur diasporë të madhe të Janjevës që nga vitet e ‘50-a. Pjesa tjetër u dërgua në zonat e shkatërruara nga lufta në Slavonija dhe në brendësi të Knin, të cilin serbët po e braktisnin masivisht në të njëjtën kohë, disa u nisën për në Kosovë, ku autoritetet serbe po u jepnin shtëpitë e braktisura, duke përfshirë ato në fshatrat përreth Letnicës dhe Janjevë. Në atë kohë, e përditshmja e pavarur me seli në Split, Feral Tribune e përshkroi procesin si “inxhinieri demografike”, duke pretenduar se liderët e Kroacisë dhe Serbisë ishin pajtuar për një plan të tillë.
Edhe pse atyre iu premtuan dokumente, kroatët që erdhën nga Kosova nuk i morën ato menjëherë dhe shumë prej tyre jetuan për vite në shtëpitë e braktisura, shpesh të dëmtuara, të serbëve që kishin ikur.
Tek në vitin 1995 qeveria filloi t’u jepte atyre shtetësinë, që nënkuptonte qasje automatike në mirëqenien sociale, kujdesin shëndetësor dhe tregun e punës. Dhe megjithëse autoritetet premtuan se do t’u ndërtonin shtëpi të reja, disa qëndruan në shtëpitë e serbëve të zhvendosur për vite të tëra. Në një rast në fshatin Dumače, rreth 200 njerëz nga Letnica morën çelësat për shtëpitë e reja të premtuara vetëm në prill të vitit 2017. Në këto vende gjysmë të braktisura dhe të rrënuara, atyre iu bashkuan kroatët nga Vojvodina dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët gjithashtu mbërritën falë ftesës nga qeveria e Zagrebit.
Vendbanimet ku jetojnë kroatët nga Kosova janë disa nga komunat më të varfra në Kroaci, me papunësi të lartë dhe një numër të madh njerëzish që detyrohen të mbështeten në mirëqenien sociale. Ashtu si në Kosovë, shumica e të rinjve vendosin të largohen dhe t’i bashkohen valës së madhe të atyre që migrojnë për në vende të tjera.
Dhe ka ende probleme me marrëdhëniet midis komuniteteve me origjinë nga këto fshatra, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk i pranojnë plotësisht fqinjët e rinj. Por qëllimet e politikanëve janë plotësuar dhe sot këto zona janë të populluara kryesisht nga kroatët.
Qëndrimi
Kroatët që u larguan nga Kosova kanë sjellë me vete një pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit — gjuhën dhe kulturën. Sot në Kroaci ka disa shoqata që bashkojnë njerëzit nga Janjeva dhe Letnica dhe për disa vite është mbajtur një ngjarje vjetore në Zagreb që përpiqet të ndihmojë në ruajtjen e dialekteve unike lokale.
Me gjithnjë e më pak njerëz në të dy qytetet, këto dialekte janë gjithnjë e më të rralla edhe në Kosovë. Po ashtu, fëmijët kroatë dhe romë në Janjevë ndjekin një shkollë që përdor programin mësimor serb, ndërsa në Letnicë nuk ka më fëmijë kroatë.
Komuniteti kroat i Kosovës vendosi t’i regjistrojë fëmijët e tyre në planprogramin serb pasi i konsideroi programet në gjuhën shqipe, boshnjake dhe serbe në dispozicion në Kosovë. Arsyeja për këtë është thjesht mbijetesa. Autoritetet serbe u ofrojnë të gjithëve në sistemin e tyre shkollor në Kosovë një bursë mujore, duke përfshirë libra shkollorë dhe mjete shkollore falas. Fëmijët që ndjekin shkollën e mesme në përputhje me planprogramin serb marrin gjithashtu bursa. Për shumë familje, ky është burim i të ardhurave që e bën të mundur mbijetesën e tyre.
Shkolla në Janjevë dikur kishte më shumë se 3,000 nxënës. Sot ka më pak se 300, duke përfshirë 14 kroatë dhe 36 romë. Mësuesit thonë se numri i fëmijëve në shkolla, i të gjitha etnive, çdo muaj është gjithnjë e më i vogël.
Në katin e parë të shkollës në Janjevë fëmijët e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, ndërsa në katin e dytë në gjuhën serbe. Shkolla ka dy drejtorë dhe personel të veçantë mësimor. Këtë vit vetëm katër fëmijë kroatë janë regjistruar në klasën e parë. Të gjithë fëmijët hyjnë në ndërtesë nga e njëjta hyrje, ku priten nga një qilim shumëngjyrësh dhe një raft këpucësh prej druri. Të dy katet duket se kanë pasur ditë më të mira dhe kur hyn në shkollë ndjenja është si të kthehesh në të kaluarën, të paktën 30 vjet më parë, nëse jo më shumë.
E ardhmja shihet jashtë, në oborrin e shkollës, ku fëmijët nga të dyja katet luajnë së bashku dhe mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit dhe për njëri-tjetrin.
Ndjekja e mësimeve në planprogramin serb krijon pengesa për nxënësit kroatë përgjatë procesit. Do të ishte e vështirë ta vazhdonin shkollimin në Kosovë, sepse edhe kur flasin shqip, zakonisht nuk është në një nivel që është i mjaftueshëm për nivelin universitar dhe diplomat serbe që i marrin nuk janë të vlefshme në Kosovë. Përpara se të shkojnë në Kroaci, iu duhet të zotërojnë standarden e kroatishtes dhe t’i verifikojnë diplomat e tyre, kështu që Serbia bëhet alternativa e tyre e vetme, apo largimi nga Ballkani.
Kur i pyetëm se planprogramin e cilit shtet e përdorin për ta mësuar historinë, njëra nga mësimdhënëset tha se më së shpeshti nuk i mbajnë mësimet e historisë, sepse është e vështirë t’u përgjigjesh pyetjeve rreth luftës dhe krejt asaj që ka ndodhur aty ku jetojnë. “Është e vështirë t’ua mësosh këtë dhe të dish se çfarë t’u thuash fëmijëve”, tha ajo, duke shtuar se fëmijët as nuk pyesin për këtë.
Një pyetje tjetër për të cilën mësuesit nuk kanë përgjigje është se çfarë e ardhme i pret ata që vendosin të qëndrojnë në Janjevë. “Nuk ka të ardhme këtu”, tha njëri nga mësuesit në katin e dytë. “Njerëzit po largohen çdo ditë”.
Edhe në Letnicë edhe në Janjevë mund të dëgjohet pikëllimi në zërat e njerëzve. E dinë se shumë shpejt nuk do të ketë më jetë në asnjërin qytet. “Të gjithë po shkojnë” tha Don Mateo. “Askush nuk po ia del këtu dhe askush nuk po përpiqet të bëjë diçka më të mirë”.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.
Pse kjo klauzolë?
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.