Ëndrrat e një adoleshenteje do të merrnin kah tjetër, ndërsa aspirata e saj për karrierë do të zëvendësohej me shpresë për shërim. Atë nuk do ta gjente në Kosovë.
Luljeta Lubovci, që tani i ka 28 vjet, ishte aksidentuar në moshën 15-vjeçare teksa po shkonte në shkollë në një ditë dimri veçanërisht të ftohtë.
“U rrëzova në akull e me shpinë rashë… pata dhimbje të mëdha, prindërit më dërguan në ambulantën e lagjes”, kujton ajo. “Aty thanë të shkoja më mirë te një ortoped dhe pasdite shkova privat i bëra disa ekzaminime e ortopedi tha, ‘S’je për mua, duhet te neurokirurgu'”.
Ishte viti 2007 — Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë. Institucionet shtetërore atëbotë quheshin të përkohshme e të vetëqeverisjes, ndërsa funksiononin me rregullore të UNMIK-ut. Megjithëse ekzistonte sistemi shëndetësor i pavarur, ende ishte i pakonsoliduar dhe kshte mungesë të ekspertëve mjekësorë të disa fushave në spitalet rajonale.
Këto mungesa Lubovci i vërente në spitalin rajonal të Prizrenit ku po trajtohej. “Vinin një herë në javë atë kohë dy neurokirurgë privatë dhe shkoja [në spital ku njëri prej tyre] më dha mjekime dhe terapi fizikale, por gjendja nuk përmirësohej edhe diku pas gjashtë muajsh me terapi”, tregon ajo.
Dikur ishte detyruar të operohej, por problemi nuk ishte zgjidhur.
“U menduam disa ditë e vendosëm të operohem te [një doktor në spital privat] nga hernia diskale. Më operoi, por unë isha prapë keq, nuk shihja ndryshim”, tregon ajo. “Pas dy muajsh terapi e pushim, pasi u ekzaminova edhe një herë, më thanë se duhet prapë m’u operu urgjent — jo më larg se nesër. U detyrua familja të pranojë operimin. Pasi përfundova gjendja u keqësua shumë më shumë”.
Sot, 13 vite më pas, njësoj si Luljeta, edhe Anita* ka probleme me ecjen, ndërsa gjendja po i përkeqësohet gjersa po qëndron në listë të pritjes për intervenim kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkohë që pret, asaj nuk po i mundësohet trajtimi në institucione private ose jashtë vendit.
Për trajtime që nuk kryhen në institucione shtetërore, në Kosovë ekziston Programi i Trajtimit Jashtë Vendit ose Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, i cili funksionon në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh) që është funksionalizuar në vitin 2018, katër vite pas miratimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor.
Atyre që u aprovohet qasja në këtë fond u kompensohen 70% të mjeteve të nevojshme për trajtim. Për rastet që konsiderohen emergjente procedurat përshpejtohen, ndërsa për të tjerat duhet një numër i konsiderueshëm dokumentesh për të aplikuar.
Për t'i siguruar paratë që nuk i kishin, anëtarë të familjes së saj hynë në kredi.
Luljeta dhe të tjerët që kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë vendit do të mund të ishin përfitues nga një marrëveshje e lidhur në vitin 2009 mes ministrive të shëndetësisë të Kosovës e Turqisë, e cila ka për qëllim t’u sigurojë pacientëve trajtim për shërbimet shëndetësore që nuk ofrohen në vend. Sipas marrëveshjes, përzgjedhja e pacientëve duhet të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë dhe të aprovohet nga ajo në Turqi, ndërsa përgjegjësi e institucioneve të Kosovës është vetëm sigurimi i biletave të udhëtimit për pacientët dhe shoqëruesit e tyre.
Marrëveshja, e cila parashihte që brenda një viti në spitalet e Turqisë të trajtoheshin 100 pacientë falas, gati asnjëherë nuk është zbatuar në tërësi.
Trokitje në derë pas dere
Luljeta sot pretendon se operimi i saj i dytë ishte bërë me lëshime që i shkaktuan pasoja afatgjata me të cilat po përballet edhe sot. “Gjendja u keqësua; pas një kohe mjekime e terapi më thanë me shku në Turqi me ba një operim tjetër, por kushtonte 20,000 euro e familja pati shpenzuar me mua kogja si shumë”, thotë ajo.
Për t’i siguruar paratë që nuk i kishin, anëtarë të familjes së saj hynë në kredi.
“Nejse disi i mbledhën me një kredi e shkova u operova”, kujton ajo. “Pata një operim 13-orësh kogja të rëndë — më vendosën vida e pllaka në shpinë. Nja 10 ditë aty kam qëndruar; m’u duk vetja si më mirë, po nuk zgjati shumë [dhe] prapë m’u desh të operohem në Kosovë te doktor Haxhi Avdyli”. Ky neurokirurg, sipas saj, e udhëzoi të kërkonte shërim jashtë vendit.
“Disa miq shikuan në spitale të Francës; thanë se kushton diku 40,000 euro vetëm operimi, plus tjerat, spitali… Unë dhe familja më nuk kishim se patëm shpenzuar shumë”.
Ndonëse Kosova ka marrëveshje për trajtim të pacientëve në Turqi, shpeshherë qytetarët i hyjnë kësaj rruge privatisht. Foto: Saranda Ramaj / K2.0.
Disa vjet pas, Luljeta tregon që bashkë me familjen e panë Ministrinë e Shëndetësisë si mundësi për ta ndihmuar. “Thashë ta provoj me ministri. Shkova, aplikova, dërgova letrat çka duhet, më thanë ‘të lajmërojmë kur del komisioni [me vendim]’. Unë prit, sen nuk merrja përgjigje”, kujton ajo.
Ajo madje thotë se i kishte trokitur në derë Ministrit të Shëndetësisë të asaj kohe, Ferid Aganit.
“Ai më pranoi, biseduam gjatë. Thonte, ‘S’kemi buxhet, duhet me pritë në rend; edhe nëse mujmë, vetëm gjysmën duhet me ta pagu’. Dikur i thashë: ‘Ministër, pasi s’keni pare, a mundeni një vizë me ma ba bre të shkoj në Francë? Tha, ‘Shohim, të lajmërojmë, bisedojmë’, e ma kurrë nuk më lajmëruan”, vazhdon rrëfimin ajo.
Sipas Udhëzimit administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, institucionet nuk mund të angazhohen për sigurim të vizave për pacientët të cilëve nuk u aprovohet trajtimi. K2.0 ka kontaktuar Aganin por nuk ka marrë përgjigje para botimit të këtij shkrimi.
E Luljetës me kalimin e ditëve dhimbjet vetëm i shtoheshin. Edhe pse e re në moshë, për t’i zbutur sado pak përdorte analgjetikë të fortë të llojit morfinë.
“Gjendja shkonte duke u keqësuar, u lodha kohën e fundit, mbeta në shtrat e gozhduar”, kujton ajo me dhembje. “Më jepnin katër herë në ditë morfinë në muskuj e 20 euro në ditë me gjylpana i shpenzoja, por ato droga më trullonin, e humbja vetëdijen”.
Mirëpo ilaçet nuk ishin për shërim — ato vetëm sa ia zbusnin përballjen me realitetin e vështirë me të cilin bashkëjetonte. Porsa kalonin disa orë prej kur i injektohej morfina, dhimbja sërish i kthehej.
Pa përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, zgjidhja e vetme që i kishte mbetur asaj dhe familjes ishte të pranonin që rasti të bëhej publik e të mblidheshin para nga njerëzit vullnetmirë. Aksionet e mbledhjes së fondeve për shërim jashtë vendit të nevojtarëve janë të shumta dhe të shpeshta — nga postimet që shpërndahen në rrjete sociale, te aksionet në sheshe të qyteteve e deri te përfshirja e njerëzve të famshëm për të ndihmuar.
Edhe pasi u mblodhën paratë, rruga e Luljetës për të marrë trajtim kishte ende pengesa.
“Diku afër një muaj kërkonin si në universitet ku isha duke studiuar, kërkonin te miqtë e njerëzit e tjerë, bëheshin aktivitete të llojllojshme”, tregon ajo. “Diku 25,000 euro u mblodhën.”
“Megjithatë vizën ma refuzuan Ambasada e Zvicrës dy herë radhazi”.
Përtej kufijve për kthim të shëndetit
Përpjekjet e Luljetës për shërim ende nuk kanë përfunduar, por shpresën më nuk e ka në sistemin publik shëndetësor në Kosovë. Në mungesë të ndihmës nga institucionet shëndetësore të vendit ku është lindur, ajo ka kohë që është larguar.
Jetën po e vazhdon larg familjes dhe me një përditshmëri të pazakontë për njerëzit e moshës së saj: zgjohet e bie me terapi. Ndonjëherë thotë se as ilaçet nuk i kryejnë punë, pavarësisht që me kalimin e viteve dozat e qetësuesve sa shkojnë e rriten.
“Ikjen” për shërim e ka bërë pesë vjet më parë — shpresën thotë se e ka gjetur në Francë.
Luljeta Lubovci, e cila po studionte për menaxhment ndërkombëtar, u largua nga Kosova në vitin e fundit të studimeve. Foto nga Luljeta Lubovci.
Në kërkim të ilaçit ajo kishte marrë rrugë ilegale për të kapërcyer kufijtë në stinë dimri.
Nga Franca, ku ende vazhdon t’i marrë shërbimet shëndetësore, rrëfen përpjekjet për t’u shëruar. “Familja gjetën dikë ilegalisht që do të më ndihmonte të dal në Francë — babi më shoqëronte. Ata i kërkuan 6,000 euro për të dytë”, tregon ajo, pesë vjet pasi kapërceu kufijtë e pesë shteteve për të mbërritur në shtetin francez.
I kujtohet në detaje ajo natë shkurti, të cilën e përshkruan si të ftohtë e me shi. Kalimi ilegal nuk ishte i thjeshtë, e sëmundja ia ndërlikonte udhëtimin edhe më shumë. Një pjesë të rrugës shpjegon se u detyrua ta bënte në këmbë, një punë jo e lehtë në gjendjen e saj shëndetësore.
“Kaluam nëpër Serbi, Hungari, Austri, Gjermani, Francë”, kujton ajo, ndërsa më së rëndi thotë se e pati kalimin ilegal nga Serbia në Hungari. “Kufirin e kemi kaluar diku 15 minuta në këmbë. Unë nuk mund të ecja shumë, por babi më ndihmonte dhe një zotëri nga ana e Deçanit, të cilin e takuam në Serbi”.
Kishin arritur disi në Francë, ku gjendja i ishte rënduar edhe më shumë.
“Pas shumë vështirësive, frikës, dhimbjeve, shkova në një emergjencë. Aty më morën në duar fatmirësisht dhe tri javë qëndrova në spital në qytetin Annecy të Francës”, tregon ajo.
Por sëmundja e rrallë me të cilën ishte diagnostikuar nuk trajtohej në atë qytet, kështu që iu desh të shkonte rreth 800 km larg në qytetin Tolouse për t’u trajtuar.
Deri tani ajo ka kryer katër operime në Francë.
“Pas mjekimeve, mjekët thanë: ‘Do të t’operojmë, por mjekimi yt do të zgjatë me vite, duhet të qëndrosh këtu'”, kujton ajo, dhe thotë se personeli i spitalit atje i siguruan banim të përkohshëm, i ndihmuan me dokumentet e nevojshme dhe për t’u pajisur me sigurim shëndetësor.
Pas vështirësive që kaloi ndër vite, ndërsa pret që sërish të operohet në Francë, ajo tregon se tani merr shërbime të mira shëndetësore.
Shëndeti me kredi
Shërbime mjekësore po mundohet që një kohë të gjatë të sigurojë edhe një prind për djalin e tij. Rashit Gashi nga Prishtina, prej lindjes së djalit, tash e shtatë vjet është endur në institucionet shëndetësore në Kosovë për të gjetur diagnozën e saktë të birit të tij. Tanimë është konfirmuar se ai ka çrregullim në spektrin autik si dhe të pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder – ADHD).
Përballjen me nevojat e trajtimit jashtë vendit Rashiti thotë se ai me familjen e kanë bërë krejt të vetëm. Në katër vitet e fundit thotë se trajtimi ka qenë më i vështirë, ashtu si edhe barra financiare. “Janë diku 22,000 euro që katër vitet e fundit i kam shpenzu”, thotë ai.
Për momentin ai është i papunë. Në të kaluarën ka qenë i punësuar dhe zë i fuqishëm sindikalist në Kompaninë për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), ku i është shkëputur kontrata para jo shumë kohe.
Në kohën kur ka mbetur fare pa të ardhura, atij i duhet ta kryejë një analizë gjenetike për të birin. Këtë lloj analize ai e përshkruan si analizë për të eksploruar se çka e stimulon ngecjen e zhvillimit të trurit për fëmijën e tij. Ajo nuk kryhet në institucionet publike spitalore në Kosovë, ndërsa në shtetet fqinje po, si dhe në institucione private në vend.
Por këto para janë shumë për këtë familje, prandaj Rashiti thotë se vendosën të kërkojnë ndihmë nga Programi për Trajtim Jashtë Vendit që vepron në kuadër të FSSh-së.
Për të pasur mundësi për të aplikuar në këtë fond, një kolegjium prej tre mjekësh duhet ta nënshkruajnë një dokument përmes të cilit dëshmohet se trajtimi për të cilin ka nevojë pacienti nuk bëhet në spitalet publike.
Por vështirësitë e Rashitit nuk lidhen vetëm me mundësitë e kryerjes së analizave shëndetësore.
Rashiti tregon se kur ua çoi dokumentin e nënshkruar zyrtarëve të FSSh-së, ata nuk ia pranuan. “Ky nuk është raport”, thotë se i thanë, dhe “sa për sy e faqe ma dhanë një mendim konsullar ku shkruante ‘udhëzohet për trajtim multidisiplinar'”.
U kthye sërish në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për ta marrë një raport të ri. Pak shpresa ka që kësaj radhe ndihma do t’i aprovohet. “Njëra nga punëtoret më tha, ‘merre aplikacionin, ama ne kurrë nuk kemi aprovu kërkesa të tilla'”, tregon ai për përvojën e dytë me FSSh-në.
Ai i ka dërguar edhe dy profatura për analizën, ashtu siç ligjërisht është e përcaktuar. Njëra nga profaturat është në laboratorin Olive në Kosovë, e tjetra në një spital në Maqedoni. “Profatura e laboratorit në Kosovë ka çmim 1,800 euro, ndërsa kjo në Maqedoni 2,500 euro. Laboratori i Kosovës nuk e kryen vet, por vetëm e merr mostrën, e dërgon në Turqi dhe më pas e kthen rezultatin”, shpjegon ai.
Por vështirësitë e Rashitit nuk lidhen vetëm me mundësitë e kryerjes së analizave shëndetësore. Ka më shumë se një muaj që vogëlushit të tij shtatëvjeçar i duhen ushqime të posaçme, e barrën financiare për këto shpenzime nuk e mbulon fare shteti.
“Është java e katërt që ka filluar me ushqim të posaçëm, me fibra, ushqim prej farave të pishës që nuk e kam ditë kurrë as që ekziston; 85 euro po kushton kilogrami”, tregon ai. “Veç për ushqim diku shpenzimet janë 400 euro në muaj”.
Kjo shifër rritet kur ai numëron edhe shërbimet e tjera që i duhet t’i paguajë, si kujdestarja e djalit. Në mungesë të ndihmës së shtetit, Rashiti ka vite që është futur në borxhe. Papunësia ia ka vështirësuar tashmë kthimin e huasë.
“Krejt këto vjet shpenzimet i kemi mbulu veç me kredi, sepse në fillim nuk është që iu kemi tregu shumë të afërmve dhe familjarëve; e kemi mbajtë këtë punë si të gjysë-izolume, e mandej na është dashtë me u marrë krejt vetë”, thotë ai. “Prejse më është shkëputur kontrata e punës, shokët po më ndihmojnë”.
Rasti me djalin e tyre shtatëvjeçar nuk është hera e parë që familja Gashi ka kërkuar ndihmë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Foto: Saranda Ramaj / K2.0.
Përballja e familjes Gashi me shpenzime financiare për shërbime shëndetësore që nuk ofrohen në Kosovë daton prej një periudhe edhe më të vjetër, kur para shtatë vjetësh babai i Rashitit ishte diagnostikuar me kancer. Në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) i kishin thënë që në atë fazë mund t’i ofrohej vetëm kemioterapi, por një mendim i dytë në një vend të rajonit u kishte rekomanduar që të operohej.
Aplikimin për të marrë mjete nga Fondi nuk kishin mundur ta bënin sepse nuk kishin mundur të siguronin një mendim konsullor që do t’ua mundësonte trajtimin jashtë vendit.
“Kanë thënë se është në fazë të vonshme dhe në atë fazë nuk mund të bëhet asgjë; në mungesë të raportit nuk kemi arritur që të aplikojmë në këtë fond”, kujton ai, dhe tregon se babain e kishte dërguar për trajtim në Shqipëri, ku ishte operuar në një spital privat. “Operimi ka kushtuar diku 7,700 euro”.
Një vit e gjysmë më pas pacienti kishte ndërruar jetë.
Në pritje të shtetit
Edhe Anita ka kohë që po pret ndihmën e shtetit për përmirësim të shëndetit. Jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht për të keq, sidomos në tri vitet e fundit kur lëvizja i është kufizuar.
Bashkëshorti i saj ka ardhur shpesh në QKUK këto vite për të kërkuar përgjigje se kur do t’i operohet bashkëshortja, e cila është futur në listë të pritjes për operim ortopedik qysh para tri vitesh.
“Më 7 dhjetor 2017 kemi qenë për kontroll, na kanë thënë që ka listë të pritjes e duhet me u regjistru. Bashkëshortja ka hy në listë, diku ka qenë e renditur e 154-ta paciente”, tregon ai.
Kishte menduar që radha do t’i vinte deri tash por askush ende nuk e ka telefonuar nga QKUK-ja. Ndërkohë gjendja e bashkëshortes së tij është rënduar dhe lëvizjet e saj janë të distancave fare të shkurtëra. “Ec diku 20-25 metra, jo më shumë”, tregon ai.
Askush në familjen e tyre nuk punon dhe gjendjen financiare e kanë të rëndë.
Operimi ortopedik kushton afro 10,000 euro. Sipas bashkëshortit të Anitës, operimi për të cilin po pret ajo ofrohet në shumë klinika private, por ata nuk kanë mundësi ta paguajnë. E vetmja zgjidhje thotë se u ka mbetur të presin listën në bazë të së cilës QKUK-ja do të duhej të kryente operimet.
Tre vjet pas, çuditërisht, ai thotë se emri i bashkëshortes ka shkuar edhe më poshtë në listë, ndërsa pacientë që janë paraqitur më vonë janë renditur për të kryer operacionin më herët. “Kur kam shku këtë vit me këqyrë pse nuk e kanë thirrë, në spital më thanë që është e radhitur e 174-ta në listë — u çudita se ajo para tri vjete ka qenë e 154-ta”, tregon ai.
Thotë se mjekët e kanë paralajmëruar që nëse nuk intervenon me kohë, rrezikon që të mos mund të lëvizë më.
Fakti që listat e pritjes në Klinikën e Ortopedisë në QKUK janë të vjetra qysh nga viti 2017 dëshmohet nga të dhënat zyrtare të këtij institucioni. Aty flitet sidomos për tri shërbime për të cilat pacientët presin ende edhe pas 3 vjetësh: për proteza të kërdhokulave, për proteza të gjunjëve dhe për operim të ligamenteve.
Më e gjata është lista e pacientëve që presin për proteza të gjunjëve. “Në listë të pritjes për vitin 2017 janë 106 raste, në vitin 2018 janë 306 raste, në vitin 2019 janë 303 raste, në vitin 2020 janë 91 raste”, thuhet në këto të dhëna. Janë gjithsej 806 pacientë që po presin ta marrin këtë trajtim. Për operimin e ligamenteve po ashtu radha për operim nuk është e vogël; për momentin në listë të pritjes janë rreth 700 persona.
Burri i Anitës dhimbjet e saj i shpjegon si të papërballueshme. Thotë se mjekët e kanë paralajmëruar që nëse nuk intervenon me kohë, rrezikon që të mos mund të lëvizë më.
Tregon se ka provuar të marrë ndihmë nga FSSh-ja por sipas tij menjëherë është refuzuar. “Kur shkova atje më thanë ‘jo se ky shërbim kryhet në QKUK, ndërsa ne i mbulojmë vetëm shërbimet që nuk ofrohen në spitale’”, tregon ai.
Ndihma e mohuar
Besim Kodra tash e disa vjet udhëheq Shoqatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë. Kjo organizatë pranon shumë ankesa për shërbimet shëndetësore, por sipas Kodrës të shpeshta janë rastet kur ankesat bëhen për mungesë të mundësisë për t’u shëruar edhe kur sëmundjet trajtohen në Kosovë.
“Ky fond [për trajtim jashtë vendit ose jashtë institucioneve publike] në përmbajtje është diskriminues pasi që sëmundjet që nuk trajtohen në institucionet publike i mbështet, ndërsa pacientët të cilët mund të trajtohen në institucionet publike përkundër pritjes së gjatë dhe të paarsyeshme për shkak të mungesave në furnizim me material shpenzues dhe barna nuk i mbështet”, thotë ai. “Kjo ka ndikuar që disa qytetarëve t’u kufizohet jeta për periudha të gjata dhe të paarsyeshme kohore”.
“Kemi pranuar ankesa të shpeshta nga ana e pacientëve të cilët nuk janë mbështetur nga ky fond, pasi që QKUK u ka lëshuar një vërtetim në të cilin shkruante: ‘Ky intervenim nuk kryhet në QKUK, por po të kishim material shpenzues dhe barna do ta trajtonim’. Një vërtetim të tillë nuk e pranonte FSSh-ja dhe kështu pacienti nuk arrinte të merrte mbështetje as nga Fondi e as nuk mund të trajtohej në QKUK”, shpjegon ai.
Udhëheqësi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, thotë se pacientëve u mohohet trajtimi edhe për shkak të mungesës së materialit shpenzues në institucione publike. Foto nga Besim Kodra.
Kur këta pacientë e pacientë të tjerë po përballeshin me probleme shëndetësore që nuk merrnin zgjidhje, shteti në dorë kishte mundësi që pa shpenzuar fare një pjesë të tyre t’i dërgonte për trajtim në Turqi. Për një dekadë, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka zbatuar asnjëherë plotësisht marrëveshjen me shtetin turk.
Biletat e udhëtimit ishin të vetmet shpenzime që do të paguheshin nga Qeveria e Kosovës. Kjo është e përcaktuar në nenin 5 të kësaj marrëveshjeje, një kopje të së cilës e ka siguruar K2.0. “Pala turke duhet të ofrojë trajtim në spitalet e Turqisë për 100 pacientë nga Kosova që nuk mund të trajtohen në spitalet e Kosovës”, thuhet në paragrafin e parë të marrëveshjes.
Përderisa MSh-ja s’e ka shfrytëzuar këtë marrëveshje, shuma të mëdha parash ka shpenzuar për të paguar shërbime për të njëjtën kategori, por jashtë marrëveshjes. Nga dokumentet e pjesshme të siguruara për vitin 2013, MSh-ja për spitalet në Turqi ka paguar me shumë se 1 milion euro.
Vetëm spitalit Acibadem për nëntë pacientë i janë paguar rreth 125,000 euro, e në spitalin tjetër turk Isil Halgig Hymzet rreth 150,000 euro për nëntë pacientë. Nga të dhënat e siguruara nga viti 2013, këto spitale janë kontraktuar më së shumti nga Ministria e Shëndetësisë.
Një gjë e tillë bëhet e ditur edhe në raportin vjetor të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për vitin 2019. Aty thuhet që për herë të parë vitin e kaluar institucionet përgjegjëse e kanë shfrytëzuar plotësisht marrëveshjen.
Nga rreth 1,400 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në vitin 2019 nga ky institucion, rreth 130 prej tyre janë refuzuar. Ndërsa në vitin 2020 sipas drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Fatmir Plakiqi ka pasur më pak kërkesa sesa vitet e kaluara. “Numri i aplikimeve / kërkesave deri [në gusht 2020] është 918”, ka thënë ai.
Janë disa fusha për të cilat ka më shumë kërkesa për trajtim jashtë shtetit, është përgjigjur ai për K2.0: “Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë janë: Pediatria (sëmundjet kardiokirurgjike të fëmijëve; leukemi dhe sëmundje tjera malinje etj.), Oftalmologjia, Ortopedia, Hematologjia (sëmundjet malinje të të rriturve)”.
Plakiqi ka mohuar të ketë burokraci institucionale për shqyrtimin e kërkesave për trajtim jashtë vendit. Thotë se për rastet urgjente procedura kryhet brenda javës, e ato që mund të presin brenda dy javësh.
“Sa i përket procedurave të vendimmarrjes për rastet elektive (jo urgjente) … komisioni i MSh-së afërsisht përfundon për një javë nga momenti i aplikimit, ndërsa deri tek miratimi i shumës financiare (për rastet elektive) nga ana e Bordit Ekzekutiv … kohëzgjatja është afërsisht rreth dy javë”, ka thënë ai. “Ndërkaq, për rastet urgjente … FSSh lëshon fletëzotim / garancion brenda ditës ose më së largu të nesërmen, që nënkupton se pacienti mund të fillojë trajtimin e nevojshëm shëndetësor menjëherë”.
Të paktën 20 pacientëve u janë shkelur të drejtat gjatë aplikimit për trajtim jashtë institucioneve publike në vitin 2018; MSh-ja ka humbur 20 beteja gjyqësore me pacientët e pakënaqur atë vit. Nga këto vendime gjyqësore, ky institucion është detyruar të paguajë rreth 115,000 euro.
Në vitin 2019, të drejtën përmes gjykatës karshi FSSh-së e kanë fituar gjashtë qytetarë.
Sipas udhëzimit administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, shteti duhet t’i mbulojë shpenzimet për shërbimet që nuk ofrohen në sistemin publik shëndetësor dhe nuk përjashtohet mundësia që trajtimi të bëhet në institucione shëndetësore private.
Për herë të fundit ky udhëzim administrativ është amandamentuar në vitin 2017. Aty përcaktohet se një pacienti brenda vitit nuk mund t’i paguhen me shumë se 30,000 euro; përjashtim bëjnë personat nën 18 vjeç dhe rastet sociale.
FSSh-ja është futur në borxh disa milionë euro në disa spitale. “Obligimet e papaguara deri në muajin nëntor [2020], janë: 5,936,802.85 [euro]”, ka thënë për K2.0 drejtori i FSSh-së Plakiqi.
Kjo gjë sipas Besim Kodrës nga Shoqata e Pacientëve tregon mosfunksionimin e sistemit shëndetësor.
“[Programi] për Trajtim jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore ka qenë dhe mbetet një problem i madh si në konceptim të tij, ashtu edhe në mënyrën se si funksionon”, thotë ai. “Ky fond [FSSh] vazhdimisht është i mbingarkuar me kërkesa të pacientëve për financim, si rezultat i mosfunksionimit normal të institucioneve shëndetësore në Republikën e Kosovës”.
Kjo mënyrë e funksionimit sipas tij ka ndikuar që FSSh-ja të hyjë në borxhe, “edhe pse me Ligjin për Sigurime Shëndetësore një gjë e tillë është e ndaluar, pasi që thuhet se Fondi as nuk merr e as nuk jep hua”.
Sipas dokumenteve që ka siguruar K2.0, shumica e buxhetit të FSSh-së ka shkuar për ato sëmundje kardiologjke që deri në vitin 2019 nuk kryheshin në sistemin publik. Në përurimin e rinovimit të Kardiologjisë Invazive në QKUK më 2019, ish-ministri i shëndetësisë Uran Ismaili tha se po merrte fund “varfërimi i qytetarëve në kërkim të një shërbimi shëndetësor”. Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi — edhe pasi shërbimet e kardiologjisë invazive filluan në spitalet e shtetit, sipas të dhënave zyrtare shpenzimet vjetore nuk janë zvogëluar.
Edhe një ndër aferat më të madhe të korrupsionit për nga pesha e dëmit financiar dhe numrit të të akuzuarve, e njohur si “krimi me zemër” ose afera “Stenta”, lidhet me rastet në kohën kur shërbimet e kardiologjisë invazive nuk ofroheshin në spitale shtetërore.
Për një aferë të tillë që u bë publike në vitin 2014 është ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të shëndetësisë Ferid Agani dhe 60 zyrtarëve e mjekëve të cilët akuzoheshin se u kishin dërguar pacientë nga spitalet publike kolegëve të tyre në spitalet private. Në prill të vitit 2019 Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi ish-ministrin Agani me dy vjet e gjashtë muaj burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në fund të 2019-tës rasti i tij u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sikur Programi për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore të funksiononte si duhet, e të zbatohej çdo vit plotësisht marrëveshja me Turqinë për dërgimin e 100 pacientëve nga Kosova për shërim pa pagesë, ndoshta Luljeta Lubovci nuk do të kalonte ilegalisht nëpër pesë shtete për të kërkuar shërim në Francë.
As burri që tash e tri vjet po pret që bashkëshortja e tij Anita të trajtohet në QKUK nuk do ta shtronte pyetjen dëshpëruese: “A duhet me dekë për me ta ofru shërbimin a qysh?”K
*Emri Anita është pseudonim për ta mbrojtur identitetin e personit në fjalë.
Imazhi i ballinës: Saranda Ramaj / K2.0.
Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.