Dy dekada pas fillimit të procesit të privatizimit në vend, shumë prej fabrikave që dikur simbolizonin zhvillimin industrial të Kosovës nuk janë më funksionale. Përkundër premtimeve për investime e revitalizim të tyre, në të shumtën e herave, pas privatizimit, ato i ka pritur fati i njëjtë –– mbyllje ose rrënim, teksa herë-herë janë kthyer edhe në supermarkete apo hapësira për shfrytëzime të tjera.
Për pjesën dërrmuese të ish-punëtorëve të fabrikave, privatizimi nënkuptoi humbjen e vendeve të tyre të punës dhe përballje me luftën për ta gjetur udhën e tyre në ekonominë e re post-socialiste. Vlerësohet se gjithsej, në të gjithë sektorët e ekonomisë, rreth 75,000 persona kanë mbetur të papunë si pasojë e privatizimit.
Pak kohë më parë, K2.0 botoi artikullin multimedial “Peizazhe rrënojash industriale” që vuri në qendër përvojat e punëtorëve të industrisë së rëndë të Kosovës, të cilët pas privatizimit të fabrikave u detyruan të largoheshin nga vendet e tyre të punës, ku kishin kontribuuar për vite të tëra.
Për kritikët, procesi i privatizimit është një ndër faktorët kyç që ka çuar në deindustrializimin e ekonomisë së vendit duke dështuar të rivitalizojë potencialin ekzistues industrial në vitet e pas-luftës.
Në maj të vitit 2021, Qeveria shkarkoi bordin e kaluar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) si hap të parë në procesin e mbylljes së saj dhe inicimin e formimit të Fondit Sovran, i cili do të menaxhojë asetet strategjike shtetërore, si Trepçën, KEK-un, Telekomin, Postën. Bordi i ri i AKP-së tanimë ka bërë evidentimin e aseteve, të cilat planifikohet t’i barten Fondit Sovran dhe në mars të këtij viti qeveria ka miratuar koncept-dokumentin për themelimin e Fondit.
Për të folur për ndikimin dy-dekadësh të privatizimit në industrinë e Kosovës dhe hapat e ardhshëm në lidhje me formimin e Fondit Sovran, në bisedë do të na bashkohen:
- Avni J. Jashari, Zëvendës i Drejtorit Menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit
- Besnik Pula, kryetar i Grupit Punues për Themelimin e Fondit Sovran
- Ruhan Kadriu, ish-punëtor i Fabrikës së Armaturave të Ndërtimtarisë
- Nita Luci, antropologe
Diskutimi do të moderohet nga gazetarja e K2.0 dhe autorja e artikullit “Peizazhe rrënojash industriale”, Lirika Demiri.
Diskutimi do të mbahet më 21 mars, ora 17.30 në sallën e vogël, në katin I, në Hotel Grand. Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe.
Të pranishmit duhet të mbajnë maska dhe ta respektojnë distancimin social gjatë ngjarjes.
Imazhi i ballinës : Ferdi Limani / K2.0
Ky diskutim mbështetet nga “Trusti Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij diskutimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.
Pse kjo klauzolë?