Pikëpamje | Media

Gazetarëve s’ka kush t’u përgjigjet

Nga - 29.10.2021

Institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos jenë të hapura ndaj mediave.

Në vitin 2018, gazetari Fitim Gashi nga grupi medial “KOHA”, që për 10 vite përcjellë punën e institucioneve të larta të Kosovës, i kishte dërguar pyetje me shkrim drejtuar Zyrës së Presidencës, atëkohë të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Pyetjet kishin të bënin rreth korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë – një temë aktuale atë kohë e cila diskutohej si opsion për marrëveshjen finale mes këtyre dy vendeve.

Përveç se s’kishte marrë ndonjë përgjigje, në një konferencë të ish-presidentit Thaçi, kur Gashi kishte tentuar t’i shtrojë pyetjet e njëjta, Thaçi i kishte thënë se po mediumi ku punon fliste me “gjuhën e Vuçiqit”.

“Pyetja ka qenë nëse do t’i ofrohet Serbisë territor në këmbim të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për të cilën pati thënë se po punon t’ia bashkëngjisë Kosovës. Thaçi i ka quajtur propagandë raportimet e tilla”, thotë Gashi teksa kujton ngjarjen e para katër viteve.

Thaçi, figurë publike në skenën politike në Kosovë që nga paslufta, ndonëse i kishte ndërruar pozitat qeverisëse, nga kryeministër, në ministër të punëve të jashtme, e deri te presidenti, kishte mbajtur qasjen të njëjtë ndaj gazetarëve nëpër konferenca.

“Mbaj mend zakonin që e ka pasur ish – kryeministri Hashim Thaçi. Pyetjeve që i shtroja në konferenca shtypi, e me të cilat zihej ngusht e në siklet, u përgjigjej me: “Tjetri!”. Pra, të shpërfillte”, thotë Besnik Krasniqi, gazetar në grupin ‘KOHA’ që përcjellë punën e qeverisë ndër vite.

Konferencat e mbajtura nga institucionet e larta qeverisëse janë të rëndësishme pasi gazetarët kanë mundësinë të shtrojnë pyetje relevante e sfiduese drejtpërdrejt për t’i mbajtur llogaridhënës njerëzit në pushtet. Por, politikanët në Kosovë ndër vite i kanë lënë gazetarët pa përgjigje. 

Qeveri të ndryshme, qasja e njejtë

Secila parti ose koalicion partish që ka qeverisur me institucionet e Kosovës ka shfaqur qasje jo transparente në raport me mediat. Mungesa e zëdhënësve, injorimi i pyetjeve në konferenca, mos kthimi i përgjigjeve përmes adresave elektronike, e shpesh shmangja e pyetjeve me përgjigje të tërthorta, i ka karakterizuar këto periudha qeverisjeje ndër vite. 

Gjatë periudhës së qeverisjes së ish-kryeministrit Isa Mustafa nga partia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), gjatë viteve 2014-2017, nuk kishte pasur zëdhënës të qeverisë gjatë dy muajve të parë të qeverisjes.

Mirëpo, edhe pas caktimit të Arban Abrashit si zëdhënës — i cili njëkohësisht mbante edhe postin e ministrit të Mirëqenies Sociale — Mustafa preferonte që komunikimin e tij me qytetarët ta bënte përmes rrjetit social Facebook, për t’iu ikur konferencave dhe përballjeve me gazetarët.

Në anën tjetër, bashkëpartiaku i Isa Mustafës, Avdullah Hoti i cili mori pozitën e kryeministrit në vitin 2020, veproi po njëjtë.

Për katër muaj ai nuk kishte emëruar zëdhënës për media, për çfarë kjo kishte nxitur reagimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile, të cilët kishin kërkuar emërimin sa më të shpejtë të zyrtarit për informim. Pas këtij reagimi, Hoti kishte emëruar zëdhënëse në qeverinë e tij Antigona Baxhaku–Idrizi.

“Besoni, shkoni më shumë në shkollë”, ishte fraza që pasqyron qasjen e Haradinajt ndaj gazetarëve gjatë periudhës së qeverisjes së tij.

Ndërkaq, periudha e qeverisjes së pasuesit të Mustafës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili ishte në krye të Qeverisë nga viti 2017 deri më shkurt 2020, nuk mbahet mend për emërimin në kohë zëdhënësit e qeverisë, por për ofendimin e gazetarëve.

Në një konferencë në vitin 2017, ish-kryeministri Haradinaj ishte pyetur nga gazetarët për raportimet rreth një deklarate të Ambasadës Amerikane lidhur me demarkacionin me Malin e Zi. Haradinaj pavarësisht se kishte thënë që i respekton mediat, gazetarëve iu kishte drejtuar duke u thënë se, “ju nuk dini të lexoni anglisht”, dhe se “raportoni pa ditur si po raportoni”. “Besoni, shkoni më shumë në shkollë”, ishte fraza që pasqyron qasjen e Haradinajt ndaj gazetarëve gjatë periudhës së qeverisjes së tij.

Mungesë e transparencës është vërejtur edhe në Qeverinë Kurti I. Në periudhën gjatë vitit 2020, kur bashkëqeveriste koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe LDK-së, qeveria kishte mbetur pa zëdhënës për një muaj, gjë që nxiti reagimin e AGK-së por edhe të gazetarëve. 

Kryeministri Kurti nuk kishte dalë në asnjë konferencë për media për gjithsej 45 ditë gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së tij.

Gjatë kësaj periudhe u identifikua edhe mungesa e konferencave për shtyp pas mbledhjeve të Qeverisë, gjë e cila nga gazetarët konsiderohej si mungesë transparence nga ana e këtij institucioni. Përkundër asaj që vetë Kurti si kryeministër kishte premtuar transparencë, dhe po për këtë kishte qenë kritik i fortë ndaj pushteve të kaluara. 

Kjo praktikë thuajse nuk ka ndryshuar as në Qeverinë Kurti II, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të 14 shkurtit 2021. Ani pse, kryeministri Kurti emëroi dy zëdhënës për media, ky veprim nuk ka sjellë ndonjë ndryshim për sa i takon transparencës në raport me mediat.

Kryeministri Kurti nuk kishte dalë në asnjë konferencë për media për gjithsej 45 ditë gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së tij. Megjithëse kryeministri Kurti iu kthye konferencave për media, nuk përvetësoi qasje më të mirë. Në konferenca disa gazetarë ndiejnë që media të caktuara favorizohen. 

“Fillimisht fjala iu dha mediave që i japin mbështetje Qeverisë, madje gazetarët nga ato media kishin mundësi t’i bënin deri në 5 pyetje pandërprerë, derisa unë prisja me mikrofon në dorë për të shtruar pyetjen time”, thotë Valmira Saraçi–Sahatçiu, gazetare në RTK. 

Jo vetëm në konferenca për medie, por edhe në korrespodencat elektronike, qeveria Kurti duket se është e mbyllur. 

Para se të rindizeshin tensionet në veri të Kosovës me masat e ndërmarra për targat e automjeteve që hynin nga Serbia, Besnik Tahiri, gazetar në Klan Kosova, i kishte dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) pyetje pikërisht lidhur me këtë temë.

“”A do te nxjerret ndonjë vendim lidhur me targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia, e të cilat janë të qasshme në veri të Republikës së Kosovës”?” kishte pyetur Tahiri, por, pavarësisht se masat ishin ndërmarrë ca kohë më pas, Tahiri nuk kishte pranuar ndonjëherë përgjigje. 

Një konferencë ku nuk ka pyetje nuk mund të quhet konferencë.

Ndërkaq, një karakteristikë tjetër e konferencave për media ndër vite, sipas gazetarëve të intervistuar, është tendenca që para konferencave për shtyp të tregohej pyetja, e pastaj të vendosej nëse duhej ose jo të jepej mundësia për ta shtruar. 

Këtë qasje, Ideal Gola, drejtori i informacionit në agjencinë e lajmeve “Kosova Press”, e ka quajtur adresim ndaj mediave dhe jo konferencë shtypi. Sipas tij, në momentin kur në një konferencë nuk ka pyetje nuk mund të quhet konferencë.

Por, sipas Alban Zenelit, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, kjo është strategji e zyrës së marrëdhënieve me publikun. 

“Qëllimi është për të shmangur temat e padëshiruara nga politikanët dhe me iu dhënë hapësirë temave që ata dëshirojnë”, tha Zeneli.

Në një hulumtim të K2.0 ku gazetarë nga 10 organizata mediale, gjatë pesë muajve brenda 2018 – 2019 monitoruan dhe analizuan 52 konferenca për media të institucioneve, nga 75 rastet kur gazetarët monitorues kishin bërë pyetje, në vetëm 26 prej tyre kishin marrë përgjigjje konkrete ndërsa në 49 prej rasteve ata kishin deklaruar se përgjigjja që kanë marrë ka qenë e pjesshme apo jo konkrete.

Sa i përket korrespondencës elektronike, nga 152 e-maile të dërguara institucioneve publike, vetëm 76 prej tyre kanë marrë përgjigje. Në 26 prej rasteve kur kanë marrë përgjigjje, gazetarët monitorues kishin deklaruar se përgjigjja ka qenë e pjesshme apo jo konkrete.

“Sa më e lartë të jetë transparenca e institucioneve të një vendi aq më i lartë është edhe niveli i demokracisë”

Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në UP.

Këto vështirësi ndër vite gazetarët  i kanë adresuar edhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), organizatë joqeveritare që ka për mision mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e gazetarëve, e cila ka reaguar vazhdimisht në raste të tilla në mënyrë që të mbështesë gazetarët në punën e tyre.

“Përveç mungesës së përgjigjeve në kuadër të trajtimit të temave të ndryshme, përfaqësues të institucioneve nuk pranojnë në shumicën e rasteve as të marrin pjesë në emisione, në intervista, e tepër rrallë në debate”, ka thënë Naim Sadiku, anëtar i bordit të AGK-së, duke shtuar se institucionet e kanë përgjegjësi që t’u përgjigjen gazetarëve dhe kjo qasje e tyre duhet të ndryshohet.

Ndërkaq, Zeneli, konsideron se se kjo qasje e politikanëve është mënyra e tyre për t’i shmangur përballjet me pyetjet e gazetarëve.

“Kryesisht për temat që nuk i duan, për ato që nuk kanë fare qëndrime, apo thjeshtë nuk duan të përgjigjen në momentet kur  ‘zihen ngushtë’, duke orientuar vëmendjen e publikut në tema që ata dëshirojnë”, ka thënë Zeneli.

Tutje ai ka thënë që transparenca është e rëndësishme sepse lidhet direkt me llogaridhënien e pushteteve para zgjedhësve të tyre apo qytetarëve. 

“Sa më e lartë të jetë transparenca e institucioneve të një vendi aq më i lartë është edhe niveli i demokracisë”, ka thënë Zeneli.

Komunikimi i njëanshëm përmes rrjeteve sociale

Rrjetet sociale përbëjnë platformën më të re globale të politikanëve për komunikim. Vetëm në zgjedhjet e fundit në ShBA në vitin 2020, ish-presidenti Donald Trump llogaritet të ketë shpenzuar rreth 40 milionë dollarë për reklama në Facebook. Ndërkaq, pak më afër Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kritikohet vazhdimisht se shmang gazetarët duke dhënë informacione të rëndësishme vetëm përmes rrjeteve sociale, ku transmeton edhe televizionin e tij “ERTV”.

Ky fenomen e ka përcjellë edhe skenën politike në Kosovë. Rrjetet sociale janë bërë platforma informuese, ndër tjerash, për kur qeveria merr vendime, presidentja takon apo viziton delegacione, apo për deklarata të figurave politike lidhur me çështjet aktuale. 

Politikanët i përdorin rrjetet sociale për t’i dërguar mesazhet e tyre pa e pasur nevojën e gazetarit si medium dhe ballafaqimin me ta. Duke e ditur se çka do që shkruajnë ata në Facebook ose Twitter, do të përbëjë lajm për medie, rrjetet sociale u shërbejnë si rrugë e shkurtë për në medie pa gazetarë. Tashmë, të gjithë figurat politike janë mjaft aktive në rrjete sociale. 

Ndërsa komunikimi i politikanëve në rrjete sociale ka ndikuar negativisht tek gazetarët në rrjedhën e tyre të punës, po ashtu e ka dëmtuar cilësinë e informimit të publikut.

Kryeministri Kurti, për shembull, numëron rreth gjysmë milionë ndjekës në rrjetin social Facebook, presidentja Osmani rreth 350 mijë, ndërkaq kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe disa nga ministrat prej 90 deri në 40 mijë. Ngjashëm qëndrojnë numrat edhe për figurat politike të qeverive të kaluara, tashmë në opozitë. 

Përderisa kjo formë ka ndikuar negativisht tek gazetarët në rrjedhën e tyre të punës, po ashtu e ka dëmtuar cilësinë e informimit të publikut.

Për asistentin universitar Alban Zeneli, kjo formë komunikimi, ndikon që para publikut të servohen lajme të prodhuara në mënyrë jo profesionale, duke mos plotësuar as kriterin bazik të gazetarisë, i cili thotë se lajmet duhet të kenë së paku dy burime.

“Përveç mungesës së burimit të dytë, apo balancit të informacioneve, këto lajme shpeshherë dalin as pa ndonjë sfond, background të ngjarjes për të cilin ka shkruar një zyrtar në rrjete sociale”, thotë Zeneli.

Ndërkaq, gazetarja e RTK-së Valmira Saraçi – Sahatçiu konsideron se me përdorimin e rrjeteve sociale, përfaqësuesit shtetëror zgjedhin të servojnë çfarë ata dëshirojnë.

“Kjo natyrisht që e bën të vështirë punën, duke pamundësuar  të marrim përgjigje për çështjet e caktuara”, ka thënë Saraçi–Sahatçiu.

Ideal Gola, drejtor i informacionit në agjencinë e lajmeve KosovaPress, thotë të ketë pasur raste kur gazetarët kanë kërkuar informacione shtesë rreth deklaratave të publikuara në rrjete sociale dhe u është thënë t’u referohen tek të njëjtat. 

Një komunikim i tillë nga ana e politikanëve është e papranueshme edhe për AGK-në. Sipas anëtarit të Bordit të AGK-së, Naim Sadiku, kjo qasje nuk po ofron informim të saktë sepse qytetari e merr informatën vetëm nga mënyra se si dëshiron ta lansojë zyrtari i caktuar.

Alban Zeneli konsideron se kjo strategji shërben për shmangien e gazetarëve. 

“Për temat që nuk dëshirojnë të flasin i shmangin pyetjet e gazetarëve duke mbajtur gjithnjë e më pak konferenca për media e duke prolonguar përgjigjet e drejtuara nga gazetarët edhe përmes formave tjera”, ka thënë Zeneli. 

Imazhi i ballinës: K2.0.

KOMENTO